Një libër sui generis i Mimoza Hafizit

mimo=-pika

Analize e romanit shkencor “Pika Trëndafil – Për ne dhe alienët” shkruar nga astrofizikantja, Prof. Dr. Mimoza Hafizi, me të cilin ka fituar çmimin si libri më i mirë i vitit për fëmijë dhe të rinj nga Ministria e Kulturës

Dr.Tatjana Haxhimihali

Është një nga botimet shkencore popullore të dala nga shtypi javët e fundit që do t’i përshtatej më bukur thënia e fizikanit të shquar Stephen Hawking se “Shkenca nuk i bindet vetëm arsyes, por edhe romancës dhe pasionit”.

Një libër si ky nuk mund të shkruhet pa pasion, vetëm nga dëshira e profesoreshës së mekanikës kuantike, Hafizi, për ta njohur lexuesin me kërkime nga fusha e saj e studimeve. Po aq sa me arritjet e të dhënat edhe nga qendra evropiane kërkimore me të cilat ajo bashkëpunon si astrofizikane, veçanërisht në studimet e pareshtura për zbulimin e planetëve e fenomeneve të njohura e të panjohura të Universit.

Në një kohë kur, siç dëshmohet në libër, shkenca e formimit të yjeve dhe e sistemeve planetare po përjeton një revolucion jo vetëm me zbulimin e mijëra ekzoplanetëve (planetë që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor) ne ndjekim guximin e eksploratorëve të sotëm të qiellit në vazhdën e zbulimeve të hershme që nga koha e Aristotelit të Greqisë së vjetër, kur shumë planetë u pagëzuan me emrat që kanë edhe sot. “Të fluturojmë në qiell me guximin e Magelanit dhe Kolombit që zbuluan botë të reja”.

Është e qartë se historiku i eksplorimit të hapësirës u bë i mundur vetëm kur teknologjia u lejoi astronautëve të dilnin jashtë atmosferës së tokës. Raketat e kanë ngritur njeriun dhe shkencën në hapësirë. Që nga sputniku i parë që u rrotullua rreth tokës, njeriu i parë në kozmos nga rusët, programi amerikan “Apollo Space” (vitet 1963 deri 1972), Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, (që qëndron në orbitë nga ‘1998), një nga arritjet më të mëdha të teknologjisë, me ekuipazhin që punoi dhe jetoi në hapësirë, teleskopi i hapësirës Hubble (‘1990) me zbulimet e tij të panumërta, sonda e hapësirës Galileo që mbërriti në Jupiter (1995), sonda që zbriti në Mars dhe na hoqi kuriozitetin për jetën e gjallesave në planetin e kuq (viti 2012) etj.

Njohim përpjekjet e shkencëtarëve dhe studiuesve të kozmosit për arritjen e synimeve të tyre nga anë të ndryshme të botës nëpërmjet teleskopësh modernë të vendosur në vende që meritojnë statusin yjor të vëzhgimit (Kili, La Silla dhe në disa zona të Amerikës etj.), kryesisht në ambiente të larta e pa smog dhe gazra, larg sinjaleve të qindra milionë telefonave celularë, apo komunikimeve GPS me satelitë artificialë, që janë zhurma të forta për valët delikate të ardhura nga galaksitë dhe yjet.

Me teleskopët modernë, instrumente me saktësi të pashembullt, sot shihen qindra mijëra galaksi, kur dikur mendohej se gjithçka është në kozmos ndodhej brenda galaksisë sonë (deri te Rruga e Qumështit). Po ashtu, si spektrografët me saktësi të pakonkurueshme që bëjnë vazhdimisht regjistrime të sinjaleve të ardhura nga Universi, i krijuar në një çast fillestar, përmes një procesi të quajtur Big- Bang, ose shpërthimi i madh (shpjegohet ligji Hubble që çon në përfundimin se i gjithë Universi zgjerohet).

Autorja shpjegon gjithashtu se si leximi i drejtpërdrejtë i Big- Bangut është një nga motivet e studimit të valëve gravitacionale, që janë të lidhura me Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit.

Me një gjuhë të thjeshtë, në libër aktualizohet një bisedë midis dy personazhesh për të shpjeguar teorinë e nobelistit të madh mbi hapësirën dhe rrjedhjen e ndryshme të kohës në sisteme të ndryshme referimi: Teori që solli shumë diskutime dhe pikëpyetje të mëdha edhe për arsyen se ishte mbështetur mbi ekuacione shumë të komplikuara për t’u shkruar e zgjidhur.

Po aq interesante është për lexuesin të njihet me shpjegimet e autores sonë për zbulimet më të fundit që tërhoqën vëmendjen e botës shkencore (në qershor dhe në korrik 2018), zbulime të bëra nga teleskopi i Kilit, për eklipsin e diellit, që konfirmoi teorinë e Ajnshtajnit.Teori që hap shtigje të reja në shkencën moderne të astrofizikës.Për shembull, mbi të mbështetet sot kozmologjia aktuale.

Një shembull tjetër ku shkenca e astronomisë e bërë më e afërt nëpërmjet shpjegimeve dhe aktualizimeve të autores në libër është historia e krijimit dhe funksionimit të makinës hapësinore Kepler, “gjahtares së planeteve”. Vetëm para pak ditësh NASA ka deklaruar jashtë funksionit teleskopin Kepler që ishte hedhur 10 vjet më parë në hapësirë. Ashtu siç parashikohej dhe siç përshkruhet në këtë libër asaj do t’i shterej karburanti dhe do të humbte lidhjen me tokën, por se kur nuk dihej. Bota shkencore e çmonte kontributin e paçmuar të teleskopit Kepler sepse bëri zbulimin e 2681 planetëve jashtë sistemit tonë diellor, kur vetëm para një shekulli besohej se universi nuk ndryshon.

Edhe ne amatorët e zbulimeve dhe zhvillimeve të reja në univers e kuptuam keqardhjen që ndjenë shkencëtarët për kalimin e tij në kozmos si “trup i lirë”, duke qenë se i kishim njohur mirë vlerat dhe kontributin që dha në kërkim të botëve aliene dhe të ekzoplanetëve, por edhe prej përshkrimit të përpjekjeve të pashembullta që u bënë për ta mbajtur në punë një kohë sa më të gjatë.

Me ndjeshmëri artistike autorja përshkruan keqardhjen e banorëve të Tokës kur panë vendin krejt periferik që zë Toka në foton e marrë nga Voyager 1 (viti 1990). Atë kohë kur planeti ynë i parë nga miliarda kilometra larg u quajt Pale Blue Dot – Pikë e Kaltër, prej ngjyrës së oqeaneve dhe të qiellit të saj. Tekstet e librit shpesh janë ilustruar me foto, nga të cilat fotoja e Tokës e parë nga Hëna është një nga më tërheqëset, jo vetëm për cilësinë, por edhe se tregon se ç’arritje të papërfytyrueshme kanë bërë misionet për njohjen e Universit!

Sipas përshkrimeve në libër ndjekim përpjekjet e shkencëtarëve që tani janë përqendruar për të gjetur qenie të ngjashme me ne si dhe për mundësitë e jetës jashtë Tokës. Për ekzistencën e së cilës në ekzoplanetet duhet të ketë terren shkëmbor dhe temperatura të jetë mes 0 dhe 100 C për të pasur ujë që të jetë në gjendje të lëngët. S’është e rastit hedhja në hapësirë e Diskut të Artë, ku janë regjistruar të dhëna mbi Tokën tonë dhe banorët e saj, klithma kafshësh e të qara fëmijësh etj., me shpresë që mesazhet e tij të bien në dorë të alienëve. Nuk e dimë nëse do të arrijnë të deshifrojnë këto kumte, por një gjë duket e pamundur që në gjithë këto galaksi të pafundme të mos ketë jetë njerëzore! Po si do të jetë ajo? Me zbulimet fantastike që po ndjekim duket se kjo ëndërr e njerëzimit nuk do të jetë larg së qeni realitet, vërejnë shkencëtarët.

Në këtë rrugë që kanë ndjekur edhe shumë fizikanë të shquar për të popullarizuar zbulimet e bëra në fushën e studimit të Universit ecën dhe studiuesja Hafizi që një pjesë të librit të saj ia kushton përsiatjeve të fantazisë sidomos për ekzistencën e jetës së krijesave aliene dhe marrëdhënieve midis tyre. Nëse dikur në librat fantastiko-shkencorë pjesën më të madhe të krijimtarisë së shkrimtarit e zinte fantazia (“Mjegullnaja e Andromedës”, “Marsi, planeti i kuq”) në librin e profesoreshës Hafizit fantazia është në funksion të studimeve shkencore.

Libri ka një konceptim interesant: në një krah është studimi shkencor dhe nga faqja tjetër trillimi artistik mbështetur po mbi faktin shkencor. Për shembull, nëse ne kemi arritur të kapim një sinjal nga një planet, nisur shumë vite më parë (viti 1948), për shembull, siç është planeti Proxima B që ndodhet në zonën e cila përmbush kushtet për t’u quajtur “e banueshme”, pse të mos fantazojmë për ekzistencën jetës aty? – argumenton Hafizi pasi ka arritur të na shpjegojë se si është arritur të zbulohet së fundmi grupi i 7 planetëve, ku planeti Proksima B, ekzoplaneti më i afërt me ne, rreth 4 vite dritë larg, bën pjesë në vërtitjen e përbashkët rreth yllit Proksima e Centaurit.

Në tokë ka mbërritur sinjali i një prej ekzoplanetëve të kësaj galaksie, si një pikë e kuqe, që i ka bërë shkencëtarët ta mbiquajnë Pale Red Dot, Pika Trëndafil, emërtim konvencional në ngjashmëri me atë mënyrë që e kanë emërtuar Tokën si Pika e Kaltër. Nga të dhënat që janë grumbulluar duket se ky është është një nga më interesantët trupa qiellorë të zbuluar së fundmi, pa dyshim falë mjeteve nga më të perfeksionuarat e shkencës së astronomisë, me të cilin autorja merret gjatë duke i lënë mjaft vend edhe trillimit fantastik. Një planet që mbahet vazhdimisht në vëzhgim për komunikime të mëtejshme, sepse “objektivi kryesor tani është që të zhvillohen teknikat e duhura për një udhëtim të mundshëm drejt një trupi qiellor jashtë sistemit tonë diellor”…

Natyrisht që qendra kërkimore të rëndësishme si NASA, ESO etj., disa universitete amerikane me emër, që kanë nxjerrë me dhjetëra nobelistë, aktivitetin e të cilëve duket se autorja e njeh mirë, janë jo vetëm nxitësit, por edhe realizuesit e një pune të madhe kërkimore shkencore në lëmin e astrofizikës, ndër të cilët shumë janë të rinj. Të bëjnë përshtypje konstatimet e autores për punën kërkimore shkencore në universitetet amerikane ku liria dhe hapësira krijuese mbështeten mbi motivin prioritar që e afishojnë: “e vërteta do t’ju bëjë të lirë”.

Çka e bën autoren të japë mendime dhe përsiatje filozofike mbi njeriun si qenie biologjike dhe shoqërore, duke vlerësuar veçanërisht marrëdhëniet korrekte në shoqëri si arritje të kulturës njerëzore krahas arritjeve të mëdha shkencore.

libri

Në libër i vihet rëndësi faktit se interesimi për zbulimet e reja në astronomi është bërë pjesë aktive një brezi të ri të pasionuarish edhe pa qenë shkencëtarë të mirëfilltë. Midis të tjerash duket dhe dëshira e shkencëtares, autores së librit që tenton të grishë edhe të rinjtë shqiptarë, ose njerëz të dhënë mbas zbulimeve në Univers që t’i bashkëngjiten interesimit global në rritje për këtë fushë që vjen duke ecur me hapa që s’janë parë deri më sot.

Nuk ka aspak fantazi pa baza, por përkundrazi; prandaj libri është interesant. Për më tepër në përpjekjet për të dhënë një përfytyrim sa më të saktë të teorive shkencore që trajtohen në libër autorja e ka pajisur atë me një informacion shkencor (të vendosur në fund të librit) si dhe me foto të marra nga zbulimet e misioneve hapësinore ose të përpiluara nga ajo vetë, me diagrame, skica edhe tabela për ta bërë sa më të kapshëm materialin shkencor.

Bie në sy se ilustrimet janë të një niveli mjaft më të mirë nga ana poligrafike në krahasim me ilustrimet që gjen rëndom në librat tanë. Për të ruajtur vërtetësinë dhe autorësinë e tyre si dhe për të ndjekur më tej ndonjë aspekt të çështjes që trajton, shpeshherë autorja ka vënë adresat e sajteve në internet, ku të interesuarit mund vërtetojnë autenticitetin ose të zgjerojnë njohjen.

Një vërejtje do të kisha për redaktorët që kanë kaluar materialin para botimit. Retrospektivat në tekstin artistik, sidomos në pjesët kur kalohet nga e tashmja të shkuarën mund të ishin paraqitur grafikisht ndryshe, jo vetëm me hapësirë dhe retiçencë. Për shembull, teksti që bën fjalë për të kaluarën mund të ishte paraqitur me një tjetër lloj shkronje, që ideja e autores dhe vendosja në kohë të ishte e kapshme më shpejt nga lexuesi. Për sa i përket materialit artistik, ai duhej punuar më mirë nga ana kompozicionale dhe e karaktereve që të merrte vërtet formën e një romani. Por kjo mungesë kalon në plan të dytë, kur konstatohet se peshën kryesore të tekstit e mban trajtimi shkencor, vrojtimet shumë interesante nga zbulimet, përpjekjet e pashtershme e plot kurajë të njeriut për njohjen e Universit, që e ngrenë cilësinë e librit duke i dhënë vlera të padiskutueshme dhe bërë tërheqës për cilindo lexues.

Librin e gjeni online tek Bukinist.al

Për më shumë, telefononi tek: 044508282, ose na shkruani: info@bukinist.al

pika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *