10 lexime magjike per vogelushet gjate veres se vitit 2021

vogelushet

Rekomandimet e Bukinist.al dhe Leximtari.al për lexuesit e vegjël të moshës 4-15 vjeç: Autorë dhe zhanre të ndryshme që i “arratisin”, zbavisin dhe mbajnë aktive njohuritë e fëmijëve gjatë muajve të verës.

Ditët e verës bëhen më magjike përmes leximeve, të cilat mbeten ndër arratisjet më të bukura të çdo moshe: Ato janë ura fantastike për kapërcimin e realitetit ku jetojmë. Edhe gjatë kësaj vere platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al është përpjekur për të gjetur libra të bukur të cilat i realizojnë këto arratistje të magjishme. Ne kemi përzgjedhur libra ndryshe nga vitet e kaluara, ku janë përfshirë në listën tonë autorë shqiptarë të traditës, autorë bashkëkohorë vendas dhe të huaj, libra që iu shkojnë për shtat pushimeve verore dhe që i bëjnë më zbavitëse këto muaj. Të gjithë këto libra vogëlushët i gjejnë në ofertë te Bukinist.al deri më 31 gusht 2021.

Rekomandimet tona janë për lexuesit e grup-moshave 4-15 vjeç. Duke shpresuar se kjo listë do të gjejë pëlqimin tuaj, – pra do të ketë sa më shumë lexues, ju ftojmë të ndiqni titujt me radhë, si më poshtë:

  1. “Vajza qe donte te shpetonte librat” nga Klaus Hagerup

vajza-qe-donte-te-shpetonte-librat

Ky libër padyshim mbetet etydi më i bukur për librin dhe fuqinë e tij njohëse dhe zbavitëse.

A e dini ju se çfarë ndodh me librat që askush nuk i merr në bibliotekë? As Ana nuk e dinte. Por, kur e zbuloi, nuk kishte kthim pas. Ajo nisi një aksion shpëtimi.

  1. “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” nga Bedri Dedja

heroizmat-e-fatbardh-pikaloshit

Pas shumë vitesh rikthehet për lexuesit e vegjël Bedri Dedja. Libri i tij më i vlerësuar mbetet “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”. Aventurat me fyej magjikë e katallanë të këtij personazhi vijojnë të magjepsin fëmijët anembanë. “Babai” i Fatbardh Pikaloshit, shkrimtari i njohur për fëmijë, Bedri Dedja, ju fton në portat e botës së tij magjepsëse të përrallave.

  1. Harry Potter 1 dhe guri filozofal” nga Joanne K. Rowling

harry-potter-1-dhe-guri-filozofal

Librat e Harri Poterit janë bërë një fenomen letrar ndërkombëtar. Harri ka zgjuar dashurinë për leximin në një brez të tërë. Ritmi i shpejtë, personazhet e paharrueshme, drama e përsosur, i bëjnë këta libra kryevepra absolute, të dashura për fëmijët dhe për të rriturit. Tashmë, librat e Harri Poterit kanë hyrë në histori. Harry Potter, 11 vjeç, nuk është një fëmijë si gjithë të tjerët: ka një vragë në ballë në formën e një vetëtime, është bir magjistarësh, dhe tamam ditëlindjen e vet zbulon fuqitë magjike dhe botën misterioze së cilës i përket. Harri ndjek një shkollë speciale, të populluar nga bufë magjikë, fshesa fluturuese, fantazma dhe piktura që flasin. Në shoqërinë e miqve të ngushtë dhe profesorëve të çuditshëm, nga një mësim te tjetri, jeta e heroit nuk rrjedh në binarët e një jete të zakonshmë dhe monotone. Përkundrazi. Rreziqe të panumërta e ndjekin. Gjatë tërë serisë së librave të Harry Potterit, atij i duhet të përballet me magjistarin më të madh të anës së errët, Lordin Voldemort apo në shqip, Lordi Fluronvdekje. Një libër ku magjia rrëfehet si jetë e vërtetë dhe e magjeps edhe lexuesin. Nëse ju nuk keni dëgjuar për Harry Potterin, atëherë ju nuk e paskeni hapur televizorin, radion dhe gazetën këta muajt e fundit. Harry Potter dhe Guri i Filozofit është padyshim romani modern që e lumturon lexuesin.

  1. “Fani në kërkim të dritës” nga Rovena Rrozhani

fani-ne-kerkim-te-drites

Ky libër është shpallur botimi më i mirë i vitit 2020 për fëmijë nga Bukinist.al dhe blogu Leximtari.al. Libri sjell një përrallë të fuqisë së shpirtit, dritës brenda vetes dhe dashurisë për mjedisin. Ky libër shoqërohet me vizatimet fantastike të Artur Dautit. Në botën e pyllit, një mbretëri xixëllonjash është gati për natën e xixëllimit. Mes mijëra xixash dhe xixushësh është Fani, një xixë që pret të bëhet xixëllojë. Krejt ndryshe nga sa e priste, nata e xixëllimit nuk ishte për të. Fani niset në një udhëtim plot aventura për të gjetur dritëzën e humbur, e teksa kërkon me këmbëngulje të ndryshojë jetën e saj, ndikon në jetën e të tjerëve dhe të një qyteti. Një përrallë për besimin në vete, këmbënguljen për të bërë realitet ëndrrat, pavarësisht sa ndryshe mund të jesh nga të tjerët.

  1. “Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Twain

aventurat-e-tom-sojerit

Ky libër është në të gjitha rekomandimet për lexuesit e vegjël në të gjithë botën. Padyshim, rekomandohet edhe nga Bukinist.al. Është shumë e vështirë që të gjesh një fëmijë që të ketë kaluar moshën e fëmijërisë pa Tom Sojerin. Nëse je prind, këtë libër duhet ta lexosh edhe vetë, por duhet t’ia rekomandosh edhe fëmijës tënd…. Ç’pret!

  1. “Në botën magjike të Henrit” nga Anila Mullahi (Elezi)

ne-boten-magjike-te-henrit

I shkruar nga një pedagoge dhe studiuese letërsie, ky libër mbart peshën e rëndë të rrëfimit dhe sfidën e madhe të përrallës. Është fakt që rrugëtimi i këtij libri sapo ka filluar, por gjithashtu është fakt që ky rrugëtim ka nisur prej kohësh. Qyshkur një djalë i vogël dëshironte të dëgjonte pambarimisht përrallat e shumta, të gjata a të shkurtra, por tejet të larmishme që dinte mami; në fakt, që mami i krijonte për të. Sipas vendeve që atij i ngjallnin interes, sipas kafshëve që e magjepsnin, sipas situatave me të cilat filloi të përballej në ditët e para të kopshtit, sipas nevojës së tij të çastit dhe sipas dëshirave të shprehura me plot gojë. Dhe një ditë, kur djali i vogël u rrit paksa, mami përzgjodhi më të bukurat e përrallave që kishte treguar për t’i bërë bashkë në këtë libër, në mënyrë që t’i ndante me çdo fëmijë, duke e bërë pjesë të botës së tyre, pjesë të botës magjike të Henrit.

Në botën magjike të këtij libri me përralla mund të ndodhë gjithçka. Imagjinoni, në një ditë vere mund të takoni një oktapod që ju hap zemrën për problemet e tij, ndërsa një natë dimri mund të takoni babagjyshin e Vitit të Ri, që ju kërkon ta ndihmoni për të shpërndarë dhuratat e Vitit të Ri për fëmijët….

  1. “Bomberi dhe lojtari reservë” nga Philip Osbourne

bomberi-dhe-lojtari-reserve

Ky libër të argeton, të emocionon dhe të përfshin vazhdimisht. Një tjetër bestseller në shqip për lexuesit e vegjël nga Filip Osbourne, i cili vjen në pikun e kampionatit europian të futbollit, ku edhe fëmijët bëjnë tifozllëk.

Prej shumë kohësh ata kanë qenë lojtarë rezervë dhe mezi presin rastin e duhur për të treguar se sa u vlen lëkura. Ata duan shpagim dhe duan t’u tregojnë të gjithëve se Ngrohësit e stolit janë kampionë të vërtetë në fushë dhe në jetë!

  1. “Pushimet e Çufos” nga Gaqo Bushaka

pushimet-e-cufos

Prej më shumë se dy brezash, ky libër vazhdon të magjepsë lexuesit e vegjël dhe të mbetet ndër rekomandimet më të bukura të verës. Edhe kësaj radhe, Bukinist e propozon për të qenë shoku i vogëlushëve gjatë pushimeve. Një personazh brilant që të befason, të gajas, të zbavit dhe të bën të reflektosh….

  1. “Ditari i Gregut 15 – Ne pike te hallit” nga Jeff Kinney

ditari-i-gregut-15-ne-pike-te-hallit

Seria e Ditarit të Gregut të Jeff Kinney-t konsiderohet ndër më të bukurat nga lexuesit e vegjël. Këtë verë ne kemi zgjedhur librin më të fundit të kësaj serie që sapo ka ardhur në shqip, me tematik, me tematikë pushimet verore. Kur Greg Hefli dhe familja e tij nisen për pushime në një udhëtim me makinë kampingu, të gjithë janë të mprehur për aventurën e jetës. Por planet e tyre ndeshin në pengesa, ndaj përfundojnë te një kamping që s’është tamam parajsë vere. Po gjërat për Heflët do të dreqosen më keq, kur nis një shi me gjyma dhe niveli i ujërave ngrihet gjithnjë e më lart, duke i bërë të mendojnë në ia vlen t’i vazhdojnë më ato pushime… apo mos ndoshta tani gjenden në pikë të hallit!

  1. Zbuloni detin

zbuloni-detin

Le të eksplorojmë dhe të zbulojmë së bashku botën e nënujit me gjithë misteret e saj. Ka kaq shumë për të thënë për ajsbergët dhe gumat koralore, për peshqit e shumëllojshëm dhe krijesa të tjera detare të jashtëzakonshme, për të cilat nuk kishit dëgjuar kurrë më parë. Do të zbuloni se meduzat kanë jetuar shumë kohë para dinozaurëve, se sfungjerët, në të vërtetë, janë kafshë, do të kuptoni se si ia bëjnë breshkat e peshqit që udhëtojnë në të njëjtat rrugë detare pa humbur asnjëherë… Veç ilustrimeve reale interesante për çdo informacion, ne kemi bërë edhe ca ilustrime humoristike; thjesht, për çlodhje dhe argëtim.

summer-reading-central-2018-feat

Gjatë kësaj vere ne do të mirëpresim edhe rekomandimet e lexuësve të vegjël për bashkëmoshatarët e tyre dhe përshtypjet për leximet që do të bëjnë. Përshtypjet më të mira do të botohen tek leximtari ndërsa lexuesit më të mirë do t’i shpërblejmë.

Rreth 60 rekomandime për vogëlushët i gjeni online në ofertë tek BUKINIST.AL

Na shkruani tek: info@bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *