Ja 6 fituesit e cmimeve letrare per botimet e vitit 2020

Flutura Açka, Bardhyl Londo, Persida Asllani, Artan Fuga, Granit Zela dhe Petrit Ruka nderohen me çmime për botimet e tyre që janë hedhur në qarkullim gjatë vitit 2020.

Shpallen fituesit e çmimeve letrare për botimet e hedhura në qarkullim gjatë vitit 2020. Ministria e Kulturës përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ka ngritur një juri profesionistësh që në muajin shtator. Në përbërjen e saj janë: Akademik Mehmet Kraja, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Prof. Ardian Ndreca, shkrimtari Ylljet Alickaj dhe përkthyesja Elda Gjana.

 Këtë vit janë ndarë çmimet letrare për romanin shqip, poezinë shqipe, përkthimin, letërsinë për fëmijë dhe botimet studimore. Ministria e Kulturës ka lançuar edhe çmimin vjetor Muza, i cili ndahet për veprat e autorëve që janë ndarë nga jeta.

Anëtarët e jurisë së çmimeve letrare, zgjedhur nga QKLL sëbashku me ministren e Kulturës, Elva Margariti

Për krijimtarinë letrare të vitit 2020 janë përzgjedhur dhe vlerësuar me çmime këto vepra::

Proza më e mirë – romani “Biri” i autores Flutura Açka me motivacionin “për një rrëfim që shkon në zemër të lidhjes së epërme mëmë-bir, duke u kthyer në një thirrje universale mbi ruajtjen e kujtimeve, si një pasuri që e përsos gjithnjë individin”.

Në këtë rrëfimin personal të sajin, autorja Flutura Açka, është përpjekur ta gjejë këtë fjalë fatale: “E pabir”. Kështu thotë ajo se ka mbetur pas 5 majit të vitit 2018, kur humbi nga një sëmundje e rrallë, djalin e saj të vetëm tetëmbëdhjetëvjeçar. Gati më shumë se dy vjet pas lamtumirës me të birin, e pashëruar prej dhimbjes së padurueshme të mungesës, ajo merr një “udhëtim” personal dhe me detaje tronditëse nëpër tragën e ferrit që kaploi jetën e saj.

Ky vetërrëfim shkon në zemër të lidhjes së epërme Mëmë-Bir dhe është një thirrje për ruajtjen e shkëlqimit të kujtimeve, si e vetmja pasuri që ka vlerë për prindër me fat si të sajin.

Ajo hulumton zinë, si një proces i gjatë dhe përcaktues i jetës pas ikjes pa kthim të fëmijës, merret me identitetin e jetës mes dy kulturave ku endet jeta e saj dhe hyn në thellësitë metafizike të humbjes, pa e kthyer atë në një përqarje mbytëse për lexuesin.

Në garë për këtë cmim ishin librat: Historia si një mushkë i Besnik Mustafajt, “Portret vrasësish në grup” i Dashnor Kokonozit, “800 hapa larg Venerës” i Virion Graçit dhe “Mos harro të më kujtosh” i Liridon Mulaj.

Vëllimi poetik më i mirë – Prilli i hidhur nga Bardhyl Londo me motivacionin “për gjuhën e sigurt, me të cilën ndërton peizazhe të padukshme të shpirtit njerëzor, ravijëzimin e mendimit të një kohe, e cila përsëritet plot kulturë dhe mendim”.

I afirmuar që në vitet shtatëdhjetë, Bardhyl Londo është sot një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Falë talentit dhe energjisë së tij krijuese, ai është ndër të rrallët që ka vazhduar të botojë me sukses edhe pas viteve nëntëdhjetë, duke mos u shkëputur asnjëherë nga poezia, pavarësisht angazhimeve të tij në politikë dhe në jetën shoqërore të vendit.

Në finale, në garë për çmimin ishin “Rrathë të brendashkruar” i Rudolf Markut, “Andej baltë, këtej erë” i Petrit Rukës, “Transkript nga krevat tjetër” i Ervin Hatibit dhe “Vargmale nën dhe” i Nurie Emrullait.

Përkthimi më i mirë: Romani “Lepur, vrapo” i John Updike, sjellë në shqip nga Granit Zela, “për shqipërimin mjeshtëror, duke sjellë me realizëm dhe forcë emocionale përmbajtjen dhe ngarkesën figurative të origjinalit, karakteret dhe botën e tyre të brendshme, ku “realja” njehsohet me imagjinaren, përmes një fondi të pasur fjalori me saktësi të lartë semantike dhe kulturë gjuhësore, por gjithmonë besnik i veçorive stilistike dhe i shestimeve të shkrimtarit”.

Granit Zela i përket një brezi të ri përkthyesish, por që tashmë ka sjellë plot autorë të huaj në gjuhën shqipe, duke e pasuruar ndjeshëm letërsinë shqipe, krahas krijimtarisë së tij letrare. Dy prej sipërmarrjeve të tij, botimi i romaneve të Ëilliam Faulkner dhe John Updike janë konsideruar si më sfidantet. Me tetralogjinë e Updike, – ku deri më tani janë botuar “Lepur, vrapo”  dhe “Lepuri kthehet” ka goditur në shenjë, pasi ka marrë trofeun e vitit për përkthimin më të mirë.

Së bashku me romanin “Lepuri kthehet”, kjo tetralogji unike rrëfen historinë nga rinia në vdekje të yllit të dikurshëm të basketbollit, Herri “Lepur” Engstrëm, i cili i përket shtresës së mesme të shoqërisë amerikane. Ngjarjet zënë fill në qytezën imagjinare të Bruërit, Pensilvani, kur instinktivisht, pa asnjë plan të paracaktuar, Lepuri braktis gruan shtatzënë dhe djalin.

Në garën finale për çmimin për përkthimin më të mirë ishin edhe Bashkim Shehu me librin “Asgjë e jashtëzakonshme”, Engjëllushe Shqarri me romanin e Philip Roth “Një njeri i zakonshëm”, Jozef Radi me përmbledhjen poetike të Ungarettit, “Jeta e nji njeriu” dhe Nonda Varfi me romanin e Tahar Ben Jelloun, “Pagjumësia”.

Libri studimor i vitit – “Origjinat e pushtetit, pronës dhe pasurisë” nga Akademik Artan Fuga me motivacionin “për stilin përmes të cilit ndërton historinë e shoqërisë shqiptare pas vitit ‘90, duke analizuar e reflektuar mbi transformimet e thella. Një vepër-studim, e cila shënjon një qasje të re në mendimin sociopolitik shqiptar”.

Ky botim special përmban dy prej librave më të rëndësishëm të Akademik Artan Fugës, – pjesë e studimeve të gjatë të tij, që në kohën kur ishte në Francë.

Fuga vjen me një botim të riparë me titull “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë (në Shqipërinë pas-totalitare)” të dy vëllimeve, “Shoqëria Periferike” dhe “Shoqëria Piramidale”. Padyshim nga tematika dhe përmbajtja është botimi në shqip që ka pamjen më të plotë të politikës, ekonomisë, shoqërisë, të drejtës, pronës, kushtuar periudhës nga rënia e komunizmit deri në ditët tona.

Shkruar me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, duke u ndalur në shpjegimin e pikave kyçe të historisë dhe aktualitetit tonë, botimi tregon rrugën nga kaluar shoqëria shqiptare në demokratizim dhe për çfarë arsye ndodhemi sot në pikën që jetojmë të gjithë.

Në garën finale ishin edhe autorët: Akademike Floresha Dado me studimin e saj Postmodernizmi – poetika e antirregullit”, Abdulla Rexhepi me librin “Naim Frashëri dhe letërsia perse”, Ilir Yzeiri me librin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri” dhe Mikaela Minga me librin “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen”.

Libri më i mirë për fëmijë: “Udhetimi i babagjyshit ne qytetin e 1001 dritareve nga Persida Asllani” me motivacionin “për stilin që rindërton traditën, duke sjellë përmes një fabule universale një rrëfim edukativo-letrar plot ngjyra”.

Babagjyshin e përfytyrojnë të ulur pranë zjarrit bubulak, duke lexuar me kërshëri çdo letër fëmije dhe duke menduar se cili prej tyre do të meritonte një dhuratë në Natën Magjike. Por, në të vërtetë, gjërat janë paksa më ndryshe!

Jeta e elfëve dhe e Babagjyshit, që fëmijët e duan aq shumë, ndonjëherë mund të ndërlikohet në mënyrë të befasishme e t’i përfshijë ata në biseda të gjata ose edhe më shumë se kaq, në aventura të çuditshme.

Ja, pikërisht në një mëngjes dhjetori, kur dita dukej se kishte nisur mirë e bukur, dy elfë po flisnin të shqetësuar mes tyre dhe po përpiqeshin të kuptonin diçka më shumë rreth fjalëve që Babagjyshi kishte shqiptuar atë mëngjes.

Në listën finale për çmim ishin edhe Rovena Rrozhani me librin “Fani në kërkim të dritës”, Astrit Bishqemi me librin Shën Gushti, Natasha Poroçani – Shuteriqi me librin “Bëmat e Estes dhe Kokosë 3” dhe libri “Marina… 11 vite jetë”.

Çmimi letrar Muza që jepet nga Ministria e Kulturës:  “Andej baltë, këtej erë – Balada Arbërore” nga Petrit Ruka

Ky çmim nuk i përket jurisë profesionale të ngritur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, – por është një çmim vlerësim për autorët që largohen nga kjo botë. Muza për vitin 2020 shkoi për librin e fundit poetik Andej baltë këtej erë – balada arbërore”, para se të mbyllte sytë Petrit Ruka.

Bashkë me 14 balada të tjera, Petrit Ruka sjell në këtë libër edhe “Nëntë vjet e nëntë ditë” me të gjitha “takëmet” e hershme të trashëguar nga shtëpia e saj fisnike arbërore. Vargjet plot shkëlqim poetik si kallëpe ari, stivosur nëpër strofa si ndër paletat e hekurta të kasafortave të thesarit, të lëbyrin sytë me dritën e tyre, të mehin frymën me pasurinë që përmbajnë në vetvete..

Të gjithë librat që janë vlerësuar me çmime i gjeni tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *