Festivali i Librit, nje feste per autorin dhe perkthyesin

Festivali-i-Librit-Bukinist-2021_post

Festivali-i-Librit-Bukinist-2021_post

Platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al organizon me 2-30 prill 201 Festivalin e Librit – Bukinist 2021, ku do të jenë në fokus 90 autorë dhe përkthyes, do të jenë në ofertë veprat e tyre, do të ketë biseda LIVE në Facebook, Instagram dhe Youtube, si dhe do të shpallen fituesit e librit më të mirë, botuar gjatë vitit 2020 në gjashtë kategori të ndryshme librash

Albert Gjoka*

Pas përfundimit të Panairit Online të Librit në muajin nëntor 2020, i realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Bukinist lançon një tjetër aktivitet të rëndësishëm për librin, – “Festivali i Librit – Bukinist 2021”, i cili do të zhvillohet përgjatë gjithë muajit prill. Ky muaj përkon me dy data të rëndësishme: Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill; dhe Ditën Botërore të Librit, më 23 prill. Këto dy data shënojnë edhe kujtesën për tre autorë të shquar të letërsisë botërore: Hans Kristian Andersen, Uilliam Shekspirin dhe Servantesin. Prandaj, këto ditë janë njëherësh një dedikim për autorin dhe përkthyesin.

Për të gjitha këto arsye, platforma Bukinist.al ka vendosur që të organizojë një panair online për autorin dhe përkthyesin, të cilët meritojnë mirënjohje të mëtepërme nga të gjithë; që nga lexuesit, librarët, botuesit, bota e biznesit dhe institucionet që bëjnë politika kulturore.

Edhe ky panair zhvillohet në kushte të pazakonta, qoftë për shkak të pandemisë, qoftë edhe nga situata e ndezur politike në vend, por tashmë Bukinist.al ka një përvojë të gjatë në të tilla organizime. Janë rreth 90 autorë dhe përkthyes të cilët përgjatë një muaji do të vijnë virtualisht para lexuesit, me librat dhe përkthimet e tyre. Ata do të komunikojnë dhe do të ndërveprojnë me lexuesin përmes platformave virtuale dhe do të sjellin prurjet e tyre më të fundit. Janë shkrimtarë të njohur shqiptarë që jetojnë këtu, në Kosovë apo diasporë, autorë të rinj, të cilët sapo kanë sjellë veprat e para tek lexuesi dhe që kanë nevojë për mbështetje, prandaj janë të lutur edhe lexuesit që të marrin pjesë në promovimet dhe diskutimet online. Gjatë zhvillimit të bisedave, të cilat do të përcillen edhe në rrjetet sociale të BukinistFacebook, Instagram dhe Youtube, janë të mirëpritura ndërhyrjet dhe komentet e ndjekësve tanë apo partnerëve të festivalit. Veprat e autorëve në fokus do të jenë në oferta ditore përgjatë gjithë muajit prill. Prandaj, mos e humbisni rastin të merrni librat e autorëve tuaj të preferuar me ulje çmimi gjatë kësaj periudhe.

Në këtë panair online nuk do të mungojnë as ofertat për lexuesit e grup-moshave të ndryshme për kategoritë në fokus gjatë muajit prill: Librat më të shitur, librat e rinj, përrallat, enciklopeditë dhe ofertat ekskluzive që do të shkojnë nga 20-60% ulje.

E veçanta e këtij festivali do të jenë edhe çmimet për librat më të mirë të botuara gjatë vitit 2020. Tek blogu Leximtari.al ka nisur votimi online që prej 16 shkurtit të këtij viti për librat e përzgjedhur në gjashtë kategori: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i motivimit dhe zhvillimit personal. Për secilën prej kategorive janë përzgjedhur nga 7 libra dhe tashmë gara është duke u zhvilluar në ritmin e saj.

Më datën 2 prill, pikërisht në hapje të Festivalit të Librit Bukinist 2021, do të shpallin edhe fituesin për librin më të mirë për fëmijë botuar gjatë vitit të kaluar. Për pesë kategoritë e tjera, fituesit do të bëhen të ditur më datën 23 prill 2021. Të gjithë lexuesit që marrin pjesë në votim për Libri më i mirë për fëmijë, përfitojnë kupona dhe surpriza të tjera.

Ky është viti i pestë radhazi që Bukinist dhe Leximtari zhvillojnë votimin online për librin më të mirë të botuar gjatë vitit paraardhës nga shtëpitë botuese shqiptare. Ky konkurs mbetet një formë aktive për të promovuar librin shqip, ku vlerat më të mira dalin nga shijet që kanë lexuesit të cilët marrin pjesë në votimet online tek Leximtari.

Panairi online do të ketë edhe shumë surpriza të tjera: Do të vazhdojë “Bukinist Book Club”, një hapësirë e ndërtuar për lexuesit dhe të pasionuarit pas librit. Tashmë, Bukinist ka komunitetin më të madh dhe më aktiv të lexuesve, prandaj do të vijojmë me mbështetjen e fortë për secilin prej tyre, me konkurset, mini-konkurset e përshtyjpeve dhe lojërat shpërblyese, etj.

Fatmirësisht, “Festivali i Librit – Bukinist 2021” kësaj radhe ka më shumë miq dhe mbështetës: Ky event është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, kompania celulare “ONE Telecommunications”, OTP Bank, Aladini, Tring, Ama Caffe, Business MAG, etj. Të gjithë i bashkon dëshira dhe pasioni për ta promovuar librin dhe leximin në Shqipëri, prandaj një mbështetje kaq e madhe është njëherësh një garanci për më shumë sukses.

Përmes këtij festivali, ne duhet t’i japim muajit prill atmosferën që i takon. Panairi i përvitshëm i nëntorit ka në fokus botuesin dhe lexuesin, por tashmë ka ardhur koha që libri të ketë edhe ditë të tjera feste. Gjithashtu, industria e librit dhe botuesit sot kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e secilit prej nesh. Prilli është muaji i autorit, ku përgjatë kësaj periudhe duhet të ndërtohen ura komunikimi mes tij dhe lexuesit, qoftë edhe në hapësirat virtuale. Platforma si Bukinist.al janë ndërtuar për t’i shkurtuar distancat, për të promovuar sa më mirë autorin, për të informuar vazhdimisht lexuesit, për të bërë më të lehtë procesin e blerjes së librit dhe për të dhënë oferta të herëpashershme. Ky moment është çasti i duhur për të dëshmuar mirënjohjen e thellë për autorët shqiptarë, për përkthyesit e palodhur, përmes të cilëve bota jonë bëhet më e gjallë, më kuptimplote dhe më e bukur.

Festivali i Librit – Bukinist.al” e nis këtë rrugëtim me synimin ambicioz për tu bërë një prej festave më të bukura për krijuesit dhe përkthyesit tanë, të cilët e kanë pasuruar librin shqip me punën e tyre, – dhe përmes tij, edhe botën tonë mendore dhe shpirtërore.

*Autori i shkrimit është menaxher i platformës Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *