Genjeshtaret qe ma bene jeten me te bukur

Në foto: Dea Aliaj, në ceremoninë e shpalljes së fituesve të konkursit Jam Libër, në mjediset e COD

Përshtypje rreth librit Ne ishim gënjeshtarët të autores Emily Lockhart, sjellë në shqip nga Anila Duka dhe hedhur në qarkullim nga enti botues Bota Shqiptare

Dea Aliaj*

Unë quhem Dea Aliaj, jam 14 vjeçe dhe banoj në Tiranë. Ky është përshkrimi për librin tim të preferuar dhe besoj se gjëja e vetme që mund të them është që shpresoj ta shijoni!

Ne ishim gënjeshtarët” është jo vetëm libri im i preferuar, por një nga gjërat më të bukura që më ka rënë në dorë ndonjëherë. Do ta përshkruaja si rastësia më e mahnitshme që kam përjetuar në jetën time. Është një libër që të bën ta harrosh realitetin; të bën të harrosh çdo grimcë reale dhe arrin të të çojë në një botë krejt të re, krejt ndryshe nga ajo ku ndodhesh…

Nëse do ta përmblidhja librin në vija të trasha, atëherë do të thoja se flet për nje vajzë, një aksident, një romancë e papranuar ndonjëherë, marrëdhënie të shkatërruara, intriga dhe plot sekrete që do të dalin sheshit…

Kejdëns Sinkler është një vajzë adoleshente, e cila çdo verë i kalon pushimet verore në ishullin privat të gjyshit të saj. Edhe pse një familje e pasur ajo e gjyshit të saj, ajo fsheh plot sekrete, plot intriga, lojëra për interesa, dhe le të themi se ky ishull mban në vetvete vetë atë që ne e quajmë lakmi: Mund të bësh çdo gjë për të arritur ato që do dhe vihet re se ndershmëria është një fjalë e panjohur për këta njerëz…

Një grup adoleshentësh, një romancë, dhe lumturia e të gjithëve mund të shkatërrohen nga momenti në moment. Koha duket sikur ka peshën më të rëndë: Duket sikur ajo sa vjen e shpejtohet. Një aksident, një mister që duhet zbuluar, dhe duket sikur imagjinata dhe realiteti, gënjeshtra dhe e vërteta, ndershmëria dhe e padrejta, dashuria dhe urrejtja bëhen njësh me njëra-tjetrën. Duket sikur shkrimtarja Lockhart ka dashur të na trondisë duke na paraqitur këtë libër që sado paradoksal, i ngatërrueshëm dhe për disa mund të duket i pakuptueshëm, është më real se vetë realiteti, se vetë ajo që na rrethon dhe na shoqëron në çdo minutë apo sekondë…

E çuditshmja është se sa rastësisht ky libër ka arritur në duart e mia: Ky roman kishte vite që rrinte i qetë aty, në raftet e bibliotekës, pa bërë zhurmë, dhe dukej sikur ishte qetësia e tij që binte më shumë në sy. Nëse në raftet e bibliotekës ti mund të gjeje Remarkun, Gogolin, Shekspirin, etj., të cilët të bënin thirrje me emrat e tyre, me famën që ata kanë korrur ndër vite dhe madhështinë e artit që ata kanë vendosur në letër, aty ishte dhe ky libër “Ne ishim gënjeshtarët”. Sigurisht që dhe ata tituj fisnikësh janë të mrekullueshëm; nuk po përpiqem aspak t’ua ul vlerën dhe pse mund të tingëllojë në këtë mënyrë, por ky libër, pa e lexuar fare, pa e prekur fare, bënte diferencën në lidhje me të tjerët.

Nuk kisha dëgjuar kurrë dikë të fliste për atë, apo edhe t’ia përmendte emrin. Për mua, ishte krejt i panjohur, dhe mendoj se kjo ishte ajo që më shtyu ta lexoja…E di, ndonjëherë ngasja e humnerës është më e thellë seç mund të vetëpërfytyrohet ajo…Dhe pikërisht ajo rri aty; – për dikë mund të jetë veç një ndjenjë e padukshme, e paprekshme, dhe për disa të tjerë ajo është aq e dëshirueshme dhe aq e tundueshme…pikërisht si ky roman…

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë që e përfundova, ndërmjet librave, romanëve, klasikëve, kreyveprave. Ishte një mbrëmje dimri, ku dukej sikur minutat sa vinin e zgjateshin akoma më shumë. Nuk dëgjohej asgjë tjetër përveçse pikave të shiut të cilat përplaseshin butësisht pas xhamit. Ato qëndronin aty, a thua sikur të ishin kurioze për atë që do të ndodhte. Ndoshta, ku i dihet, mbase ishin në pritje që të ndodhte diçka, e cila do të ndryshonte atë gjendje të nderë që dukej sikur nënshtrohej akoma më shumë nga minutat therrëse e të lodhshme. Ishte pikërisht ora tetë e darkës kur ai libër gjendej mbi tavolinën time.

Epo, të them të drejten, i dha një kontrast tepër të këndshëm e gjallërues tavolinës së zezë, e cila qëndronte dëshpëruese aty. E mora librin në duar dhe fillova ta studioja atë: studiova titullin, çmimet e marra, kopertinën, mbishkrimet, ngjyrat e përdorura, etj. Isha veçse 8 vjeçe kur thashë se ky libër më dukej interesant dhe e vendosa midis “Doktor Zhivagos” së mahnitshëm dhe “Zonjës Bovari”-së së mrekullueshme. Epo, nuk e dija që do të duheshin dhe 6 vite të tjera derisa ky libër të përfundonte përsëri midis gishtërinjëve të mi…

Foto ilustruese

Epo, ditët kalonin, kurioziteti u shua dhe ky roman u harrua. Ishte një pasdite shkurti kur vendosa të lexoja një libër të çfarëdoshëm ndër gjithë ata që gjenden aty nëpër rafte. Kishin kaluar 6 vite qëkur e kisha parë atë libër për herë të parë. Titulli i tij kishte kaluar dhe herë të tjera shkarazi nëpër sytë e mi, por siç duket nuk ia kishte dalë të më tërhiqte vëmendjen; ose, ndoshta ai e dinte se duhej pritur për momentin e duhur dhe ajo pasdite ishte pikërisht çasti goditës, por kjo është veçse një hipotezë e imja, mos ma merrni për të mirëqenë.

Ndihesha bosh dhe e dija që duhej diçka, një shkëndijë, apo një gjë e çfarëdoshme që të ma mbushte shpirtin plot. Kisha nevojë për diçka të re; jo për një aventurë fëmijësh, apo përrallë me funde të lumtura…Dëshiroja tronditje. Ndihesha e lodhur nga librat tipikë për moshën tonë. Isha mësuar me librat me funde të lumtura, ku e mira e mposht të keqen; ku ndershmëria fiton, ku e vërteta është një virtyt për secilin prej nesh, ku nuk duhet të jemi lakmitarë, etj. Këta libra më dukeshin tepër fëminorë, – të them të drejtën, – edhe pse të bukur. Edhe tani, ashtu më duken! A nuk është e çuditshme se si gjithonë përpiqen të na mësojnë, e të na japin këshilla se si duhet të jemi e të sillemi; se si e mira dhe e drejta triumfojnë gjithmonë?! Të gjitha këto mesazhe ishin të bukura dhe shpresëdhënëse, por doja diçka më reale, më të prekshme dhe diçka që është aty çdo ditë me ne: Ngado që i hedhim sytë ajo gjendet aty, në çdo grimcë e në çdo objekt. Doja diçka që të përfaqësonte realitetin dhe ky libër, ishte i duhuri…

E mora dhe shkova në dhomë të lexoja. Lexova faqen e parë, të dytën, të tretën e kështu me radhë. Përshkrimi dhe thjeshtësia në të shkruar ishin ato që më tërhoqën më shumë. Dhoma m’u kthye në një plazh të shkretuar, ku përpara deti të lagte ëmbëlsisht këmbët. Nuk kishte asnjë njeri, përveç atyre 4 gënjeshtarëve. Arrita të dalloja Mirenin me pamjen e saj tërheqëse, e cila dukej aq e qeshur dhe e ëmbël. Aty pranë qëndronin 2 djem: Ishte Xhoni me flokët e verdhë e të shpupuritur. Dukej që ishte një Sinkler i vërtetë: E dalloja këtë gjë tek sytë e tij dhe krenaria që e karakterizonte. Dhe pranë tij, Gati, brun, me flokë e sy kafë, të cilët dukeshin aq të thellë, jo për shkak të ngjyrës së kaftë, por për shkak të asaj që ato përcillnin.

Dukej se fshihnin e mbanin në vetvete shumë fjalë, shumë mendime, shumë ndjenja të pathëna, saqë sytë më ngelën pikërisht tek ai. Pak më tutje, pashë një vajzë bjonde; dukej e hedhur dhe e lumtur sa më s’ka, por sytë e saj, – ndryshe nga ato të së tjerëve, – ishin të fokusuar tjetërkund. Ato po shihnin Gatin, por ajo që  më bëri përshtypje nuk ishte fokusimi i syve të saj: Ishte mënyra e shikimit. Dukej aq i sinqertë dhe aq i lumtur; dukej sikur në çdo frymëmarrje që dilte prej saj qëndronte dhe emri i Gatit.

Mund ta dalloja lumturinë dhe dashurinë në sytë e saj. Katër adoleshentët dukeshin aq të lumtur me njëri-tjetrin, aq të sinqertë e aq të hapur. Unë i shihja, por ata mua jo. Them se kjo gjë ndodhte për shkak se ata ishin pjellë e imagjinatës time. Por, dhe pse ata nuk më ndjenin, unë isha aty; isha bërë njësh me ata. Shkoja ku shkonin ata, por nuk flisja…Kurrë nuk i dihet, mund edhe të më dëgjonin apo ta ndjenin praninë time dhe nuk doja ta prishja atë atmosferë.

Tashmë, kisha dalë nga dhoma ime e vogël katrore dhe ndodhesha në një vend shumë herë më të madh, ku kufijtë ishin një term i panjohur dhe që nuk ekzistonte për atë botë. Njoha ishullin; u miqësova me familjen Sinkler dhe arrita t’i shihja e t’i studioja ata nga këndvështrime të ndryshme. Dilja ditë për ditë me 4 gënjeshtarët e mi, por edhe pse ata nuk e dinin që kishin një mysafir të paftuar, më pëlqente tek i dëgjoja bisedat e tyre plot të qeshura, plot gjallëri e lumturi, plot ndjenja e emocione.

Megjithatë, pjesët e preferuara të këtyre ditëve për mua ishin netëve të vona, ku Gati dhe Kejdënsi rrinin bashkë, larg të tjerëve, larg fjalëve, larg çdo gjëje. Më pëlqente kur shumë shikime dhe vepra mund të zëvendësonin 1000 fjalë, ku dashuria dukej sikur mbërthente gjithë ajrin përreth dhe i jepte një aromë më të mirë, e cila të kënaqte shpirtin. Arrija të dëgjoja dhe të shikoja çdo gjë që ndodhte…

Por, kjo nuk është një histori dashurie; as një histori me fund të lumtur: Është një histori ku do të mësojmë se si lakmia, paraja, interesi mund të të shkatërrojnë jetën dhe të të vjedhin gjërat më të bukura që ajo të ka falur. Do të shohim se vetëm kur i humbet gjërat më madhështore që njeriu mund të ketë, arrin t’i duash dhe t’i vlerësosh ato. Është e trishtueshme se si Gati nuk përfundoi me Kejdënsin, se si familja u përça nga hyrja e interesave dhe lakmisë në mes, se si ata 4 genjeshtarët, 4 të dashurit e mi nuk u panë më kurrë. Akoma më e trishtueshme është se si nuk do të vijnë më kurrë ato ditët kur ne të pestë rrinim aty, pranë plazhit ku errësira na bashkonte dhe hëna na xhelozonte; se si miqësia dhe marrëdhënia jonë dukej aq perfekte. Aty ku ne duke parë nga deti, dëgjonim dhe flisnim për ëndërrat tona, për kujtime së të shkuarës, përveç meje. Më pëlqente t’i dëgjoja e t’i shihja përgjithmonë aq të lumtur…derisa vdekja t’i ndante…

Për një 14- vjeçare kjo fjalë do të dukej shumë e madhe, dhe ndoshta e tepërt, por e vërteta është se rashë në dashuri: Rashë në dashuri me miqësinë e Mirenit, Xhonit, Gatit dhe Kejdënsit: Rashë në dashuri me të qeshurat e tyre; me sinqeritetin dhe rehatinë që ndjenin kur ishin përkrahë njëri-tjetrit: Me luftën që ata duhej të përballonin dhe të luftonin ditë për ditë për të qenë me njëri-tjetrin: Rashë brenda me dashurinë e Gatit dhe Kejdënsit; me sinqeritetin që e karakterizonte “marrëdhënien” e tyre; me luftën që ata bënin kundra të tjerëve për të qenë bashkë. Rashë në dashuri me çdo gjë; madje, dhe me detin, dhe me lulet, dhe me pemët.

Ishte me të vërtetë një libër aq madhështor, aq i vërtetë dhe dua të jem e sinqertë, por nuk arrij t’i gjejë fjalët e duhura për ta përshkruar siç duhet dhe siç e meriton ky roman. Mund të duket tepër e çuditshme, por më ndryshoi perspektivën e jetës, më ndryshoi mua si person dhe sesi e shoh unë jetën dhe çdo gjë tjetër që lidhet me të. Më mësoi se miqësia e vërtetë është me të vërtetë një luftë ku duhet të luftosh për ta mbajtur gjallë atë: Më mësoi se ndonjëherë gjëja me logjike që duhet të bësh është të stoposh mendjen dhe të ndjekësh zemrën: Më mësoi se jeta dhe njerëzit që na rrethojnë nuk janë gjithmonë aq të përsosur, të lumtur e të mirë sa duken.

Gjithmonë duhet të jesh dyshues ndaj gjërave që duken perfekte, sepse perfeksioni është thjesht një term që shpjegon se ai nuk ekzison; se janë defektet ato që e bëjnë të bukur dikë apo diçka: Kuptova se të dashurosh nuk është kurrë gabim dhe diçka për të cilën duhet të kesh frikë apo turp. Ajo është diçka për të cilën duhet të luftosh për ta mbajtur gjallë. Paaftësia për të qenë dikushi në jetë të çon drejt lakmisë dhe lakmia drejt shkatërrimit të gjihçkaje. Mësova se jeta nuk duhet marrë aq seriozisht: Nuk është gabim të duash, të qeshësh, të ndihesh vetvetja, apo të bësh atë që do. Lumturia nuk është të jesh i pasur a të mos jesh; lumturia lidhet me ata që na rrethojnë dhe jemi ne ata që ja mundësojmë lumturinë vetes. Oh, mund të flas pafund për ktë libër…

Imazh nga libri i botuar në gjuhën angleze

Ajo që më impresioni më tepër ishin personazhet: Janë aq realë dhe aq të vërtetë. Ndoshta ne nuk arrijmë ta vërejmë, por ata janë çdo ditë kudo përreth nesh: Ata shkojnë e vijnë çdo ditë; kalojnë pranë nesh; disa mund t’i njohim e disa të tjerë jo. Kudo që i hedhim sytë na rrethojnë njerëz negativë, lakmitarë, të pandershëm e të pavërtetë. Shumë prej tyre mund të na duken miqtë tanë më të mirë, mund të na duken njerëzit më të ndershëm e më real, por jo, e vërteta është se të rrallë janë njerëzit që do të na donin me të vërtetë e do të luftonin për ne.

4 gënjeshtarët janë shembulli më real që mund të gjeja. Me të vërtetë, ata janë thjesht një grup adoleshentësh, të cilët realisht nuk arrijnë ta kuptojnë jetën deri në brendësi të saj, por ata, – ndryshe nga të tjerët, – veprojnë me ndjenja dhe kjo është e bukura e tyre. Ata do të jepnin dhe jetën për njëri- tjetrin, sepse ata duhen sinqerisht. Do të sakrifikonin çdo gjë veç për të qenë bashkë, pranë njëri-tjetrit. Për herë të parë në jetën time, arrita të mësoja se çfarë është miqësia e vërtetë; se çdo të thotë ta duash aq shumë dikë sa të bësh gjithçka për të: Arrita të shihja dhe të përjetoja ndjesira që nuk i kisha përjetuar kurrë më parë.

Personazhi im i preferuar dhe ai me të cilin unë ngjaj më shumë është Gati: Është një djalë që i fiton gjërat me djersën e vetë: E urren padrejtësinë dhe paragjykimin: I do librat dhe jetën: I urren gjërat sipërfaqësore dhe mendimet e cekëta. Mendja e tij është plot e përplot me gjëra të pathëna, jo sepse ndihet i turpëruar t’i shprehi ato, por sepse nuk e dëgjon askush: I pëlqen të rrijë me njerëzit që do më shumë, – veçanërisht me Kejdënsin – dhe t’i pranojë gjërat ashtu siç janë: Është krenar për atë që është dhe askush nuk mund ta ulë atë. Do të ishte tepër ironike të thoja që  e dua këtë personazh, por realisht e adhuroj jashtëzakonisht shumë për thjeshtësinë që ai përfaqëson dhe për mënyrën e të menduarit dhe mënyrën se si ai e sheh jetën. Është personazhi me të cilin u lidha shpirtërisht për këto cilësi dhe shumë të tjera karakterizuese të tij.

Ndoshtja, jam e vetmja, ndoshta jo, por jam një njeri që lidhem shumë shpirtërisht me librat. Kam qeshur kur personazhet kanë qeshur, kam qarë kur i kam parë ata në gjendjen e tyre më të keqe; kam qenë aty për ta duke i shtrënguar fort pas vetes kur ata kanë patur nevojë për dikë afër. Ata ndoshta nuk e kanë kuptuar ende, por çdo natë kam qenë aty në krahë të tyre, duke iu thënë se sa shumë i dua dhe i vlerësoj; se sa më të bukur ma kanë bërë jetën dhe se sa kam mësuar prej tyre. E di që s’më njohin, por duhet me të vërtetë ta kuptojnë se aty jashtë botës së tyre është dikush që i do më shumë se vetë veten, më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

E di, ky libër më ka dhënë pafund emocione, pafund mësime dhe ndjesi: Më ka bërë të qesh, të qaj pafund, të gëzoj, të  trishtohem, por më tepër më ka bërë të ndjehem e lirë, sepse kur e kam lexuar këtë libër ka qenë thjesht libri perfekt, në momentin e duhur: Më ka bërë të ndihem aq e lumtur që e kam lexuar. Ndoshta personazhet nuk e kanë kuptuar, me shumë shance as faqet e librit të cilat kalonin natyrshëm duke u kthyer para e mbrapa, por shpesh herë tek mbyllja sytë thoja se ky libër ishte rastësia më e bukur që më kishte ndodhur.

E kam mbaruar këtë libër për pesë orë, të cilat mu dukën sikur kishin humbur në humnerën e kohës. Fjalët, deti, mali, lulet, shkurret, ata të katërt, çdo gjë më fluturonte brenda mendjes. Realiteti më dukej i mërzitshëm krahasuar me këtë botë: Deti më dukej i prekshëm, sikur dallgët e tij më ledhatonin lëkurën e më ftonin që të rrija përgjithmonë aty, me ta; me 4 gënjeshtarët, me 4 miqtë e mi. Hëna dukej sikur më përkëdhelte flokët, dhe më qëndronte aty pranë duke më bërë miqësi nëse ndihesha vetëm për shkak se ajo më shihte që s’flisja dhe veç kundroja të tjerët, por, i thoja se ndihesha si në shtëpi…kjo ishte ndjesia që po kërkoja…

Tani bëhen 3 muaj qëkur e kam lexuar këtë libër. Pas tij, kam lexuar dhe shumë libra të tjerë. Nuk shkon një ditë pa menduar për gënjeshtarët e mi të shtrenjtë, për aventurat që kemi kaluar bashkë, për bisedat e bëra dhe për sekretet tona që kemi thënë midis njëri-tjetrit dhe për ndjesinë e ngrohtë që miqësia e tyre më ka dhënë…Mbrapa meje, – teksa po shkruaj këtu, – dëgjoj pëshpërimat e librave që përpiqen të më tërheqin vëmendjen. E kuptoj që duan të shfletohen nga unë, duan që t’i ndjejë e t’i dua po me atë dashuri që i kam dhënë gënjeshtarëve të mi.

Sapo ktheva kokën në këto momente duke i vërejtur të gjithë me rradhë, por përsëri vëmendja ime tërhiqet nga libri aty mes “Doktor Zhivagos” dhe “Zonjës Bovari”, i cili s’po flet aspak; rri e më sheh me admirim, më qesh duke më parë aq me vëmendje dhe arrij të kuptoj se çfarëdo libri të jetë ai i rradhës që do të lexojë nesër, prap së prap gënjeshtarët e mi do të jenë përgjithmonë të pazëvendësueshëm dhe aroma e shtëpisë nuk do të jetë kurrë aq e ngrohtë sa ajo e këtij libri…

Ja pra, një libër krejt i panjohur u bë një udhërrëfyes i dikujt; ndoshta dhe unë një ditë mund të bëhem udhërrëfyesja e dikujt…

Kjo përshtypje fitoi vendin e parë në konkursin “Jam Libër”, organizuar nga Bukinist.al dhe Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) me rastin e Ditës Botërore të Librit, në garën mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare

Autorja është nxënëse e klasës VIII, në shkollën Naim Frashëri, në Tiranë

Librin e gjeni online tek Bukinist.al

Kopertina e librit Ne ishim gënjeshtarët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *