Përshtypje rreth librit “Arti i brishtë i not giving a f.ck.”, i autorit Mark Manson, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Minerva
Briana Shehu*
Çfarë quhet art? Çfarë klasifikohet te artet? Janë vetëm këto punët krijuese-estetike si muzika, vizatimi, baleti, filmat apo jo? Por, a e dinit që dhe të mos-vrarit mendje është një art? E habitshme! Si mund të jetë diçka kaq e zakonshme dhe e përditshme një art!?
Epo ndoshta nuk është edhe aq e zakonshme dhe e përditshme sa e mendojmë. Nëse e pyesni veten, a e vrisni mendjen për gjëra koti? Të pavlera nga fillimi në fund? Unë për vete po, dhe pse po përpiqem ta rregulloj këtë gjë. Dhe ju besoj se po, fundja-fundit njerëz jemi.
Pra, domethënë ne s’qenkemi artista dhe s’qenka aq e lehtë të mos e vrasësh mendjen! Wow! Kjo tregon që ne po dëmtokemi veten tonë me vetëdije ose dhe pa vetëdije. Por, si mund të bëhemi artista të mirë, si mund ta përvetësojmë këtë art? Pikërisht për këtë unë do të përshkruaj librin tim të preferuar për momentin.
“Dëshira për një eksperiencë më pozitive është një eksperiencë negative; pranimi i eksperiencës negative është një eksperiencë pozitive”, – ligji i të kundërtës nga Alan Uats. Po e nis me këtë shprehje përshkrimin tim sepse kjo shprehje përmbledh pak a shumë mesazhet e shumta të këtij libri.
Kjo shprehje duket konfuzuese apo jo? Thjeshtë, fjalë të bashkuara kot dhe të përsëritura, që ne s’na japin kuptim. Epo, s’është kështu!? Kjo shprehje është një “life-changer”. Do të thotë që nëse ne mohojmë përvojat negative në jetë, atëherë ne e kemi dëmtuar veten tonë; në vend që ta shërojmë atë. Kush do ta donte këtë gjë? Normale që askush. Ndoshta, nuk është mënyra më e mirë për të filluar përshkrimin e një libri, por mua më pëlqen aq shumë, sa nuk di nga t’ia nis. Autori po flet sikur është përballë një bashkëbiseduesi, dhe jo një lexuesi. Ti ndihesh sikur ke dikë përballe që të flet, që të kupton, dhe jo thjesht një libër që po e lexon me zërin e mendjes tënde. Për mua, kjo është mënyra më e mirë e të shkruarit një libër; afërsia me lexuesin është ajo çka e bën atë ta dojë më shumë veprën.
Prandaj, kam zgjedhur të flas pikërisht për këtë. E dini se cili është miku i sinqertë? E sigurt që po thoni:” Pooo, e dimë! Jemi të sigurt”. Unë uroj të jetë kështu, por dhe nëse jeni konfuzë, po ua them: Miku më i mirë është ai që ta thotë të vërtetën në sy; që të ‘shan’ në sy; që të kritikon dhe jo thjesht të bën lajka për të marrë atë që do prej teje.
Ne njerëzit, rrallë e kemi një mik të tillë, pasi nuk pranojmë kritika, mësime, opinione ndryshe nga ato që kemi ne. E quajmë fyerje sinqeritetin e tepruar dhe gjithmonë pëlqejmë lajkat. Pakkush ka fuqinë ta kontrollojë veten dhe reagimin ndaj të tjerëve. Por, përse e thashë këtë? Për t’iu ndihmuar ta përfytyroni këtë libër. Ja pra, kështu është: Si një mik që ta thotë të vërtetën në sy, pa lajka, pa të hedhur hi syve: Që të mëson se cila është gjëja e duhur, por pa të detyruar ta ndjekësh atë rrugë; thjesht të këshillon. Kështu ka qenë ky libër për mua. E vlerësoj sinqeritetin që autori tregon, duke rrëfyer edhe jetën e tij personale; jo vetëm disa fjalë që hidhen kot në fletë.
Le të kalojmë te një aspekt tjetër? Të gjithë shohim nëpër rrjete sociale këshilla për fast-suksesin; për një shëndet të mirë, psikologji të mirë, jetë të sukseshshme, e kështu me radhë… Vetëm mua apo dhe juve ju duken ‘pak në ajër’ këto këshillat? Thjeshtë, në një video del një “profesionist/e” që jep disa këshilla: Unë përpiqem t’i ndjek, por është e vështire dhe t’u besoj ndonjëherë. Pale, pozitivët toksikë që thjesht hedhin valle pa ditur lëvizjet e këmbëve! Kush është pozitivi toksik? Është dikush që të thotë: “Buzëqesh në çdo fatkeqësi! Mos e ul kokën! Shih diellin! Mos shih hënën!” e budalliqe të tjera të këtij lloji.
Kjo është pra pozitivja e dëmshme. Përkundrazi, ne duhet ta pranojmë që diçka po shkon keq, dhe të përpiqemi të zgjidhim problemin në mënyrë që jeta jonë të rregullohet. Këshilla e ditës: ‘Mos besoni çdo gjë ‘pozitive’ me internet!”. Ti ke mundësinë ta ndryshosh jetën tënde që të buzëqeshësh me të vërtetë; jo sepse je thjesht i detyruar. Këtë mesazh, që më parë e lija të flinte në ndërgjegjen time, e kuptova përmes këtij libri dhe shembujve që jep autori. Ndihesha sikur po shihesha në pasqyrë dhe dikush po më tregonte gabimet që po bëja, por edhe ato që kisha bërë. E them me bindje që stili i autorit në shkrimin e këtij libri është bërë stili im i preferuar.
Meqë ra fjala, te interneti, a nuk i shikoni dhe ju të suksesshmit apo vetëm unë? Normale që dhe ju dhe të gjithë, njerëz jemi, internet kemi shumica prej nesh, dhe shohim çdo gjë që duhet parë. Por, mos më thoni që ndonjëherë s’keni menduar se jeni një dështim apo se keni krahasuar veten me ndonjë që ka moshë më të vogël dhe është ndoshta më i suksesshëm apo dhe ndonjë moshatar që ka arritur një sukses më të madh se ju. Të gjithë e bëjmë këtë gabim.
Por ajo që ky libër më ka mësuar është që askush nuk e tregon dështimin, sado i vogël që është ai. Dhe që është normale të jesh i stresuar, me ankth, të mos të të vejë çdo gjë vaj…. Por, të krahasosh veten me një rrjet social të manipulueshëm nga menaxheri i faqes s’është normale. Është budallallik! Këtë se ka thënë vetëm autori, por edhe faktet. E vërteta është e hidhur apo jo? Nëse mendoni se ka kaq gabime që jeni duke bërë, atëherë po gaboni.
Ky libër ju kritikon shumë më shumë. E adhuroj këtë vepër, nuk mund ta imagjinoni se sa. Ndoshta është sepse kam pasur gjithmonë nevojë për dikë që të më thoshte të vërtetën që unë s’e kuptoja ose nuk doja ta pranoja: Një mik të vërtetë. Për shembull, e dini ju që të vuash është diçka e mirë? Nuk besoj se të gjithë bini dakord me këtë, por është e vërtetë. Të vuash është diçka fitimprurëse; qoftë fizikisht, qoftë emocionalisht. Ajo na përgatit për jetën; çfarë duhet të kemi kujdes, çfarë duhet të përmirësojmë. Shembulli konkret që ka dhënë autori është soba e nxehtë që, nëse digjemi njëherë, ne mësojmë të mos i afrohemi më. A s’është e vërtetë dhe kjo për jetën tonë? Vuajtja është e pashmangshme dhe e domosdoshme njëkohësisht. Nuk duhet t’i shmangemi dhe nuk mund ta bëjmë diçka të tillë dhe sikur të duam. Të gjithë vuajnë; – kush më shumë e kush më pak, – dhe të gjithë marrim mesazhe nga vuajtjet tona. E lehtë ta lexosh dhe e vështirë ta besosh. Uffff sa mesazhe ka në 219 faqe… S’mund t’ua them të gjitha, dhe sikur të dua. Por nuk dua të humbas dhe kërshërinë që ju ka mbërthyer për librin. Dua të gjej shumë fjalë për të thënë, por është e pamundur. Kini parasysh se nuk do të ndjeheni sikur po ju kërkojnë të lexoni “Terms and conditions” para se të hapni programin e shkarkuar. Unë nuk u ndjeva kurrë kështu. Nuk dua të gënjej: Do them të vërtetën mbi ndjesitë gjatë leximit.
Kur e mora këtë libër, nuk po shkoja mirë në shkollë aq sa doja unë, dhe pse kisha nota të larta, nuk isha aty ku doja. Nuk do të them se më ndryshoi rrënjësisht brenda 3-ditësh leximi. Dhe vetë autori e thotë se përmirësimi i vetes zgjat gjatë gjithë jetës: Edhe po vajte 80 vjeç, mund të kesh përsëri gjëra që duhen rregulluar tek karkateri jot. Por, duhet të zgjedhim çfarë duhet të përmirësojmë për një jetë më të mirë. Më pëlqeu fakti që autori thotë se probleme ka gjithmonë. Ne mendojmë se ashtu si në tenenovela, në fund të këqijat mbarojnë, të këqinjtë dënohen, të dashuruarit martohen dhe çdo gjë përfundon e lumtur. Ndonjëherë vdes dhe ndonjëri padrejtësisht, e vërtetë, por bëhet sa per t’i shtuar efekte dramatike.
Por, “në jetën e vërtetë ka gjithmonë probleme” – thotë Mark Manson. Ka probleme më të lehta se më parë, por që probleme mbeten. Dhe zgjidhja e tyre na jep lumturi. Unë mora pushtet prej këtij libri. Nuk u bëra kryeministre apo ministre; nuk e dua diçka të tillë, por mora pushtetin e duhur mbi jetën time. E dini ju që ne mund të zgjedhim problemet tona, ndjenjat tona, këndvështrimin tonë? Oho, ky libri qenka kot; Ne sigurisht që s’mund të zgjedhim problemet tona. Kjo është e pamundur! Është e mundur; besojeni ose jo. E zëmë se ty s’të pëlqen diçka në pamjen tënde; dëshiron të humbasësh peshë apo të formosh muskuj në bark. Mund të zgjedhësh të vazhdosh të qash dhe të fshihesh; ose, mund të zgjedhësh të lodhesh në palestër ose shtëpi duke bërë një orë ushtrime përditë. Ja pra, – këtë thotë edhe libri: Ti, unë, e vrasim mendjen për shumë gjëra të pavlera. Opinionet e njerëzve, mbarimi i tenenovelës që donim, mospasja e çantës së fundit të Guçit,- sa harrojmë cfarë është me të vërtetë e rëndësishme, si shëndeti ynë mendor. Marku këtë po përpiqet të na ndihmojë ta zgjidhim. Dhe, unë dua ta dëgjoj, dua ta besoj.
Këtë sugjeroj për çdo lexues. Unë i dua shumë librat; vdes për të lexuar; dhe, e them me bindje që ky më ka lënë shumë mbresa. Mijëra mesazhe në 219 faqe të shkruara; e pabesueshme, por e vërtet. Por, nuk janë vetëm mesazhet që më kanë tërhequr; ka shumë më shumë: Është dhe fakti që ky libër më bën të ndihem njeri dhe jo një dështim; më jep mundësinë të bëj përmirësime, por më flet dhe në vetën e dytë, gjë që më bën të ndihem e veçantë dhe e afërt. Këto janë disa arsye që kam për librin tim të preferuar. Mendoj se po ndryshoj dhe dita-ditës jam në krijimin e versionit më të mire të vetes time. Pikërisht, siç Marku po na këshillon të bëhemi.
*Kjo ese u paraqit në konkursin “Jam libër” organizuar në kuadrin e Re-debat 5.1 nga organizata Liburnetik
Librin e gjeni online tek BUKINIST.AL