Përfitimet e lexuesit nga diagnoza e librit “Gjak i keq”

gjak-blogu
gjak-blogu
Kopertina e librit, Gjak i keq

Review rreth librit Gjak i keq” të gazetarit të Wall Street Journal, John Carreyrou, sjellë në shqip nga BOTART: Historia e Therranos, startup-it tullumbace, me vlerë 9 miliardë dollarë që nuk ofroi asnjëherë produkte apo shërbime: Një investigim që duket si thriller që nuk mbaron kurrë.

albert-gjoka-175x300Albert Gjoka

Pas titujve të suksesshëm të tregut ndërkombëtar të librit, si “Sapiens”, “Homo Deus”, “21 leksione për shekullin e 21” të Yuval Noah Hararit, “Kush e sundon botën” të Noam Chomskit, apo “Vetëvrasja e Europës” të Dagllas Murrayt, shtëpia botuese “Botart” sjell për lexuesit shqiptar një tjetër libër goditës; “Gjak i keq” i gazetarit John Carreyrou, i përkthyer në shqip nga Ino Gramozi.

Ky libër, që kur është botuar në vitin 2018, ka tronditur botën me historinë dhe faktet tronditëse që ka dëshmuar, duke u konsideruar si një thriller real. Brenda një viti, ai është shpallur si libri më i mirë i “The New York Times”, “Washington Post”, “Financial Times” dhe ka shënuar shitje në nivele rekord në Europë dhe në SHBA.

Autori, John Carreyrou, me profesion gazetar investigues prej rreth 20 vjetësh në gazetën prestigjioze ekonomike ndërkombëtare, The Wall Street Journal, ka fituar dy herë çmimin Pulitzer, duke hetuar praktikat abuzive të kompanive të mëdha amerikane dhe ka zbuluar shpërdorime me miliarda dollarë të taksave të shtetasve amerikanë. E gjithë përvoja e tij si raportues vjen e thelluar në investigimin që i bëri kompanisë Theranos dhe themelueses së saj, Elisabeth Holmes gjatë vitin 2016.

Theranos ishte një start-up i ngritur në Silicon Valley, ku themeluesja e saj, Elisabeth Holmes, e cila kishte braktisur studimet në Unversitetin e Stanfordit, synonte që krijonte pajisje inovative për diagnostikimin e rreth 200 lloje sëmundjesh përmes analizave të disa pikave të gjakut.

Bukuroshja karizmatike Holmes hyri në tregun e ëndrrave të mëdha për të qenë një model i përngjashëm me idhullin e saj, Steve Jobs. Brenda një kohe të shkurtër vlera e kompanisë së saj arriti në rreth 9 miliardë dollarë, kur paradoksalisht, kompania nuk kishte lançuar apo provuar realisht asnjë produkt apo shërbim të aprovuar nga entet rregullatore amerikane. Pajisjet diagnostikuese, Edison dhe Mini-lab nuk u provuan asnjëherë si të sakta për të dhënë informacionet e duhura për shëndetin e pacientëve.

Por, si u krijua kjo tullumbace gjigande në Luginën e teknologjive të mëdha? Elisabeth Holmes e kishte të qartë vizionin e saj për tu bërë miliardere me çdo kusht; dhe, për të arritur qëllimin që i kishte vënë vetes, përdori çdo mjet: Ndërtoi një kompani pa pasur transparencë ndaj opinionit, me rregulla të frikshme sigurie brenda mjediseve të saj, me standardet maksimale të marketingut dhe konsulencës ligjore dhe ngriti një bord ku kishte anëtarë figura të shquara të politikës amerikane dhe botërore, si ish-sekretarët amerikanë të Shtetit, Henry Kissinger dhe George Shultz, ish-sekretari i Mbrojtjes, Bill Perry, multimiliarderi Robert Murdock, profesorë të universitetit të Standfordit, ku paradoksalisht, asnjë anëtar nuk e kishte haberin për tregun ku operonte Theranos dhe asnjëri prej tyre nuk arriti që të merrte analizat e gjakut nga kompania e tyre. Holmes ishte gjithashtu mikeshë e vajzës së presidentit amerikan, Bill Klinton dhe u shfaq në krah të presidentit Barack Obamës dhe zëvendës-presidentit Joe Bajden në fushatat për reformat në sektorin e shëndetësisë në SHBA.

