Mendesia e murgut ne jeten e zakonshme

jeto 

Përshtypje rreth librit “Mendo si murg” i Jay Shetty, përkthyer nga Taulant Hatia dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Bota Shqiptare

Albert Gjoka

Gjatë shekullit të XXI spiritualizmi po ngjall interesin e njerëzve gjithnjë e më tepër. Ritmet e shpejta të jetës, rritja e teknologjisë, e cila po krijon realitete virtuale, të cilat janë në garë të ethshme me botën reale dhe “rrobotizimi” i përditshmërisë i bëjnë presione gjithnjë e më të mëdha botës tonë të brendshme. Afërmendësh, këtu lindin edhe pyetjet e mëdha; këtu zë fill edhe kërkimi shpirtëror, si një proces që kërkon të zbulojë dhe kuptojë përmasën e vetvetes. Pasioni dhe zelli ndonjëherë është aq i madh, aq sa edhe përpjekjet e qenies njerëzore për të eksploruar hapësirën. Këtë shtegtim drejt vetes ka bërë edhe Jay Shetty, – në një përpjekje të pasuksesshme për tu bërë murg, por me suksesin e tij që njeriu i zakonshëm të përqafojë mendësinë prej murgu. Këtë rrugëtim të plotë e ka sendërtuar në librin e tij “Mendo si murg”, Jay Shetty, i cili braktisi Londrën e rehatshme për të zbuluar botën e brendshme shpirtërore përgjatë tri viteve të jetës së tij në një ashram në Indi.

Ky rrugëtim nuk mbeti linerar në ndërtimin e një jete të përhershme spirutuale, por u mbyll, me rikthimin në botën e “zakonshme”, duke marrë mbi vete një mal përvoja dhe leksione jete prej murgu. Pyetja që mund të bëjë secili prej nesh është se: A mund ta përballosh përditshmërinë duke jetuar si murg? A vlejnë këto rregulla edhe jashtë ashramit? A përshtatemi më mirë me botën duke menduar dhe jetuar si murg?

Këto dhe shumë pyetje të tjera trajtohen dhe marrin përgjigje në librin e Jay Shetty, – një prej protagonistëve më të shquar të botës multimediale sot dhe të mediumeve të reja digjitale.

shatty

Libri i tij “Mendo si murg” vjen pikërisht si shtrydhje e përvojës së përditshme shpirtërore në Indi, dhe si nevojë për të reflektuar për përditshmërinë e njerëzve normale: Hamë shpejt, punojmë me ritme frenetike, konsumojmë pa u ndalur, dhe nuk kemi kohë për të reflektuar apo për të medituar për gjërat më të rëndësishme të jetës tonë. Filozofinë e jetës prej murgu, Jay Shetty na e propozon për ta bërë pjesë të realitetit tonë të përditshëm: Jo për të qenë mo-ta-mo murg, por për të marrë disa prej “mjeteve” që përdor murgu dhe për t’i përdorur në realitetin tonë si armë të cilat na e bëjnë jetën më të thjeshtë, më të kuptueshme dhe më pak stresuese; na ndihmojnë për të bërë një jetë më harmonike dhe më përmbushëse.

Në përfundim të kësaj aventure spirtuale, ne kemi një produkt miks kulturash mes asaj perëndimore dhe lindore; mes traditës vedike dhe asaj racionale; një përpjekje për të shkrirë dallimet mes dy “botëve” dhe për t’i përafruar vlerat e tyre: Një indian dhe një anglez janë produkte të dy vendeve të ndryshme, por janë qenie njerëzore që mund dhe duhet t’i përdorin vlerat e secilës kulturë për të realizuar vetveten dhe për tu përshtatur më mirë me të tjerët.

Murgu është mirënjohës, di të ndërtojë marrëdhënie,  iu shërben të tjerëve dhe lutet. Përpara se të shkojmë tek këto katër gjëra që bën një murg dhe që Jay Shetti i propozon për t’i bërë në përditshmëri çdo individ i zakonshëm, – le të ndalemi tek rrugëtimi shpirtëror: Libri është i ndërtuar mbi tre pjesë të rëndësishme të jetës së secilit prej nesh: Kërkimit, rritjes dhe dhënies (shpalosjes së vetvetes si qenie edhe materiale edhe shpirtërore). Janë tre hapa të rëndësishëm për këdo: “Dallo – Ndalo – Ndërro”.

Fillimisht autori bën dallimin e mendjes së njeriut të zakonshëm (mendja e majmunit) dhe mendjes së murgut. Fokusi, vetëdija, dashamirësia, bashkëpunimi, analiza, disiplina, vizioni, durimi, synimi, qëllimi, shërbimi ndaj të tjerëve, detyra, vetëpërmbajtja dhe kuptueshmëria më e madhe e realitetit janë disa prej elementeve thelbësorë në jetën e një murgu, përkundër mendjes së majmunit e cila bukoset përballë botës që jetojmë prej hutimit, përhumbjes, ankimit, pakënaqësisë, negativitetit, frikës, egos, dukjes apo joshjeve të përkohshme. Ftesa që bën murgu është për të jetuar në harmoni dhe përmbushje, prandaj është një udhëtim i vështirë shtegtimi i murgut për të kuptuar veten, të tjerët dhe për t’i dhënë vlerë dhe kuptim çdo momenti të jetës së tij. Përmes shembujve dhe parabolave bota e murgut bëhet më e kuptueshme dhe më e asimilueshme për çdo lexues.

Jay-Shetty-talks-Think-Like-A-Monk-f

Mendësia e murgut është një proces kërkimi dhe Jay Shetty ndalet në mënyrë të detajuar në çdo etapë dhe shtron çdo pyetje që del rrugës, duke ndarë shumë prej përvojave personale që ka kaluar në ashram, por edhe prej mentorëve të tij apo prej traditës vedike. “Stëvite mendjen për të vëzhguar forcat që ndikojnë mbi ty, shkëputu nga iluzionet dhe besimet e rreme dhe kërko vazhdimisht atë që të motivon dhe atë që të duket plot me kuptim.”

Në përfundim të këtij rrugëtimi shpirtëror, Shetty e fton secilin prej lexuesve që t’i përqafojë disa prej këtyre zakoneve; t’i aplikojë në jetën e përditshme, – pse jo, edhe praktikisht, parimet e jetës prej murgu. Madje, përmes një “testi” autori synon që t’iu bëjë të reflektojë dhe të kuptoni më shumë dhe më mirë veten tuaj. “Ne jemi nxënës të vetë jetes, por murgu është edhe përdorues i drejtë i energjisë”. Përmes kërkimit, ai e njeh vetveten në çdo detaj. Dhe në çdo rast që duhet të veprosh me të tjerët, murgu di si të sillet, në çdo moment dhe çdo rrethanë.

Një murg më shumë mes nesh, – pra një individ me vetëdije të tillë, e bën një bashkësi më të paqme dhe më të mirë. Këto ndjesi e merr çdo lexues kur shkon në fund të këtij libri.

mendo-si-murg

Librin e gjeni online tek BUKINIST.AL

Na shkruani tek: info@bukinist.al

Telefononi: 044508282

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *