Leximet e verës 2020 – 8 librat non-fiction që rekomandojmë

foto kryesore
foto kryesore
Foto e dërguar nga Klara Bregu Feruli

Biografitë, librat e zhvillimit personal, histori biznesi, apo bestseller-a ndërkombëtarë që rekomandojmë për të gjithë ata që duan të marrin me vete një libër për të lexuar gjatë pushimeve verore

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist dhe Leximtari kanë përzgjedhur në morinë e botimeve non-fiction 8 libra për të rekomanduar për lexuesit gjatë pushimeve verore. Përzgjedhja është bërë bazuar mbi shitjet e bëra tek Bukinist.al dhe jashtë vendit, vlerësimet e lexuesit dhe kritikës dhe sigurisht, edhe sipas një kriteri subjektiv.

Pjesa më e madhe e tyre janë tituj të rinj, që janë hedhur në qarkullim gjatë vitit të fundit nga entet tona botuese. Po ashtu, ne kemi marrë në konsideratë edhe llojin e zhanrit, ku veçojmë biografitë e Leonardo Da Vincit, autobiografinë e Michel Obamës, “Të bëhesh”, libra të zhvillimit personal (“Fuqia e së tashmes”, “Në kërkim të kuptimit”), “21 leksione për shekullin e XXI” të autorit të tre librave bestseller ndërkombëtar, Yuval Noah Harari, etj.

Lista “Lexime vere” ka 80 rekomandime librash për pushuesit në kategori dhe zhanre të ndryshme; si non-fiction, fiction. Në kategorinë e romanit, ka shumëllojshmëri zhanresh si thriller, romancë, mister, sagë & histori, etj.

Më poshtë, po listojmë 8 librat non-fiction që ne po u rekomandojmë lexuesve tanë për ti pasur me vete në çantën e plazhit.

1.“21 leksione per shekullin e 21” nga Yuval Noah Harari

21-leksione-per-shekullin-e-21

“21 leksione për shekullin e 21” i Yuval Noah Harari-it është një hulumtim zhbirues dhe largpamës në problematikat më të nxehta të ditëve të sotme ndërkohë që lëvizim drejt hapësirave të panjohura të së ardhmes.

Teksa teknologjia përparon më shpejt sesa vetë ndërgjegjësimi ynë rreth saj, pirateria informatike kthehet në një taktikë luftarake dhe bota ndihet më e polarizuar se kurrë, Harari na njeh me sfidat e rrjedhës së jetës në përballjen me ndryshimin konstant dhe të pa orientuar dhe shtron pyetje të rëndësishme ekzistencialiste që secili nga ne duhet t’ia bëjë vetes për të siguruar mbijetesën.

Në njëzetë e një kapituj gjithëpërfshirës, e njëkohësisht provokues dhe të thellë, Harari shtjellon më tej tezat e shpalosura në librat e tij të mëparshëm, duke hedhur dritë mbi çështjet politike, teknologjike, sociale dhe ekzistenciale dhe jep këshilla se si të përgatitemi për një botë të së ardhmes krejtësisht të ndryshme nga e sotmja: Si mund të ruajmë lirinë e zgjedhjes kur Big Data na vëzhgon?

Si do të duket forca punëtore e së ardhmes dhe si do të duhet ta përgatisim veten për këtë?

Si duhet të përballemi me kërcënimin e terrorizmit?

Pse është në krizë demokracia liberale?

Aftësia unike e Hararit për të shpjeguar nga vijmë e ku shkojmë, ka ngacmuar imagjinatën e miliona lexuesve.

Këtu ai na fton të marrim në konsideratë vlerat, kuptimin dhe angazhimin personal në një bote të tejmbushur me zhurmë dhe pasiguri. Kur rrethohemi nga informacione të pavërteta qartësia është pushtet.

Paraqitja e sfidave komplekse dhe bashkëkohore në mënyrë të qartë e të kuptueshme, e bën “21 leksione për shekullin e 21” një libër thelbësor për t’u lexuar.

  1. “Në kërkim të kuptimit” nga Viktor E. Frankl

ne-kerkim-te-kuptimit

Libri “Në kërkim të kuptimit në jetë”, shkruar nga Viktor Frankëlli, është një nga veprat më madhështore të epokës sonë. Në përgjithësi, nëse një libër ka një fragment, një ide që mbart fuqinë për të transformuar jetën e njeriut, kjo është një arsye e mirë për ta lexuar, për ta rilexuar dhe për ta vënë në reshtin e parë të raftit. Ky libër ka shumë fragmente të tilla. Para së gjithash, ky është një libër për mbijetesën.

Por rrëfimi i tij në këtë libër ka të bëjë më shumë me burimet e forcës për të mbijetuar sesa me mundimet, vuajtjet dhe humbjet që përjetoi. Disa herë në këtë libër, Frankëlli konfirmon shpesh thënien e Niçes: “Ai që ka një Arsye për të jetuar, mund të përballojë çdo mënyrë jetese”. Ai përshkruan me tone prekëse ata të burgosur që hoqën dorë nga jeta, që kishin humbur gjithë shpresën për të ardhmen dhe vdiqën pashmangshmërisht të parët. Ata vdiqën më shumë për shkak të mungesës së shpresës, mungesës së një kauze për të jetuar, sesa për shkak të mungesës së ushqimit apo ilaçeve.

  1. “Fuqia e së tashmes” nga Eckhart Tolle

fuqia-e-se-tashmes

Një udhërrëfyes briliant drejt përndritjes shpirtërore. Libri i Eckhart Tolle është shitur mbi 2 milionë kopje që kur është hedhur në qarkullim dhe është shpallur bestseller nga The New York Times. Spiritualisti i famshëm Deepak Chopra thotë se është një ndër librat më të mirë të viteve të fundit. Çdo fjali e tij kumbon të vërtetën dhe fuqi.

  1. “Leonardo da Vinci” nga Walter Isaacson

leonardo-da-vinci

Autori i librave bestseller mbi Steve Jobs, Albert Einstein dhe Benjamin Franklin, përmes kësaj biografie të re dhe emocionuese, na sjell në jetë Leonardo da Vinci-n. Duke marrë prej mijëra faqeve nga blloqet e shënimeve të Leonardo-s dhe përmes zbulimeve të reja për jetën dhe punën e tij, Walter Isaacson thur një narrativë e cila lidh artin me shkencën e tij. Ai tregon se si gjenialiteti i Leonardo-s bazohej mbi aftësi të cilat ne mund t’i përmirësojmë te vetja jonë, si për shembull kureshtja e zjarrtë, vëzhgimi i vëmendshëm, dhe një imagjinatë kaq lozonjare, saqë flirtonte me fantazinë.

Kreativiteti i tij, njësoj si i novatorëve të tjerë të mëdhenj, vinte nga qëndrimi në udhëkryqin midis shkencave humane dhe teknologjisë. Ai rropi lëkurën nga fytyrat e kufomave, vizatoi muskujt që lëvizin buzët, dhe më pas pikturoi buzëqeshjen më të paharrueshme të historisë, atë të Mona Lisa-s. Ai zbuloi matematikën e optikës, tregoi se si rrezet e dritës bien mbi kornenë e syrit, dhe prodhoi iluzione të ndryshimit të perspektivës në Darka e fundit. Isaacson gjithashtu përshkruan se si entuziazmi që e shoqëroi Leonardo-n gjatë gjithë jetës për vënien në skenë të shfaqjeve teatrale, karakterizoi pikturat dhe shpikjet e tij.

Aftësia e tij për të kombinuar artin dhe shkencën, kthyer në ikonë nga vizatimi i tij, i cili mund të jetë vetë ai brenda një rrethi dhe një katrori, mbetet receta e qëndrueshme për novacion. Jeta e tij duhet të na kujtojë rëndësinë e mbrujtjes te vetja jonë dhe te fëmijët tanë, jo vetëm njohuritë që marrim, por edhe gatishmërinë për t’i vënë në pikëpyetje – të jemi imagjinues dhe, ashtu si rebelët e talentuar të çdo epoke, të mendojmë ndryshe.

  1. “Gjak i keq” nga John Carreyrou

gjak-i-keq

Ky libër është një investigim tronditës rreth Theranos, – një start-up – flluskë në Silicon Vallery, që përmes mashtrimit arriti vlerën 9 miliardë dollarë: Është një thriller i vërtetë për ngritjen dhe rënien dramatike të kompanisë dhe drejtueses e saj magjike, Elisabeth Holmes, e cila nuk arriti të ofrojë asnjëherë shërbimin e diagnostikimit të gjakut. Botart e sjell në shqip librin që është shpallur si botimi i vitit nga The New York Times, Time, Wall Streen Journal, Washington Post dhe NPR.

  1. “Të bëhesh” nga Michelle Obama

te-behesh

Portreti intim dhe mbresëlënës i zonjës së parë të SHBA-ve, e cila ka frymëzuar botën. Kur ishte vetëm një vajzë e vogël, e gjithë bota e Michelle Robinson-it ishte e mbyllur brenda Anës Jugore të Çikagos, aty ku ajo dhe i vëllai, Craig-u, ndanin së bashku një dhomëz në apartamentin e vogël të familjes dhe luanin ekakusheka në park. Pikërisht në këtë vend, prindërit e saj, Fraser dhe Marian Robinson-i, e mësuan të fliste haptas dhe të mos kishte frikë. Por shumë shpejt jeta e çoi tepër larg, nga sallat e Princeton-it, ku mësoi për herë të parë se çfarë nënkuptonte të ishe në një dhomë e vetmja grua me ngjyrë, deri te rrokaqielli ku punoi si avokate e fuqishme tregtare dhe ku, mëngjesin e një dite vere, një student i Juridikut me emrin Barack Obama, hyri në zyrën e saj dhe ia shpartalloi të gjitha planet.

Në këtë libër, për herë të parë, Michelle Obama përshkruan fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë. Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën përgjatë fushatës elektorale. Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama përshfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botës, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.

Becoming – Të bëhesh, na shoqëron në një udhëtim nga kuzhinat modeste të Jovas te sallat e ballos në Buckingham Palace, nëpër çaste dhimbjesh therëse dhe provash qëndrueshmërie këmbëngulëse, duke na zbuluar shpirtin e një gruaje të veçantë dhe revolucionare, e cila lufton për t’u ndjerë mirë me veten, plotësisht e zonja për të vënë gjithë forcën dhe zërin në shërbim të idealeve më të larta.

Duke rrëfyer me ndershmëri dhe kurajë, Michelle Obama na vë përpara një sfide: cilët jemi në të vërtetë dhe çfarë dëshirojmë të bëhemi?

  1. “Ringjallja e erosit” nga Esther Perel

ringjallja-e-erosit

Në librin e saj “Ringjallja e erosit”, Esther Perel merr në shqyrtim çështje të vështira, përballet me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi ynë për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Ajo na fton të eksplorojmë bashkimin paradoksal të përditshmërisë me dëshirën seksuale dhe shpjegon se ç’duhet bërë që epshi të bëhet sërish pjesë e jetës sonë.

Gjatë punës së saj 20-vjeçare si terapiste, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit. Ajo shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë.

Poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte dhe nuk zbaton asnjëherë rregullat e imponuara nga shoqëria. Ajo lulëzon përmes lojërave të pushtetit, përfitimeve të padrejta dhe në hapësirën ndërmjet vetes dhe tjetrit.

Është libër i jashtëzakonshëm, ku shkrihen maturia, humori, thjeshtësia; libër që hedh dritë mbi një mori ndjesish, të cilat do ta shndërrojnë mënyrën se si jetojmë dhe dashurojmë.

  1. “Sekreti” nga Rhonda Byrne

sekreti

Për herë të parë, të gjitha pjesët e sekretit bashkohen në një zbulim të pabesueshëm, që do t’ia transformojë jetën gjithkujt që do ta përjetojë.

Në këtë libër do të mësoni si ta përdorni sekretin në çdo aspekt të jetës – me paratë, pasurinë, lidhjet, lumturinë dhe në çdo ndërveprim që keni në botë.

Sekreti përmban mençuri nga mësuesit e ditëve moderne – burra e gra që e kanë përdorur për të pasur shëndet të mirë, pasuri dhe lumturi. Duke përdorur njohuritë e sekretit, ata nxjerrin në dritë histori mahnitëse për mënyrën si zhduken sëmundjet, si fitohen pasuritë e mëdha, si kalohen pengesat dhe si arrihen gjërat që shumëkush i cilëson si të pamundura.

fabiola-goro
Foto e derguar nga Fabiola Goro

Të gjitha rekomandimet LEXIME VERE i gjeni tek Bukinist.al në ofertë deri më 31 gusht 2020.

PUSHIME TË KËNDSHME!

Librat mund ti porositni direkt online, ose na kontaktoni përmes e-mailit: info@bukinist.al apo telefonit: 044508282

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *