Librat me te shitur te prillit 2022

Rikthehen klasikët modernë si Franz Kafka, George Orwell apo Gabriel Garcia Marquez. Fenomen i ri, – rikthimi i lexuesve tek stoikët dhe neo-stoiket. Vazhdojnë kërkesat për librat e historianit Yuval Noah Harari dhe romanet e Colleen Hoverit. Ja 10 romanet më të kërkuara gjatë prillit të vitit 2022 tek Bukinist.al

Muaji prill përkoi me fushatat që platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka zhvilluar me rastin e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill dhe Ditës Botërore të Librit, më 23 prill. Po ashtu, edhe me lançimin e fituesve të Librit më të mirë, të hedhur në qarkullim gjatë vitit 2021 nga entet botuese shqiptare. Gjatë muajit që kaloi, në partneritet me kompaninë Gener 2, Bukinist zhvilloi në mjediset e Qendrës Tregtare “Toptani” panairin “Ditët e Librit”, në periudhën 2-25 prill.

Referuar shitjeve online tek Bukinist dhe në panairin “Ditët e librit” konsatohet një rritje interesi për klasikët modernë si George Orwell, Gabriel Garcia Marquez apo edhe Franz Kafka. Mes autorëve bashkëkohorë, duam të ndajmë me ju kërkesat e shumta të lexuesit kanë për romanet e Lea Ypit apo të Colleen Hoover-it. Seria magjike e Harry Potterit e J. K. Rowling vazhdon të mbajë gjallë interesin tek lexuesit e vegjël apo të rinj. Mes botimeve që vazhdon të ketë shitje është edhe “Hajdutja e librave” e Markus Zuzak.

Duke analizuar titujt më të kërkuar, që me fillimin e konfliktit në Ukrainë është rritur numri i lexuesve të veprave filozofike të stoikëve apo edhe të neo-stoikëve të ditëve tona. “Meditime” i Marc Aurelius kryeson listat e shitjeve.

Ndër librat e biznesit dhe zhvillimit personal, padyshim libri “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” e biznesmenit dhe filantropit Vasil Naçi mbetet ndër më të lexuarat në këtë kohë. 

This is books scramble. Many books on white background.

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni 10 titujt më të kërkuar gjatë muajit prill 2022, si më poshtë

1984 – Pegi nga George Orwell

“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është   quajtur   “roman   despotik”,   ku   një   qeveri   autoritare   shikon   dhe   kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale.

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotshëm vjen si thirrje për të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

“Meditime” nga Marcus Aurelius

“Meditimet” e Marcus Aurelius ofrojnë një seri të jashtëzakonshme reflektimesh dhe ushtrimesh shpirtërore sfiduese të zhvilluara ndërsa perandori përpiqej të kuptonte veten dhe mjedisin rreth tij. Teksa Meditimet u krijuan për të ofruar ngushëllim dhe inkurajim personal, Marcus Aurelius krijoi gjithashtu një nga veprat më të mëdha të filozofisë: një koleksion të përjetshëm që është konsultuar dhe admiruar nga shtetarët, mendimtarët dhe lexuesit përgjatë shumë shekujve

“Të lirë” nga Lea Ypi

Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Ky roman ka qenë një befasi e madhe pasi po botohet në 15 gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi është përgatitur nga anglishtja në shqip nga shtëpia botuese Dudaj. Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve.

“Sapiens – Një histori e shkurtër e njerëzimit” nga Yuval Noah Harari

Gjithëpërfshirës, i thellë, provokuese dhe i guximshëm: Libri Sapiens ka sfiduar gjithçka që kemi ditur rreth qenies njerëzore: Mendimet tona, veprimet tona, fuqia jonë … dhe e ardhmja jonë. Një bestseller absolut përgjatë tre viteve të fundit në Amazon dhe të gjitha platformat globale të shitjes së librit

“Hajdutja e librave” nga Markus Zusak

“Hajdutja e librave” vlerësohet për guximin e Zusakut, një guxim i shprehur më herët edhe në “Unë jam lajmëtari”. Do të lexohet dhe pëlqehet në masë sepse tregon një histori në të cilën librat bëhen thesare. Dhe se askush nuk e kundërshton këtë ndjesi.

“Veriti” nga Colleen Hoover

Colleen Hoover vjen me një roman tjeter per lexuesin tone, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati me librin “Mbaron me ne”. Teksa ende vazhdon ende kërkesa e lartë e lexuesit për këtë roman, tashmë thrilleri “Veriti” na tregon se Hoover di të shkruajë aq mjeshtrisht në këtë zhanër.

Louen Eshli është një shkrimtare e re, e cila përballet me vështirësi financiare. Papritmas, i vjen një ofertë që nuk mund ta refuzojë, sepse do t’i sjellë të ardhura që nuk i ka imagjinuar kurrë.

Xheremi Kroford, bashkëshorti i shkrimtares së suksesshme, Veriti Kroford, e punëson për të përfunduar serinë e librave të së shoqes, e cila ka pësuar një aksident automobilistik me pasoja të rënda shëndetësore.

Loueni mbërrin në shtëpinë e Krofordëve e vendosur për të gjetur ndihmë në shënimet e Veritisë, që të nisë nga puna me librat. Ajo as që e ka idenë se në studion kaotike të shkrimtares së mirënjohur nuk e presin shënimet për librat, por autobiografia e saj, të cilën e kishte shkruar me idenë se nuk do ta lexonte askush. Faqe pas faqeje zbulohen rrëfime drithëruese, përfshirë një përshkrim të detajuar të natës kur jeta e familjes Kroford do të ndryshonte përgjithmonë.

Loueni vendos të mos ia dorëzojë dorëshkrimin Xheremit, por teksa ndjenjat e saj për të rriten dita-ditës, kupton se ai duhet ta lexojë se ç’ka rrëfyer e shoqja. Sado i përkushtuar të jetë ndaj gruas së sëmurë, një e vërtetë aq e kobshme me siguri që do ta çrrënjosë dashurinë e tij për të.

“Harry Potter 1 dhe guri filozofal” nga Joanne K. Rowling

Librat e Harri Poterit janë bërë një fenomen letrar ndërkombëtar. Harri ka pushtuar faqet e para të gazetave dhe ka zgjuar dashurinë për leximin në një brez të tërë. Ritmi i shpejtë, personazhet e paharrueshme, drama e përsosur, i bëjnë këta libra kryevepra absolute, të dashura për fëmijët dhe për të rriturit. Tashmë, librat e Harri Poterit kanë hyrë në histori.

Një libër ku magjia rrëfehet si jetë e vërtetë dhe e magjeps edhe lexuesin. Nëse ju nuk keni dëgjuar për Harry Potterin, atëherë ju nuk e paskeni hapur televizorin, radion dhe gazetën këta muajt e fundit. Harry Potter dhe Guri i Filozofit është padyshim romani modern që e lumturon lexuesin.

“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nga Vasil Naçi

Autori, Vasil Naçi,  jo vetëm është biznesmen i suksesshëm, por e ndan suksesin dhe të mirën me të tjerët. Dhe kjo nuk është pak, përkundrazi, prandaj “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nuk vjen thjeshtë si guidë këshillash, por si një mal përvojash të përjetuara me shumë sfida. Dija dhe informacioni i përftuar në këtë realitet për vlerat e komunikimit vlejnë tejmase për këdo, me fokus të posaçëm sipërmarrjen. Besojmë se ata që janë në kërkim të çelësit të harmonisë dhe të suksesit në jetë, pas leximit të librit do ti jenë mirënjohës autorit. Ne iu garantojmë se fjala e Vasil Naçit ia vlen të dëgjohet; përmes veprës së tij ke ç’të mësosh dhe përfitosh.

Autori i përcjell lexuesit informacione, eksperienca dhe këshilla mbi sjelljet e duhura dhe komunikimin e mençur, si baza për të krijuar respekt, për të ndërtuar besim, për të jetuar bukur dhe në harmoni me veten, familjen, kolegët dhe komunitetin.

Në mënyrë të natyrshme lexuesi zbulon se sot kërkohet të kesh sjelljet e duhura në çdo moment, me të gjithë, kërkohet të kujdesesh për marrëdhëniet, që të mundesh të fitosh mendjen dhe zemrat e njerëzve.

Autori ndan me lexuesit këshilla se si të flasësh hapur dhe të jesh i pëlqyeshëm në të njëjtën kohë, si të kujdesesh për hijeshinë në paraqitje dhe mençurinë në komunikim. Ky libër na fton të reflektojmë dhe të kërkojmë më shumë nga vetja, për t’u bërë më të mirë, për të jetuar më bukur me njerëzit, për të marrë maksimumin nga çdo moment dhe për të pasur një jetë më cilësore. Me pak fjalë, ky libër do të shërbejë si guidë miqësore, e cila do t’ju udhëheqë të keni natyrshëm sjellje të pëlqyeshme dhe të komunikoni me mençuri, duke ju dhuruar kështu çelësin për harmoni dhe sukses afatgjatë në çdo aspekt të jetës.

“Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez

Pas një përvoje të gjatë të përkthimit nga gjuha spanjolle, Mira Meksi sjell magjinë e vërtetë të Marquezit, e cila nuk është shijuar siç duhet deri më sot nga lexuesi shqiptar. Historia e librit më të famshëm të Gabriel Garcia Marquez-it fillon në mars të 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike.

Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm.

Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci.

Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh herë i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropikal.

“Tregime dhe novela” nga Franz Kafka

Franz Kafka vazhdon të befasojë pafund lexuesit edhe në ditët tona, pas një shekulli komunikimi dhe ndërveprimi sfidues. Edhe përmbledhja e përkthyer mjeshtrisht nga gjermanishtja nga përkthyesi Gjergj Vlashi, dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Argeta LMG ka pasur interes prej një viti, – e rikthyer befasisht edhe në panairin “Ditët e Librit”. Romancieri dhe filozofi Zhan Pol Sartri thotë me të drejtë: “Nuk kam ç’të them për Kafkën vetëm pohoj se është një ndër shkrimtarët më të çuditshëm e me të mëdhenj të kohës sone. Duhet nënvizuar edhe diçka: ai mbërriti i pari, e teknika qe zgjodhi i përgjigjej nevojës së tij të brendshme. Nëse e paraqet jetën njerëzore të trazuar nga një transhendencë të pamundur, kjo vjen se ai i besonte asaj trashendence. Në pak fjalë, Kafka ndodhet jashtë nesh dhe kjo na jep mundësi që ta rrokim. Universi tij është fantastik e njëherësh i vërtetë”.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *