Çfarë mësova nga Ana Shirli!?

ana flokas

ana flokas

Ese për librin “Ana Flokëkuqja” të autores Lucy Maud Montgomery, botuar nga OMSCA-1

Renata Bejleri*

Të flas për librat e kam pasion, po aq sa kam leximin e tyre!

Sot dua të flas për Ana Shirlin, Ana flokëkuqen apo Ana e “Fermës me çati jeshile” këtë vajzë, që autorja Lucy M. Montgomery e ka përshkruar kaq bukur e me ndjenjë, një personazh i vërtetë duke i bërë lexuesit kureshtarë e të etur për të lexuar më tepër, duke na dhënë përshkrime me të cilat mund të udhëtojmë me imagjinatën tonë dhe në mesazhe shumë të çmuara për jetën, për shoqërinë, për familjen…

Ky roman klasik për fëmijë flet për një familje; motër e vëlla, – Methju dhe Marila, – të cilët i kërkojnë jetimores një djalë që t’i ndihmojë me punët që ata nuk arrijnë t’i bëjnë dot në fermë, në shtëpi e më tej…

Por, teksa Methju dhe Marila gëzohen për lajmin e mirë pasi jetimorja pranoi kërkesën dhe Methju përgatitet të shkojë të marrë djalin, kupton se është bërë një ngatërresë dhe në vend të një djali i kishin dërguar një vajzë.

Methju me një zemër të madhe nuk e lë Anën vetëm në stacion. Marila nuk është në një mendje me vëllanë e saj dhe kjo e lëndon Anën pa masë.

Ana mundohet të ndihmojë me aq mundësi sa ka; madje, sforcohet vetëm për të mos e kthyer pas në jetimore dhe t’i tregojë Marilës anët e saj pozitive.

Epo, të gjithë e bëjmë nga pak këtë, – mundohemi aq shumë që të na pëlqejnë njerëzit që na rrethojnë; madje, ndonjëherë aq sa harrojmë të jemi vetvetja…

Kështu, dashur pa dashur edhe Marila, si shumë të tjerë e jo vetëm Methju u “magjeps” nga Ana. Marila dhe Methju u mësuan me Anën dhe ajo mundohej t’i ndihmonte sa më shumë të jetë e mundur.

Në shkollë apo kudo, Ana zinte vend në zemrat e të tjerëve; edhe me gabimet e saj të panumërta. Ana kalonte mirë thuajse me të gjithë klasën e me shoqet e saj nxjerrin gjithmonë nga një mësim…

Një nga pjesët e mia të preferuara është momenti kur Ana lyen flokët me qëllim që të ndërrojë tonalitetin e flokëve, por gabimisht i ndërron ngjyrën duke bërë ato jeshilë. Kjo më tregoi se nuk duhet të provoj të bëj eksperimente me flokët e mi… Pavarësisht se kjo pjesë kishte humor përbrenda, mesazhi që përmenda pak më lart zë vend këtu, harroi të ishte vetvetja.

Me këtë libër kam udhëtuar aq shumë në lugina e livadhe në Kanadanë e largët, sa harroj e kur shëtis buzë liqenit të Pogradecit, mendoj se jam buzë lumit e papritur do të më shfaqet ura ku poshtë saj lundronte Ana me barkë, apo sikur jam vetë aty…

Tek Ana, janë shumë gjëra që më tërheqin e më tregojnë mua se jemi të ngjashme, siç janë vendosmëria, mirësa, fakti që është shumë e drejtpërdrejtë, e të tjera që shfaqen në pjesë të ndryshme që kam lexuar në libër siç janë:

Pozitiviteti i Anës kur lunate me mikeshat e saj lojën “Me dënime” dhe theu këmbën, por ajo qeshte gjithmonë, dukej sikur falte shpresë për të tjerët…

Pjesa ku ajo tregon guxim për të shpëtuar fëmijën e vogël që ishte e sëmurë, edhe pse ajo mund të dënohej për shkeljen e urdhërit të dy zonjave.

Pjesa ku libri i parë përfundon dhe Ana përmbush ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese duke bërë krenarë Methjun dhe Marilën…

Ky libër jep mesazhe në çdo kapitull të tijin; tregon sesi heroina e romanit, Ana Shirli ndërvepron me të tjerët herë drejt e herë jo, herë duke më bërë për të qeshur e herë duke më ndërgjegjësuar për veprimet që kam bërë apo që do të më duhet të bëj dhe kështu pak nga pak duke na dhënë një mendim të gjithëve se si duhet të verprojmë në jetën reale.

Ana Shirli do të mbetet një personazh i cili më tregoi mua rëndësinë e këmbënguljes, imagjinatës, mirësisë dhe buzëqeshjes…

Njerëzit qeshin me mua sepse unë përdor fjalë të mëdha, por nëse keni ide të mëdha, duhet të përdorni fjalë të mëdha për t’i shprehur ato, apo jo? – thotë Ana!

Ne paguajmë një çmim për gjithçka që marrim ose na jepet në këtë botë, megjithëse ambiciet janë të domosdoshme, ato nuk duhet të fitohen me çmim të ulët, por saktësisht ky është çmimi i tyre, puna me përkushtim dhe vetëmohimi, ankthi dhe dekurajimi.

Ajo që unë po përpiqem të shpreh përveçse t’ju shtyj ta lexoni të gjithë këtë libër, është të krijoni mesazhet tuaja dhe të kapni mësimet që jep ky libër i cili më ka tërhequr vërtet shumë si një magnet, dhe arsyeja mendoj se është sepse ka shumë kuptim, tregon se sa shumë duhet të punosh për të arritur atë që do, pikësynimet e tua, tregon se sa shumë vlerë ka mirësia dhe miqësia, se sa shumë merr kur jep, tregon se sa rëndësi ka të jesh vetvetja, tregon se nuk ka rëndësi si përfundon, guxo, provo, mos u dorëzo, kjo është ajo që ia vlen tek ajo që bën, GUXIMI!

Dhe me këtë mesazh e mësim që po shkruaj jam përballur thuajse në çdo pjesë të lexuar, siç janë: Methju dhe Marila nuk arrijnë t’i bëjnë dot të gjitha punët e tyre vetëm…

A u dorëzuan? Jo, kërkuan nga jetimorja një djalë…

Ana nuk është personi që Marila dhe Methju kërkonin. Ajo u mërzit pa masë…, por më pas u mundua të fitonte zemrën e tyre… E kuptoi se nuk ia vlen të mërzitesh, duhet të luftosh për atë që do…

Shirli theu këmbën, por ajo nuk tha asnjëherë: “- Nuk do të eci më!“ Ajo buzëqeshte duke dhënë shpresë e duke çuditur shumë njerëz…

Gilbërti gaboi me Anën, por pasi kuptoi gabimin e tij, ai kërkoi të bëhej mik me të…

Marila dhe Methju kuptuan se jo gjithçka shkon ashtu siç dëshiron, por rëndësi ka se si arrin ti t’a përjetosh apo t’a çosh në anën tënde atë. Historia e Anës vazhdon në libra të tjerë me mesazhe të fuqishme të një historie nga ishulli kanadez i Princit Eduard, por këto mesazhe fillojnë e nuk kanë mbarim.

Por, ka edhe mesazhe të tjera: – Vajzat janë po aq të mira sa djemtë apo kontrollini zemërimin tuaj, miqësia është thelbësore, imagjinata mund të ndryshojë botën, etj…

Ana më tregoi mua se sa e rëndësishme është të këmbëngulim, më tregoi vullnetin, më tregoi rëndësinë për të mos u dorëzuar, por sidomos të mos harroj asnjëherë të jem vetvetja dhe të mos largohem nga pikësynimet e mia.

Ky libër më mësoi se të gjithë kanë të mira dhe askush nuk është i pagabueshëm, por të gjithë kanë brenda tyre madhështi, forcë!

Duhet të luftosh, të bësh atë që ëndërron dhe dëshiron ti dhe jo atë që duan të tjerët, të jesh ti, vetvetja, dhe jo ajo që mendon se do të bënte më të pëlqyeshme për të tjerët, sepse ajo je ti, nuk ke pse ndryshon!

*Autorja është nxënëse e klasës së 5-të, shkolla NEHMIAH, Pogradec

Me këtë ese autorja fitoi vendin e dytë në konkursin që organizoi Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit sëbashku me Bukinist, me rastin e fushatës së librit për fëmijë, gjatë muajit qershor.

Librin “Ana flokëkuqja” e të L. M. Montgomery gjeni tek LINKU:

ana-flokekuqja

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *