“Robi i Lartesive”, rikrijimi surreal i nje hapesire te lenduar

dajti

Review rreth romanit “Robi i Lartësive”, të autorit Ermir Nika, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Fan Noli

Petrit PALUSHI

Në vitet ’60 të shekullit të XX, Kina i dhuron Shqipërisë një Radiostacion. Në Malin e Dajtit, aty ku po vendosej antena, pikëzohen dhe marrin frymë ngjarjet, n’atë mjedis luhen drama njerëzore, shpalohen vrullshëm karaktere, koha më shumë rri e thyeshme e herë – herë pezull, sesa mbetet në rrjedhën e vet. Ndërkohë, një njohje gati – gati e rastësishme e inxhinierit shqiptar, Adrianit dhe teknikut kinez Çan Pao Y, nuk është vetëm një pikëtakim i dy personazheve më vepruese të romanit. Vdekja e teknikut kinez Çan Pao Y, teksa mbeti përjetësisht robi i lartësive – kjo është fabula e romanit, e cila lehtësisht shndërrohet në makrotemë.

Një roman i shkruar bukur, roman i karaktereve, provokues qysh në titull dhe në krejt shtjellën rrëfimore, një thurje e natyrshme e subjektit. Një rrëfim që rrjedh telegrafisht, pa kurrfarë ndalese, ku çdo pjesëz rrëfimi sikur ndrit më tepër se tjetra. Aty shpalohen imazhe, ide, sa të sjell ndërmend përcaktimin e nobelistit O. Pamuk: “Mendjet tona punojnë në mënyrë të tillë, që ato të cilat ne i quajmë mendime ose ide, përbëhen nga kombinime fjalësh dhe pikturash”.

Qysh në antikitet letërsia zbriti te shpirti i njeriut: te dashuritë, urrejtjet, zemërimet, moskuptimet, paragjykimet, etj., etj.

Edhe te romani “Robi i lartësive”, i shkrimtarit Ermir Nika, njeriu shfaqet pothuajse ai i mëhershmi, por tashmë në një kontekst tjetër. Shkrimtari e zhvendos rrëfimin natyrshëm nga kryeqendra e Shqipërisë, Tirana, bash në periferi, në Malin e Dajtit, por për lexuesin e vëmendshëm është zhvendosje në lartësi, në zonë të epërme, ku vijnë pa ndalesa të gjitha ngjyrat e komunikimit.

Do t’ishin të mjaftueshme këto dy fragmente të shkurta nga romani – “Nga dritarja e mbyllur vëreja Tiranën se si zvogëlohej dhe përmblidhej gjithmonë e më shumë në vetvete, derisa edhe zhurmërimat e saj u platitën”; ….

“Mbase ashtu, jo rastësisht, Tirana përvijohej në formën e një ylli të rrëzuar tradhtisht, kinse nga forca e gravitetit, apo besëtytnia e njeriut”, – si shenjë se ngjarjet në Malin e Dajtit marrin më tepër frymë, aty formësohen fate të çuditshme njerëzore, ka më tepër gjallnim jete.

Është pra diçka krejt ndryshe nga e zakonshmja, ose lexuesi mund ta marrë si të tillë. Mjedisi ku po ngrihej antena e Radiotelevizionit Shqiptar është njëkohësisht edhe zona më dramatike e rrëfimit, ku shpesh shkunden mendësi ndërkontinentale, ku filtrohen ngjarje që vjetrohen menjëherë, thuajse aty për aty dhe të tjera që shpalohen me tjetër dritë, ose me dritë të mungueshme.

Kësisoj, një dritë e tillë e ngroh palcën e rrëfimit, karakteret shfaqen në plotninë e tyre, anipse drita e mungueshme fillimisht është vështirësisht e kuptueshme.

Ndodh që veprat letrare të japin frymën e një epoke, shumë më mirë se ato historike. Mjafton një detaj, një prekje arkivore e kohës dhe më pas shkrimtari aktivizon elementët letrarë në rikrijimin e një atmosfere krejt të besueshme.

Një përplasje e elementëve realë me ato surrealë krijon ndërdyshje në sytë e lexuesit, derisa t’i krijohet besueshmëria se rrëfimi s’është faktografik, por i një natyre tjetër, të cilin fatlumnisht e ka vetëm letërsia.

Kështu ndodh edhe me romanin “Robi i lartësive”, të shkrimtarit Ermir Nika, ku rikrijohet artistikisht hapësira e një kohe të lënduar në vitet ’60 të shekullit të XX, e lënduar në rrafshin vertikal dhe horizontal.

Marrëdhëniet Shqipëri – Kinë të asaj kohe ngjajnë sa të largëta, aq edhe të afërta njëkohësisht dhe të vështrosh një kohë të tillë (kthimi pas), është njësoj si të trazosh një mjegullnajë të frikshme.

Megjithatë, në shtjellën e rrëfimit të romanit, të ngjan se ngjarjet nuk mbyllen, se njëherazi fillon riciklimi i kohëve herë dramatike, herë lirike, por herë – herë edhe krejt të pashpjegueshme, të përzishme. Ndërkohë, lexuesi vazhdon të shijojë rrëfimin e bukur.

ermiri
Autori i romanit, Ermir Nika

Burimi: Gazeta Liberale

Librin e gjeni tek Bukinist.al

Porosit edhe përmes e-mail-it info@bukinist.al, ose telefonit: 044508282

robi-i-lartesive.jpgTË DHËNAT E LIBRIT

TITULLI: Robi i lartesive

AUTORI: Ermir Nika

SHTËPIA BOTUESE: Fan Noli   

FAQET: 223

ISBN 9789928291592

VITI I BOTIMIT: 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *