11 autoret e rinj qe rekomandojme gjate vitit 2022

Blogu Leximtari dhe platforma me e madhe online e librit shqip, Bukinist.al kane perzgjedhur prurjet e reja te autoreve qe jane ne fazat e para te komunikimit me lexuesit. Mes librave kemi zgjedhur romane dhe vellime me tregime

Albert Gjoka*

Gjatë vitit 2020 rekomanduam 9 autorë të rinj për t’u lexuar gjatë 2021-shit, – gjë që solli rritje të interesit nga lexuesit në përgjithësi për librat e përzgjedhur, – në mënyrë të matshme këtë e pamë edhe tek ndjekësit e platformës Bukinist.al.

Duke parë këtë përvojë ngacmuese, edhe gjatë vitit 2022, blogu Leximtari dhe Bukinist.al kanë përzgjedhur 11 autorë të rinj. Paraprakisht, që të mos krijojmë keqkuptime për lexuesit, – me autorë të rinj kuptojmë ata që kanë shkruar dhe botuar tre apo më pak libra të natyrës fiction. Njëherësh, kërkojmë mirëkuptimin e atyre autorëve që ndihen të “paragjykuar” me këtë term, pasi synimi ynë është thjeshtë fokus dhe orientim tek lexuesit që duan të njihen me autorë të rinj, – njëherësh edhe me narrativa të reja.

Ekipi ynë ndjek me vëmendje të gjithë prodhimin letrar që hidhet në qarkullim ditë pas dite nga shtëpitë botuese shqiptare. Mes prurjeve të listuara ne jemi fokusuar tek zhanri i romanit dhe tregimit. Kësaj liste i mungon poezia, ku prurjet janë më të shumta, por ne duam ta vëmë fokusin rrëfimtarët. Po ashtu, mes autorëve të rekomanduar, ne kemi listuar ata që e kanë veprën e tyre në qarkullim dhe që gjendet tek platforma Bukinist.al, ku lexuesi mund ta bëjë pjesë të leximit në çdo kohë.

Kjo përzgjedhje është ndikuar edhe nga treguesit e shitjeve gjatë vitit 2021 tek Bukinist.al, apo reagimit të lexuesit të specializuar. Kjo listë është e gjykueshme sepse ka përmasën e leximit dhe shijeve subjektive të përzgjedhësit, prandaj janë të mirëpritura debatet dhe propozimet e lexuesve.

Përmes këtyre narrativave, besoj se do të shohim prurje dhe këndvështrime të reja, do të njohim më mirë ndërveprimin mes botëve të ndryshme, do të njohim karaktere me tipare specifike dhe do të kuptojmë më mirë mjedisin që na rrethon. Janë 11 autorë që jetojnë në realitete të ndryshme, kanë aftësi të spikatura receptive dhe na nxisim të reflektojmë më shumë për kufizimet tona të përditshme dhe na ndihmojnë për të rritur dimensionin e lirisë brenda nesh.

Tashmë, nuk po zgjatemi më tej, por le të listojmë 11 librat që kemi përzgjedhur për lexuesit gjatë 365 ditëve në vijim:

“Të lirë” nga Lea Ypi

Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Ky roman ka qenë një befasi e madhe pasi po botohet në 15 gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi erdhi në gjuhën shqipe.

Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve. Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ‘80 në Shqipërinë e komunizmit, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është gjithashtu në kërkim të lirisë.

“Dielli më perëndon në lindje” nga Eralda Baze

Ky roman është befasi qoftë për lëndën e përzgjedhur, por edhe për kulturën në narracion. Pa frikë mund të konsiderohet edhe një roman feminist. Me një kulturë të madhe për mënyrën e rrëfimit, me guxim në trajtimin e lëndës narrative dhe me një pasuri të madhe gjuhësore, – ky libër të mban lidhur në mënyrë të ethshme deri në faqen e fundit, – njëherësh edhe të befason.

Personazhi kryesor, – një vajzë, e cila është në kërkim të dashurisë së vërtetë, – e ka të shenjtë lirinë e saj. Lidhja me një djalë egjiptian përfundon fatalisht për shkak të një mjedisi tej mase paragjykues, dhunues dhe absurd, ku jeta dhe liria e invidit nuk janë të përfillshme, sidomos nga njerëzit me pushtet. Ky libër rrok në shprehi, gjuhë dhe kuptim mësë miri mendësinë e epokës tonë, të sunduar nga shoqëria e spektaklit, nga veset e jetës së konsumit, nga boshësia dhe njëherësh nga mungesa e dimensionit të lirisë.  

“Të vdesësh nën diell” nga Ervin Nezha

“Të vdesësh nën diell” është përmbledhja e parë me tregime nga autori premtues, Ervin Nezha, i cili u shpall edhe një nga tri fituesit e çmimit “Libri i karantinës”, dhënë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Këto tregime dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tematika e tyre i mëshon fort fatit të përcaktuar të njeriut. Ato vijnë me stil të drejtpërdrejtë të të rrëfyerit, pa metafora e figuracion të tepruar, me gjuhë të çiltër, fraza të shkurtra e imazhe të gjalla, që u japin tregimeve zhdërvjelltësinë dhe befasinë. Këto tregime përmbajnë nota surreale, alegorike dhe satirike. Tregimet e Ervin Nezhës shërbejnë si vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip.

“Trafikanti” nga Mirela Kanini

Ky libër sa tronditës, aq edhe tërheqës na bën të gjendemi përballë paragjykimit apo mirëkuptimit. Duket si një lojë psikologjike që të lë në udhëkryq dhe nuk di çfarë rruge të marrësh dhe kë anë të mbash. Po dashuria, a fal ajo, a i kalon dot sprovat e fatit?

“Bar Sahara” nga Dionis Prifti

Në këtë përmbledhje me tregime të shkurtra, subjekti ndërtohet sipas impresionit të ndjesisë, jo duke i qëndruar besnik narrativës. Detajet jepen jo në funksion të skalitjes së personazhit, por si veçori të fenomenit. Bashkëvendosja e këtyre detajeve, me ngjarje herë absurde e herë krejt banale, krijon një ngërç emocional, duke ngacmuar një këndvështrim ndryshe.

Stili i përdorur, që varion dukshëm nga tregimi në tregim, provokon pyetjen se ç’përqasje do të ishte e duhura për të trajtuar atë ndjesi apo atë tematikë. Megjithatë, pavarësisht ndryshimit të formave stilistike, të gjitha krijimet, qofshin reale a surreale, u qëndrojnë besnike perceptimeve dhe emocioneve njerëzore.

“Kolonë zanore” nga Rezarta Reçi

Autorja Rezarta Reçi vjen para lexuesit me një roman, – i konsideruar si befasi në raport me tematikën që sjell sepse thyen tabu ende të paprekura në letrat shqipe bashkëkohore, por dëshmon edhe mjeshtrinë e përdorimit të teknikave rrëfimtare, depërtimet psikologjike dhe gjuhën e gjallë që lëvron gjatë rrëfimit.

Libri sjell një temë të re interesante në letërsinë tonë moderne dhe një këndvështrim të ri dhe origjinal në raportin e përjetshëm, githmonë në lëvizje dhe ende i pazbërthyer, midis dashurisë dhe seksit.

Është një enigmë letrare, poetike, filozofike dhe shpirtërore ende e pashtjelluar në mënyrë shteruese, sepse misioni i artit dhe i letërsisë nuk jep asnjëherë zgjidhjen e fundit apo përfundimtare.

“Tjetri/shqiptar” nga Ballsor Hoxha

Romani “tjetri/shqiptar” është rrëfim, dhe aq më shumë e folur pa ndalesa, pa kalkulim, rrëfim cullak!

Sinqeriteti infantil prej nga vëzhgohet bota në këtë roman, prej nga shfaqet një botë ndryshe, është i pakontrollueshëm. Dhe kjo e bën romanin të jetë çdo mënyrë rrëfimi, ese, tregim, roman etj. E, në fund të fundit, është vetë jeta, e jetuar, por kurrë e treguar me këtë sinqeritet!

“Sfidat e një humani” nga Clyde (Klajdi Thaci)

Në frymën e romaneve të famshme distopike, shumë të pëlqyera sidomos nga të rinjtë, vjen një roman që ka në qendër Truentin me 11 sfidat e tij, nga një vend me emër të trilluar, Trembaldi, “futur në ujë prej grykësisë së më të fortëve dhe djallëzoreve”!

“Memento Mori” nga Tobias Xhaxhiu

Tobias Xhaxhiu me veprën “Memento Mori” ishte fitues i Fondit për Letërsinë e të rinjve nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Ky vlerësim ka motivacionin: “Për sjelljen origjinale të një balade të njohur, mbajtjen pezull të lexuesit me të njohurat e të panjohurat, për përdorimin e një leksiku të pasur, për përzgjedhjen me kujdes të toponimisë dhe antroponimisë, në funksion të sjelljes së kohës dhe vendit ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani”

“Mos harro se je i vdekshëm”. Ky është mesazhi në thelb të veprës “Memento Mori” nga Tobias Xhaxhiu. Frymëzuar nga legjenda sa nokturne, po aq edhe romantike e “Besës së Konstandinit”, romani sjell për lexuesin një ritregim të freskët dhe epik të ngjarjeve të baladës, të vendosur kësaj radhe në Arbërinë para-osmane.

Stili i autorit është një aliazh mes realizmit magjik dhe romantizmit, që garanton një eksperiencë krejt të re në lëmin e letërsisë vendase. Libri është një himn dedikuar një kulture të harruar ballkanase e mbi të gjitha shqiptare, në pritje për t’u rizbuluar.

“Memento Mori” është një rrëfenjë e jashtëzakonshme mbi atë çka dikush është i aftë të kryejë për të vënë drejtësi dhe mbi të gjitha, për të mbajtur premtimet që nuk i zhbën dot as vdekja:

“Rruga e qumështit” nga Iva Musaraj

Iva Musaraj pas sprovave për fëmijë vjen për lexuesit me një roman, ku imagjinata ngjizet me realitetin e vitit të pandemisë, – një periudhë me paradokse thelbësore për ekzistencën e individit, – e cila ndryshoi raportet ndërnjerëzore dhe dimensionet e lirisë për jetën tonë.

2020-ta erdhi me një stinë më pak. Njerëzit kishin bërë planet e tyre. Dasmat nuk u bënë. U shtynë për një kohë tjetër. Mortet u zhvilluan pa nderimet masive, që të gjallët u japin të vdekurve për të fundit herë. Edhe nderimet u lanë për një tjetër kohë. Të vetmet që nuk pritën “kohën tjetër” ishin lindjet e fëmijëve. E po, jeta nuk pret asnjëherë. Asaj nuk mund t’i caktosh kohë, as orar. Jeta ka planet e saj. Ajo vazhdon si të gjithë lumenjtë që rrjedhin…

Purple” nga Ermal Lala

Një roman i përshkuar nga skena rrëmbimesh, plane djallëzore vrastare që mbajnë pezull fatin e personazheve dhe intriga të stisura prej letrash, të cilat priten të zbulohen, “Purple” ngrihet mbi binomin e krimit dhe vrullit të pasionit që prodhojnë dramaticitet dhe dinamizëm në strukturën e tij tekstore.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Mirëpresim komentet dhe propozimet tuaja. Na i dërgoni edhe në mail tek: info@bukinist.al

*Autori është menaxher i platformës Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *