Përzgjedhje veprash nga letërsia bashkëkohore shqiptare që ka bërë Bukinist.al dhe Leximtari.al për lexuesit gjatë pushimeve verore
Gjatë dy viteve të fundit proza shqipe ka shënuar rritje cilësore, veçanërisht romani. Autorë të njohur, por edhe prozatorë të rinj kanë sjellë prurje që e rrisin nivelin e letrave shqipe. Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari kanë përzgjedhur 9 libra nga autorët shqiptarë për të rekomanduar për pushuesit gjatë stinës së verës. Këto libra janë në morinë e 80 librave të rekomanduara për lexim gjatë verës nga kategori të ndryshme. Edhe këtë vit, Lexime vere vjen si listë rekomandimesh mes titujve të rinj, librave më të shitur, librave më të vlerësuar nga lexuesit dhe kritika dhe botime që kanë tematika aktuale.
Ndër autorët shqiptarë, fokusi është vënë përgjithësisht tek librat e rinj, por edhe tek tituj që kanë ngjallur interesin e lexuesve gjatë viteve të fundit. Një pjesë e këtyre autorëve janë të njohur tashmë dhe kanë shënuar emrin e tyre në letrat shqipe, si Ismail Kadare, Mira Meksi, Agron Tufa, Fatos Kongoli por nuk mungojnë as emrat e rinj, si Enkelejd Lamaj, Brajan Sukaj apo Anisa Makarian.
Më poshtë, po përzgjedhim 9 librat që rekomandojmë për lexim këtë sezon pushimesh:
1.“Kronike në gur” nga Ismail Kadare
Ky libër ka një funksion të shumëfishtë: Sjell jo vetëm kënaqësi leximi, por promovon në mënyrë të tërthortë edhe vlerat kulturore dhe turistike të qytetit të Gjirokastrës, i klasifikuar tashmë si një nga pasuritë botërore të UNESCO-s. Pikërisht, për këtë arsye kemi vendosur që ta rekomandojmë këtë verë; Çdo lexues i këtij romani ka brenda vetes edhe këshërinë për ta parë qytetin e gurtë.
Pjerrësia marramendëse e rrugëve, prania kudo e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjellaburg, që zotëron mbi disa lagje, pamja spektakolare mbi fushën e Drinos dhe malet, e gjithë kjo do të formojë e stërhollojë pak nga pak vështrimin e shkrimtarit të ardhshëm.
Gjirokastra të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”.
“Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare”. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.
2.“Kur këndonin gjelat e tretë” nga Agron Tufa
Në këtë vëllim janë përmbledhur çastet e mbrame të të gjithë viktimave të regjimit komunist, të cilat nuk janë thjeshtë dëshmi, por edhe copëza të rralla të atij që mund të quhet “holokausti komunist shqiptar”.
Autori shprehet për këtë vëllim me tregime: Qëllimi im ka qenë t’u jap zë këtyre hijeve tragjike, të cilat mbushën skenat mortore përgjatë ritualit satanik të flisë në “meshat e zeza” që bënte diktatura komuniste me adeptët dhe xhelatët e saj të përzgjedhur. Kushdo që e lexon këtë libër do të befasohet nga mjeshtria e rrëfimit nga ana e autorit, nga përmasa e thellë e tragjedisë që ka përjetuar individi gjatë sistemit komunist dhe nga forca e rrëfimtarit për të sjellë një realitet që nuk denoncon ende me forcën e shpirtit.
Romani më i fundit i Mira Meksit shënon njëherësh një nga prurjet më të mira të letërsisë shqipe bashkëkohore, – një roman mirëfilli postmodernist. Romani sjell çastet e fundit të diktatorit, të gërshetuar me një kërkim mbi misterin e kryqit të drurit të kishës së Labovës. Teknika e kërkimit, e misterit, dhe e investigimit e bëjnë tejet ngacmues procesin e leximit. “Diktatori në kryq” të mbërthen, dhe të trondit me fuqinë që sjell dhe me misterin e kryqit, i cili brenda tij kishte ashklën e kryqit ku u kryqëzua Jezu Krishti dhe që kishte fuqi magjike për të shëruar njerëz; por jo diktatorin.
Pas suksesit me dy romanet e para “Hide mbi kalldrëm” dhe “Gurët e vetmisë”, me të cilin fitoi çmimin si romani më i mirë shqiptar i botuar gjatë vitit 2018, dhënë nga Ministria e Kulturës, “Ora e ligë” e Enkel Demit shënon një tjetër prurje letrare po aq cilësore dhe të sigurtë në mjeshtrinë e tij rrëfimtare. Në qendër të librit është personazhi Sali Kamati, i cili hakmerret për të vëllanë duke vrarë Çelo Mezanin, por më pas bëhet objekt i hakmarrjes, njëherësh edhe i dalldisë së dashurisë me një vajzë në moshë të re. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë punët dhe kamjen e vet që kur t’i vijë ora e vdekjes, t’i lërë të tërë të rregulluar. Fati ose ora e mbrothtë i ka caktuar tjetër rrjedhë jete, kur në shtëpinë e tij, vjen si mysafire Tusha, mbesa e së shoqes, që e mbush vatrën me frymë të re, gaz e hare. Ia çel zemrën dhe i jep jetë Sali Kamatit, por urrejtja, turpi dhe thashethemnaja që mbushin katundin do t’ia mpakin ngazëllimin, sa të mos dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një fshat i tërë që përgjon dalldinë e Sali Kamatit, mallkohet nga Ora e ligë, saqë të gjithëve u bie leskra.
Me një gjuhë kuteliane, dhe të metodë shkrimi letrar tipik të realizmit magjik, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykimi dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit.
Kapitulli i Amerikës” është një kronikë autobiografike, që vjen si vazhdim i një prej librave tashmë të njohur të Kongolit, më i rëndësishmi siç e quan ai vetë, “Iluzione në sirtar”.
Vendin kryesor e zënë kujtimet e autorit për një periudhë prej afër shtatë vjetësh, kur ai ka jetuar më së shumti në SHBA. Për herë të parë, në këtë libër, na shfaqen portrete shqiptaro-amerikanësh të fushës së letrave, miq e të njohur të dikurshëm të autorit, ndër ta edhe figura të shquara. Si dhe organizimet, veprimtaritë e tyre, në Nju-Jork apo Detroit, mjediset mikpritëse të një bote “të shpërngulur” shqiptare etj.
Romani rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.
Ky libër sjell prurje interesante qoftë në aspektin tematik, edhe në atë narrativ. Përsa i përket temës së përzgjedhur, është ndër të paktët autorë shqiptarë që trajton raportin mes brezave në një periudhë kritike si ajo në kohën e komunizmit, dhe me një sens të fortë kritik për gabimet e të shkuarës. Mjeshtrisht, autorja ka arritur të ndërtojë një raport distancues dhe të papajtueshëm mes brezave, brenda në një familje, ku autoriteti i prindit ka qenë absolut dhe ideologjia ishte më e rëndësishme sesa familja dhe dashuria. Si pakkush nga autorët shqiptarë, Hysa e shemb këtë mit. Po ashtu, në aspektin narrativ, autorja ka ndërtuar një narrativë krejt të veçantë, përmes rrëfimit në vetën e dytë, – në formë bisedore mes Marsinës dhe Martinës, – dy personazhe të cilat janë dy forma të të njëjtit person. Në të dy aspekte, autorja ngjason shumë me mënyrën e ndërtimit të veprës si Agot Kristof, të cilën lexuesi shqiptarë e njeh përmes librit “Trilogjia e binjakëve”.
Enkelejd Lamaj i rikthehet tregimit pas gati 10 vitesh në komunikim me lexuesit me lëvrimin e romanit thriller. Edhe në këtë përmbledhje voluminoze sjell short story-n përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, – si elemente moderniste të tregimit. Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve në forma të paimagjinuara, do ta gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer fagen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.
A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!
Autori Brajan Sukaj, fitues i trofeut të dyfishtë me romanin “Ciklopi” gjatë vitit 2019, me romanin më të mirë të vitit 2019 tek Bukinist dhe Panairi i Librit Tirana 2018, vjen me një roman të ri, i cilësuar si një prej prurjeve më cilësore të këtij autori. Sukaj konsiderohet një ndër prozatorët më të mirë në brezin e tij dhe me këtë roman sjell një tjetër simbolikë të bashkëjetesës së shqiptarëve me Lindjen.
Të gjithë librat i gjeni tek BUKINIST.AL, tek rekomandimet LEXIME VERE
Librat janë në ofertë deri më 31 gusht 2020. Për më shumë, na shkruani tek: info@bukinist.al, ose na telefononi tek: 044508282