Gjuha e ilustrimeve dhe gjuha e fabulave …

agolli
agolli
Nje nga ilustrimet e Ormira Lulanit qe gjendet tek libri “Kenget e buzeqeshjes”

Ormira LULANI

Librat kanë një forcë shumë të madhe shtytëse në mënyrën sesi i shikon gjërat, mendja fluturon në aventura, vende e përjetime, dhe Arti i ilustrimit ta fuqizon mundësinë që të shprehesh dhe të udhëtosh në botë të reja.

Librat e ilustruar kanë ekzistuar në një formë apo në një tjetër, që nga ekzistenca e fjalës së shkruar. Tradita që ka udhëhequr ilustrimin modern të librit zë fill në letërsinë perëndimore e cila daton që nga librat e gdhendur në dru (ksilografia) në shekullin e 15-të, kur teksti i një libri ishte gdhendur në reliev dhe vizatimet mund të kryheshin direkt mbi sipërfaqen e pllakave të drurit. Këto vepra ishin një përparim i natyrshëm nga forma e vjetër e dorëshkrimit të ndriçuar, në të cilin teksti është i pasuruar me dekorime të tilla si, për shembull, inicialet, kornizat apo dhe ilustrime në miniaturë… Siç shihet më së miri tek Biblia Pauperum [Bibla e të varfërve], ato duken diçka si novela grafike mesjetare, që ilustrojnë ndodhi dhe episode nga Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Më vonë, praktika e botimit tek librat e fantazisë, trillet për të rritur, e shoqëruar me imazhe përfaqësuese, është e lidhur fort me letërsinë perëndimore të shekullit 18 dhe 19 dhe zhvillimin e romanit si zhanër. Artistët ilustrues punonin ngushtë me shkrimtarët në librat e tyre. Nga mesi i shekullit të 20-të, ilustrimi i librit vazhdon të evoluojë në forma më pak tradicionale, dhe praktika e botimit të ilustrimeve për letërsinë për të rritur pati një rënie të madhe. Ilustrimi i librit shoqëronte më shumë letërsinë për fëmijë. Gjatë kësaj kohe ka lëvizje të ndryshme artistike që patën një interes për pasurimin e dizajnit dhe ilustrimin e librit. Ndërsa sot, botimet bashkëkohore letrare bëhen gjithnjë e më të hapura për forma grafike inovative.

Sa i rëndësishëm është ilustrimi për një libër? – është pyetje e përhershme që përcillet tek çdo botues.

Ilustrimi është një interpretim vizual i tekstit, ilustrimi e ngroh librin, e bën më të dashur, më të prekshëm, nxit imagjinatën dhe ndjenjën e observimit, dhe libri mbetet më gjatë në mendje. Ekziston një nivel i lartë i përgjegjësisë kur punon mbi tekstin e një autori. Së pari duhet  të bësh sa më shumë për të nderuar punën e krijuesit.

Dritëroi është shkrimtari im i preferuar, kam një lidhje shpirtërore me të. Është shumë i pasur në gjuhë, i mprehtë, ka satirë, humor të paarritshëm. Ai më nxit shumë lehtë idenë e krijimit. Është gjithmonë një kënaqësi të punosh me librat e tij, por njëkohësisht dhe një përgjegjësi, për emrin e tij të madh.

Bashkëpunimi i parë me Shtëpinë Botuese “Dritëro”, erdhi me vëllimin e fundit në poezi  “Prit edhe Pak”, kur shkrimtari i madh ishte ende në jetë. Ky libër me poezi të pabotuara më parë, m’u besua mua për sa i takon ilustrimeve, dhe kjo ishte dhe sfida ime e vërtetë. Ishte një përvojë e bukur; të paharrueshme ishin takimet, bisedat me shkrimtarin e madh, i cili asnjëherë nuk m’u imponua në procesin krijues, përkundrazi më mbështeste dhe më përgëzonte, bënte edhe shaka …

Dhe finalja ishte e bukur, një libër që u prit mjaft mirë.

Këngët e Buzëqeshjes”, erdhi si vazhdimësi e ilustrimeve të librave të mëparshëm , “Prit edhe Pak” dhe “Tre qeshin një inatoset”, si dhe mbi 10 kopertinave të librave që Shtëpia Botuese “Dritëro” ka publikuar gjatë këtyre viteve.

Këngët e Buzëqeshjes” ishte një projekt tjetër sfidues do të thosha. Nuk është e lehtë të punosh me fabulën, e mbi të gjitha duke e mbajtur atë në një nivel profesional. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm e profesionist, se ilustrimet mund të krijojnë një narrator jo të besueshëm. Kur ka një mospërputhje midis imazheve dhe tekstit, lexuesi përfytyron imazhet për realitetin e vërtetë dhe për pasojë ngre kokë një kuptim i ri, më i komplikuar.

Nga atje e tutje, ekziston një aleancë midis ilustruesit dhe lexuesit. Teksti ose zëri i personazhit interpretohet dhe informohet nga e vërteta e asaj që shihni. Ilustrimet kontrollojnë shpejtësinë e lexuesit dhe detyrimi i një pauze në zërin e lexuesve me një faqe të plotë, ose me dy faqe, ose edhe me një përhapje pa fjalë, mund të nxjerrë në pah një moment dhe fjalët të jehojnë. Duke përdorur një larmi formatesh në faqe, ilustruesi ka një gamë më të gjerë kontrolli mbi mënyrën e leximit të tekstit.

Këngët e Buzëqeshjes”, kanë një satirë shumë të hollë e të mprehtë, dhe ta ilustroje, ishte një kërkim i vazhdueshëm mbi karakteret, për mënyrën e prezantimit të tyre, por dhe njëkohësisht një kërkim në vazhdimësi të stilit tim personal, bazuar dhe në një disiplinë të fortë pune, sepse ka të bëjë me zbërthimin e idesë, me gjetjen e personazheve, me vizatimet e karaktereve, ngjyrat, fjalët… Pra është një proces, duke u përpjekur të gjesh mënyrën më të përsosur për të dhënë situatën apo subjektin e fabulës në fjalë. Atëherë kur je e qartë në mëndje, fillojnë skicat e pastaj ngjyrat apo prekjet e nevojshme që vetë kompozimi apo mendja t’i dikton.

Shpeshherë ngjyrat futen për të krijuar apo shprehur një ndjenjë të veçantë, por herë të tjera ato futen në mënyrë intuitive.

Tek Epigramet, menduam të përfshinim dy simbole që kishin dhe kuptime domethënëse, dy simbole që do shoqëronin bukur dhe kuptimin e fjalës, si dhe anën vizuale të faqes. Këto dy simbole u huazuan nga mitologjia jonë, simboli i Qiparisit dhe Diellit, që është simbol i përjetësisë, si dhe Diellit dhe Gjarprit (marrë nga një kërrabë bariu), si ruajtësi i banesës në këtë jetë dhe asaj të përjetshme. Dy simbole mbi vazhdimësinë, përjetësinë, ashtu sikurse vetë vargu dhe emri i shkrimtarit të madh.

Sa ndikon ilustrimi tek paraqitja e një libri?!

Është e njohur shprehja: “një pikturë vlen sa një mijë fjalë” dhe kjo është e vërtetë kur flitet për rëndësinë e ilustrimeve në libra. Gjithashtu dhe në lidhje me promovimin dhe marketingun e librit, ilustrimet janë një kontribues i shkëlqyer për shitjet. Ilustrimet kanë aftësinë për ta bërë librin më argëtues, të nxisin eksplorojë botën brenda imagjinatës.

Ilustrimet mund të përdoren në librat e të gjitha zhanreve, ato janë një mjet i përsosur për të pasuruar librin. Po të vërejmë librat e Dritëroit, sidomos ribotimet e viteve të fundit, ato tashmë kanë një prezantim të veçantë. Kjo ka qenë dhe këmbëngulja e të bijës, Elonës, që tek botimet e reja, tek librat, baza e tyre të mbetet ilustrimi tradicional, si për kopertinën ashtu edhe në brendësi të tyre, dhe ky bashkëpunim që kemi ndërtuar, deri tani ka dhënë rezultate shumë të mira. Librat e Shtëpisë Botuese “Dritëro”, mendoj që janë një risi, në industrinë e botimeve.

Sa i takon opinionit tim personal, unë mbetem gjithnjë mbështetëse e ilustrimit tradicional, jo se nuk më pëlqen ilustrimi digjital, po ai mbetet gjithnjë i ftohtë. Kur punohet në ekranin e një kompjuteri, humbet ajo mundësia për të prekur, për të ndier diçka të vërtetë, që ti vetëm në letër e bën, apo materialin që ti përdor për të bërë artin tend dhe për të shprehur idenë tënde.

Mund të them se, ashtu sikurse është krejt ndryshe të prekësh dhe të hapësh faqet e një libri, kur lexon një poezi apo tregim; tjetër ndjesi të krijon kur dora prek letrën, ndjen erën e letrës dhe të bojës, dhe tjetër kur e lexon në një ekran të ftohtë.

Në fund, arti dhe ilustrimi kanë të bëjnë me shprehjen, me të qenit të  hapur për të shprehur veten, kështu që lexuesi duhet të jetë në gjendje të shikojë atë që artisti synon të shprehë. Sepse kur një artist krijon, apo dhe ilustron, ai bën diçka që është e vërtetë për të, ai fut brenda shpirtin e tij. Unë gjithmonë kam përdorur bojë ink në ilustrimet apo kopertinat e librave që kemi botuar, ndoshta për shkak të parapëlqimeve të mia të hershme; karakteri i linjës është kaq i bukur kur beson tek ajo, por dhe futja e ngjyrës e bën më të këndshëm ilustrimin.

Ilustrimi profesional mund të marrë shumë kohë, por e bukura tek fabulat, apo dhe librat e tjerë të Agollit, është që gjuha e tij, vargu të ndihmon mjaft që ti të lundrosh në imagjinatë, dhe unë gjithnjë përpiqem të argëtohem dhe të krijoj edhe teknika të tjera shprehëse.

Të sfidosh vetveten, është qëllimi kryesor i të punuarit.

Dhe të punosh me librat e Dritëroit, është një sfidë e bukur.

kenget-e-buzeqeshjes

Ky tekst është pjesë e pasthënies së librit “Këngët e buzëqeshjes” të autorit Dritëro Agolli

Librin “Këngët e buzëqeshjes” e gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *