Sage pasqyruese e nje shoqerie ne krize

luaj lojen
Foto ilustruese

Përshtypje rreth romanit “Luaj lojën tënde” i autores Joan Didion, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Living

Pirro Dollani

Joan Didion është shkrimtare amerikane, noveliste, eseiste dhe skenariste e vlerësuar me shumë çmime, si: “Çmimi kombëtar i librit”, “Medalje për kontribut të shquar në letrat amerikane”, “Medalje kombëtare e arteve”, ka qenë finaliste për çmimin Pulitzer etj.

Romani “Luaj lojën tënde”, botuar për herë të parë në vitin 1970, që i jepet sot lexuesit shqiptar, ka qenë finalist për “Çmimi kombëtar i librit”, është bërë film dhe revista “Time Magazine” e ka përfshirë në listën e 100 librave më të mirë të gjuhës angleze për periudhën 1923-2015.

Përmes historisë tronditëse të aktores hollivudiane Maria Uajat, i bëhet një autopsi jetës amerikane në fund të viteve `60, fill pas ndryshimeve të thella sociale që ndodhën atje, si: revolucioni seksual, lëvizja feministe, kultura e drogës, liria e individit etj.

Nëpërmjet një gjuhe tejet filmike, lexuesi arrin të shohë si në ekran shpërbërjen e shoqërisë amerikane të asaj kohe dhe veçanërisht të “botës hollivudiane”, ku dukuri, si: vetëvrasjet, dështimet, shkatërrimi i familjes tradicionale, neurozat, mbizotërojnë çdo ditë e më shumë.

Pothuajse pjesa më e madhe e personazheve të romanit janë të përfshirë në marrëdhënie seksuale jashtëmartesore apo janë të divorcuar. Edhe nëse shohim ndonjë familje që “mbahet në këmbë”, si në rastin e çiftit BZ dhe Elena, kjo ndodh ngaqë nëna e BZ-së, Karlota, një multimilionere, i jep para çiftit që të qëndrojë bashkë. Pse? Le t’ia lëmë lexuesit ta zbulojë arsyen e fshehur ndërmjet radhëve të librit.

Tema kryesore e romanit është nihilizmi, i materializuar më dukshëm në dy personazhet kryesore, të cilat në fund arrijnë në përfundimin se jeta është e kotë, nuk ka kuptim e si rrjedhojë nuk kanë më forcë të vazhdojnë lojën në atë “asgjënë” që quhet jetë.

Prandaj fjala “asgjë” është mjaft e përdorur në roman. Jo pak herë lexuesi e ka të vështirë të largojë nga mendja ndjesinë e mundimit që i shkaktojnë debatet e personazheve rreth asgjësë: “Sido që ta fillonte bisedën, ai e përfundonte pa thënë asgjë. Do të thoshin të dy nga një gjë dhe para se secili ta merrte vesh, do të fillonin një dialog të njohur, që ua shteronte imagjinatën, ua ndrydhte vullnetin, i lejonte të hiqnin dorë nga fjalët dhe fjalitë e plota dhe përsëri të arrinin në një përfundim të akullt.”

Romani “Luaj lojën tënde” është një vepër jotradicionale. Elementi jotradicional e ka zanafillën që në çastin kur autores i lindi ideja të shkruante këtë roman. Ja si shprehet vetë ajo:

“Doja të shkruaja një roman eliptik dhe me një ritëm kaq të shpejtë, që të përfundonte para se lexuesi ta vinte re, një roman të shpejtë, që pothuaj nuk do të ekzistonte në faqet e librit… hapësira të bardha, hapësira boshe… një libër ku gjithçka do të ndodhte përtej faqeve, një libër të bardhë, ku lexuesit mund të sjellin ëndrrën e tyre të keqe.”

Si pasojë e këtij synimi, vepra ka një strukturë tejet të veçantë. Përgjithësisht, ndryshe nga një vepër tradicionale, romani ka të paktën katër narratorë. Tre kapitujt e parë përbëhen nga tre monologë, nga tri personazhet kryesore të romanit, që luajnë rolin e prologut. Më tej, rrëfimi kalon në vetë të tretë deri në kapitullin e parafundit. Në fund, rrëfimi kalon përsëri në vetë të parë.

Romani përfundon ashtu siç nisi: me rrëfimin e Marias, ngujuar brenda mureve të një spitali të shëndetit mendor. Subjekti nuk është drejtvizor, por i shpërbërë e kaotik, ashtu siç është vetë gjendja mendore dhe historia jetësore e Marias.

didionis
Ne foto: Autorja Joan Didion

Rrëfimi i përngjan një fuge ku motivet, faktet merren e rimerren në intonacione e tonalitete të ndryshme. Vetë struktura kompozicionale e romanit e materializon dhe nënvizon më tej zbrazëtinë shpirtërore të personazheve. Nuk janë të pakta hapësirat e bardha nëpër faqet e librit. Ashtu siç nuk janë të paktë kapitujt që përbëhen nga tri-katër rreshta. Ndërkohë që romani i afrohet fundit, kapitujt bëhen më të shkurtër, më të zymtë, për ta bërë më të prekshëm degradimin shpirtëror të Marias, si edhe për të nënvizuar psikozën që kanë personazhet se ndodhen në një vend “ku mbizotëron asgjëja”.

Proza e Joan Didion-it është elokuente, e thukët dhe autorja është mjeshtre e nëntekstit. Prirja për të shkruar një roman eliptik nganjëherë e bën leximin paksa të vështirë, pasi kërkon një lloj abstragimi nga lexuesi, ngaqë autorja është shumë e kursyer në fjalë. Jo pak herë fjala duket sikur thotë dy-tri gjëra njëherësh. Rrëfimi është shumë vizual e filmik.

Edhe tani, gjysmë shekulli pas botimit të parë, romani “Luaj lojën tënde” të trondit me pasqyrimin e një shoqërie në krizë. Sipas kritikut të shquar amerikan, John Leonard, “vizioni i Didion-it në këtë roman është i njëjtë me atë të T. S. Eliot-it”. Ky është një vlerësim i madh për romanin e Didion-it, kur mendon se T. S. Eliot është një nga autorët më të mirë të të gjitha kohërave.

Autori i shkrimit është përkthyes i njohur, njëherësh përkthyes i romanit “Luaj lojën tënde” të autores Joan Didion

Librin e gjeni online, tek BUKINIST.AL

Për çdo informacion na kontaktoni edhe përmes tel: 044508282 ose e-mail-it: info@bukinist.al

luaj-lojen-tende

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *