Kumtim rreth kryepersonazhit Tador të romanit “Mos harro të më kujtosh”, me autor Liridon Mulaj, botuar nga Onufri
Albert Vataj
Pengesa më e lartë që mu desh të kapërceja, për të përligjur të drejtën e të kumtuarit të diçkaje rreth romanit, “Mos harro të më kujtosh” të miku tim, Liridon Mulaj, nuk ishte rileximi i librit, sa ç’ishte shkëputja prej fijeve, përshkueshmëria e të cilave, do ta vinte në dilemë atë që do të shkruaj për librin.
Duke ç’koduar personazhin Tador, atë që na rrëfen vetveten me zemër në dorë, me të njëjtin sinqeritet dhe frikë në përngjasimin e jetës së tij me të dikujt tjetër, që ka zgjedhur të heshtë, në një botë që e ka më të lehtë të të paragjykojë se sa të të mirëkuptojë, e aq me pak, të të ndihmojë t’ia dalësh.
“Mos harro të më kujtosh” i Liridon Mulajt është një roman që denoncon shoqërinë, jo më pak edhe individin. Personazhet e këtij rrëfimi janë sa realë, triller, aq edhe të sinqertë. Ata nuk ka në asgjë për të mbajtur larg syve të njerëzve, edhe pse janë të paktë ata që kanë mirësinë ti fokusojnë në vështrimet e tyre për nga ata. Kanë zgjedhur të jenë të tillë sepse, çfarë ata i trazon, është ajo që ka kultivuar në truallin e së tashmes së një individ fatkeq. Nuk i mjafton asgjë morale në këtë bote të ndyrë; as arsimimi, as përkushtimi, as nderi. Gjithçka shumëzohet me zero në nevojat utilitariste që paraprijnë.
Atij i duhet të jetë hileqar dhe frikacak, të dredhojë dhe t’ia mbath. Ai duhet të ketë frikë nga sinqeriteti, siç ka nga vdekja që vjen prej tij. Ai duhet të ketë frikë nga kujtesa, siç i druhet gjithçkaje që sjell ajo; qoftë edhe një të afërmi që rishfaqet ashtu beftas pas një mungimi të gjatë, jo dhe aq për pendesë se sa rizgjim trazues në dhimbjet që rivjen.
Romanit i mungon fabula, si qëllimsi për ta nxjerrë rrëfimin nga rrethi vicioz i skematizmit dhe klisheve. Kjo, më së shumti, është një sprovë që autori ka guxuar të ndërmarrë, duke besuar tek gjërat që e ushqejnë këtë shpirt krijues, më shumë se sa të druhet prej fashikujve të gjykatorëve letrarë.
Liridon Mulaj është rrekur kësisoj t’i qaset një mënyrë të ndryshtë rrëfimtarie dhe orvatje e kësodorshme dukshëm cyt çdokënd të besojë se ligjërimi është një nevojë afrie dhe mundësie komunikimi me shoqishojn. Në këtë përpjekje ai kërkon të ruajë konturimin horizontal të këndshikimit dhe depërtimin e thellë të nënvetëdijes që ngucat shkasi i gjendjeve. “Lënda shkrimore, – thotë Umberto Eko, – është konvencioni i identitetit të autorit. Sado që ai të bubullojë e të rrëmihë, vetiu kjo lëndë shkrin në të një marrëdhënie me vetveten, përmes një ekstrakti letrariteti”: Dhe Liridoni e rrok këtë thelbësore të themeltë të krijimit.
Stilistika e trigimtarisë është e sendërtuar poetikisht. Përmes saj, autori i blaton situatave dhe çasteve shpirtin krijues, kullimin e frazës dhe ligjërimit. Aty-këtu shfaqet e fuqishme figurshmëria e oratorisë shprehëse të poetit, duke e veshur panoramimin e atypëratyshëm me një brerore pathosi. Sepse, ne të gjithë jemi qenie të mbikëqyrura dhe të administruara nga pesha specifike e ndijimit.
“Mos harro të më kujtosh” i Liridon Mulajt është roman i njëfrymshëm, por me një densitet të lartë përjetimi. Gjeografia e zhvillimit të ngjarjeve ka shtrirje të kufijshme kohore, por shpirti i personazhit e shpon atë kurm të drobitur lëngimesh të realitetit, thellë. Perceptimi dhe përjetimi bashkëudhëtojnë nëpër një fill përshkueshmërie që depërton tejembanë, çfarë pena e shkrimtarit end panoramën ku pahet e qartë sotshmëria e një individi të pasqyruar në çdoditshmërinë e krejt shoqërisë.
Romani është një rrëfim i sinqertë; si i tillë, ai denoncon dhe akuzon çdo ves dhe apati, çdo shtirje dhe distancim, heshtje dhe frikë, si kultivues të atij kërcënimi që rrezikon, jo vetëm jetën e personazhit të romanit të tij, por krejtskrejti ata që hyjnë dhe dalin nga kjo skenë, përfshirë edhe ata që sodisin.
Të kesh frikë të jesh vetja; ta kuptosh dhe ta trajtosh botën si të tillë, nuk është vetëm fati i keq i të riut Tador, i cili ndeshet spariherë me këtë dhe s’dyti me çfarë e pret në trajektoren, fill e fund.
Nënshtrimi ndaj fatit të keq, dezertimi nga çdo përballje, a betejë që vë në provë nderin dhe karakterin, e bëjnë realitetin një fat tragjik dhe jetën e individit një dramë. Ai vjen për të treguar se ai, – ai nuk është një sajesë mendimesh të shpenguara dhe një fantazie të sëmurë, – por për të rizbuluar të përditshmen e një individi që kalon para nesh pa u vënë re. Ai ishte, është dhe do të vijojë të jetë kudo, – kudo ku ne ndodhemi, – sepse është jeta nëpër të cilën ndihet përshkueshmëria e përjetimeve, situatave.
Tador nuk ka ëndrra në një reale që e kërcënon dhe e vret. Ai orvatet me sot me nesër, si në një përpjekje për të shtyrë ditët, me pak shpresë, nëse e sotmja do të ndryshojë nga e djeshmja. Megjithatë, ai nuk dorëzohet edhe pse i janë shpenzuar të gjitha energjitë; ka rëne moralisht dhe shëndeti i keq nuk harron t’ia kujtojë se çfarë e pret.
Tador, nuk është ai që drejton kahjen e jetës, por është vetë ajo që e gllabëron atë. Individi pa të ardhme zhagitet në të tashmen e qenieve që e marrin në kërcënim, thua se ka për të paguar gjithë mëkatet e sojit të vet. Dukshëm ai nuk mund të jetojë pa këtë trysni, pa këtë sprovë forcash që kërkojnë ta përfundin. Atë ngado e rrethojnë mure që duhen kapërcyer, por ai e ka të pamundur. Përpjekjet e tij janë të një Sizifi fatkeq që orvatet të shpaguajë “mallkimin” mitologjik në një njëtrajtshmëri sfilitjeje të modernitet.
Sado që ai rreket t’i shpëtojë tragjizmit që e ka vënë përposhtë, dukë e qëlluar me keqime që shtohen, ai në pamundësi të kacafytet, ka tentuar të dorëzohet, por atij… përfundimisht i ka mbetur të humbë në ndeshje.
Librin e sapohedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Onufri e gjeni tek Bukinist.al
Për më shumë informacion, na telefononi tek: 044508282, ose shkruaj tek: info@bukinist.al