
Menaxheri i platformës më të madhe online të librit në Shqipëri, Dr. Albert Gjoka, flet për hapat e parë të krijimit të Bukinist.al, për sfidat e tregut online, për zgjerimin e portofolit të produkteve dhe shërbimeve dhe për planet në të ardhmen e afërt.
Si ka lindur ideja për krijimin e platformës Bukinist.al?
Libraria online Bukinist.al është themeluar në korrik të vitit 2016, si pjesë e një kompanie të madhe të shitjeve online në Shqipëri, me të paktën pesë platforma të tjera për shitje të produkteve të llojeve dhe kategorive të ndryshme. Tregu i shitjeve online të librit ishte në nivele tejet të ulëta asokohe.
Emri “Bukinist” është huazuar nga bukinisti Mendel, personazhi i famshëm novelës me të njëjtin titull, shkruar nga shkrimtari i shquar Stefan Cvajg. Ne kemi synuar që ta mishërojmë filozofinë e këtij bukinisti, me synimin për të rekomanduar libra dhe për të ofruar zgjidhje për nevojat e lexuesve tanë.
Libri është një nga mjetet më të qenësishme që na vjen në ndihmë për të kuptuar botën më mirë, për tu informuar dhe për tu zbavitur. Në këtë aspekt, Bukinist.al ecën me filozofinë që të përmbushë sa më mirë nevojat, dëshirat dhe pasionet e lexuesve të tij.
Tashmë, pas më shumë se gjashtë vitesh në treg, ne jemi të lumtur të ndajmë me ju faktin se Bukinist.al ka në portofolin e tij komunitetin më të madh të lexuesve në Shqipëri dhe është një nga dy operatorët më të mëdhenj të tregut të librit në vend. Kjo gjë është bërë e mundur falë përvojës 11-vjeçare të kompanisë Aladini Trade Partner dhe stafit të tij të përkushtuar në fushën e e-commerce, duke qenë lider me katër platformat e tij: Bukinist.al, Aladini.al, Beba.al dhe Idedhuratash, si dhe falë pasionit të jashtëzakonshëm të stafit të Bukinist.al për të ndërtuar një platformë profesionale për menaxhimin dhe marketingun e librit. Këtu dua të veçoj edhe mbështetjen maksimale që ka dhënë që nga fillimet e Bukinist, edhe drejtuesi i kompanisë tonë, Valer Pinderi, i cili është një ndër promovuesit më të zellshëm të librit në ndihmë të biznesit.

A është e vështirë të shesësh libra online në Shqipëri?
Rrugëtimi i Bukinist.al dëshmon më së miri se është e mundur të shesësh online në Shqipëri, sidomos kur flitet për librin. Ne kemi synuar në fillim që të ofrojmë shërbime për ato kategori lexuesish që nuk kishin akses tek libraritë në qytetet dhe fshatrat ku jetonin, dhe tek diaspora shqiptare, e cila ndodhej në pamundësi për të blerë librin shqip. Këtu jemi fokusuar në fillim të punës tonë, por më pas, kuptuam se librin nuk mund ta shesin vetëm libraritë, qoftë edhe ato online.
Për këtë arsye, ne kemi ftuar për të bashkëpunuar edhe shtëpitë botuese shqiptare, grupet e lexuesve, rrjetin e bibliotekave dhe partnerët e tjerë që janë pjesë e ekosistemit të librit. Padyshim, libri ka një ekosistem të larmishëm për shkak të fuqisë së tij për të ndryshuar jetët tona. Bukinist.al ka ditur deri më tani që të ndërlidhë të gjithë këto partnerë me njëri-tjetrin dhe të ofrojë shërbimin më të mirë për marketingun dhe shpërndarjen e librit në Shqipëri.
Një nga momentet më të favorshme për Bukinist.al ishte periudha e pandemisë, ku për disa javë platforma jonë ishte e vetmja mundësi për të porositur librin, për shkak të mbylljes së rrjetit të librarive fizike në Shqipëri. Ne ishin destinacioni i vetëm për të blerë libra dhe në atë periudhë u arrit të katërfishohej numri i porosive dhe lexuesve brenda në periudhe të shkurtër.
Jemi të lumtur të themi se këta lexues që i takuam gjatë asaj periudhe të vështirë, sot rikthehen rregullisht tek ne, marrin në konsideratë rekomandimet tona dhe na referojnë tek miqtë e tyre. Falë profesionistëve që kemi në kompaninë tonë, Bukinist.al është kthyer në destinacionin numër një në informimin e librit shqip dhe kjo është një mundësi fantastike që ne të shtojmë shitjet online. Po ashtu, ne kemi mbajtur shumë afër edhe komunitetin e lexuesve; kemi krijuar politika të besnikërisë së lexuesit, përmes statuseve të diferencuara të lexuesve si “Miku i Bukinist”, – një shërbim “prime” për lexuesit, si dhe kemi punuar me shkollat, universitetet dhe bizneset private, – sidomos koorporatat shqiptare, duke ju mundësuar blerjen e librave në oferta të dedikuara dhe duke u rekomanduar libra të cilët vijnë në ndihmë të punës së tyre të përditshme.
Ne kemi plane të qarta për të promovuar librin, autorët dhe botuesit, të cilat janë pjesë e një strategjie të menduar mirë: Që prej fillimit ne kemi ndërtuar edhe mekanizmat e çmimeve për librat më të mirë të vitit në kategoritë: libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-ficiton dhe libri i biznesit dhe zhvillimit personal. E kush më mirë sesa një librari ia njeh vlerat librit dhe di ta përcjellë librin tek lexuesi.
Për këtë arsye, mendoj se librarët janë shumë më tepër sesa ofrues shërbimi. Ata janë menaxherët e mendjes dhe shpirtit njerëzor dhe në këtë aspekt, unë shoh se roli i librarit deri më tani është nënvlerësuar në shoqëritë tona; për aq më tepër, nuk ka pasur politika për mbështetjen e tij, ashtu siç ka ndodhur me autorët, botuesit, përkthyesit, bibliotekat apo lexuesit.
A mund të na thoni diçka për produktet që keni online?
Platforma Bukinist.al ka online mbi 13 mijë libra, ku shumica dërrmuese janë libra në gjuhën shqipe. Kemi librin për fëmijë, librin artistik, librin non-fiction, revista dhe pjesërisht botime shkollore, universitare dhe profesionale. Tregu i librit shqip është pasuruar së fundi me tituj, të cilët janë bestseller edhe në tregjet botërore dhe vijnë të përkthyer në një kohë më të shpejtë se më parë. Prej dy vitesh kemi futur edhe librin në gjuhën angleze, kryesisht duke u fokusuar tek librat e biznesit, zhvillimit personal dhe bestseller-at.
Aktualisht, synojmë të rrisim larmishmërinë e kategorive dhe titujve në gjuhën angleze dhe për këtë arsye kemi kontraktuar distributorët më të mëdhenj në tregun botëror për të punuar në këtë drejtim. Tek Bukinist.al ne ju kemi krijuar mundësinë lexuesve që të marrin edhe gift cards dhe produkte të tjera, si gifts, bookmarks, dhe produkte të tjera bookish, ndonëse ne kemi shumë punë për të bërë në këtë treg. Këtu jemi në hapat e parë dhe po eksplorojmë mundësinë që lexuesve tanë t’ua bëjmë më të këndshëm procesin e leximit, duke e kthyer atë në një “life style” të këndshme.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?
Bota ndodhet në një dinamikë të jashtëzakoshme, me ngjarje të paparashikueshme. E vetmja konstante me të cilën përballet secili prej nesh është ndryshimi. Pa një edukim të fortë, pa ndërtuar një sistem të “edukimit në vazhdim” përmes leximit, e kemi shumë të vështirë për tu përshtatur me mjedisin që na rrethon. Për këtë arsye, ne do të jemi të fokusuar shumë tek librat që transformojnë jetë njerëzish, – tek ato libra që ju vijnë në ndihmë njerëzve për të përballuar sfidat e jetës së përditshme, tek botime të cilat i pajisin lexuesit me ato “aftësi të buta”, të cilat nuk merren në sistemet tradicionale të edukimit.
Për këtë arsye, ne mbetemi një platformë me fuqi rekomanduese dhe këtu gjendet “sekreti” ynë. Në të ardhmen e afërt do të pasurojmë në mënyrë agresive portofolin e produkteve dhe shërbimeve tona. Do të zgjerojmë tregjet me shërbimet tona, sidomos në vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi. Për këtë, po punojmë me partnerët tanë për shpërndarjen, me të cilët do të po synojmë të japim shërbimin me kosto më të lirë për lexuesit tanë jashtë Shqipërisë.
Për shkak të zgjerimit të kompanisë tonë në retailin fizik, ne kemi gërshetuar shitjet online tek Bukinist me shitjet në tregjet fizike, duke synuar promovimin sa më të mirë të Bukinist.al. Po ashtu, synojmë të pasurojmë më tej ekosistemin tonë, duke punuar më fort me partnerë nga bota e biznesit, arsimit dhe fushat e tjera. Rritja konstante e shitjeve dhe portofolit të lexuesve tanë përgjatë gjashtë viteve na ka krijuar hapësira të tjera dhe na ka nxitur për të bërë plane të tjera në vitet në vijim sepse tashmë ne e kemi rrugën e hapur për të qenë operatori më i madh i tregut të librit në Shqipëri.

Kjo intervistë u publikua në platformën rajonale Ecommerce4all në gjuhën angleze. Për më shumë, shiko tek LINKU