Libri me i mire i 2021, – ja 6 autoret fitues

Pas dy muajsh votimi online tek blogu Leximtari, dalin botimet më të mira në kategoritë e librit për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, botimet non-fiction dhe librat e zhvillimit personal

Platforma më e madhe e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari.al mbyllen votimin online për librin më të mirë, hedhur në qarkullim gjatë vitit 2021 nga shtëpitë botuese shqiptare. Tashmë, kemi fituesit në kategoritë: Libri për fëmijë, Revj Dervishi, me librin “Letra në ishull”, poezia shqipe me librin “Në orën moderne të perëndive” të Nurie Emrullait; në romanin shqip, me librin “Dielli më perëndon në Lindje”, të autores Eralda Baze, me romanin e përkthyer nga Alina Karaulli, “Me lumin midis” të autorit kenian Ngugi Wa Thiong’o, me botimin non-fiction “Njeriu fëmijë” të akademik Artan Fugës dhe me librin e zhvillimit personal, “Parime”, të Ray Dalios, përkthyer dhe botuar nga David Hudhri i “Minerva”.  

Këto gjashtë libra janë përzgjedhur nga vetë lexuesit tanë, në votimin e përgatitur nga ekipi i Bukinist.al, ku ishin listuar 7 botime për secilën prej këtyre kategorive. Votimi ka nisur më datë 16 shkurt dhe ka përfunduar më 2 prill, – në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë – për kategorinë e librave për fëmijë, – dhe për pesë kategori të tjera ka përfunduar më datë 22 prill, ora 23.59. Në mjediset e Panairit “Ditët e Librit”, në qendrën Toptani, në zemër të Tiranës, – menaxheri i Bukinist.al. Albert Gjoka, bëri të ditur librat që morën më shumë vota në secilën prej kategorive të listuara për votim.

Por, për më shumë, le të bëjmë një ndalesë tek secila kategori:

I- LIBRI PËR FËMIJË – “Letra në ishull” nga Rejv Dervishi, botuar nga Mediaprint

Autori është vetëm 15 vjeç dhe sjell tematikën e nxehtë të largësisë mes fëmijëve dhe prindërve. Një djalë që vihet në kërkim të të atit. Dallgët e jetës e çojnë në një ishull kur dalë nga dalë zbulon të fshehtën më të madhe të jetës së tij dhe zgjidh enigmën që e stërmundonte. Ky libër është një robinsonatë e bukur për rigjetjen e prindërve në kohën kur familja ndodhet në krizë dhe ku marrëdhëniet janë zbehur për shkaqe të shumta sociale.

Ky libër e ka kaluar filtrin e parë duke u përzgjedhur mes botimeve më të mira për fëmijë gjatë periudhës së karantinës. Përgatitja e librit nën redaktimin e autorës së njohur të letrave për fëmijë, Adelina Mamaqi, dhe rekomandimi që ka bërë ajo, e bëjnë më të veçantë dhe më të suksesshëm komunikimin e këtij libri me lexuesit e vegjël dhe më gjerë. Tashmë, ky libër është vlerësuar edhe nga votuesit tanë, duke u shpallur libri më i mirë për fëmijë, i botuar gjatë vitit 2021.

II- POEZIA SHQIPE – “Në orën moderne të perëndive” i autores Nurie Emrullait, botuar nga Onufri

Me dy përmbledhjet poetike, Nurie Emrullai ka krijuar tashmë lexuesit e vargut të saj, – të cilët e vlerësojnë për mjeshtrinë e teknikave poetike, për ndjeshmërinë e hollë dhe për aftësinë për të bërë për vete njerëzit që e duan këtë zhanër në këtë kohë kritike. “Në orën moderne të perëndive” ishte i listuar mes 7 prurjeve më të mira që janë hedhur në qarkullim gjatë vitit 2021, ku pati një garë të fortë edhe me veprat e poetëve të tjerë si Ardita Jatru, Rudolf Marku, etj. Deri më tani Nuria ka botuar tri përmbledhje poetike: “Për gjysmën tjetër të hënës” (Syth, Tetovë, 2019), “Vargmale nën dhe” (Onufri, Tiranë, 2020) dhe botimin që tashmë është listuar si prurja më e mirë e vitit 2021 në zhanrin e poezisë nga lexuesit e Bukinist.al.

Fituese e “Fondit për mbështetjen letrare të të rinjve” nga QKLL E tëre” poezia e Nuries është në thelb dashuri, një dashuri që e shumfishon veten. Madje edhe zgjatimet e inatit e protestës ndaj mendësisë “maçiste”, ndaj fatthënës kursimtare kundruall gruas, s’janë veçse prodhime të një dashurie elementare, të një dashurie që e sheh me keqardhje botën e dalë boje e që vjen si grumbullim i vjetër, i brezit të gjyshes, i brezit të nënës, e madje edhe i vetë subjektit lirik, kësaj çupëline që duhet të ketë qenë e rritur përpara se të zvogëlohej.

Autorë dhe studiues të njohur si Virion Graçi, Fatmir Sulejmani, Halil Matoshi, Ejup Ajdini, Vjollcë Berisha, etj., e kanë vlerësuar vargun e poetes nga Kërçova, në Maqedoninë e Veriut.

III- ROMANI SHQIP – “Dielli më perëndon në Lindje” i autores Eralda Baze, botuar nga Schnell

Ky roman është vlerësuar më së shumti nga lexuesit e specializuar, por padyshim që mbetet ndër surprizat më të bukura të vitit 2021: Një autore e re që rrëfen mjeshtrisht gjendjen tonë postmoderne. – Një roman që trajton me thellësi pamundësinë e realizimit të të rinjëve, dramën që po përjetojnë dhe tranzionin e dhimbshëm përkundër përpjekjeve që bëjnë për të shpalosur potencialin e tyre, për të përfituar aftësi profesionale dhe përtej zellit për të qenë individë me kulturë dhe me energji për të kontribuar për vendin e tyre. Këtu buron edhe drama e personazhit tonë, Emës dhe gjithë të tjerëve. Ky roman është listuar mes 7 prurjeve më të mira të vitit 2021 dhe tashmë, lexuesit tanë e kanë vendosur në krye, si romani më i mirë i vitit të kaluar, shkruar nga një autor shqiptar.

IV- ROMANI I PËRKTHYER – “Me lumin midis” nga Ngugi Wa Thiong’o, sjellë në shqip nga Alina Karaulli, botuar nga “Arka e Noes”

Autori kenian Ngugi Wa Thiong’o ka qenë kandidati kryesor për çmimin Nobel në Letërsi gjatë dy viteve të fundit. Profesori i letërsisë së krahasuar na sjellë një përmasë të thelluar të fatit të individit për të ruajtur identitetin në një botë të globalizuar tashmë. “Me lumin midis” është një histori dashurie e vendosur në periudhën koloniale, njëfarë Romeo dhe Zhuljeta afrikane, ku rrëfehet dashuria midis dy të rinjve të fiseve kundërshtare Gikuju të kreshtave, si dhe përpjekja e tyre për të shuar mërinë e lashtë midis fiseve të tyre. Romani rrëfen Kenian parakoloniale dhe atë koloniale, ardhjen e “një populli të veshur me flutura” të cilët ishin britanikët, sjelljen e kulturës së tyre, fetare dhe administrative. Ndërkohë, popullsia jeton ende me zakonet e vjetra që janë shtylla e mbijetesës së tyre, të forcës, besimit dhe pastërtisë. Përplasja midis dy fiseve është gjithashtu ballafaqimi me kolonizatorët, po aq sa dhe vendimi për t’iu nënshtruar atyre apo të qëndruarit të paepur në besimin e lashtë që i ka udhëhequr.

V- LIBRI NON-FICTION – “Njeriu fëmijë” nga Artan Fuga, botuar nga Papirus

Besoj se ky libër shpjegon mjeshtrisht rolin e propagandës në një sistem totalitar si ai që ka përjetuar shoqëria shqiptare gjatë sistemit komunist. Makineria manipuluese dhe izoluese e ka zhbërë individin, i cili tashmë nuk është në gjendje për të qenë vetvetja dhe për të pasur një përmasë lirie që t’i shërbejë shoqërisë dhe pluralitetit të saj. Kjo përkthehet në një mungesë iniciative për të qenë një agjent ndryshimi. Ky libër analizon këtë aspekt të formimit psikologjik të individit që kërkon të rrënjosë propaganda, edukata, shkolla dhe kultura paternaliste. Mes shtatë botimeve të natyrës studimore dhe eseistike, libri i Akademik Artan Fugës është përzgjedhur si më i miri, i botuar gjatë vitit 2021.

VI- LIBRI I ZHVILLIMIT PERSONAL – “Parime” i Ray Dalios, përkthyer nga David Hudhri, botuar nga Minerva

“Parime” i Ray Dalios është libri i përsosur për të gjithë ata që duan të dinë si drejtohet dhe si menaxhohet një sipërmarrje private. Historia më shumë se 40-vjeçare e fondit të investimeve të themeluar dhe administruar nga Dalio është e pazakontë: Humnerat dhe majat, – sukseset dhe dështimet, vendimet e vështira dhe mendësia për të ecur para, – e bëjnë këtë libër – një “leksion” të gjallë dhe me vlera të çmuara për këdo lexues-sipërmarrës. Si i tillë, ky libër sjellë edhe mësime jete për këdo që do të ecë përpara.

Libri është sjellë në shqip nga David Hudhri, i cili është edhe botues i “Minerva”. Mes 7 prurjeve më të mira, “Parime” mbetet ndër librat më të vlerësuar nga lexuesit e Bukinist dhe të blogut Leximtari.

Të gjithë këto libra i gjeni online tek Bukinist.al Fituesit e viteve të tjera i gjeni tek linku:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *