Një roman – homazh për librin

LIBRAT - HAJDUTE
Foto ilustrusese, marre nga filmi me te njejtin titull

Ese për librin “Hajdutja e librave” të autorit Markus Zuzak, botuar nga Bota Shqiptare

Deni Demaj

Vjedhja është një ndër veset më të shëmtuara që mund të ketë një njeri, ves i dënueshëm nga shoqëria, dhe askush nuk do të dëshironte të etiketohej si hajdut. Në fakt, po ta mendosh, njeriu mund të ketë shumë arsye që e detyrojnë të vjedhë. Ai mund të vjedhë i detyruar nga nevoja për të jetuar. E kjo sigurisht e justifikon veprimin. Por, ka të tjerë që vjedhin për hobi, e kjo nuk është aspak e justifikueshme.

Dëshira për të jetuar, dëshira për të mësuar, dëshira për të shtuar dijet, dëshira për tu bërë dikush një ditë e detyroi Lizel Meminger të bëhej hajdute. Në ditët që jetojmë askush nuk e mendon ta bëjë këtë veprim, por sigurisht në kohën e luftës kur varfëria dhe skamja kishte pushtuar Gjermaninë e asaj kohe, kur vendi shkatërrohej nga lufta e bombardimet gjithkush do ta bënte në vendin e Lizel.

Unë, ti apo dhe të tjerë mund të ishim hajdutë. Madje, hajdutë librash do të na bënte akoma më krenarë, pasi vjedhja e një libri është i vetmi mëkat i ëmbël që të fal zoti, ndoshta jo robi. Dhe, jam e sigurt se edhe nëse Markus Zusak do të dëshironte të gjente një tjetër titull, asnjë nuk do ti shkonte më mirë se sa ky që ka. Përshkrimi që ai i bën situatave të luftës, kampeve të përqëndrimit , bombardimeve, keqtrajtimit të hebrenjve është interesant e mbresëlënës.

Ai na kthen pas në kohë, në Luftën e Dytë Botërore kur njerëzit jetonin në mjerim dhe nuk kishin asgjë të sigurtë. Personazhi kryesor është Lizel, një vajzë e vogël, që jeta e përplasi sa andej këndej duke e bërë dëshmitare të asaj kohe famëkeqe. Varfëria kishte pushtuar tërë vendin e sigurisht nuk mund të bënte përjashtim edhe familja e Lizel. Mamaja e saj nuk kishte shumë para që të ushqente atë dhe vëllain e saj ndaj një familje vendosi t’i birësonte.

Rrugës për te familja birësuese vëllai i saj vdes dhe ajo me të ëmën e varrosin në një fshat. Pas varrimit Lizeli gjeti një libër në tokë dhe e mori e shtyrë nga etja dhe dëshira për të lexuar e mësuar. Familja birësuese ndodhej në Mynih, në rrugën Himel. Prindërit birësues e donin Lizelin.

Roza Huberman, mamaja birësuese, e detyruar nga nevoja për të jetuar merrte rroba nga familjet e pasura të lagjes dhe i lante, ndërsa babai birësues, Hans Hubermani ishte bojaxhi, por luante edhe në fizarmonikë .

Lizeli nuk dinte të shkruante dhe as të lexonte sado që ishte 9 vjeç. Babai nisi t’i mësonte alfabetin. Me kalimin e kohës Lizeli zuri shumë shokë, ndihmonte mamanë në punë. Lizel po kuptonte se po rritej dhe po bëhej më e përgjegjshme. Miku i saj më i ngushtë quhej Rudi Shtajner. Shumë shpejt ajo filloi të lexonte dhe për Krishtlindje i dhuruan dy libra. Lizeli u bë pjesë e Rinisë Hitleriane.

Ishte ditëlindja e Hitlerit. Atë natë Lizeli vodhi një libër tjetër. Ky ishte libri i dytë që kishte vjedhur. Dëshira e Lizel për të shtuar dijet po shtohej dita – ditës. Një ditë kur Lizeli po shpërndante dhe po merrte rroba nga familjet, gruaja e kryetarit meqë e kishte parë që Lizel kishte vjedhur një libër në ditëlindjen e Hitlerit e futi brenda në shtëpi dhe e çoi në një biblotekë. Kjo për Lizelin ishte mrekullia vetë. Asaj iu duk se kishte pushtuar botën. Ajo fluturonte sa herë që i duhej të punonte te shtëpia e kryetarit të bashkisë pasi gruaja e tij e lejonte të shkonte e të lexonte në bibliotekë për orë të tëra.

Leximi i librave i kishte çelur sytë dhe i kishte hapur një dritare të re mendimit dhe arsyetimit të saj. Lufta e bombardimet që ndodhnin kishin shkatërruar çdo gjë, dhe shumë njerëz të pafajshëm humbnin jetën. Por ajo nuk mund të vriste dëshirën e Lizel për të lexuar.

Bota e librave ishte një botë e panjohur dhe e pa eksploruar më parë nga ajo, por një botë e mbushur me surpriza e magji. Dëshira që ajo kishte për librin nuk e stepte përpara asnjë vështirësie. Lidhja e saj me librin po bëhej e pazgjidhshme. Ai ia shëronte plagët, ia lehtësonte dhimbjen që kishte e ndiente, ia qetësonte shpirtin.

hajdutja-e-librave-2

Një ditë në shtëpinë e Lizelit erdhi një djalë i ri 24 vjeçar. Ai quhej Maks. Maksi ishte hebre dhe askush nuk duhet ta dinte vendndodhjen e tij pasi me siguri do ta arrestonin gjermanët. Kështu që Hubermanët e ndihmuan dhe e fshehën Maksin në bodrum. Ai nisi te jetonte aty.

Ngjarjet ndiqnin njëra- tjetrën dhe në ditëlindjen e 12 Lizelit i dhuruan përsëri një libër, dhuratë që Lizel nuk do ta ndërronte me asnjë lloj tjetër edhe sikur të ishte më e kushtueshme. Vlerën e librit se zëvendëson asgjë.

Maksi ishte bërë shumë shok me Lizelin dhe për ditëlindje i dhuroi një libër me 13 faqe që e shkruajti vetë. Lufta ndihej ngado dhe të gjithë që më parë i jepnin rroba Rozës nuk i dhanë më. Lizeli u mërzit shumë por sidomos me gruan e kryetarit dhe nisi te vidhte libra prej biblotekës së saj. Maksi nisi të bënte një libër tjetër për Lizelin por nuk i tregoi gjë pasi donte t’ia jepte më vonë .

Në Mynih nisën bombardimet dhe të gjitha familjet futeshin në bodrumet shtëpive të tyre pasi ishin vendstrehime të sigurta gjatë bombardimeve. Të gjithë ishin të shqetësuar. Lizeli kishte marrë me vete librat. Ajo nisi tu lexonte me zë pjesë nga librat dhe të gjithë gjenin qetësi. Dukej se për disa çaste lufta sikur ndalonte. Kur ranë sirenat e mbarimit të sulmit të gjithë hynë në shtëpi. Pas disa ditësh Maksi u largua. Ikja e tij la pak trishtim tek Lizeli.

Për Krishtlindje Roza i dha Lizelit librin që Maksi kishte lënë për të. Pas një viti Lizel mbushi 14 vjeç. Hansi u kthye në shtëpi nga lufta. Meqë Maksi u largua Lizeli i tregoi Rudit cdo gjë. Një ditë gruaja e kryetarit të bashkisë erdhi në shtëpinë e Lizelit dhe i dhuroi një bllok ku ajo të shkruante. Lizeli nisi te shkruante çdo natë në bodrum, pasi të gjithë i zinte gjumi. Ajo nisi të shkruante historinë e saj me titull “Hajdutja e librave”.

Më 7 tetor 1943 ndodhi një bombardim i fuqishëm; rruga Himel u shkatërrua. Vetëm Lizel mbeti gjallë nga ai bombardim. Bodrumi i shpëtoi jetën, por humbi gjithçka kishte, prindërit e saj birësues, Rudin dhe shokët e saj. Lizelit iu pikëllua zemra dhe nisi të qante me dënesë. Gruaja e kryetarit e cila jetonte në një rrugë tjetër e birësoi Lizelin. Shpëtimi i Lizelit ishte shpëtimi i jetës dhe vazhdimësia e saj në të tëra dimensionet

Po, është e vërtetë që Lizeli vidhte libra por nuk e bënte se donte, por e bënte që të shtonte dijet, të mposhte injorancën. Lizeli donte të mësonte, donte të dinte ç’ishte e aftë të bënte. Ajo i kishte shpallur luftë injorancës në të cilën ishte zhytur populli hebre, racë së cilës i përkiste edhe Lizel. Kjo ishte njëherësh edhe një luftë kundrejt vetë Fyhrerit i cili kërkonte me çdo kusht zhdukjen e hebrenjëve, internimin e tyre në kampet e përqendrimit dhe shfarosjen masive të tyre duke iu nënshtruar torturave më cnjerëzore që kishte parë ndonjëherë njerëzimi.

Vdekja kërkonte me çdo kusht të bëhej poseduese e botës dhe e jetës së njerëzve por kishte nga ata që u kapën fort pas degëve të pemës së jetës duke e hedhur tej vdekjen dhe dëshirën e saj të çmendur.

Madje, fjalët i shpëtuan jetën. Ky libër është një vlerësim e homazh për vetë librin, për jetën, për miqësinë e vërtetë mes njerëzve, për ndjenjën dhe njerëzoren që është brenda nesh. Libri është thesari më i çmuar dhe për këtë askush nuk duhet të ketë dyshime.

Autorja është nxënëse e klasës së VI-të, shkolla 9-vjeçare “Betim Muço” në Tiranë.

Me këtë ese autorja fitoi vendin e parë në konkursin që organizoi Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit sëbashku me Bukinist, me rastin e fushatës së librit për fëmijë, gjatë muajit qershor.

Librin “Hajdutja e librave” të Markus Zuzak e gjeni tek LINKU

hajdutja-e-librave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *