Përshtypje rreth romanit “1984” të autorit George Oruell, përkthyer nga Arben Kallamata dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Onufri
Greis Selimaj*
Kam zgjedhur pikërisht romanin “1984” nga George Oruell sepse kjo vepër e çon njeriun në eksplorimin më të thellë psikologjik të nënvetëdijes së tij; e bën njeriun të kuptojë se sa larg mund të shkojë rraca humane vetëm e vetëm për pushtet. Na bën të kuptojmë se si sistemet totalitare e tjetërsojnë dhe e zvetnojnë individin deri në shkatërrimin e thelbit të lirisë.
Oruell arriti të drithëronte të gjithë lexuesit në mbarë botën me distopinë e tij rrënqethëse, gjë të cilën shumë pak autorë kanë arritur ta realizojnë deri më sot. Vepra në fakt e publikuar në vitin 1949, ishte një pararendje, paralajmërim për sistemet totalitare që do të pasonin më pas, sisteme të cilat e shkëputën individin nga e vërteta. Thelbi i ekzistencës tanimë vihet nën trysni, duke i kthyer kështu njerëzit në qenie të komanduara, në qenie të përçudnuara.
Ngjarjet në roman janë të vendosura në vitin 1984 në Oqeani, një nga shtetet totalitare në konflikt të vazhdueshëm me dy të tjerët, Euroazinë dhe Azinë Lindore. Oqeania është e drejtuar nga dora e hekurt e “Partisë”, e cila si figurë simbolike ka “Vëllain e Madh” (Big Brother). Populli është indoktrinuar me ideologjinë se ky lider i padukshëm është i plotfuqishëm dhe të gjithë duhet t’i binden. Gjuha që ata përdorin, e njohur dhe si “Gjuha e Re”, është gjuha propagandistike e krijuar nga Partia, e cila promovon doktrinën e kësaj të fundit. Nje propagandë kjo që është futur në çdo qelizë të personazheve tanë.
Pothuajse çdo fjalë në këtë “gjuhë të thjeshtëzuar” (siç shprehen vetë personazhet) është shumë e limituar, pa ndonjë kuptim konkret, dhe shumë kontradiktore në thelb. Personazhi ynë kryesor, për shembull, punon në Ministrinë e së Vërtetës, çka në fakt simbolizon Ministrinë e Gënjeshtrave dhe Falsifikimit.
VËLLAI I MADH JU VROJTON!
Një shprehje rrënqethëse që do të haset në pothuajse çdo faqe të romanit. Posterat e kudondodhur me foton e Vëllait te Madh dhe sloganit të mësipërm, i rikujtojnë njerëzve se janë gjatë gjithë kohës nën survejim, duke e detyruar njeriun të vetëcensurohet. Kamerat e fshehta dhe pajisjet përgjuese në çdo dhomë bëjnë të mundur që Policia e Mendimit të monitorojë çdo aktivitet të qytetarëve. Propaganda e Oqeanisë, luftërat e shumta dhe “Liga kundër Seksit” jane manifestimet më flagrante të kontrollit të Vëllait të Madh.
Personaliteti i tij publik është një përzjerje mes dashamirësisë fasadë, karizmës, militarizmit brutal dhe natyrës imponuese. Por Vëllai i Madh s’është gjë tjetër veçse një trill i sistemit, një diktator që qëndron i fshehur nga sytë kureshtarë të publikut- duke u dhënë atyre vetëm “kënaqësinë” e të menduarit dhe të adhuruarit të fgurës së tij si një engimë e plotfuqishme që ka kontroll mbi jetët e tyre. Në thelb, kjo është një shoqëri distopike, e cila jeton me ankth, terror, frikë, dhe kontroll total.
INJORANCA ËSHTË FORCË!
Njeriu injorant është si një pako gjalpë apo një bllok dylli: i lehtë për t’u përpunuar dhe i destinuar për të qenë i nënshtruar ndaj dorës e cila e punon. Tipike për sistemet totalitare ishte krijimi i modelit të njeriut që ato kishin planifikuar, njeriut automat dhe të kufizuar, i cili nuk i dinte e rrjedhimisht nuk i përdorte potencialet e tij. Një qenie tashmë biologjike, e cila vetëm ushqehet, fle, dhe riprodhohet, por nuk guxon të mendojë. E ndoshta pas njëfarë kohe, ndoshta as nuk e zotëron më kapacitetin e të menduarit. Vetëm ky njeri i përulur dhe i ndrydhur në çdo dimension të thellësisë së të pavetëdijshmes është i aftë të vazhdojë të ngrejë kulte e t’i këndojë një sistemi që e degjeneron njeriun.
Dhe pikërisht këtë koncept Oruell e merr dhe i jep jetë në veprën e tij. Nëpërmjet kontrollit edhe në thellësitë më intime të njeriut, atë të ndjenjave, mendimeve dhe dëshirave personale, ky autor gjigand arrin të na paraqesë për herë të parë konceptin e shtetit të kudogjendur dhe të paperceptueshëm: shtetit totalitar, tiparet e së cilit jane të njëjta në çdo kohë e vend. Me një prej shprehjeve më të famshme e më te dashura të romanit, përkatësisht: “Kush kontrollon të shkuarën, konrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën.”- ai ritregon dhe njëherë se çfarë roli luan kontrolli qeveritar në jetët tona.
Oruell kuptoi se e shkuara jonë- dhe veçanërisht kujtimet tona të së shkuarës dhe kupimi i saj, – formon atë se çfarë ne jemi si individë dhe si shoqëri. Aftësia për të kontrolluar atë çfarë konsiderojmë të shkuar dhe mbi të gjitha perceptimin e shoqërisë mbi këtë të shkuar, është një fuqi sa e jashtëzakonshme, aq edhe e tmerrshme.
“Ne të gjithë mësohemi me totalitarizmin e sistemit dhe e pranojmë atë si një fakt të pandryshueshëm, duke ndihmuar kështu në përjetësimin e tij. Thënë ndryshe, ne jemi të gjithë, – edhe pse natyrshëm në përmasa të ndryshme- përgjegjës për funksionimin e makinerisë totalitare. Asnjëri prej nesh nuk është thjesht viktima e tij.
Ne gjithashtu jemi të gjithë bashkë-krijuesit e tij.”- ka thënë Vaclav Havel, një prej personazheve me të preferuara për mua në linjën historike të revolucioneve të mëdha kundër sistemeve totalitare. Ky zotëri kaq përparimtar dhe idealist nga Republika Çeke tha në vitin 1990 atë që Oruell e reflekton në veprën e tij, afërsisht 41 vite më parë.
Kjo vepër mund të paralelizohet dhe me vepra të autorëve shqiptarë që pasuan më vonë, të tillë si Ismail Kadare me romanin e tij distopik “Pallati i Ëndrrave”. Edhe pse me një diferencë kohore të gjerë, të shkruar nga dy autorë të cilët i përkisnin kombësive të ndryshme, këto dy kryevepra kanë një ngjashmëri të jashtëzakonshme me njëra-tjetrën.
Paranoja që bëhet tipike e sistemeve totalitare, transmetohet në formën e një piramide në çdo shtresë që vjen më poshtë, duke arritur deri tek individi. Të gjithë janë paranojakë; sistemi dhe qeveria për “zgjuarsim” dhe rizgjim të mundshëm të popullit, ndërsa qytetarët për “pasojat fatale”, të cilat padyshim që nuk mungonin në totalitarizëm.
Tanimë, personazhet e veprës sonë; – qofshin ato Uinstoni dhe Xhulia, apo Mark Alemi dhe nëpunësit e Pallatit të Ëndrrave, – nga individë, janë shndërruar në persona. Ata nuk bëjnë qëndresë, nuk kanë më mendimet e tyre, por i binden një sistemi përgënjeshtrues. Edhe atëherë kur ata tentojnë t’i rikthehen origjinës së tyre si individë, ata shkatërrohen nga sistemi dhe përfaqësuesit e tij, ashtu siç O’Brien e çon drejt fundit protagonistin tonë Uinston.
Loja psikologjike dhe manipuluese që O’Brien përdor me Uinston, është tipike e sistemeve të tilla, sisteme që në fund të idtës, synojnë vetëm të tjetërsojnë individin që të besojë se ai “nuk e deshi sa duhej Vëllanë e Madh”- drejtuesin, dhe se të menduarit përtej kornizës është gabim sepse sjell pasoja të rënda për të dhe të dashurit e tij.
Në një shoqëri ku dashuria ndalohet, fjala e lirë censurohet dhe individi pëson një metamorfozë, ekzistojnë tashmë vetëm kukulla. Këta njerëz janë shndërruar me ose pa vetëdije në marioneta, fijet e së cilave i kontrollon “Vëllai i Madh”, për të luajtur në skenën false të ngritur prej tij. Jeta në këtë roman është një cirk. Shijoni shfaqjen.
*Autorja është fituese e konkursit “Jam libër”, organizuar nga Bukinist dhe COD mes nxënësve të shkollave të mesme në të gjithë vendin. Ajo është në klasën e XII, në shkollën “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë
Librat e George Orwell dhe romanin 1984 e gjeni online tek Bukinist.al