Agim Baci: Librat qe rekomandoj per lexim

LISTA E LIBRAVE TE REKOMANDUARA NGA AGIM BAÇI

1- “Ngjizja e papërlyeme”, roman nga Agron Tufa, shtëpia botuese “Onufri”

“Një pikturë e skllavërimit të njeriut në një sistem ku duhet të zhbëhet gjithçka, sidomos dashuria. Ljuba Borisovna, aktorja që gëlltit librin “armiqësor me sistemin” të të shoqit, mbetet shtatzënë me faqet e shkruara nga inxhinieri gjeolog që u pushkatua. Një metaforë e mënyrës për të tretur në lëkurë atë që sistemi kërkon ta zhbëjë, sepse vetëm njeriu i skllavëruar është njeriu i duhur për sistemin. Një rrëfim tronditës, por i duhuri për t’u lexuar nga gjithkush që kërkon të njohë atë hartë të zhdukjes së fytyrës së njeriut. Një roman që nxjerr nga rrënojat më të thella të së shkuarës totalitare atë të cilën duhet ta lexojmë me zë të lartë. Është një himn për ta ruajtur njeriun, për ta lënë këtu mes nesh, për ta peshuar me të gjithë dritën që nuk arriti dot t’ua shquajë atë rrahje të madhe brenda kraharorit”.

2-  “Qielli i rremë”, tregime nga Julio Cortazar, përkthyer nga Aurel Plasari, shtëpia botuese “Aleph”

“Një stil i veçantë rrëfimi, ku as realja me irealen dhe as jeta me vdekjen nuk kanë kufi, por kanë vetëm një tango, herë me muzikën e përditshmërisë e herë me atë fantazi që na rrëmben. Rrëfimi i Cortazarit është një shkëlqim i brendshëm, ku shpirti dhe trupi ngërthehen, herë me pengesat e herë me liritë, duke na ndërtuar para syve plot dinjitet edhe më të rëndomtën brenda mendjes trupit. Rrëfimet e Cortazarit janë shtëpia e madhe e imagjinatës, ku realja nis të bëhet magjike dhe magjikja reale, duke u ndërthurur ashtu siç ndërthuren ëndrrat me zgjimin. Rrëfimet e tij janë një violinë e madhe e njerëzores, e dhënë mes akullit dhe zjarrit”.

3- “Kolerë në kohë të dashurisë”, roman nga Namik Dokle, shtëpia botuese “Toena”

“Një rrëfim për realitetin tronditës të një jete në kufijtë e së mundshmes, ardhur me një gjuhë që shkakton neverinë për kohën kur njeriu është thjesht numër, kur vriten poetët sepse sistemi nuk mund të pranojë askënd që flet apo mendon ndryshe nga ajo që thuret në zyrat e propagandës. Romani i fundit i Dokles është vijimi i një sage rrëfimesh për zhbërjen e përditshme të njerëzores, të një kohe ku humnera vetëm sa thellohet e ku e përditshmja ka vragën e madhe të dhunës. Rrëfimi i Namik Dokles arrin të sjellë një përfytyrim me të gjitha ngjyrat e errësirës, por të një errësire që duhet medoemos ta përshkruajmë përmes meditimit tonë për njeriun që rrezikon vetveten, dinjitetin, traditën, kur atij i kërkohet të mos mendojë, por vetëm të bindet”.

4- “Unë jam një maçok”, roman nga Matsume Soseki, përkthyer nga Agim Doksani, shtëpia botuese “Ombra GVG”

“Me një përshkrim plot humor të zi dhe nën një vëzhgim plot detaje, Matsume Soseki na sjell një roman të jashtëzakonshëm, jo thjesht për stilin, por për atë përshkrim aq njerëzor të marrëdhënies me familjarët, me fqinjët, me kolegët. Nuk është vështirë ta kuptosh gjatë leximit se maçoku është vetë autori. Madje, mund të ndjehesh fare lehtë pjesë e librit nëse nuk je i kujdesshëm për të kuptuar se gjithkush është në një lojë, në një vëzhgim të gjithanshëm. Soseki vë në shënjestër vanitetin dhe ngre alarmin e rrugëtimit që merr një shoqëri vanitoze. Nuk është rastësi që shkrimtarët më të njohur japonezë shihen si të dalë nga manteli i Sosekit”.

5- “Faqja e fundit”, roman nga Gazmend Kapllani, shtëpia botuese “Albas”

“Kur mund ta zbulojmë vetveten? Cilët jemi në të vërtetë? Personazhet e Gazmend Kapllanit vijnë në vendlindje gjithnjë për “vdekjen e babait”, dhe aty rinisin të lexojnë hapat e tyre, të shkuarën, atë që nuk mundën dot ta rroknin teksa nxitonin për diku. Kapllani duket sikur i hipën personazhet në një tren naiviteti dhe përshkon më pas trasetë e përditshmërisë, ashtu sikur i sheh si në një film. Melsi, personazhi i romanit “Faqja e fundit” zbulon përmes ditarit të babait një jetë të panjohur, të pathënë, që duket sikur i jep një kuptim krejt tjetër fshehjes së identitetit, siç ka ndodhur me mijëra bashkëkombës të tij që kanë udhëtuar për t’iu fshehur një jete pa të ardhme, apo një jete që ish në rrezik.  Gjithçka duket se zhvillohet nën skenografinë e diktaturës që ka lënë gjurmët – gjurmë që Kapllani i zbulon për të treguar se nga ku e keqja mund të na veshë me ngjyrat e veta, të na fusë në rrugëtimin  pa kthim të dëshirës për besuar, për të buzëqeshur. Por ai e di që kufijtë më të rëndësishëm janë ato që njeriu i kapërcen brenda vetes për të arritur më pas të mos ngurrojë të zgjasë dorën drejt atij që po udhëton për të njohur rrugët”.

6- “Të lirë”, Lea Ypi, shtëpia botuese “Dudaj”

“Një rrëfim nga sytë e një fëmije. Jo të një fëmije që kërkon lodrat, që ka frikë nga ajo që nuk i është thënë, por i në fëmije që nuk mundi kurrë ta saktësojë – cila mund të jetë më zhgënjyese për njeriun, fakti që beson se njeriu e fiton lirinë duke qenë gjithnjë në revolucion, apo se Liria është një koncept trashendental që pak e kuptojnë? E dhënë në ngjyrat e një rrëfimi autobiografik, Ypi sjell plot elegancë jo vetëm dilemat e një familje me dritëhije nga e shkuara e pathënë për të, por edhe dilemat nëse e shkuara e të parëve është parathënie edhe për të, apo për ata që lindin si pasardhës të një mbiemri me peshën e historisë. E megjithatë, autorja nuk vendos dot ngjyrën e zezë për kohën kur diktatura ishte “e vetmja gjuhë” që duhej folur, nëse doje të jetoje pa telashe. Për të, njeriu nuk mundet dot të presë me thikë se nga cila anë peshon humbja e njeriut. Një përshkrim që duket se na fton si fëmijë që të vijojmë të pyesim, që të mos shohim vetëm një ngjyrë në atë që mësuam për të shkuarën”.

7- “Të vdesësh nën diell”, tregime nga Ervin Nezha, shtëpia botuese “Albas”

“Tregimi i mirë nuk ka kohë brenda tekstit- të takon ty si lexues të kërkosh kohën brenda ngjarjes, të fantazosh e të kërkosh kohën brenda teje. Për të gjetur pikërisht këtë kohë të brendshme tregimtari Ervin Nezha, përmes në rrëfimi sa afër aq edhe larg nesh, na fton të jemi në roli e bashkautorit. Jo bashkëautor në ndërtimin e personazheve e as të fabulës. Ai që në fillim duket se e ka menduar se ku do e takojë lexuesin. Një stil lakonik, me fjali të shkurtra, që duket sikur vetëm rrisin tensionin për të ditur se ku fshihet ajo që duhet të takosh. Ngjarjet ndodhin atje ku duhet. Mali, ujku, bariu, errësira, lulet, e padyshim edhe zgjimi apo vdekja, nuk janë aty për të vazhduar sikur nuk ka ndodhur asgjë, por për të ndalur një hop, që të bësh pyetje, që të kuptosh se nga pyetjet mund të rrugëtosh drejt asaj që vlen ta mbash mend. Fundja, njeriu kur pyet duket sikur i jep kuptim asaj që ka përshkruar, asaj që ka takuar, asaj që ka dashur. Është një stil që duket sikur të thërret. Por në fakt, ai është një portret i madh i jehonave të zërave njerëzorë, të cilët vijnë nga kohërat për të na takuar me atë që nuk vdes, që nuk ndalet”.

8- “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, roman nga Ag Apolloni, shtëpia botuese “Skanderbeg Books”

“Rrugëtimi që na përshkruan shkrimtari Ag Apolloni në rrëfimin e tij, duke ndezur herë pas here “fije shkrepëse” për të dalluar “fijet e shpresës”, është ndërtuar përmes një estetike ku dhimbja merr ngjyrë, merr formë dhe zë, për këdo që hyn në atë muze të errësirës. Rrëfimi i Apollonit është një muze krejt i rrallë –  një muze pikturash ku korniza janë njerëzit, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre apo kanë parë me sytë e tyre tmerrin nga forcat serbe, ndërkohë që fjalët e tyre janë ngjyrat që vijojnë t’i hedhin ende mbi atë telajo tmerri që ka vijuar të ketë nevojë për ngjyrat e veta edhe pas asaj lufte. Ag Apolloni e nis rrëfimin si një guidë, që përmban udhët për të hyrë në muze. E që në fillim paralajmërohet se “kryepiktura” e gjithë rrëfimeve është një nënë, që ka humbur djemtë dhe burrin e saj nga barbaria e milicëve e paraushtarakëve serbë- nënë Ferdonija. Ajo është një muze i dhimbjes, ku mungesa ka krijuar gjithë rrathët e rrëfimit. Janë rrathë për të zbritur në ferr dhe për të parë gjithë ngjyrat e dhimbjes, e për të kuptuar se asnjë hap i yni nuk mund t’i ketpë gjithë tigujt e jetës nëse nuk arrijmë të shohim të shkuarën tonë në sy”.

9- “12 rregulla për jetën- një antidot ndaj kaosit”, nga Jordan B. Peterson, shtëpia botuese “Minerva”

“A kemi nevojë për një hierarki vlerash në jetët tona apo do t’i dorëzohemi diktaturës së re të spektaklit dhe seksualizmit të shoqërisë? Jordan B. Peterson është një penë e rrallë që vizaton lëngatën e botës së sotme. Befasues, plot humor, ironik dhe njëkohësisht me plot këshilla që ke dëshirë t’i mësosh përmendësh për t’ia thënë kujtdo që ke për zemër. I njohur fillimisht për leksionet e tij nën titullin “Harta e kuptimit” kur jepte mësim në Harvard, Peterson sjell sot disa nga pyetjet më të rëndësishme rreth kushteve që shkaktuan lindjen e nazizmit, totalitarizmit, sektarizmit. Përmes psikologjisë, antropologjisë, historisë, Peterson ka mundur të prekë disa nga çështjet që herët a vonë do duhet t’i japim një përgjigje. Një libër i rëndësishëm për këdo që dëshiron të jetë ende nën pushtetin e mendjes, jashtë klisheve, larg spektaklit dhe larg propagandës”.

10- Për numrin dhjetë do përzgjidhja disa autorë të cilët nuk mund t’i lë pa përmendur. Do e nisja me romanin “Vrapo lepur“, nga Jon Updike, përkthyer nga Granit Zela, botuar nga shtëpia botuese nga “Albas”. Pastaj është libri me poezi “Transkript nga krevat tjetër” i Ervin Hatibit, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, romani i Stefan Çapalikut “Mbyllur me pushime”, botuar nga shtëpia botuese “Fishta”, “Bar Sahara”, tregime nga Dionis Prifti, botuar nga shtëpia botuese “Albas”, romani “Biri” i Flutura Açkës, romani “Dera” i autores Magda Szabo, ardhur në shqip nga Viola Adhami, botuar nga shtëpia botuese “Aleph”, romani  “Portret vrasësish në grup” i Dashnor Kokonozit, romani triller “Gjithçka që ke” i autorit Enkeljed Lamaj, romani “Flama” i Tom Kukës, botuar nga “Pegi”, libri me shkrime dhe një tregim nga Orhan Pamuk “Ngjyra të tjera”, botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, libri me tregime “Castigat” nga  Ardian Vehbiu, botimet “ Albas”, romani i Kazuo Ishiguros “Klara dhe dielli”, botim nga “Pegi”, romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” e Thanas Medit, “Libri i kujtimeve dhe i harresës” nga Suad Arilla dhe romanin “Vaji i gurit”, shkruar nga Miranda Haxhia dhe botuar nga “UET Press”.

Leximtari mirëpret rekomandimet e lexuesve, të cilat do t’i ndajë me ndjekësit e tij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *