Një udhëzues për të përfituar më shumë nga përvoja
Donna Lu*
Shumica prej nesh dinë të lexojnë, por a ka ndonjë mënyrë për ta bërë më mirë? Më shpejt? Me më shumë kuptim apo edhe … gëzim? Pse të lexoni libra në këto ditë dhe epokë?
“A nuk kemi rënë të gjithë fshehurazi dakord vitet e fundit që romanet i përkisnin epokës së gazetave dhe po ndjekin fatin e tyre, por vetëm më shpejt? – shkroi Jonathan Franzen, haptas në një ese të vitit 2010.
Komenti duket i mprehtë një dekadë më vonë, në një epokë e cila ka një ngopje me platforma të transmetimit, video në formë të shkurtër, podkasteve dhe përshtatjeve të tyre në ekran.
Përqindja e atyre që nuk lexojnë në Australi është rritur vitet e fundit: rezultatet e Anketës Kombëtare të Leximit 2021 zbuluan se 25% e njerëzve pranuan se s’kishin lexuar asnjë libër në vitin e kaluar – nga 8% në një sondazh të 2017-ës. Çdo bibliofil mund të krijojë lehtësisht një listë arsyesh për të lexuar. Librat na ndriçojnë dhe na sfidojnë, na çojnë në botë të ndryshme, pasqyrojnë të vërteta thelbësore për gjendjen njerëzore.
“Njerëzit që lexojnë mirë dhe lexojnë shumë, mësojnë më shumë, marrin më shumë njohuri të përgjithshme … dhe më pas mund të jenë konsumatorë më kritikë të asaj që lexojnë”, thotë Prof Pamela Snow, drejtoreshë e laboratorit të Shkencës së Gjuhës dhe Leximit në Universitetin La Trobe.
Pra, në jetën tonë të ngarkuar, si ta gjejmë më mirë kohën për libra? Si mund të përfitojmë më shumë nga përvoja e leximit?
LEXIM I PËRCIPTË/LEXIM I THELLË
Ne zakonisht ndërveprojmë me tekstet në mënyra të ndryshme. I hedhim sytë kalimthi një artikulli, lexojmë disa rreshta – një titull dhe disa nëntituj, për shembull – për të krijuar një ide të përgjithshme, por të cekët të kuptimit të tij. Gjithashtu skanojmë tekste për të gjetur numra, emra ose ide specifike – një tregues sasie në një recetë gatimt, le të themi.
Pastaj është leximin i thellë, atë që studiuesit Dr Maryanne Wolf dhe Dr Mirit Barzillai e përcaktojnë si “gamë procesesh të sofistikuara që nxisin të kuptuarit dhe që përfshijnë arsyetimin deduktiv, aftësitë analogjike, analizën kritike, reflektimin dhe të kuptuarit e mekanizmave përbërës të tekstit. Lexuesit ekspert i duhen një të qindat e sekondës për t’i kryer këto procese; trurit të ri i duhen vite për t’i zhvilluar ato”.
Leximi në ekran na ka kthyer në lexues të aftë të leximit të përciptë. Një studim me ndikim i vitit 2005 që analizoi se si sjellja e leximit kishte ndryshuar gjatë dekadës së mëparshme (që përkon me rritjen globale të internetit) zbuloi se leximi në internet karakterizohej nga “më shumë kohë e shpenzuar për shfletimin dhe skanimin, zbulimin e fjalëve kyçe, [dhe] leximin e menjëhershëm…ndërsa më pak kohë shpenzohet për lexim të thelluar dhe lexim të përqendruar”.
Wolf ka mbrojtur nevojën për të kultivuar një lexim “dy-nivelesh”, lexues të aftë për të dyja proceset e leximit, leximin e thellë dhe leximin e përciptë që zakonisht lidhet me ekranet. “Lexuesit duhet të angazhohen në një krijim aktiv të kuptimit, proces me të cilin ndeshen me tekstin dhe zbatojnë njohuritë e tyre të mëparshme ndërsa pyesin, analizojnë dhe shqyrtojnë”, kanë sugjeruar ajo dhe Barzillai. Një teknikë për leximin e thelluar të teksteve letrare është L.I.PSH: të Lexosh, të Imagjinosh skenën, t’ia Përshkruash vetes dhe të Shtosh më shumë detaje mendore duke vënë në dukje imazhe të fuqishme ose fragmente të spikatura.
Librat fizikë, në vend të pajisjeve elektronike, priren të mbështesin leximin më të përqendruar, thotë Naomi Baron, autorja e “Si lexojmë tani” dhe profesoreshë emeritus e gjuhësisë në Universitetin Amerikan, megjithëse ajo thotë se zgjedhja e mediumit është në fund të fundit një çështje vetjake parapëlqimi. Vetë ekranet nuk janë në thelb të dëmshme për aftësinë tonë për t’u përqendruar, thotë kreu i laboratorit të neuroshkencës vizuale dhe njohëse në Universitetin e Melburnit, Prof. Trichur Vidyasagar.
“Njerëzit shpesh kanë besimin, veçanërisht prindërit e shqetësuar, se nëse kaloni shumë kohë në pajisjet e ekranit, përqendrimi mund të bëhet më i dobët. Kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë”, thotë ai. “Nëse përdoren në mënyrë korrekte dhe jo me koston e aktiviteteve të tjera të dobishme, ato mund të përfitojnë shumë nga të mësuarit”.
Interneti ka një pietncial të pakufishëm për shpërqendrim. “Kur përdorni ekranin, aty ka kaq shumë lidhje të degëzuara, kaq shumë faqe interneti, një rrjet aq të madh lidhjesh për të hyrë”, – thotë Vidyasagar.
Tundimit për të kryer shumë detyra – “një mit iluziv”, thotë ai – “mund të jetë e vështirë t’i rezistosh. Nëse mendoni se po kryeni shumë detyra njëherësh, ajo që po bëni në të vërtetë është se po po kaloni te të dyja me një ritëm të shpejtë dhe rendimenti juaj ulet”. Kur lexoni një libër [fizik] është krejt ndryshe – nuk mund të shpërqendroheni aq lehtë”.
Hulumtimet te studentët e universitetit kanë zbuluar se të kuptuarit është përgjithësisht më i lartë te leximi në format libri. “Ka diçka në lidhje me leximin digjital që në dukje rrit shpejtësinë me të cilën studentët lëvizin nëpër tekst dhe kjo kohë përpunimi përkthehet në të kuptuarit e reduktuar” ishte përfundimi i një studimi. “Gjetjet janë veçanërisht të vërteta kur flitet për materiale më të gjata”, – thotë Baron, duke shtuar si paralajmërim se kërkimi priret të përqendrohet në leximin akademik dhe jo në kohën e lirë.
Rezultatet duket se ndryshojnë pak për pajisjet e përkushtuar të lexuesve elektronikë. Një studim, në të cilin pjesëmarrësit lexuan një histori misteri prej 28 faqesh nga Elizabeth George qoftë në shtyp ose në një pajisje elktornike “kindle”, nuk gjeti dallime në shumicën e masave standarde të të kuptuarit. Sidoqoftë, lexuesit e librit ishin më të mirë në rindërtimin e subjektit dhe aspekteve kronologjike të historisë – sepse “përmasa fizike e letrës siguron mundësi shënimesh” për ngjarjet brenda historisë.
RIZBULIMI I GËZIMIT DHE KUPTIMIT
Dr. Judith Seaboyer, dikur një pedagoge me përvojë të gjatë në studimet letrare në Universitetin e Queensland-it, tani në pension, kohët e fundit ka përjetuar magjinë E dëgjimit të radios. “Ka kaq shumë gjëra të mira për të dëgjuar [në radio], kaq shumë gazetari të mirë, dhe po zbuloja se nuk po lexoja më romane.”
“Si dikush … që ka mbrojtur një doktoraturë në letërsinë artistike bashkëkohore, dhe e ka dhënë mësim për më shumë se 20 vjet – ju mendoni se unë do ta dija se [leximi i librave] ia vlen.” Ajo që e nxori Seaboyer nga braktisja e leximit ishte leximi i veprës së re nga një autore që ajo e do – “Companion Piece” të Ali Smith.
Sintetizimi i ideve dhe krahasimi ndërmjet teksteve të shumta është gjithashtu një strategji e njohur për thellimin e të kuptuarit të leximit, kështu që disa mund ta kenë të dobishme të rrëmojnë në libra të shumtë nga i njëjti autor.
Këshilla e Seaboyer-it është të lexoni me kureshtje dhe të shihni me kujdes cilin autor zgjidhni, gjë që mund të çojë në një kuptim më të thellë të gjuhës, personazheve dhe subjektit. “Shkruanit, bëni shënime te libri, shkruani te cepat e faqeve”, thotë ajo. “Disa botues tani po botojnë udhëzues leximi – kjo shpesh është mjaft e dobishme”.
Nabokovi besonte se “nuk mund të lexosh një libër: mundet vetëm ta rilexosh”. Për të, rileximi i librave – si procesi i shikimit të një pikture – nënkuptonte se mendja fillimisht “merr të gjithë pamjen dhe më pas mund të shijojë detajet e saj”. “Mund t’u kujtohet se ju pëlqeu vërtet të lexoni Austen-in”, thotë Seaboyer. “Është interesante të mendosh ndërsa lexon… tani që jam më i vjetër dhe më i mençur, mendoj nëse i shoh ndonjë nga këto libra ndryshe nga sa kam parë kur isha 18 vjeç?”
“Ka mënyra për të qenë i sjellshëm me veten, për t’i dhënë vetes mundësinë për të mos kuptuar diçka herën e parë, ose për të thënë … ndoshta ka një libër tjetër që duhet të lexoj”, thotë Baron. “Është si të lexosh James Joyce: nëse dëshiron të fillosh me Uliksin, paç fat. Nëse filloni me “Portret i artistit në rini”, do të keni një mundësi më të mirë për të vazhduar”. Nëse leximi bëhet për kënaqësi, braktisja e librave që nuk sjellin kënaqësi, në fakt mund të rrisë kohën e leximit.
Nga lexuesit e shpeshtë të anketuar në vitin 2021 – ata që lexonin të paktën një libër në muaj – 54% raportuan se nuk e kishin përfunduar një libër nëse s’e kishin pëlqyer. Si pasojë, ata “kalojnë[uan] më shpejt te libri tjetër për kënaqësi më të madhe … dhe kanë gjithnjë e më pak kohë pushimi midis leximit të librave”.
Për ata që duan të lexojnë më shumë – për çlodhje ose vetë-përmirësim – Baron sugjeron që të angazhohen në periudha të shkurtra, por të rregullta leximi, të ngjashme me kohën e lënë mënjanë për stërvitje ose meditim.
ÇËSHTJA E SHPEJTËSISË SË LEXIMIT
Disa njerëz janë në mënyrë të natyrshme lexues të shpejtë – akademiku i njohur Harold Bloom pretendonte se ishte në gjendje të lexonte 1000 faqe në orë në kulmin e gjendjes së tij fizike. Shumica e të rriturve, sipas analizës së 2019-ës, lexojnë në heshtje tekstet jo-letrare në anglisht me një ritëm midis 175 dhe 300 fjalë në minutë dhe tekstet letrare me një shpejtësi prej 200 deri në 320.
Ndërsa teknikat ose aplikacionet e leximit me shpejtësi mund të duken tërheqëse kur të mungon koha, por ato nuk kanë gjasa të funksionojnë pa rrezikuar të kuptuarit. “Lexuesit e shpejtë nuk janë domosdoshmërisht më të mirë në të kuptuarit e leximit”, thotë Vidyasagar. Nuk ka mënyrë për të lexuar më shpejt. Për t’u bërë një lexues më i mirë kërkon këmbëngulje dhe “përballimi i zhgënjimit për të mos parë rezultate brenda natës”, thotë Snow.
“Është si çdo aftësi – të mësosh një instrument muzikor, të mësosh të drejtosh një makinë”.
Një studimin e vitit 2016 për shkencën e leximit zbuloi se leximi mund të përmirësohet në të njëjtën mënyrë që zhvillohen të gjitha aftësitë e tjera: përmes praktikës. “Mënyra për të ruajtur të kuptuarit e lartë dhe për të kaluar më shpejt tekstin është të praktikosh leximin dhe të bëhesh një përdorues më i aftë i gjuhës”.
“Nëse dy qëllime të leximit mund të jenë të mësosh për një kohë të gjatë dhe të mendosh – kjo mund të jetë pjesë e kënaqësisë, kjo mund të jetë pjesë e të mësuarit – atëherë pse nxiton?” thotë Baroni.
Për Seaboyer-in, leximi i një libri të mirë është i ngjashëm me një përvojë meditimi. Leximi është një proces i mrekullueshëm zhytjeje në thellësi që i jep asaj një kënaqësi të pabesueshme.
“Diçka tjetër po të merr dhe po të lëviz mendjen, trupin dhe shpirtin në një hapësirë tjetër, në mënyrë që të mund të mendoni për botën ndryshe”.
*Artikulli është botuar tek “The Guardian”
Përktheu: Granit Zela