Book Fest, – festa e madhe e ofertave per lexuesit

 

book

Qendra tregtare TEG dhe Bukinist.al organizojnë panairin e madh të librit me oferta që shkojnë deri në -50%, mundësi takimi dhe autografe me autorë të njohur të letrave shqipe, prezantimin e librave të rinj, ndarjen e emocioneve për Nobelin e letërsisë të vitit 2021, mini-konkurse, lojëra dhe sfida leximi…..

Albert Gjoka*

Për të tretin vit, qendra më e madhe tregtare në Shqipëri, TEG dhe platforma më e madhe online e librit në vend, Bukinist.al organizojnë panairin e librit, “Book Fest”. Ky event hapet ditën e premte, më 8 tetor 2021 dhe do të qëndrojë në pritje të lexuesve deri më 18 tetor 2021.

Book Fest” vjen si një plotësim dëshire për të gjithë lexuesit tanë, pas një ndërprerje drastike të komunikimit me librin në një periudhe 18 mujore izolimi; por njëherësh, edhe si një nevojë e botuesve dhe librarëve për t’iu mbijetuar vështirësive të panumërta që ka shkaktuar pandemia. Organizatorët morën përsipër riskun e këtij momenti dhe kërkuan mbështetjen e shtëpive botuese që të vijmë tek lexuesi pas një mungese të gjatë ndërveprimi. Sigurisht, izolimi i njerëzve gjatë pandemisë pati një gjë pozitive, sepse e riktheu vëmendjen e lexuesit tek libri, – si një nga mjetet më të mira për të rritur kuptimin, për t’u zbavitur dhe për të zgjeruar dimensionin e lirisë brenda secilit prej nesh.

Book Fest”, – si vijim i “Pazarit të librit” – është një ndër aktivitetet që sjell të ardhura të larta nga shitja e botimeve të ekspozuara në mjediset e këtij panairi, prandaj organizatorët kanë marrë përgjegjësinë dhe kanë ndarë filozofinë e promovimit të librit dhe leximit në të gjitha hapësirat ku jetojmë dhe punojmë, përfshirë edhe në mjediset e biznesit, duke krijuar edhe kulturën e uljeve të librave.

pazari-okis

Në këtë festë librore ne sjellim ofertat tona ekskluzive, të cilat shkojnë deri në -50% të çmimit të kopertinës së librave. Këtu është vendi për të falënderuar përzemërsisht çdo botues që i është përgjigj pozitivisht kërkesës tonë për t’i bërë këto dhurata fantastike për lexuesit e çdo grup-moshe që do të vijnë në TEG. Ofertat janë të përgatitura enkas sipas autorëve të njohur, për kategori librash dhe për libra të grup-moshave të ndryshme. Padyshim, tetori i librit nuk mund të ketë kuptim pa përfshirjen e librarisë fizike apo virtuale dhe pa komunikimin e drejtpërdrejt të librit me lexuesin.

Gjatë ditëve të panairit ne kemi ftuar disa autorë të njohur shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe për të rritur, të cilët do të jenë mes lexuesve për të komentuar dhe diskutuar me ata, si dhe për të dhënë autografe.

Këtë vit kujtojmë edhe 90-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më të njohur të letrave bashkëkohore shqipe. Ne do të sjellim në mjediset e “Book Fest” jo vetëm botimet, ribotimet dhe edicionin special të “Baladë për tim atë dhe për vete” të këtij autori, i sapo hedhur në qarkullim nga Botimet Dritëro”, por edhe shumë surpriza të tjera.

Një nga elementet e veçantë të “Book Fest” do të jetë edhe promovimi i të gjithë librave të rinj që janë hedhur në qarkullim nga shtëpitë botuese shqiptare. Ka shumë surpriza këto kohë: Botimi i “Tokë e premtuar” i presidentit amerikan Barack Obama, libri “Motra e humbur”, i serisë “7 motrat” të Lucinda Riley, pakoja magjike e “Vendit të rrëfenjave” të Chris Colfer, “Shtëpia holandeze” e postmodernistes së famshme Ann Patchett, biografitë fantastike për Lady Diana dhe grupin muzikor BTS, apo libri i ri “Heshtja”, rrëfimi i policit të anti-mafias italiane Gianni Palagonia, i cili ka qenë me misione kundër krimit të organizuar edhe në Shqipëri, etj. janë disa nga momentet e bukura librore të këtyre ditëve.

pazari 02

Autorë, përkthyes dhe botues i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë që të ndajnë me ne titujt e rinj, të informojnë lexuesit dhe të promovojmë këto botime të cilat kanë vijuar, duke sfiduar vështirësitë që ka sjellë pandemia.

Gjatë këtyre ditëve të tetorit ne do të ndajmë bashkërisht edhe emocionet e shpalljes së fituesit të Nobelit për Letërsinë për vitin 2021, ku ne kemi organizuar edhe një stendë me të gjithë nobelistët që janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Në stendat tonë këtë vit do të ketë edhe libra në gjuhën angleze, kryesisht botime në fushën e biznesit, motivimit apo libra të rinj. As kësaj radhe nuk do të mungojnë mini-konkurset, quizet, sfidat e leximit dhe lojëra të tjera në rrjetet tona sociale.

Pjesa më e madhe e ofertave të “Book Fest” do të jenë edhe online gjatë periudhës 8-18 tetor 2021 për të gjithë ata  lexues që ndodhen në rrethe apo bashkëatdhetarëve tanë jashtë Shqipërisë, dhe mund të përfitojnë duke porositur libra tek Bukinist.al.

Organizatorët kanë marrë të gjithë masat që mjedisi ku janë të ekspozuar librat të jetë sa më i sigurt për këdo, duke respektuar të gjitha masat anti-covid. Festën e bëjnë lexuesit, ndërsa ne jemi këtu, me të gjitha ofertat, ngjarjet dhe promovimet. Sepse ne besojmë fort se ndër të tjera, leximi është një terapi, dhe përmes leximit do të jemi më të aftë t’i kapërcejmë vështirësitë dhe të ecim përpara më të fortë se kurrë.

Autori është menaxher i Bukinist.al

pazari-okis-2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *