Planifikimi i librave sipas nevojave për informim, kuptim dhe zbavitje. Realizimi i procesit të rritjes dhe zhvillimit përmes leximit. A jeni gati për të sfiduar veten gjatë vitit 2022?!
Albert Gjoka*
Tashmë, ndodhemi në ditët dhe orët e fundit të vitit 2021. Koha është e pakohë, por ne njerëzit e kemi ndërtuar jetën tonë përmes matjes së saj; me kalendar, – përmes sekondit, minutit, orës, ditës, javës, muajit, vitit dhe kështu me radhë. Në momente të tilla, çdokush bën një bilanc për atë që po lë pas dhe përgatitet, me një plan për vitin që po troket. Ata që duan ta menaxhojnë kohën, e bëjnë një gjë të tillë – pra, planifikojnë jetën e tyre. Para se të planifikojmë, ne kemi ëndrra dhe dëshira. Festa të tilla si Krishtlindja apo nata e Vitit të Ri, janë momente të bukura përndezëse të dëshirave, dhe na nxisin që të reflektojmë, analizojmë dhe shprehim ato gjëra që ëndërrojmë t’i bëjmë realitet. Çdo gjë që bëjmë në jetë nis si një dëshirë, – apo, më mirë të themi, si një mendim. Më tej, kthehet në një ide konkrete dhe vijon si plan, – duke u pasuar me veprime përkatëse, derisa të shndërrohet në një rezultat konkret në jetën tonë.
Në prag të fillimit të vitit të ri, ne duam që të ftojmë secilin prej jush që të bëjë një plan leximi përgjatë vitit 2022: Më mirë të themi një “Sfidë leximi”. Po, çfarë është kjo sfidë?
Leximi në vetvete përmbush nevojat tona për informim, kuptim dhe zbavitje. Përmes procesit të leximit, rritemi, zhvillohemi, zgjerojmë dimensionin e lirisë tonë – pra, në këtë mënyrë, kemi mundësinë që të ndërtojmë një sistem të të edukuarit në vazhdim në çdo fazë të jetës tonë. Për këtë arsye, ne duhet të reflektojmë për librat që na vlejnë më tepër, – duhet t’i analizojmë leximet sipas nevojave, dëshirave dhe pasioneve që na shfaqen në kohë.
Sfida e leximit në vetvete është një plan leximi përgjatë një periudhe të caktuar kohore. Kjo sfidë mund të bëhet në varësi të interesave të momentit, pasioneve tona, nevojave për të përmirësuar aspekte jetë jetës tonë mendore dhe shpirtërore. Fatmirësisht, oferta e botimeve që janë në qarkullim; qoftë në gjuhën shqipe, apo edhe në gjuhë të huaja, në ditët tona është e larmishme dhe pasurohet dita-ditës: Libra të natyrës fiction, non-fiction, libra biznesi, biografi, shumëllojshmëri të botimeve në fushën e zhvillimit profesional, si dhe libra të natyrës profesionale, në çdo fushë të jetës.
Libri është zgjatimi më briliant i mendjes dhe, si i tillë, ai na vjen në ndihmë për të realizuar çdo dëshirë apo pasion. Kjo është aq e vërtetë saqë sot mjafton thjeshtë vetëm të kërkosh librin e duhur, apo të presësh kohën kur libri vjen tek ti si rrugë-zgjidhje.
Sigurisht, sfida e leximit duhet të ketë edhe numrin e librave që po planifikoni të lexoni përgjatë 365 ditëve të vitit. Për ata që thonë se nuk kanë kohë për të lexuar, ky justifikim është i pavlerë, nëse ju e parashikoni një gjë që tillë.
Përmes këtyre radhëve, ne po bëjmë ftesë për secilin prej jush që të përgatisë në këto orë të fundvitit një sfidë leximi për 2022-shin. Ne po ndajmë me ju, të paktën, katër arsye pse duhet ta bëjmë një gjë të tillë:
Së pari, bëni pjesë të pandarë të jetës tuaj leximin, i cili nuk është thjeshtë një përmbushës ndjesish, gjendjesh, botësh, idesh apo informacionesh, por edhe një terapi e jashtëzakonshme për mendjen tuaj. Të gjithë e kanë kuptuar se leximi mban në një aktivitet gjallë trurin dhe rrit aftësitë e tij njohëse.
Së dyti, përmes këtij zakoni të ri, leximin e bëni pjesë të rritjes tuaj, përmes gërshetimit të njohurive me përvojat e përditshme të punës. Besojeni ose jo, por leximi dhe puna, – kur ecin bashkërisht në të njëjtin ritëm, – japin rezultate shpërthyese.
Së treti, përmes leximit përmbushni nevojat tuaja mendore dhe shpirtërore sipas kërkesave që shtron koha. Zhvillimi i teknologjisë, ndryshimet social-ekonomike dhe sfidat e momentit na kanë mësuar se e vetmja konstante që vlen është ndryshimi. Prandaj, përmes leximit, ne do ta kemi më të lehtë që të përshtatemi me një mjedis me dinamikë kaq të lartë.
Ne jemi qenie që jetojmë përmes botës së ideve dhe imagjinatës. Jashtë tyre, ne nuk bëjmë dallim me qenie të tjera. Duke rritur aftësitë konjitive dhe imagjinative përmes librit, ne e njohim më mirë botën në momentin që po jetojmë. Prandaj, duhet t’i bëjmë pjesë të leximit prurjet më të mira që na kanë ardhur deri më tani nga autorët, përkthyesit dhe botuesit.
Përmes librit kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët, sepse dalim përtej grackës që na kurthon egoja jonë njerëzore dhe, në këtë mënyrë, e njohim botën më mirë dhe kemi aftësi më të mira vetë-reflektuese.
Së katërti, ne sfidojmë veten përmes ndërtimit të një shprehie të re mendore dhe shpirtërore: Ne i kemi premtuar vetes se do të lexojmë kaq libra për një vit dhe në fund të vitit i dëshmojmë vetes se e kemi mbajtur ose jo premtimin që i kemi dhënë vetes. Pra, kjo sfidë shërben edhe si një mekanizëm vetë-përmirësues.
Çdokush mund të rendisë këtu edhe gjëra të tjera pozitive tek një Sfidë leximi, ashtu, siç ka sish që nuk e shohin leximin në këtë mënyrë, – si proces sfidash. Por, ne mendojmë se është e rëndësishme t’ia nisësh një sfide të tillë. Të mendoni për nevojat tuaja mendore dhe shpirtërore, të cilat mund t’i bëni pjesë të jetës tuaj përmes librit dhe leximit: Cilët janë romanet më të mira të kohës tonë? Cilët klasikë të vlertë ju kanë mbetur ende pa lexuar? Cilët libra biznesi mund t’ju vijnë në ndihmë në sipërmarrjen që drejtoni apo jeni pjesë? Cilët enciklopedi të botuara së fundi ju ndihmojnë për të kuptuar më mirë eksplorimin e universit apo të rejat më të fundit që na vijnë nga bota e shkencës dhe teknologjisë? Si e perceptojnë poetet apo tregimtarët gjendjen shpirtërore të individit në këtë epokë të trans-humanizmit? Si mund ta përmirësojmë gjendjen shpirtërore në këtë moment? Si rritet kreativitetin? Si ndryshohet mendësia? Si shtohet produktiviteti në punë apo shumëfishohen rezultatet duke harxhuar më pak energji apo kohë? Si të mirëmenaxhojmë kohën apo përmirësojmë aftësitë tona në drejtim? Këto dhe shumë pyetje të tjera marrin lehtësisht përgjigje nëse dimë sesi të lexojmë dhe nëse e planifikojmë leximin në mënyrë inteligjente, – pra duke bërë një Sfidë leximi të tillë, e cila na shërben për të planifikuar siç duhet dhe për të plotësuar më pas të gjitha nevojat tona mendore dhe shpirtërore në një rrugëtim të tillë përgjatë një periudhe të shkurtër kohore.
Jeta na ka mësuar se rezultatet nuk vijnë rastësisht, por ajo janë produkte të një planifikimi të mirë. Edhe leximi kërkon një plan të tillë; prandaj, ju ftojmë që t’a bëni që tani. Nuk ka rëndësi nëse jeni një nxënës apo student, menaxher apo sipërmarrës, punonjës administrate apo politikan. Leximi duhet të nisë si dëshirë; çdo gjë tjetër vjen pas. Për lexuesit e zellshëm çdo në këtë botë është e mundur; aq më tepër për ata që dinë ta vënë leximin në shërbim të ëndrrave, dëshirave dhe planeve të tyre.
Ne ju ftojmë ta ndani me ne sfidën tuaj të leximit për vitin 2022. Për lexuesit sfidantë do të ketë edhe shpërblime. Mirëutakofshim më 27 dhjetor 2022!
Nëse keni nevojë për ndihmë sesi të bëjmë një “Sfidë Leximi”, ne po ndajmë këtu disa modele.
Na shkruani edhe tek: info@bukinist.al nëse ju nevojitet një informacion i mëtejshëm.
* Autori është menaxher i Bukinist.al, platforma më e madhe online e librit shqip