Ambiciozja Elisabeth Holmes u bë personazhi më tërheqës i të gjitha mediave të mëdha ndërkombëtare si CNN, Forbes, The New York Times, The Wall Street Journal, Fortune, etj., dhe forumeve serioze globale për zhvillimin e tregjeve.

holmes
Themeluesja e Theranos, Elisabeth Holmes

Theranos ishte një gjallesë tipike e epokës post-moderne, ku biznesi dhe politika ishin mpleksur si gjak i keq, dhe ku kanë më shumë rëndësi aksionet sesa produkti apo shërbimi. Bill Gates thotë se kjo është një histori e pabesueshme për të qenë e vërtetë.

Fryrja e tullumbaces Therano do të vazhdonte më tej nëse nuk do të shfaqej John Carreyrou, gazetari i The Wall Street Journal, media e cila kishte ndikuar shumë gjatë momenteve të para të rritjes së Elisabeth Holmes në botën e biznesit. Ai shpalosi aftësitë e tij dhe standardet më të mira të gazetarisë amerikane për të hetuar një kompani si Theranos, e cila kishte mashtruar pacientët, kishte shkelur kuadrin rregullator në tregun ku operonte dhe kishte abuzuar me patentat dhe kishte shkelur të gjitha normat e rekrutimit dhe mbajtjes së stafit. Gazetari u përball me një presion të jashtëzakonshëm, teksa burimet e tij ndodheshin në rrezik, por ai nuk u tërhoq për asnjë moment në kërkim të së vërtetës. Ndonëse pronari i The Wall Street Journal, Robert Murdock ishte aksioner tek Theranos, askush nuk e ndaloi Carreyroun dhe bashkëpunëtorët e tij për të “hequr dorë nga privilegjet gazetareske”, duke denoncuar publikisht përmes një sërë artikujsh të gjitha shkeljet e kësaj kompanie.

Prandaj, ky libër na vjen para nesh si lexues, së pari, si një leksion i shkëlqyer i shkollës investigative amerikane dhe i pushtetit të medias për të mbrojtur të vërtetën dhe interesat e publikut.

Po ashtu, çështja Theranos ngre dyshime për standardet e diagnostikimit të pacientëve: Dhe, kur ndodhin skandale të tilla në SHBA, janë disi të kuptueshme edhe praktikat abuzuese në tregje pastandarde dhe të parregulluara mirë si këto të Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë që të neglizhojmë praktikat rutinë të analizave. Ky libër të mëson më mirë se kushdo tjetër se kur analizat laboratorike të shëndetit nuk të dalin mirë, duhet ti bësh sërish e sërish!

Po ashtu, “Gjak i keq” na tregon mënyrën sesi nuk duhet të funksionojë një kompani në ditët tona: Pra, çdo biznes është i destinuar që të dështojë nëse nuk ngre mekanizma vetëkontrolli brenda saj dhe nëse nuk është transparente ndaj publikut. Tregje të tilla si shërbimet shëndetësore, të cilat u janë deleguar gjerësisht sipërmarrjeve private ndodhen përballë sfidash të mëdha për të ndërtuar praktika etike sa më profesionale, dhe transparente në shërbim të shëndetit të pacientëve. Këtu, vetëm sa kanë nisur të hapen çështjet e nxehta.

“Gjak i keq” është thrilleri më i madh që bëhet me shëndetin e njeriut në ditët tona. Çdo lexues mund të zbulojë edhe shumë gjëra të tjera në faqet e këtij libri që kanë të bëjnë me raportin mes biznesit dhe politikës, sipërmarrjes dhe konsumatorit, marketingut dhe produktit, pronarit dhe punonjësit, të drejtës dhe procedurës, të vërtetës dhe mashtrimit në ditët tona.

Prandaj, leximi i këtij libri, – vlerat e të cilit vlejnë gjerësisht edhe në një kontekst si ky i yni, – shërben jo vetëm për profesionistët e medias apo të shëndetësisë, për ekspertët që mbikëqyrin tregjet dhe shërbimet shëndetërore, për pacientët dhe avokatët në mbrojtje të të drejtave të tyre, – por për cilindo që dëshiron të triumfojë e vërteta në një shoqëri.

Librin e gjeni online tek BUKINIST.AL

Dërgoni email tek: info@bukinist.al, ose telefononi: 044508282

gjak-i-keqTË DHËNAT E LIBRIT

Titulli: Gjak i keq

Autori: John Carreyrou

Përkthyes: Ino Gramozi

Shtëpia Botuese: Botart

ISBN: 9789928286734

Fletët 368

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *