Reflektim pas leximit të romanit “Nën hijen e ëndrrës” të autores Serafina Hasanbelliu, i hedhur në qarkullim së fundi nga botimet UET Press
Albert Gjoka
Romani “Nën hijen e ëndrrës”, i hedhur në qarkullim së fundi nga botimet UET Press, është një sprovë intriguese që ka ndërmarrë autorja re Serafina Hasanbelliu në raport me lexuesin; qoftë për lëndën që sendërton; qoftë për teknikat narrative që përdor.
Romani ka si bosht raportet e individit dhe familjes nga njëra anë dhe pushtetit nga ana tjetër. Ngjarjet shtrihen në tre kohë të ndryshme, pra në tre sisteme të ndryshme, ku raportet njerëzore përmbysen përmes konflikteve ideologjike dhe interesave për pushtet.
Ajo çfarë e bën të veçantë është se në përballjen mes familjes dhe pushtetit, e para nëpërkëmbet dhe këmbehet për hir të interesave dhe fuqisë që ka e dyta. Kjo është edhe dilema kryesore e personazhit kryesor të romanit, i cili vihet përballë zgjidhjes dramatike mes pushtetit dhe bashkëshortes dhe vajzës së tij, pasi i kishte humbur gjithë të tjerët. Përmes këtij rrëfimi, autorja e sondon thellë qenien ideologjike dhe e zbërthen thellësisht në vlerat që duhet të ketë. Familja dhe morali asgjësohen kur vjen puna në luftën për pushtet.
Ky roman e sfidon lexuesin duke e ftuar qënien politike që të ruajë vetveten dhe familjen përkundër pushtetit. Shembulli më i qartë është shkatërrimi i familjes gjatë sistemit komunist. Ideologjia dhe lufta e klasave ishin mure të forta ndarëse edhe brenda familjes. Familja është në sprovë edhe në kohën tonë ku veç pushtetit i atashohen privilegjet financiare. Këto tundime e vendosin njeriun e pushtetit në joshje gati të parezistueshme.
Marrëdhënia mes familjes dhe pushtetit përmban një raport përgjatë historisë që ka shënuar akte tragjike fatkeqe, por këtu, sipas autores, ndahen vlerat me antivlerat. Përkundër këtij realiteti tragjik që sjell romani, familja dhe pushteti nuk duhet të jenë asgjësues të njëri-tjetrit, përkundrazi. Prandaj, ky roman në thelb sjell një sagë politike tragjike, e cila të trondit dhe të bën të reflektosh thellë për raportin mes pushtetit dhe individit.
Ajo çfarë ia shton vlerat këtij romani është edhe mënyra sesi është ndërtuar në aspektin narrativ. Rikthimet në kohë të ndryshme narrative (analepsat); shtjellimi i fabulës përmes letrave që ndajnë mes tyre nëna dhe vajza dhe përshkrimet e fuqishme psikologjike të botës së ndërlikuar të personazheve e bëjnë tejet intrigues dhe befasues procesin e leximit të romanit.
Për këtë arsye e rekomandoj fort para lexuesve romanin “Nën hijen e ëndrrës“, sepse përmes leximit të tij ke mundësi që të reflektosh thellë për raportet e ndërlikuara të individit me pushtetin, për haraçin që paguan homos politicus në këmbim të mbajtjes së pushtetit dhe për peshën e madhe të familjes e cila, në realitete si ky i yni, në Shqipëri, – ka pësuar dramën më të madhe njerëzore gjatë gjithë kohëve, duke shkatërruar thelbësisht raportet sociale të individit në bashkësi si prind, bashkëshort, mik, i afërt, etj.
Librin e gjeni online, tek Bukinist
Një liber i mrekullueshëm qe te le pa fjale.