Review mbi librin “Inteligjenca emocionale”, të autorit Daniel Goleman, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Pema
Babeta REXHEPI
Në kohën tonë që të jesh i suksesshëm, por mbi të gjitha të jesh i lumtur, kërkohet një aftësi tjeter përveç asaj mendore. Kjo aftësi lidhet me Inteligjencën emocionale, për të cilën Goleman, është preokupuar seriozisht në analizimin dhe shpjegimin e saj.
Mungesa e Inteligjencës emocionale na bën më të ndjeshëm ndaj çdo rrethane mbytëse; shton ankthin dhe shpërthimet emocionale, të cilat mund të gjenerojnë deri në dhunë fizike. Inteligjenca emocionale është ajo aftësi që bën të mundur njohjen e emocioneve tek vetja dhe tek të tjerët dhe na vjen në ndihmë për menaxhimin e tyre për t’i orientuar drejt sjelljeve të rregullta dhe të duhura.
E mira e kësaj aftësie, – siç shpjegon Daniel Goleman, – është se mund të mësohet dhe jo si inteligjenca mendore, e cila ka bazë gjenetike.
Në këtë libër ju do mësoni pesë përbërësit kryesore të Inteligjencës emocionale
- Vetëdija emocionale: Njihni dhe kuptoni emocionet tuaja, gjendjet dhe motivet tuaja personale dhe efektin e tyre tek të tjerët. Për të arritur këtë, ju duhet të jeni në gjendje të analizoni gjendjen tuaj emocionale dhe të identifikoni emocionet tuaja. Duke u aftësuar në këtë aspekt, ju do të rrisni vetëbesimin, do të bëheni më të aftë në vendimmarrje; do pranoni më lehtë limitet tuaja apo çfarë mund të thonë të tjerët mbi ju.
- Vetëmenaxhimi i emocioneve: Ju do mësoni të menaxhoni emocionet negative në mënyrë efektive. Do të kontrolloni impulset tuaja – në vend që të shpejtoni të reagoni me nxitim. Si rrjedhojë, nuk do të silleni në mënyrë të rrëmbyer por do shpreheni në mënyrë të përshtatshme dhe me pjekuri.
- Motivimi i brendshëm: Motivimi i brendshëm është për mua një nga komponentet më të rëndësishëm që duhet mësuar dhe praktikuar. Nëse ju keni vetëmotivim, ju nuk do keni nevojë t’ju kontrollojnë për të përfunduar një detyrë apo për të rezistuar në një situatë sfiduese. Aftësimi në këtë aspekt ju bën më të disiplinuar dhe më të orientuar drejt suksesit.
- Empatia: Aftësia për të kuptuar reagimin emocional të një personi tjetër. Duke kuptuar se si ndjehen të tjerët, ju do të mësoni të jeni më i përkushtuar dhe t’i menaxhoni shqetësimet e tyre. Në këtë mënyrë do të jeni më i pëlqyer dhe më i aftë për të punuar në grup.
- Aftësi sociale: Të qenurit i aftë për të krijuar marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët. Përvetësimi i kësaj aftësie do t’ju bëjë një komunikues më të mirë, një lider më të mirë dhe më të aftë për të menaxhuar konfliktet dhe për ta orientuar grupin apo debatin drejt zgjidhjeve efektive.
Personalisht, unë e kam parë të nevojshme këtë aftësi në jetën time dhe pasi kam lexuar Goleman-in jam interesuar sërisht në burime të ndryshme për ta përmirësuar dhe zhvilluar këtë aftësi njerëzore.
Ky është një libër i shkëlqyer që do e rekomandoja për këdo, por sidomos për ato që duan të njohin më mirë emocionet e tyre apo të të tjerëve. Do e rekomandoja për prindërit që duan të rrisin fëmijë me vetëbesim dhe të suksesshëm. Po aq, do e rekomandoja edhe për mësuesit e shkollës fillore, por dhe më lart, të cilët pas leximit të librit do të përftojnë rezultate më të mira tek nxënësit në sjelljen dhe aftësitë e tyre për të nxënë dhe bashkëvepruar.
Librin e gjeni tek BUKINIST.AL
Për çdo informacion mund të kontaktoni edhe përmes telefonit: 044508282 ose e-mailit: info@bukinist.al