Romani shqip 2021, ja 7 librat ne garen e votimit online

Illustration of a long shadow personal computer with a hand inserting an envelope in a ballot box

Leximtari dhe Bukinist.al organizojne votimin online per romanin shqip me te mire, hedhur ne qarkullim nga shtepite botuese gjate vitit te kaluar: Ne gare jane: Ridvan Dibra, Ag Apolloni, Agron Tufa, Tom Kuka, Lea Ypi, Zija Cela dhe Eralda Baze

Viti 2021 shënoi prurje cilësore në zhanrin e romanit shqip, qoftë nga autorët e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe, por edhe nga autorë të rinj. Emra si Ridvan Dibra, Agron Tufa, Zija Cela apo Tom Kuka (Enkel Demi) botuan romane të cilat e kanë rritur cilësisht prozën e gjatë shqipe.

Mes botimeve të hedhura në qarkullim vitin e kaluar, Bukinist dhe Leximtari kanë veçuar edhe tre emra të rinj: Studiesin Ag Apolloni, pedagogen dhe teoricienten e shkencave politike Lea Ypi, e cila prej shumë vitesh jeton në Londër dhe autoren e re Eralda Baze.

Pas ndjekjes së vëmendshme të të gjithë prurjeve romanore, ne kemi vendosur që të përzgjedhim këto shtatë autorë, për të cilët lexuesi mund të votojë online tek linku:

Gara përfundon më 22 prill 2022, kur edhe do të shpallin romancierin më të mirë shqiptarë, të zgjedhur përmes votimit online nga lexuesit.  

Më poshtë gjeni 7 romanet që janë në garë:

Gruaja që deshe” nga Ridvan Dibra, botuar nga Onufri

Adreas Dushi shkruan: Kur mbaron së lexuari tekstin Gruaja që deshe, një trishtim i lehtë si puhizë vjeshte t’i mbulon sytë në mbyllje, ngase pas një ngjarjeje të veçantë, e cila ia del ta thyejë përditshmërinë, i kthehesh prapë asaj, me pezmin e mbledhur në grykë që nga tash sërish gjithçka është njëlloj. Kështu, të vjen keq, mbasi për ndoca orë, ndoshta edhe ditë, mespërmes një tisi të hollë prej qelqi rrezja dritnuese e këtij teksti ka kaluar krejt e qetë jo për të hyrë në sy, por në zemër e, njëkohshëm, edhe në mendje. Të gjitha elementet e tekstit qëndrojnë në balancë: një floknajë e lehtë dëbore të mbështillet si pelerinë e akullt, por, sapo fillon të kesh ftohtë, ndihet flaka e oxhakut e cila e shkrin e të ngroh. Ja kështu e gjithë struktura, ndërtuar mbi vetën e dytë, çka e kthen lexuesin në bashkautor. Kam përshtypjen se një tekst i tillë, kaq i pasur me emocione, tejet ndjellës në përfytyrime e ëndërrime, herë mbas here mund të rrezikojë me i përngja prozës poetike. Por jo! Gruaja… mbetet prozë e panjollë, e patëmetë dhe sigurisht, e patëdytë.

Një fije shprese, një fije shkrepëse” nga Ag Apolloni, – botuar nga Skanderbeg Books 

Akademiku Rexhep Qosja shprehet: “Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fi je shprese, një fi je shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive”.

“Ngjizja e papërlyeme” nga Agron Tufa, – botuar nga Onufri 

Romani tetralogjik i Agron Tufës “Ngjizja e papërlyeme” është një sagë rrëqethëse e shoqërisë shqiptare në fillim të viteve ’60, fill pas prishjes me BRSS-në, që nis me zhburrnimin e bashkëshortëve shqiptarë, të cilët Partia i detyroi të ndajnë gratë e tyre ruse dhe të prishnin familjet e krijuara me to. Nis kështu izolimi, lufta e klasave dhe projekti i skllavërimit të plotë të individit. Në qendër të tetralogjisë është fati tragjik i aktores së re, Ljuba Borisovna, së cilës i pushkatojnë të shoqin inxhinier-gjeolog: ai ka shkruar një roman autobiografik “armiqësor”, dorëshkrimin e të cilit Ljuba e gatuan dhe e ha në kushtet e një tronditjeje të madhe dhe prej të cilit, paradoksalisht, mbetet shtatzënë.

“Flama” nga Tom Kuka (Enkel Demi), – botuar nga Pegi           

Ky është rikthimi i Di Himës, kryehetuesit të Tiranës, me të cilin lexuesi është njohur në novelën e parë “Hide mbi kalldrëm”. Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, mynxyra e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë.

Kurbatkës së Bregut të Lumit, që sheh filxhan dhe ua nxjerr në shesh të palarat njerëzve, i kanë prerë grykën me brisk. Di Himës i duhet të zbulojë vrasësin dhe motivet që e kanë shtyrë atë deri në këtë mizori. Të jetë vallë një hakmarrje e thjeshtë? Apo gjëma shkon përtej pafajësisë së një filxhani?

Teksa Di Hima heton, na shpaloset përpara syve një mjerim i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror. Njerëz që nuk duan të njohin rrënjët e tyre, të shkuarën e tyre; gra që shiten e blihen në pazar për hiçmosgjë, njerëz të kulturës që i kanë duart e lidhura në gjithë atë zallahi, mjekë që përplasen me realitete të paimagjinueshme, njerëz të lirë si banorët e Bregut të Lumit, që prapë mbeten me disa parime brenda për brenda “shthurjes” së tyre.

I ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit.

Di Hima, si një tjetër Doktor Gjilpëra, kërkon të gjejë një vrasës, kurse qytetit po i merret fryma nga morti. Tom Kuka mbush karron e tij me trupat e lëngatës së Flamës, ndërsa dikush vret për të mbuluar mëkatin nga rrjedh e gjithë llahtara.

Një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.

“Gjaku i dallëndyshes” nga Zija Çela, – botuar nga Onufri        

Akademik Mehmet Kraja shkruan: Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur shumica e shkrimtarëve shqiptarë përfshihen nga dilemat e kthesës së madhe, Zija Çelën e gjejmë ta ketë shpallur tashmë programin e tij letrar. Atë nuk e huton tranzicioni i rrëmujshëm. I çliruar nga shtrëngesat e realizmit socialist, ai do të realizojë ciklin e parë të romaneve të rëndësishme (“Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”), me të cilat do të bëhet model i frymës së re në prozën shqipe.

“Të lirë” nga Lea Ypi, – botuar nga “Dudaj”       

Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve. Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ‘80 në Shqipërinë e komunizmit, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është gjithashtu në kërkim të lirisë. Në libër flitet për në fëmijë shumë të zakonshëm që rritet në një ambient të jashtëzakonshëm dhe kupton në dalje të fëmijërisë se këto dy botëkuptime ishin të kundërta. Nga njëra anë mësimet morale në shkollë dhe nga ana tjetër bisedat e fshehta dhe të censuruara në familje. Ky është pasazhi traumatik për të cilin flet libri, i një fëmijë që kur kalon në adoleshencë që kupton se shkolla dhe familja të çonin në drejtime të kundërta. Ndërkohë që edhe shteti përjetonte të njëjtën traumë. Më kujtohet edhe një lloj hutimi kolektiv i përjetimit të shoqërisë shqiptare. Mësuese Nora është një personazh i rëndësishëm në libër, e cila siç shprehet Lea ka qenë një nga burimet e formimit të saj.

“Dielli më perëndon në Lindje” nga Eralda Baze, – botuar nga Schnell

Ky roman shënon një sprovë të rëndësishëm për letërsinë feministe shqiptare: Eralda Baze vjen me librin e parë për lexuesit, por përmes këtij romani shpalos mjeshtri në rrëfim, guxim në thyerjen e tabuve, zhdërvjelltësi në ngritjen në art të gjuhës dhe mendësisë së “rrugës”, kulturë në profilizimin e realitetit dhe personazheve, sidomos femrave, – të cilat kthehen në viktima të një bote të egër dhe tejet intrigante.

Për pesë kategoritë e tjera të librave mund të votoni si më poshtë:

Libri për fëmijë

Romani i përkthyer

Poezia shqipe

Libri non-fiction

Libri i zhvillimit personal

Votuesit fitojnë një kupon për të blerë libra tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *