“Epidemia” e romaneve per Covid-19 nga autore shqiptare

doctors-graffiti

Ja pesë autorët shqiptarë që kanë shkruar për pandeminë gjatë vitit 2020.

Periudha e pandemisë së Covid-19 riktheu epokat absurde që ka kaluar shoqëria njerëzore, ku jeta dhe vdekja bashkohen më shumë se asnjëherë tjetër dhe ku raportet mes njerëzve zhvendosen në distanca ekstreme. Kjo e bën këdo që të reflektojë. Në periudha të ndryshme epidemish na kanë mbetur libra me vlerë që i lexojmë sot e kësaj dite: Dekameroni i Boccacios, “Ditari i vitit të murtajës” nga Daniel Defo, “Murtaja” e Albert Kamy apo edhe libra të tjerë.

Tre nga romanet më domethënëse që flasin për epidemitë dhe që patën interes të jashtëzakonshëm gjatë pandemisë botërore të Covid-19-së në këtë periudhë ishin: “Sytë e errësirës”Dean Koontz, “Mbramja e ditëve” të Sylvia Brown apo edhe “Ferri” i Dan Brown.

Letërsia botërore njeh shumë raste ku fantazia e rrëfimtarëve ka prodhuar vepra ku paraqiten realitete epidemish.

Që kur filloi epidemia e Covid-it në Shqipëri pati një rritje të interesit për romanet me këtë temë. Në mënyrë krejt të pazakontë pati rritje të shitjeve për libra si “Murtaja” e Albert Kamy, “Dashuri në kohërat e kolerës”Gabriel Garcia Marquez, “Verbëri” të Joze Saramagos, “Ferri” të Dan Brown, etj.

Paradoksalisht, kjo situatë riktheu vëmendjen e lexuesit tek letërsia cilësore dhe ndikoi në rritjen e leximit. Por, njëherësh, edhe autorë shqiptarë ndërtuan realitete fictionale mbi këtë gjendje të pazakontë me të cilën po përballet e gjithë bota. Autorë të njohur si Fatos Kongoli apo Durim Taçi erdhën me romane në këtë kohë. Po ashtu, Pandi Laço dhe Ambra Hysa bënë sprova letrare duke shkruar romane për realitetin pandemik që po kalojmë.

Leximtari dhe Bukinist.al bëri një vështrim të shkurtër dhe përzgjodhi pesë libra të shkruar për epideminë e kohës tonë, të cilët i gjeni më poshtë:

1.“Stinë pandemie” nga Fatos Kongoli

stine-pandemie

Një libër i veçantë i Kongolit, origjinal, i shkruar në atmosferën e absurdit të pandemisë. Autori ka zgjedhur të rimarrë pothuaj të gjitha personazhet e një prej romaneve të tij më të suksesshëm, “I Humburi”.

Edhe në këtë roman të ri, ngjarjet vendosen pjesërisht në qytezën e famshme periferike të kryeqytetit, në breg të lumit. Dhe pjesërisht në kryeqytet. Nëse tek “I Humburi”, pikë referimi është marsi i vitit 1991, që kulmoi me eksodet biblike të shqiptarëve nëpër botë, te ”Stinë pamdemie”, pikë referimi është një tjetër mars, kësaj here i vitit 2020. Por çfarë ka ndodhur ndërkaq?

Një skaner i realitetit të sotëm shqiptar, ku autori nuk mungon të fshikullojë gjithçka të shëmtuar. Një libër i shkruar herë me humor, herë me dhimbje, herë me një ironi të hollë, plot sarkazëm. Ku nga fillimi deri në fund, si në disa romane të tjera të Kongolit, është e pranishme edhe vetironia e njohur e tij.

  1. “Curvid” nga Pandi Laço

curvid

I shkruar në periudhën e karantinës në muajt e parë të vitit, “Curvid” është një kronikë e jetës së personazhit kryesor, Nikut, në ato pak javë të shpërthimit të pandemisë, kur ende askush nuk e dinte se me çfarë kishte të bënte

Niku, një burrë në mes të të tridhjetave, artist – mbase – pa një punë të qëndrueshme…, në një vit të njëllojtë me të tjerët më përpara, vendosi për herë të parë të shkonte me pushime në Itali me Marsin, një vajzë të cilën deri atë kohë e donte, por nuk kishte rënë në dashuri. Ky është pjesa e parë e romanit “Curvid” të Pandi Laços, botimi i parë i artistit në gjininë e romanit.

Romani është i ndarë në tri pjesë, të titulluara pas shprehjes së famshme latine “Veni Vidi Vici” – Erdha – pashë – fitova.

Subjekti i librit nuk ka një përfundim të mirëfilltë. Tek e fundit, klima në të cilën janë vendosur ngjarjet nuk ka ndryshuar ose, më mirë, ka ndryshuar për keq.

Gjithsesi, zgjidhja nuk ishte qëllimi i autorit, që megjithatë e ka mbyllur me një notë pozitive. Niku, kitarist i zoti, nuk shquhet për ndonjë zë kushedi, por nga ana tjetër e telefonit, nga shtrati i spitalit, Marsi i kërkon t’i këndojë. Një këngë në maxhor, me atmosferë, që ta bëjë ndihet mirë…

  1. “Ditari i perballjes me koronavirusin” nga Fatmir Toçi

ditari-i-perballjes-me-koronavirusin

Ky është një libër që përmban një gërshetim jetësor mes ngjarjeve që ka përjetuar autori dhe një filli fictional. Ditari i Fatmir Toçit është ftesa më e rëndësishme, më konkrete, më thelbësore, që u drejtohet në gjuhën shqipe shqiptarëve për të respektuar masat e dhëna prej mjekëve, e të miratuara prej qeverive nëse duan të mbrojnë veten e të mbrojnë të vetët, kolegët e miqtë, të tjerët që takojnë, prej virusit vdekjeprurës Kovid -19.

Është e kuptueshme, prandaj, pse në Ditarin e Fatmir Toçit janë aq të shpeshtë emrat e mjekëve, shprehet një nderim ndaj mjekëve e infermierëve – këtyre heronjve të kësaj kohe.

Në Ditarin e tij, në këtë roman dokumentar historik mbi një virus, që atij ia rrezikoi jetën, Fatmir Toçi do t’u shprehë falënderime kolegëve, miqëve të tij.

Kjo është vepër që do të ketë ndikim shoqëror dhe etik. Prej luftës që përshkruhet në të për t’i shpëtuar Vdekjes do të çmojmë Jetën. Ajo, Jeta, është shumë e vlefshme, shumë e rëndësishme. Jeta, është shumë e bukur. Dhe, duhet të përpiqemi, ta ruajmë vlerën e saj, rëndësinë dhe bukurinë e saj.

  1. “Nje prani ne ikje” nga Durim Taçi

nje-prani-ne-ikje

Libri është pjellë e një eksperiencë kurrë të ndodhur më parë, siç qe goditja që njerëzimi mbarë mori nga pandemia e Covid-19, parë nga qendra më problematike dhe vdekjeprurëse, siç qe Bergamo e pranverës së këtij viti. I ndodhur pikërisht atje, autor na e përshkruan situatën me një aftësi të mrekullueshme shtëgtimi nga jashtë Brenda dhe nga Brenda jashtë, duke i dhënë atij reliteti të egër herë pamje të lugëta e herë të mysta.

  1. “Dashuri në kohë koronavirusi” nga Ambra Hysa

dashuri-ne-kohe-koronavirusi

Ky libër, përcjell mesazhe të bukura shprese dhe besimi se ”Do t’ia dalim!”; vë në epiqendër Dashurinë, si çelësi i mirëkuptimit dhe i paqes; si gjeneratori i transformimit pozitiv të mendësisë dhe jetës së individit dhe shoqërisë.

Është një libër mjaft interesant dhe origjinal, sa artistik aq edhe real. Aty, secili nga ne gjen vetveten në Jetën që po jetohet, por edhe që dhimbshëm po humbet…

Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja si ‘‘dëshmitar okular’’, si bashkëjetuese, me një gjuhë të drejtpërdrejtë e të sinqertë; me kolorit të pasur; me ndonjë dialektizëm, që më tepër i jep lezet se sa e rëndon, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme; bën homazh e nderim të thellë për mjekët, “Gardianët e Jetës”, “Zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”… Dhuron lule për fitimtarët!

librat-okis

Të gjithë librat i gjeni në platformën më të madhe online të librit shqip, Bukinist.al

Për më shumë informacion, na shkruani tek: info@bukinist.al ose na telefononi: 044508282

Përgatiti materialin Albert Gjoka, menaxher i Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *