Refleksione mbi romanin “Dielli më perëndon në lindje”, të autores Eralda Baze: Minimalizmi, regjistrat e humorit, mjeshtria ne rrefim dhe fuqia e dashurise per te bashkuar botet
Liridon Mulaj*
Rastësia, jo pak herë, është element përcaktues i marrëdhenieve tona. Mbase, dhe atëherë kur planet janë të përpikta, preferojmë t’ia lëmë ato rastësisë, si një tendencë për të mbuluar sadopak cedimet në jetën tonë. Jo rrallëherë, rastësitë na befasojnë dhe shpesh na e trandin jetën; ashtu siç, jo rrallë na prezantojnë dhe ballafaqojnë me fenomene dhe njerëz të cilët kthehen në objekte të kësaj rastësie.
E nisa këtë shkrim (jo rastësisht këtë herë) me fenomenin e rastësisë, pasi rastësia solli tek unë një libër, këtë objekt kaq jetik për mua, që më befasoi. Këto ditë më ra në dorë një roman me titull “Dielli më perëndon në lindje”, nga autorja Eralda Baze, e panjohur deri më sot për mua.
Njëfarë ideje e krijon sapo e merr romanin në dorë, një libër me kapakë të verdhë, ku si kopertinë është një pikturë e panjohur në rrymën e kubizmit. Dhe mjaftoi kjo përshtypje e parë e këtij botimi të mirëkopsitur teknikisht, që të më shtynte t’ia hap kapakët për t’u ndeshur me një befasi të vërtetë, produkt i rastësisë që nënvizova më lart.
Romani nis me një qasje operacionale kritike ndaj ambientit që na rrethon, duke luajtur edhe me kartën e groteskut, i cili theksohet duke u nxjerrë nga një plan paralel dytësor i rrëfimit siç është procesi i përkthimit të librit historik nga personazhi ynë, që rezulton të jetë dhe rrëfimtarja.
Një dyzim mes reales, së tashmes dhe së shkuarës si dy anë të një medaljeje, që personazhin tonë e sugjestionon jo pak drejt një qasjeje jo të rrekshme. Historia na lëvdon, ndërkohë ky efekt i largët në kohë nuk ia ka dalë të depërtojë në të tashmen e zhytur në kaos në një kryeqytet të zhurmshëm dhe jo dashamirës ndaj popullatës së tij, asaj popullate me dëshira të ndrydhura dhe nevoja minimaliste.
Narrativa i jep romanit një hije postmoderniste, tipik i shkruar nga një mendje ëndërrimtare, e cila prozën e saj e thur me kujdes dhe finesë; në fragmente të ndryshme më kujton shkrimtaren e njohur kroate Marica Bodrožić. Njëjtë si ajo, dhe Eralda ngjan se shkruan në heshtje të thellë rrethanore, në të vetmen lidhje mes tyre, poetika shpirtërore, ky element që i shton romanit karakterin hipnotizues. Fragmentet narrative të shkruara në veten e parë, janë të ndërtuara mbi një humor fin dhe klasik (gati-gati të zi), me një saktësi depërtuese në fenomenet dhe marrëdheniet në dukje të rëndomta, por që autorja ia del të na i servirë nëpëmjet sarkazmës dhe humorit (për fat të keq, pak të pranishme në veprat tona).
Këto i shtojnë romanit efektin ndjellës dhe e shkëpusin përfundimisht nga një “traditë” me ngjarje dhe subjekte lineare, në formë dhe stil.
Subjekti rrok temën universale dhe të përhershme të vetmisë njerëzore, e përcjellë me humor gati-gati përbuzës, cilësi e një karakteri të fortë të imponuar nga rrethanat e mijëvjeçarit të ri, duke e përmbysur kështu mënyrën e transmetimit tek lexuesi, nga trishtimi i vetmisë në përbuzjen e saj.
Romani ndjek një udhëtim të Erës – personazhi kryesor që rrëfen në veten e parë – në Egjipt, e caktuar me detyrë nga shefi i kompanisë ku punon. Frika e saj kundrejt një bote tjetër, që gjallon e zhytur mes kaosit dhe luftës fetare, është legjitime. Madje, kjo frikë e kthyer në histerizëm nuk e le të qetë as në avion, teksa aty ndodhin ngjarje krejt të zakonta të shndërruara në të pazakonta në syrin e personazhit tonë (skena, të cilat shpesh të kujtojnë personazhet e Sex and the City).
Nëpërmjet sarkazmës therëse, këtij elementi kaq të hijshëm të këtij romani, na vjen imtësisht Kairo me rrugët e pista dhe me lypësit e shumtë të cilët dalëngadalë kalojnë në plan të dytë, duke ia lënë vendin një personazhi hipnotizues dhe tejet karizmatik si Adili, i cili përfaqëson natyrën dashamirëse të një populli shpesh të mbërthyer në tragjizma.
Përplasjet e individëve që vijnë nga popuj të ndryshëm – gjeografikisht të largët, por jo sa për t’i shpëtuar amalgamimit të rracave si një zanafillë e globalizmit të sotëm – në një kombinim të gjetur mes dy rracave të personazheve, egjiptianë dhe shqiptarë, nëpërmjet dy mbretërve, Farukut dhe Mehmet Pashës, njëri shkatërrues dhe tjetri ndërtues i shtetit Egjiptian, sërish si dy anë të medaljes.
Që në fillimet e romanit, linja ndjellëse është flirti, i cili më pas shndërrohet në dashuri përcjellë me një rrëfim që nënfsheh frikën legjitime nga e ndryshmja, por dhe tisin universal që dashuria mban rreth vetes – dyshimin. Era dhe Miladi, një histori dashurie plot peripeci dhe të fshehta. Në roman, dhimbja, lotët, zhgënjimet dhe çdo përjetim i fortë – të ditura për njeriun – vijnë të rrëfyer me një frymë organike, ndërsa sfidohen me humor dhe moskokëçarje.
Një roman labirint, i cili pështjell gënjeshtra, mashtrim, vetëkënaqësi, lumturi (shpesh tek objekte minimaliste, si një filxhan me makiato) dhe dallimet mes dy botëve. Sado të largëta këto botë, dallimet i zhbën ndjenja sublime – dashuria, dhe ua vë vulën përjetimi sipëror – dhimbja.
Duke lexuar faqet e këtij libri, do të qeshni, do të qani dhe, shpesh, do të ndaleni për të reflektuar. Në mos të përafrohet vetja, do të të fanepset një mik a një mike, një i afërm diku, i cili të shfaqet dallueshëm në konstelacionin e një realiteti dramatik, por me një dritë të re – nëpërmjet humorit brilant.
Romani “Dielli më perëndon në lindje” i autores Eralda Baze, më ndërmendi aksiomën: “S’ka asgjë më serioze, se humori”.
*Artikulli është botuar në gazetën Liberale
Librin e gjeni online tek Bukinist.al