Përshtypje rreth librit “Selfie: Uni i unit” nga Will Storr, përkthyer nga Era Buçpapaj dhe Adela Buçpapaj, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas”
Suad ARILLA
Duke lexuar “Selfie, si u bëmë kaq të marrosur pas vetes dhe çfarë trajte po marrim?” nga Will Storr, – një libër studimor, – përballesh me disa tema që të ngjallin kërshëri t’i ndërthurësh me realitetin. Vetë autori është në formatin e një studiuesi që mbledh copëza për ta paraqitur sa më të plotë panoramën para nesh.
Si fillim, trajta që ka libri është ajo e një libri me raste psikologjike, ku trajton Uni-n dhe nevojat njerëzore, pastaj sjelljet e tyre, pastaj – deri diku – shkaqet pse ndodhin këto dukuri.
Por, në një ballafaqim më të gjërë, gjatë zhvillimit të librit, autori na njeh me studime dhe kërkime nga autorë tjerë apo ai vetë, analiza që lidhen me çështjet shëndetësore, social-kulturore dhe derisa në fund, analiza e tij na jep njëfarë zgjidhjeje: Duke qenë se i përkas fushës psiko-sociale, gjëja e parë që më vjen ndërmend është t’i jap të drejtë.
E bëra këtë hyrje, jo për të analizuar këtë libër, por për të nxjerrë në pah një term shumë interesant, i cili më ngacmoi që në kapitullin e parë të librit; “përsosmëria sociale”. Autori e shpjegon kështu: Nevoja për të bërë atë që mendojmë se cilat janë pritshmëritë që ka shoqëria/komuniteti ndaj nesh. Kjo pastaj kishte disa nënkategori, mirëpo s’dua të ndalem këtu. Ajo që dua të theksoj është konkluzioni i autorit; një gjë e tillë mund të çojë në vetëlëndim ose vetëvrasje.
Po pse vjen kjo?
Duke qenë se jetojmë në një kohë me pritshmëri të shumëfishta, forma e jetës sonë ndikohet nga të gjitha variantet e jetës që na reklamohen. Mediat sociale na japin një formë perfekte të jetës, dhe ne pyesim veten: Vetëm unë nuk jam si ata? Përballja në jetën reale na hedh në turinj neglizhencë dhe indiferencë, dhe ne pyesim vetëm: Vetëm unë dua të hyj në komunikim?
Marrëdhëniet me njerëz të ndryshëm na bëjnë të njohim intriga dhe mashtrime të lloj-llojshme, dhe ne pyesim vetën: Vetëm unë dua t’i zgjidh gjërat siç duhet?
Për të mos kaluar në moralizma, vetë ne, – unë, – ndoshta edhe ti që po e lexon, e kupton se nuk ka më grupe mes “të mirëve” dhe “të këqinjve”, por jemi “të përzier”. Kjo sepse përsosmëria sociale kërkon që ne të mos marrim krah, por t’ia dalim – deri në fund: Të jemi fitimtarë.
Mediat televizive na ofrojnë një panoramë të roleve sociale në një gradë dhe nivel të paarritshëm nga shikuesit e tyre; kjo në një masë të lartë. Sepse duan që të mbushin me iluzione apo të krijojnë versione perfekte të të jetuarit.
Në Instagram sheh vetëm njerëz të bukur, të qeshur, duke shëtitur dhe duke postuar vetëm gjërat e bukura. Askush nuk hedh foto në kushte normale, duke bërë gjëra të zakonshme apo banale, apo thjesht diçka që përfaqëson emocionin real; Sepse këto nuk lajkohen, as nuk komentohen, as nuk ndahen me të tjerë dhe nuk marrin popullaritetin e pritshëm.
Sa jemi të vegjël, vihemi në presion që duhet të marrim këtë profesion apo atë profesion dhe nuk pyetemi nëse duam vërtetë të bëjmë diçka. Kur rritemi duan të marrim mbi shpinë angazhime që askush nuk na njofton për to; askush nuk na flet për to. Për rolet që shtohen nuk na parapërgatit njeri: Ose të krijuarit e një pritshmërie të tillë që s’mund ta arrijmë, ose krijon atë ftohjen me veten, saqë jo vetëm humb vetëbesimin, por edhe çdo gjë të bëhet e njëtrajshme dhe nuk të impresionon më asgjë. Marrim një punë dhe kur nuk ia dalim të mbajmë familjen apo të krijojmë imazhin e atij që është i zoti, domosdo do krijosh humnera sigurie brenda vetes.
Dua ta përmbyll me kujdesin që duhet të kemi për të kuptuar se kush ka më shumë rëndësi, të dëgjuarit e vetes dhe të jetuarit sipas një ritmi personal, apo të jetuarit e një jete sipas kërkesave të shoqërisë.
Will Storr bën këtë parashtrim: “Në 2016 përqindja e studentëve të rinj që ndiheshin “të trishtuar” ishte 51 herë më e lartë se ajo e vitit 2009”.
Librin e gjeni tek LINKU