Rekomandimet e platformës më të madhe të librit online, Bukinist.al për vogëlushët, me të cilët mund të kalojnë pushime magjika, plot aventura dhe fantazi.
Tashmë, kanë nisur pushimet e verës dhe librat janë miqtë më të mirë për vogëlushët. Edhe këtë sezon platforma më e madhe online e librit, Bukinist.al ka bërë disa përzgjedhje, të cilat i rekomandon për t’u bërë pjesë të leximeve gjatë ditëve të pushimeve. Në këtë listë janë shoshitur me kujdes autorët shqiptarë dhe të huaj, klasikët dhe modernët, – ku shumica prej tyre janë të njohur nga vogëlushët. Surprizë janë autorët bashkëkohorë shqiptarë: Rudina Çupi, Rovena Rrozhani, Ana Tisi, Anila Mullahi dhe Flori Kasaj janë 5 prej autorëve, veprat e të cilëve ne i kemi përzgjedhur që të lexohen nga të vegjlit gjatë kësaj vere.
Sigurisht, nga klasikët shqiptarë ne kemi zgjedhur kësaj radhe Bedri Dedjan dhe Gaqo Bushakën, me librin e tij “Pushimet e Çufos”, nga seria fantastike e Çufos.
Mes klasikëve botërorë, kemi veçuar Zhyl Vernin me librin e tij “Pesë javë me balonë” dhe Beatrix Potter me lepurushin e tij të mrekullueshëm Piter. Ndërsa nga lista e autorëve bashkëkohorë, kemi listuar David Walliams dhe Jeff Kinney, – i njohur si autori i serisë së Gregut.
Kjo listë rekomandimesh përfshin fëmijët e grupmoshave 6-12 vjeç dhe që merr në konsideratë formimin e tyre, botkuptimin dhe programet e leximeve jashtëklase. Listën e plotë me rreth 80 rekomandime për të gjitha grupmoshat e gjeni tek Bukinist.al, me titullin “Shokët e verës”.
Duke shpresuar se këto 12 libra do të jenë 12 miq të mrekullueshëm të fëmijëve gjatë kësaj vere, ju ftojmë të ndiqni listën si më poshtë:
“Pesë javë në balonë” nga Zhyl Vern
Bota po kalonte nga një periudhë ku shkenca ishte në fazat fillestare drejt një revolucioni të madh. Këtë moment ka kapur në mënyrë të shkëlqyer Zhyl Verni, në Anglinë e Shekullit të XIX, ku fantazia e tij shkoi për shtat dhe parapriu zbulimet më të mëdha të teknologjisë dhe komunikimit njerëzor.
“Rozi dhe domatja kërcimtare” nga Rovena Rrozhani dhe Dhurata Thanasi
Ky libër sjell historitë fantastike të fëmijëve sesi refuzojnë ushqimin, prandaj autoret e këtij botimi Rovena Rrozhani dhe Dhurata Thanasi e kanë shoqëruar me 8 receta të shëndetshme. Rrëfimet, recetat, përfshirja e fëmijëve në përgatitjen e ushqimit, fotografitë, dizanji dhe ilustrimet fantastike e bëjnë këtë libër me vlerë të madhe edukative dhe zbavitëse për lexuesit e vegjël.
Të mërzitur, që Rozi nuk e pëlqen, një domate kërcimtare dhe miqtë e saj në kuzhinë vendosin të japin një shfaqje për të treguar sa të mirë janë. Çdo natë, kuzhina bëhet skena më e çuditshme, ku ushqimet kërcejnë, këndojnë, luajnë dhe në fund gatuajnë receta të reja. A do të pranojë vallë Rozi që t’i provojë? Një histori që fton të gjithë familjen në kuzhinë nëpërmjet lojës e vjershave por dhe gatimit.
Pasioni për ushqimin e shëndetshëm dhe fëmijët kanë bashkuar që herët Rovenën dhe Dhuratën. Vite më parë ato bashkëpunuan për të festuar Ditën Botërore të Ushqimit me shfaqjen “Domatja Kërcimtare”, në të cilën është bazuar edhe ky libër.
“Një udhëtim i rrezikshëm” nga Bedri Dedja
Romani – përrallë “Një udhëtim i rrezikshëm” është një nga veprat më zbavitëse të shkrimtarit Bedri Dedja, vlerësuar me çmimin e IBBI-t (Bordit Ndërkombëtar të Librave për Fëmijë), si romani më i mirë i vitit 2000, për fabulën e tij dinamike e plot fantazi, si dhe për dhuntinë e madhe krijuese të autorit. Kokëdruthi, Kokëtapa dhe Kokëfirifiu largohen fshehurazi nga vendlindja e tyre, Qyteti Sdikuisht, për të shkuar drejt Qytetit të Qejfit, të hallakatur nga premtimet e Usta Ipaudhit, këtij mashtruesi të shkuar në moshë. Aventurat e tyre do t’i rrëmbejnë lexuesit e vegjël për t’i çuar në Festivalin e Gjëraxhepit, në qytetin famëkeq të Helmegazisë, e deri në Monopatin e torturave gramatikore e matematikore… Por çfarë ndodh më pas me ta? Këtë do ta zbuloni pasi të keni marrë në duar këtë thesar të paçmuar që shkrimtari Bedri Dedja u ka lënë fëmijëve.
“Aventura e lepurushit Piter” nga Beatrix Potter
Kjo përmbledhje e bukur bën bashkë katër tregimet origjinale të autores së njohur Beatrix Potter, që ndjekin lepurin e vogël mistrec në gjithfarë aventurash nëpër kopshtet e të tmerrshmit MekGregor, në kthetrat e Tom Vjedullës.
“Ana nga Tirana” nga Rudina Çupi
Një rrëfim i koduar, i shkruar me rebuse, me fjalë të krijuara duke ndërthurur figura e shkronja. Ky libër ndërveprues, pjesë e serisë “Luaj e shkruaj” për lexuesin fillestar, nxit mendjemprehtësinë dhe logjikën, si dhe shprehjen e anës krijuese.
“Ditari i Gregut 16 – Gjuajta e hatashme” nga Jeff Kinney
Seria e Ditarit të Gregut në vëllimin e 16-të sjell historinë e Gregut si një djalë që duhet të sfidojë sportin. Si ecin provat në basketboll dhe si funksionon skuadra e tij.
Gregu dhe sportet nuk kanë lidhje: Pas një gare katastrofike Ditën e Garave në shkollë, Gregu e ndan mendjen lidhur me karrierën e vet atletike se do të dalë zyrtarisht në pension. Por, pasi mami i lutet që t’i japë sportit edhe një shans, ai pranon në mëdyshje që t’i kushtohet basketbollit.
Provat shkojnë keq dhe Gregu është i bindur se nuk do t’ia dalë. Po papritmas gjen një vend shpëtimi në njërën nga skuadrat e qyteti. Ndërsa Gregu me shokët e skuadrës nisin sezonin, mundësitë për të fituar qoftë edhe një ndeshje të vetme janë të pakta. Por në sport mund të ndodhë gjithçka.
Kur gjithçka është në fije të perit dhe topi është në duart e Gregut, do të sjellë shpëtimin apo do ta çojë dëm gjuatjen e hatashme?
“Përrallat e Ana Tisit” nga Ana Tisi
Autorja Ana Tisi sjell nje botim special me perralla te cilat jane ndertuar mbi konstantet universale njerezore si dashuria, falja, xhelozia, egoizmi i papërmbajtur, cmira apo babëzia dhe qe kane vlera te forta edukative dhe zbavitese per lexuesit e vegjel
“Në këtë libërth të bukur janë fshehur një tufëz përrallëzash të cilat presin për t’u zbuluar nga secili prej jush. Rrëfimi herë-herë i kapërcen rregullat “morfologjike të përrallës”; në ndonjë rast i respekton mo-ta-mo ato, – por rrëfimtarja e përdor alegorinë si shkopin magjik për të ndërtuar botë këndjellëse imagjinare, duke mbajtur të gjallë karremin e misterit deri në rreshtin e fundit, përmes një gjuhe të latuar dhe të kuptueshme nga lexuesit e vegjël dhe me mesazhe të fuqishme didaktike që dalin natyrshëm nga nënteksti.
Duke i lexuar këto përralla, secili prej nesh zbret nga përmasa imagjinare e tekstit në realen e përditshme, duke reflektuar për disa konstante universale njerëzore si fuqia e dashurisë, falja, xhelozia, egoizmi i papërmbajtur, cmira apo babëzia. Prandaj, unë do të rekomandoja me patjetër që këto pjesëza magjike të lexohen çdo mbrëmje jo vetëm nga lexuesit e vegjël, por edhe nga prindërit, të cilët kanë shumëçka për të mësuar prej tyre, – përpara se vogëlushët të mbyllin syçkat, për tu nisur më tej në botët fantastike të gjumit.
“Shkolla e mirësisë dhe ligësisë” nga Soman Chainani
“Shkolla e Mirësisë dhe Ligësisë” është një udhëtim epik në një botë të re marramendëse, ku e vetmja mundësi për të dalë kalon nga një përrallë… që duhet ta përjetosh në vetën e parë. Shoqet e ngushta Sofia dhe Agata do të zbulojnë se çdo të thotë të jesh nxënëse në legjendaren Shkollë të Mirësisë dhe Ligësisë, ku djem e vajza të zakonshme ushtrohen se si të bëhen heronj e të ligj përrallash.
Me fustanet e saj bojërozë, këpucët prej qelqi dhe përkushtimin për bëma të mira, Sofia e di që do të marrë notat më të mira në Shkollën e Mirësisë dhe se do të diplomohet si princeshë përrallash.
Ndërkohë, Agata, me fustanet e saj të zeza pa formë, me maçokun djallëzor dhe me pakënaqësinë ndaj të gjithëve sa e rrethojnë, duket të jetë fiks për Shkollën e Ligësisë.
Po kur të dyja vajzat rrëmbehen e çohen në Pyjet e Pakufishme, ato zbulojnë se fati i tyre do të kthejë tërësisht: Sofinë e lëshojnë në Shkollën e Ligësisë, për të ndjekur orët e Shëmtimit, Mallkimeve vdekjeprurëse dhe Stërvitjes së ndihmësave, kurse Agata e gjen veten në Shkollën e Mirësisë, mes princave e vajzave bukuroshe, në orët e Mirësjelljes së princeshave e Komunikimit me kafshë.
Po sikur gabimi të jetë vetëm hapi i parë drejt zbulimit të asaj që janë në të vërtetë Sofia dhe Agata?
“Pushimet e Çufos” nga Gaqo Bushaka
Çufo është një nga personazhet më të dashura për lexuesit e vegjël, ende i pakapërcyer nga letërsia fëmijë përsa i përket karakterizimit, humorit dhe mënyrës sesi ndërvepron me lexuesit e vegjël. Tashmë ky personazh ka pesë seri të botuara dhe prej katër dekadash vazhdon që të mrekullojë lexuesin. Ne kemi përzgjedhur librin “Pushimet e Çufos” për ta rekomanduar këtë verë sepse sjell personazhet tona të dashuria në periudhën e pushimeve, me aventurat e tyre dhe kjo do të ndikojë që vogëlushët tanë të përjetojnë më mirë këto ditë të bukura të verës.
“Bisha e pallatit mbretëror” nga David Walliams
Londra është e rrënuar, njerëzit janë të uritur dhe vendin e ka pllakosur kudo errësira… Princ Alfredi – një djalë shëndetlig i dhënë pas librave – nuk ka dalë kurrë nga muret e sigurta të pallatit mbretëror. Por tani në Bakingam po ngjasin gjëra të çuditshme dhe jeta e Alfredit nuk do të jetë më e njëjta.
Në mes të natës, zhurma e hapave të një përndjekjeje të tmerrshme kumbon nëpër korridore. Është pikërisht çasti kur po marrin me forcë mamanë e shtrenjtë të Alfredit, vetë Mbretëreshën, për ta mbyllur në Kullën e Londrës. Alfredi duhet të bëhet i guximshëm e të ndërmarrë një mision të jashtëzakonshëm për ta shpëtuar atë… dhe mbarë botën. Udhëtoni para në kohë për t’u njohur me një aventurë fantastike: një histori me mite e legjenda që ka për t’jua mbajtur zemrat peshë deri në fundin emocionues të saj.
“Në botën magjike të Henrit” nga Anila Mullahi (Elezi)
Në botën magjike të këtij libri me përralla mund të ndodhë gjithçka. Imagjinoni, në një ditë vere mund të takoni një oktapod që ju hap zemrën për problemet e tij, ndërsa një natë dimri mund të takoni babagjyshin e Vitit të Ri, që ju kërkon ta ndihmoni për të shpërndarë dhuratat e Vitit të Ri për fëmijët.
Në këtë botë magjike, nëse humbet rrugën për në shtëpi, kafshët bëhen udhërrëfyesit e tu e xixëllonjat të ndriçojnë rrugën gjatë natës. Në magjinë e këtyre përrallave mund të kërcesh në një ballo ku marrin pjesë të gjitha kafshët nënujore, por të duhet një veshje balloje. Mendo si mund të duken balenat me smoking, ose gaforret me fustan.
Mund të marrësh këshilla nga një elefant që është shumë i zgjuar e fatmirësisht bëhet miku yt, por mund të ndodhë që t’ju ndihmojë një breshkë uji e cila njeh magjinë e bukurisë së përjetshme. Në këto përralla mund të shohë
Në vëllimin “Andrushi”, autori i ri Flori Kasaj na sjell një personazh të ri, tepër simpatik, ketrushin Andrushi, një personazh që shkrin veçoritë biologjike të bukurisë dhe shkathtësisë me veçoritë etike të guximit dhe dashamirësisë. Personazhi di të luftoj për mbijetesë, që zotëron edhe tiparin e solidaritetit ndaj mikeshës së vet Andrina, me të cilin ndan ushqimet dhe lodrat. Libri është në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.
Studiuesja Klara Kodra thotë për këtë libër: Proza “Andrushi” është një tregim i shkurtër animalistik për fëmijë të vegjël i autorit më të ri Flori Kasaj. Ky tregim dallohet për thjeshtësi, konçizitet dhe dinamizëm, madje edhe për një humor të lehtë, cilësira këto, që i japin një forcë komunikuese me fëmijët të cilët e pëlqejnë rrjedhën e shpejtë të ngjarjeve dhe të papriturat. Dy personazhet kryesore, dy kafshë simpatike siç janë ketrat, janë të antropomorfizuar, po kanë edhe veçoritë e tyre biologjike. Tregime të tilla për fëmijë janë thellësisht edukuese, ngaqë nxisin dashurinë për krijesat e gjalla, ‘‘vëllezërit e vegjël’’ të njeriut, i mësojnë fëmijët të vlerësojnë tiparet e frymorëve në shumëllojshmërinë e tyre, kështu që kanë njëkohësisht vlerë njohëse dhe ideo-emocionale. Interesant e i domosdoshëm për fëmijët libri i trajtuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Autori i ri tregon qysh në këtë tregim të vogël që e njeh mirë psikologjinë e fëmijëve, kështu që mund të fitojë interesin e gjallë të tyre si lexues dhe t’u kultivojë dashurinë për librin”.
Të gjithë këto libra i gjeni në listën e rekomandimeve “Shokët e verës” tek Bukinist.al