Platforma më e madhe onlinë e librit shqip, Bukinist.al publikon tek blogu Leximtari librat më të kërkuar të muajit: Rikthehen librat e zhvillimit personal dhe biznesit. Kryeson Influenca e Caldinit. Kërkesë e lartë edhe për romanet “Gjak i trazuar” dhe “Manorva e mbretëreshës”
Thuajse gjatë gjithë muajit maj ka pasur rritje të kërkesës për librat e zhvillimit personal, motivimit dhe biznesit. Tek lexuesi vazhdon të jetë i lartë interesi për libra të tillë si “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” të biznesmenit dhe filantropit Vasil Naçi, “S’ka më justifikime” të Brian Tracy, por edhe “Mposhtja e djallit” i Napoleon Hill. Hedhja në qarkullim e librit “Influeca” të Robert Caldinit, i cili analizon në mënyrë të detajuar psikologjinë e bindjes, apo të dakordësinë, – shkaktoi menjëherë reagimin e lexuesve, – kryesisht atyre që punojnë në fushën e marketingut dhe shitjes.
Autori i bestseller-it “Ti je placebo”, Joe Dispenca, vazhdon të mbajë të lidhur të pasionuarit e tij edhe me librin “Si të bëhesh i mbinatyrshëm”.
“Manovra e mbretëreshës” i Walter Tevis dhe “Gjak i trazuar” nga Robert Galbraith, emri artistik i autores J.K. Rowling menjëherë sapo janë hedhur në qarkullim në gjuhën shqipe kanë shënuar rritje të interesit edhe për faktin se janë listuar si libra bestseller sapo janë hedhur në treg në gjuhën origjinale.
“Rozi dhe domatja kërcimtare” i Rovena Rrozhanit dhe Dhurata Thanasi është ndër librat për fëmijë më të kërkuar në këtë moment tek Bukinist.al.
Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni listën e top-10 librave më të kërkuar gjatë muajit maj 2022, si më poshtë:
“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nga Vasil Naçi
Autori, Vasil Naçi, jo vetëm është biznesmen i suksesshëm, por e ndan suksesin dhe të mirën me të tjerët. Dhe kjo nuk është pak, përkundrazi, prandaj “Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim” nuk vjen thjeshtë si guidë këshillash, por si një mal përvojash të përjetuara me shumë sfida. Dija dhe informacioni i përftuar në këtë realitet për vlerat e komunikimit vlejnë tejmase për këdo, me fokus të posaçëm sipërmarrjen. Besojmë se ata që janë në kërkim të çelësit të harmonisë dhe të suksesit në jetë, pas leximit të librit do ti jenë mirënjohës autorit.
“Influenca – Psikologjia e bindjes” nga Robert Cialdini
Ky libër është një manual i shkëlqyer për të kuptuar sjelljen njerëzore, dhe për të kuptuar artin e bindjes. Dr. Robert Caldini e ka sjellë për lexuesit këtë botim pas një përvoje 35 vjeçare kërkimesh dhe studimesh, duke sjellë gjashtë parime universale të mjeshtrisë së bindjes. Si i tillë, ky është manual bazë, me vlera të jashtëzakoshme për ekspertët e marketingut dhe të komunikimit.
“S’ka më justifikime” nga Brian Tracy
Ky libër do të të shërbejë si udhëzues që të bëhesh hap pas hapi njeri madhështor që të mund të bësh arritje madhështore në jetën tënde personale dhe profesionale, përmes tri fushave: qëllimet personale; qëllimet në biznes dhe lumturinë e përgjithshme.
“Meditime” nga Marcus Aurelius
“Meditimet” e Marcus Aurelius ofrojnë një seri të jashtëzakonshme reflektimesh dhe ushtrimesh shpirtërore sfiduese të zhvilluara ndërsa perandori përpiqej të kuptonte veten dhe mjedisin rreth tij. Teksa Meditimet u krijuan për të ofruar ngushëllim dhe inkurajim personal, Marcus Aurelius krijoi gjithashtu një nga veprat më të mëdha të filozofisë: një koleksion të përjetshëm që është konsultuar dhe admiruar nga shtetarët, mendimtarët dhe lexuesit përgjatë shumë shekujve
“Të bëhesh njeri i mbinatyrshëm” nga Joe Dispenza
Për të gjithë ata që kanë lexuar librin bestseller të The Neë York Times, Ti je placebo, të autorit Joe Dispenza, tashmë vjen edhe libri më i ri “Mbinatyrshëm”. I bazuar mbi vëzhgimet dhe trajnimet e shumta në të gjithë botën, shkencëtari i mendjes eksploron sesi njerëzit e zakonshëm po bëjnë të pazakonta për të transformuar veten dhe jetet e tyre. I mbinatyrshëm gërsheton disa nga informacionet më të thella shkencore nga mençuria e lashtë për të treguar se si njerëzit si ju dhe unë mund të përjetojnë një jetë më mistike. Lexuesit do të mësojnë se ne jemi, fjalë për fjalë, të mbinatyrshëm nga natyra, nëse na jepen njohuritë dhe udhëzimet e duhura, dhe kur mësojmë se si ta zbatojmë atë informacion përmes meditimeve të ndryshme, ne duhet të përjetojmë një shprehje më të madhe të aftësive tona krijuese; se ne kemi aftësinë të përshtatemi me frekuencat përtej botës sonë materiale dhe të marrim rrjedha koherente më të rregullta të vetëdijes dhe energjisë; se ne mund të ndryshojmë qëllimisht kiminë e trurit tonë për të inicuar përvoja thellësisht mistike transcendentale; dhe si, nëse e bëjmë këtë mjaft herë, ne mund të zhvillojmë aftësinë për të krijuar një trup më efikas, të ekuilibruar, të shëndetshëm, një mendje më të pakufizuar dhe akses më të madh në sferat e së vërtetës shpirtërore.
“Mposhtja e djallit – Sekreti i lirise dhe suksesit” nga Napoleon Hill
Nëse do vetërealizimit, mësuesin ta kemi gjetur. Napoleon Hill mbetet një motivues i shkëlqyer jo vetëm në Perëndim, por edhe në një vend si Shqipëria. Këshillat e tij vlejnë më shumë se të çdokujt tjetër për shqiptarë sepse përkojnë me kohët kritike që po jetojnë; sepse ato të mësojnë si të mposhtësh frikën (jo si të bëhesh burrë); si të mendosh para se të veprosh, si ti japësh vlerë çdo sekonde të kohës tënde, si të distancohesh nga shprehitë e endjes dhe kotësisë së përditshme (jo si të vrasësh ditën në kafene); si t’i përmbahesh joshjes ndaj seksit dhe parasë dhe si të ndërtosh besimin dhe ta përdorësh fuqinë e tij për të ecur përpara. E kush nuk do të jetë i suksesshëm dhe i vetërealizuar në këtë botë?!
“Përse meshkujt dashurojnë kuçkat” nga Sherry Argov
As meshkujt nuk e dinë përgjigjen. Gjithmonë nëse ka një të tillë. Dhe pikërisht përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk duhet ta prisni nga ky libër. Aq më tepër të ktheni një libër në një manual që do të zgjidhë problemet tuaja në çift. I kthyer në një sensacion mbarëkombëtar, “Përse meshkujt dashurojnë kuçkat” është një libër ku Sherry Argov ka hedhur në letër mendimet që meshkujt kanë për femrat dhe perceptimet që kanë ata për atë që është e duhura.
“Manovra e mbretëreshës” nga Walter Tevis
Pasi mbetet jetime, në moshën tetë vjeçare, Beth Harmon dërgohet në një jetimore. Shpejt, aty, ajo zbulon dy mënyra për t’i shpëtuar zymtësise së ambjentit: të luajë shah dhe të marre pilulat e vogla të gjelbra, që i jepeshin fëmijëve për t’i mbajtur ata nën kontroll. Por shumë shpejt, bëhet e qartë se ajo ka një talent të jashtëzakonshem në shah dhe ndërsa përparon drejt kreut të renditjes, i krijon vetes mundësine për një jetë të re.
“Gjak i trazuar” nga Robert Galbraith
Duhet shumë art për të shkruar një histori interesante rreth misterit të vrasjes. Në pjesën më të madhe të rasteve, shkrimtarë të mëdhenj nuk ia arrijnë… por Robert Galbraith është mjeshtër. Misteri qendror i romanit “Gjak i trazuar” është i fortë dhe ndjekja e tij, ndërsa shpaloset gjatë një hetimi të zgjatur, është një nga kënaqësitë më joshëse të romanit… Pasi jeni njohur me vëllimet e mëparshme me detektivin privat Kormoran Strajk, kësaj radhe ai gjendet në Kornuell, kur i afrohet një grua që i kërkon ndihmë për të gjetur nënën e saj, Margo Bamboroun, mjeke, e zhdukur në rrethana misterioze në vitin 1974. Strajku nuk ka trajtuar kurrë më parë një cold case, aq më tepër një rast të pazgjidhur prej 40 vjetësh. Por megjithëse shanset për sukses thuajse nuk ekzistojnë, kureshtja e profesionalizmi fitojnë dhe ai e merr përsipër; duke ia shtuar listës së gjatë të rasteve për të cilat Strajku dhe partnerja e tij në agjenci, Robin Elakoti, janë duke punuar aktualisht. Ndërkaq, vetë Robini është midis një divorci të sikletshëm e torturues dhe vëmendjes së padëshiruar të një mashkulli, përveç se lufton me ndjenjat e saj për Strajkun.
Strajku dhe Robini ndjekin të gjitha pistat për zhdukjen e Margosë dhe ndeshen me një çështje djallëzisht komplekse, me pista që përfshijnë letra tarot, një vrasës serial psikopat dhe dëshmitarë të cilëve nuk mund t’u besohet assesi. Dhe mësojnë se edhe rastet e vjetra prej kohësh, mund të shkaktojnë vdekje të tjera.
“Rozi dhe domatja kërcimtare” nga Rovena Rrozhani dhe Dhurata Thanasi
Ky libër sjell historitë fantastike të fëmijëve sesi refuzojnë ushqimin, të shoqëruara me 8 receta të shëndetshme për fëmijët, të përgatitura nga Dhurata Thanasi. Rrëfimet, recetat, përfshirja e fëmijëve në përgatitjen e ushqimit, fotografitë, dizanji dhe ilustrimet fantastike e bëjnë këtë libër me vlera të mëdha edukative dhe zbavitëse për lexuesit e vegjël.
Një histori që fton të gjithë familjen në kuzhinë nëpërmjet lojës e vjershave por dhe gatimit. Tetë receta të krijuara nga Dhurata Thanasi, vetëm për Rozin dhe lexuesit e vegjël, ju ftojnë ta shndërroni kuzhinën në vendin e argëtimit dhe të shijes. Lexoni një histori argëtuese dhe gatuani së bashku me recetat e dhëna!
Këto libra i gjeni online tek Bukinist.al