Blogu Leximtari ka përzgjedhur disa romancierë të rinj, të cilët i rekomandon për tu lexuar gjatë vitit 2021
LEXIMTARI
Letërsia bashkëkohore shqipe ka pasur prurje të reja gjatë viteve të fundit: Të rinj që po sprovojnë veten duke lëvruar novelën dhe romanin, duke sjellë ngjyresa, shije dhe teknika të reja narrative. Po ashtu, ka një guxim për të provuar zhanre të reja, të lëvruara pak ose aspak nga autorët shqiptarë. Krahas rritjes së interesit të lexuesve shqiptarë për zhanre të tilla si romanet mister, thriller, krim, apo fantashkencë, ka një tjetër zhvillim interesant; autorë të rinj po shkruar në këto lloje zhanresh, duke e pasuruar në mënyrë të ndjeshme. Enkelejd Lamaj, Brajan Sukaj apo Dorian Keys janë disa prej të rinjëve që ka dalë para lexuesve me vepra të këtij zhanri. Njëherësh, ka romane të thyejnë tema tabu, si homoseksualizmi, mes tyer. Vlen të përmendet romani i Azem Deliut. Një tjetër zhvillim interesant ka të bëjë me mënyrën sesi sendërtohet bota e trilluar, duke guxuar në përdorimin e teknikave të reja narrative.
Leximtari ka ndjekur prirjet e viteve të fundit në zhanrin e romanit bashkëkohor, i cili mbetet pak i studuar nga kritika e specializuar dhe ka përzgjedhur që të rekomandojë 8 autorë të rinj të cilët kanë komunikuar me veprën e tyre me lexuesin shqiptarë gjatë 2-3 viteve të fundit.
Çdo vend ka (të paktën) një shtëpi të braktisur dhe çdo shtëpi e braktisur ka historinë e saj. Në Stora – fshat bregdetar pranë Sarandës – historia e shtëpisë së braktisur është e trishtë, e dhimbshme dhe e mbushur me terror. Ajo është djegur dy herë dhe në secilën prej herëve, një fëmijë ka vdekur mes rrënojave.
Por kjo është vetëm njëra anë e historisë – ajo që dinë të gjithë. Ana tjetër është ajo e një bote të harruar e plot hije, që ekziston kudo, por nuk është askund dhe ku çdo gjë që ndodh, ndodh gjithmonë dhe përgjithmonë.
Tre shokë – Lira, Alma dhe Oresti – duke rrëmuar mes viteve të pluhurosura dhe hijeve të harruara, zbulojnë se e shkuara kërkon të përsëritet.
Autori Brajan Sukaj, fitues i trofeut të dyfishtë me romanin “Ciklopi” gjatë vitit 2019, me romanin më të mirë të vitit 2019 tek Bukinist dhe Panairi i Librit Tirana 2018, vjen me një roman të ri, i cilësuar si një prej prurjeve më cilësore të këtij autori. Viti i elefanit ka qenë në garë për çmimin Kadare në vitin 2017, dhe ishte në listën e shkurtër, mes 6 librave në garë për të fituar çmimin e madh. Sukaj konsiderohet një ndër prozatorët e rinj më të mirë në brezin e tij
Ky roman sjell një projeksion për mënyrën sesi perceptohet historia: Historia është si një kështjellë. Bedeni i një fakti të dokumentuar pasohet nga një hapësirë boshe pas të cilit vjen një beden tjetër, e kështu me radhë. Sa më e vjetër të jetë një kështjellë, aq më të çrregullta janë bedenat; disa prej tyre madje, me kalimin e kohës bien, duke bërë që hapësira boshe të zgjerohet, duke formuar shpeshherë një hendek gati-gati të pakapërcyeshëm. …Në tullat e vjetra të historisë, gjenden ende gjurmët e gjakut të mpiksur të duarve që i kanë ngritur, por ato nuk duken, sepse tullat vendosen njëra mbi tjetrën.
Dr. Erenestina Gjergji Halil shprehhet për këtë libër: Një “Goditje narrative” e ndarë në minisekuenca të vetëmjaftueshme për të qenë rrëme të llojit të shkurtër. Një rrethrrotullim emotiv, ku fillimi është harresa vetanake e pika fundore ajo kolektive. Në këtë kulm nis lufta, që pjell vdekjen… Djaloshi Tador end rrëfimin në vetën e parë brenda qarkut të mbyllur të kotësisë e ishullimit, ndërsa rrjedha e subjektit krijon hapësirën metatekstuale njerëzore e shoqërore.
Kjo është një sagë e fortë politike për raportin mes individit dhe pushtetit, ku në një vend si ky i yni, më e shkatërruara mbetet familja. Autorja ka sjellë histori në disa kohë, të rrëfyera me mjeshtri, duke përdorur teknika narrative që të mbajnë të mbërthyer në çdo sekond nga fillimi deri në fund.
Teksa gjendesh në hapësirën e pakohë e të pacak të kësaj vepre, arrin të kuptosh se, rrethanat të kanë shndërruar padashur në një dëshmitar të asaj që po ndodh brenda një plateje që rrihet nga të katër anët nga erërat, shirat dhe dimrat e ashpër që valëzojnë nëpërmjet dritës dhe errësirës. Ngjyresat e stisura në ditënatën e pambarimtë, vetiu ndërtojnë edhe profilet e personazheve të këtij romani.
Romani “Nën hijen e ëndrrës” ka ngjallur një interes të pazakontë tek lexuesit, të cilët po njihen me këtë sagë tronditëse që i shkon në thellësi realitetit politik shqiptarë, megjithë dramat dhe atrofizimin që përmban në thelb një pushtet i tillë i korruptuar.
Ky roman kaloi një filtër paraprak të jurisë së ngritur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, duke u shpallur fitues i projektit “Fondi i krijimtarisë letrare për të rinj 2020”. Në komunikimin me lexuesin, është dëshmuar edhe shija e përzgjedhur e jurisë, sepse është ndër më të kërkuarit mes autorëve të rinj.
Në “Lojën e Vjetër” ndodhin vrasje … Disa gjymtohen nga arma e krimit të rrugës dhe shumë të tjerë janë të vdekur të gjallë nga krimi shtetëror. Krimi është prezent në jetën tonë në forma të ndryshme e të gjitha zbulohen në “Lojën e Vjetër”. Shqiptarët e të gjitha klasave shoqërore janë detyruar të luajnë, si gjatë komunizmit ashtu dhe në periudhën kaotike të tranzicionit. Loja mbetet e njëjtë: “Loja e Vjetër” për pushtet.
Ky roman sjell një reflektim tronditës të realitetit të plazmuar sipas Kanunit të Lek Dukagjinit për gjakun, gjininë dhe vllazninë, të marra në një kontekst tjetër kohor, të shoqëruara me paradokse të një realiteti të bjerrur nga vlera dhe të zvetnuar nga tradita. Kur në shtëpinë e Vocit të vetvrarë shfaqet Vilzani, vëllai i tij, një debat lind mes tij dhe djemve të të ndjerit. Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë e prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin në familjarët e vrasësit dhe ata të të vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët.
Nga Mali me Tym, vendi ku Voci dhe familja e tij jetonin, ngjarjet zhvendosen në një qytet mijëravjeçar, themelet e të cilit qëndronin mbi një grua. Qyteti ishte i famshëm për një Rapsod të Shquar i cili krijonte këngë për çdo gjë që ndodhte dhe për banorët e tij të gjithëdijshëm.
Mes dëshirës për t’u dukur, një realitet absurd zë vend në këtë qytet duke krijuar ngjarjen më të përfolur të të gjitha kohërave. Të vërtetën e kësaj ngjarjeje merr përsipër të të shpjegojë Ty rrëfimtari, krahas të cilit Ti do të lexosh këtë libër.
Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës, e që në disa pika, i kujton problemet e pas rënies së komunizmit në vendin e tij. Shkrimtari biseksual me vetëbesim të pakët, na nis në një rrëfim që kapërcen nëpër krejt problemet e fëmijërisë që kanë rezultuar ndoshta, në pasiguritë e tij të sotme. Përballjet e tij me familjen, traditën, kishën, e në fund fare, me veten, e bëjnë të mbajë nofkën dëshpëruese “krimb i pandershëm”. Ndonëse një nofkë e vënë nga të tjerët, në këtë roman ajo përjetohet si diçka që buron prej vetes. Sepse, siç thotë Smolinski, “Njeriu i merr seriozisht veç ato që ia ka thënë vetes para se t’ia thonë të tjerët”.
Dorian Keys është një shqiptaro-amerikan i diplomuar në degën e biologjisë dhe Akademinë e Policisë dhe vjen me një novelë fantastiko-shkencore para lexuesit shqiptar. Një sukses i arritur në SHBA, që tashmë vjen edhe para lexuesit shqiptar.
Detektivi Robert Mirs gjendet në telashe. I është zhdukur kolegu i ngushtë dhe atë vetë e kanë pushuar nga puna. Si të mos mjaftonin këto, ai ka humbur kujtesën përkohësisht dhe kësaj nuk arrin t’i gjejë dot asnjë lloj shpjegimi.
Për të zbuluar të vërtetën i duhet të kridhet në një realitet të ri, krejt ndryshe nga ai, me të cilin është mësuar e ku ndihet mirë, një realitet ku kujtimet mund të zhvendosen nga një trup te tjetri, ku grupe të fshehta luftojnë mes tyre për të sunduar dhe ku jeta e njeriut shkon përtej planetit Tokë. A do të përbënte rrezik për punën, familjen dhe për atë vetë sikur të merrte pozicion në këtë konflikt? A e ka mundësinë që të bëjë zgjedhje?
Suad Arilla me romanin “Libri i kujtimeve dhe i harresës” është fitues i “Fondit të krijimtarisë letrare për të rinj”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, me motivacionin: “Për një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të secilit personazh të stilizuar me mjeshtëri, gjithë pse-të e tyre, përpjekjet për të kuptuar veten, por dhe të tjerët, nëpërmjet një gjuhe të kujdesshme, leksiku të pasur dhe figuracioni të shprehur.”
Golemi, personazhi kryesor, ka dëshirë që të shkruajë dhe të botojë një libër me poezi për të rikthyer lavdinë e mëparshme si poet. Por tani, përveçse durimit dhe talentit, vëren se i mungon edhe motivi për të shkruar. Përtej problemeve personale që e mundojnë në prag të moshës së tretë, ai ndihet i paaftë të krijojë një gjendje normaliteti me familjen e tij dhe me njerëzit që ka përreth. Gjithashtu, e kaluara e tij me njerëz dhe me kujtime, fjalët e të atit dhe një marrëdhënie e çuditshme me botën femërore, e përndjekin si fantazma dhe ia ndryshojnë rrjedhën e jetës. I ndodhur në një rreth vicioz, mes kujtimeve, dëshirave dhe pasioneve, problemeve të moshës dhe të familjes, jetës dhe vdekjes, ai përpiqet të gjejë rrugëdalje duke lexuar dhe shkruar, duke harruar, si mënyrë për të ecur përpara.
Të gjitha romanet i gjeni tek Bukinist.al
Për më shumë, na shkruani tek: info@bukinist.al ose na telefononi tek: 044508282