12 librat me te shitur te vitit 2022

Foto ilustruese

Një garë e fortë mes librave të zhvillimit personal, biznesit dhe romanit në zhanre të ndryshme. Tre autorë shqiptarë përfshihen në top-12-shen më të lexuar. Oruelli rikthen vëmendjen e lexuesve. Shtohen lexuesit në zhanrin mister & thriller. Ja titujt më të kërkuar të vitit tek Bukinist.al

Viti 2022 ishte plot sfida në tregun e librit. Pikërisht, për këtë arsye, lexuesit e përdorën librin për të kapërcyer pengesat e momentit, gjë që reflektohet qartë edhe në titujt më të shitur të vitit tek platforma më e madhe online e librit, Bukinist.al. Alarmi për një krizë të fortë financiare shtoi interesin për librat e financave personale; – këtu gjendet edhe interesi në rritje për librin “Babai i pasur, babai i varfër” i Robert Kiyosakit, mentorit të financave personale dhe investimeve, të cilit shtëpia botuese “Argeta LMG” i ka sjellë edhe 4 tituj të tjerë në gjuhën shqipe:

Nisja e luftës dhe vazhdimi i pandemisë rriti vëmendjen për filozofinë stoike; Libri i Mark Aurelit, “Meditime” por edhe librat e tjerë të Epictetusit apo Senekës, përfshirë edhe neo-stoikët u pëlqyen nga lexuesit tanë duke ndikuar në një mënyrë të menduari stoike në rrethana të pazakonta:

Shfaqja e autoritarizmit në disa vende të botës riktheu vëmendjen për letërsinë distopike, dhe veçanërisht për romanin kult të këtij zhanri “1984”, sjellë në shqip nga Sokol Çunga.  Realiteti oruellian vazhdon të jetë gozhdues që prej fillimit të pandemisë, dhe me konfliktin në Rusi, prandaj ky roman, përtej vështirësve të kuptueshme në receptim, ka pasur një sukses të pazakontë tek lexuesit shqiptarë.

Duke iu referuar të dhënave që kanë dalë tashmë nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al, tashmë tregu i librit në Shqipëri po përafrohet gjithnjë e më shumë me shijet dhe kërkesat që ka edhe tregu global. Mbretëresha e bestsellerit në botë, Colleen Hoover-i është e tillë edhe në Shqipëri. Romani “Mbaron me ne” kryeson listat për më shumë se 12 muaj. Me një ritëm të shpejtë po lëviz edhe romani i sapohedhur në qarkullim “Fillon me ne” dhe romanet e tjera të kësaj autoreje, si “Verity”, “Dashuri e shëmtuar”, “9 nëntori”, etj.

Top-lista e këtij viti ka shënuar rezultate pozitive edhe për letërsinë shqipe. Lea Ypi me librin autobiografik “Të lirë”, pas suksesit që pati në tregjet globale, ngjalli interesin e jashtëzakonshëm edhe tek lexuesit në Shqipëri. Kjo ndodhi për faktin se riktheu debatet për sistemin komunist dhe mungesën e botës së ideve në mjedisin shqiptar gjatë tri dekadave post-komunizëm të tranzicionit. “Pallati i ëndrrave” mbetet një librat më të mirë të shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare dhe si i tillë u vlerësua edhe gjatë vitit.

Rritje të madhe të interesit ka pasur për Tom Kukën me romanin “Flama”, me të cilin fitoi edhe çmimin europian të letërsisë. Tashmë, ky autor me librat e tij ka fituar interesin e lexuesit tonë.

Bestseller-at e dy dekadave të fundit vazhdojnë të mbajnë pezull interesin e lexuesve: Khaled Hosseini me “Gjuetari i balonave”, “Harry Potter dhe guri filozofal” i J. K. Rowling, por edhe Delia Owens me “Atje ku këndojnë karavidhet” vazhdojnë të jenë mes titujve më të kërkuar.

Tek lexuesi shqiptar ka një rritje të vëmendjes për romanet e zhanrit “mister & thriller” dhe mes tyre, viti 2022 do të mbahet për romanin “Gjëja e fundit që më tha ai” i autores Laura Dave, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Bota Shqiptare.

Mes historianëve dhe mendimtarëve të kohës tonë, Yuval Noah Harari vazhdon të ketë pëlqimin e lexuesit shqiptar për mënyrën sesi rrëfen të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e qenies njerëzore. Me librin “Sapiens”, i botuar nga Botart, Harari ka sfiduar të gjithë histori-shkruesit e njerëzimit dhe vazhdon të kryesojë listat edhe në Shqipëri.

“Përtej vështirësive që pati tregu i librit gjatë vitit 2022, platforma Bukinist vazhdoi të ketë rritje domethënëse krahasuar edhe me vitet e kaluara”, – thotë menaxheri Albert Gjoka. Sipas tij, “rritja e konkurencës po ndikon në përmirësimin e shërbimit për lexuesin, rritjen e standardeve në menaxhim dhe marketing, si dhe shtimin e kategorisë së librave”.

Foto ilustruese

Blogu Leximtari po ndan me ndjekësit e tij 12 titujt më të shitur të vitit tek Bukinist.al, të cilët i gjeni më poshtë:

“Babai i pasur, babai i varfër 1” nga Robert Kiyosaki

Libri më i mirë për financat personale për më shumë se dy dekada e gjysëm vjen me një botim të ri pas suksesit 25-vjeçar që ka pasur, duke formuar dhe ndihmuar me miliona njerëz që të çlirohen nga prangat e mungesës së parasë. Në këtë botim të ri kemi 9 kapituj sesionesh studimi që ju udhëzojnë gjatë kohës që lexoni, ri-lexoni, diskutoni dhe studioni këtë libër me miqtë dhe familjen tuaj.

Ky libër rrëzon mitin se duhet të keni të ardhura të mëdha për t’u bërë i pasur, sidomos në një botë ku teknologjia, robotët dhe ekonomia globale po ndryshojnë rregullat dhe ju mëson se zotërimi i aktiveve mund të jetë më i rëndësishëm për të ardhmen tuaj sesa një rrogë e madhe, si dhe ju mëson për avantazhet nga taksat që përfitojnë investitorët dhe biznesmenët

Leximi i tij na kujton se nuk mund të mbështetemi te sistemi shkollor për t’u mësuar fëmijëve subjektin e parave dhe përse kjo aftësi jetësore kaq thelbësore është më e rëndësishme sot se kurrë më parë.

“Mbaron me ne” nga Colleen Hoover

Mbaron me ne” është një histori e paharrueshme dashurie, ku në qendër të tij qëndron drama në marrëdhënien në çift dhe nevoja për t’u çliruar nga prangat e dhunës. Jeta e Lili Blumit nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, por kjo nuk e ka ndaluar atë që të ndërtojë jetën që donte. Takimi me një neurokirurg të ri duket se do të jetë qershia mbi tortë. Rajl Kinkaidi është një djalë i vendosur, kokëfortë dhe… ndoshta pak arrogant, por njëherazi i ndjeshëm, mendjendritur dhe ndonëse ka vendosur të mos martohet asnjëherë, i ka rënë në kokë për Lilin.

Bashkë me pikëpyetjet për lidhjen e saj të re, në mendjen e Lilit rikthehen kujtimet për dashurinë e parë; një lidhje me të shkuarën e lënë pas. Ai ishte shpirti i saj binjak, engjëlli mbrojtës, çdo rrahje zemre dhe kur një ditë rishfaqet papritur në jetën e saj, gjithçka që ka ndërtuar me Rajlin tronditet.

“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini

Një histori gjithëpërfshirëse e familjes, dashurisë dhe miqësisë, e treguar në sfondin shkatërrues të historisë së Afganistanit gjatë tridhjetë viteve të fundit, “Gjuetari i balonave” është një roman i pazakontë dhe i fuqishëm që është bërë tashmë një klasik i dashur, – i veçantë në llojin e tij. Historia e paharrueshme, zemërthyese e miqësisë së pamundur midis një djali të pasur dhe djalit të shërbëtorit të babait të tij vjen e sendërtuar bukur tek “Gjuetari i balonave”, një roman i krijuar mjeshtrisht; i vendosur në një vend që është në proces shkatërrimi. Bëhet fjalë për fuqinë e leximit, çmimin e tradhtisë dhe mundësinë e shëlbimit; dhe një eksplorim i fuqisë së baballarëve mbi bijtë – dashuria e tyre, sakrificat e tyre, gënjeshtrat e tyre.

“Të lirë” nga Lea Ypi

Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm.

Libri është një gjysmë roman autobiografik, gjysmë ese filozofike, për lirinë dhe çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe të kesh përgjegjësi si individ në periudhën e ndryshimit të sistemeve. Libri flet për një fëmijë që rritet në fund të viteve ‘80 në Shqipërinë e komunizmit, është një lloj roman formimi, romani i rritjes, ku personazhi kryesor rritet, kapërcen fëmijërinë dhe përjeton hyrjen në adoleshencë, ndërkohë që edhe shteti ku ajo jeton pëson të njëjtin transformim. Pra, është një fëmijë që kërkon lirinë në një vend që është gjithashtu në kërkim të lirisë.

Në libër flitet për në fëmijë shumë të zakonshëm që rritet në një ambient të jashtëzakonshëm dhe kupton në dalje të fëmijërisë se këto dy botëkuptime ishin të kundërta. Nga njëra anë mësimet morale në shkollë dhe nga ana tjetër bisedat e fshehta dhe të censuruara në familje. Ky është pasazhi traumatik për të cilin flet libri, i një fëmijë që kur kalon në adoleshencë që kupton se shkolla dhe familja të çonin në drejtime të kundërta. Ndërkohë që edhe shteti përjetonte të njëjtën traumë.

“1984” nga George Orwell

“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është   quajtur   “roman   despotik”,   ku   një   qeveri   autoritare   shikon   dhe   kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale.

Regjimi totalitar i Vëllait të Madh, që vëzhgon vazhdimisht gjithkënd dhe gjithçka nëpërmjet ekraneve të panumërta, ushtron kontrollin absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve. Gjithçka i shërben pushtetit. Librat, gazetat, arkivat dhe mendjet falsifikohen pareshtur, sepse “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën.”

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotshëm vjen si thirrje për të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

“Harry Potter 1 dhe guri filozofal” nga Joanne K. Rowling

Librat e Harri Poterit tashkë kanë hyrë në histori dhe pas më shumë se 20 vitesh qarkullim tek lexuesit vazhdon të mbajë të gjallë fantazinë e vogëlushëve. Harry Potter, 11 vjeç, nuk është një fëmijë si gjithë të tjerët: ka një vragë në ballë në formën e një vetëtime, është bir magjistarësh, dhe tamam ditëlindjen e vet zbulon fuqitë magjike dhe botën misterioze së cilës i përket. Harri ndjek një shkollë speciale, të populluar nga bufë magjikë, fshesa fluturuese, fantazma dhe piktura që flasin. Në shoqërinë e miqve të ngushtë dhe profesorëve të çuditshëm, nga një mësim te tjetri, jeta e heroit nuk rrjedh në binarët e një jete të zakonshmë dhe monotone. Përkundrazi. Rreziqe të panumërta e ndjekin. Gjatë tërë serisë së librave të Harry Potterit, atij i duhet të përballet me magjistarin më të madh të anës së errët, Lordin Voldemort apo në shqip, Lordi Fluronvdekje. Një libër ku magjia rrëfehet si jetë e vërtetë dhe e magjeps edhe lexuesin.

“Atje ku këndojnë karavidhet” nga Delia Owens

Deri më tani ky roman është shitur mbi 6 milionë kopje në mbarë botën, duke kryesuar për shumë javë me radhë listat e shitjeve të Amazon-ën. Dhe a e dini pse? Sepse ai thotë një të vërtetë të hidhur: Bota e kafshëve është më humane sesa bota njerëzore në habitatin që ndërtojnë.

Prej shumë vitesh, thashethemet për “Vajzën e Moçalit” gëlonin në Barkli Kov, një qytezë e qetë në bregun e Karolinës së Veriut. Nga fundi i vitit 1969, kur djali i pashëm Çejs Endrus gjendet i vdekur, banorët dyshojnë menjëherë te Kaja Klarku, e ashtuquajtura Vajza e Moçalit. Po Kaja nuk është ashtu si e përfytyrojnë ata. E ndjeshme dhe inteligjente, ajo ka mbijetuar prej vitesh e vetme në moçal, të cilin e quan shtëpi, duke zënë miqësi me pulëbardhat dhe duke mësuar nga natyra. Po vjen një kohë kur ajo ka ëndje të dashurojë dhe të dashurohet. Dy djem të rinj nga qyteza intrigohen prej bukurisë së saj të egër dhe Kaja hapet ndaj një jete të re – derisa ndodh e paimagjinueshmja. Krahas intrigës dhe krimit, ky roman rrok paralele të forta mes botës njerëzore edhe asaj të moçalit, duke e bërë në fund lexuesin që të reflektojë për sistemin “antinjerëzor” që kemi ndërtuar në marrëdhëniet tona.

“Meditime” nga Marcus Aurelius

“Meditimet” e Marcus Aurelius ofrojnë një seri të jashtëzakonshme reflektimesh dhe ushtrimesh shpirtërore sfiduese të zhvilluara ndërsa perandori përpiqej të kuptonte veten dhe mjedisin rreth tij. Teksa meditimet u krijuan për të ofruar ngushëllim dhe inkurajim personal, Marcus Aurelius krijoi gjithashtu një nga veprat më të mëdha të filozofisë: një koleksion të përjetshëm që është konsultuar dhe admiruar nga shtetarët, mendimtarët dhe lexuesit përgjatë shumë shekujve

“Sapiens – Një histori e shkurtër e njerëzimit” nga Yuval Noah Harari

Gjithëpërfshirës, i thellë, provokuese dhe i guximshëm: Libri Sapiens ka sfiduar gjithçka që kemi ditur rreth qenies njerëzore: Mendimet tona, veprimet tona, fuqia jonë … dhe e ardhmja jonë. Një bestseller absolut përgjatë pesë viteve të fundit në Amazon dhe të gjitha platformat globale të shitjes së librit

Tek “Sapiens”, Dr Yuval Noah Harari përfshin të gjithë historinë njerëzore, që nga njerëzit e parë që ecin mbi tokë deri tek ndryshimet radikale – dhe nganjëherë shkatërruese – të Revolucioneve Njohëse, Agrokulturore dhe Shkencore. Duke nxjerrë në pah të dhëna nga biologjia, antropologjia, paleontologjia dhe ekonomia, ai hulumton se si rrymat e historisë kanë formësuar shoqëritë tona njerëzore, kafshët dhe bimët rreth nesh, madje edhe personalitetet tona.

“Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare

“Pallati i ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e quante të shteruar: me njëmbëdhjetë romane, – titujt kryesorë të të cilëve po përkthehen herë pas here, vepra e tij vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë së Shqipërisë. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë.

Mark-Alemi, protagonisti i tij, hyn për herë të parë në Tabir Saraj, organizëm i perandorisë otomane, që merret me gjumin dhe ëndrrat. Me kupolat e tij të zbehta dhe me korridoret e shkreta, në “Pallati i ëndrrave” nuk vlejnë rekomandimet, ndonëse, në mënyrë paradoksale, letra që ka ndër duar Mark-Alemi i shërben për të hyrë në departamentet më të mira – Seleksionim dhe Interpretim – dhe për të nisur një ngjitje që do ta çojë, përmes makinacionesh dhe komplotesh, në hierarkinë më të lartë, deri tek privilegji më i rrallë i të qenit ndër ata që merreshin me Ëndrrën e Madhe që i ofrohej Sovranit.

“Flama” nga Tom Kuka (pseudonim i Enkel Demit)

Pas tre romaneve të mëparshme, me “Flama” Tom Kuka ka arritur vlerësimin maksimal si shkrimtar, duke u shpallur edhe si fitues i Çmimit Europian të Letërsisë.  Një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.

Në këtë roman na vjen rikthimi i Di Himës, kryehetuesit të Tiranës, me të cilin lexuesi është njohur në novelën e parë “Hide mbi kalldrëm”. Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, mynxyra e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë.

Teksa Di Hima heton, na shpaloset përpara syve një mjerim i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror. Njerëz që nuk duan të njohin rrënjët e tyre, të shkuarën e tyre; gra që shiten e blihen në pazar për hiçmosgjë, njerëz të kulturës që i kanë duart e lidhura në gjithë atë zallahi, mjekë që përplasen me realitete të paimagjinueshme, njerëz të lirë si banorët e Bregut të Lumit, që prapë mbeten me disa parime brenda për brenda “shthurjes” së tyre. I ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit.

“Gjëja e fundit që më tha ai” nga Laura Dave

Me ritmin marramendës, kthesat e papritura të ngjarjeve dhe dramën familjare që përmban, romani “Gjëja e fundit që më tha ai” është një mister që të mban mbërthyer dhe që të trondit me zgjidhjen me të cilën mbyllet.

Para se të zhduket pa gjurmë, Ouen Majkëlli i lë një pusullë gruas së tij të dashur me të cilën kishte një vit i martuar: Mbroje atë. Pavarësisht hutimit dhe frikës, Hana Holli e di me saktësi për cilën bën fjalë pusulla – për Bejlin, vajzën gjashtëmbëdhjetëvjeçare të Ouenit. Bejlin, e cila e ka humbur tragjikisht të ëmën kur ishte fëmijë. Bejlin, e cila nuk do të ketë absolutisht asnjë lidhje me njerkën e re. Kur Hana i telefonon gjithnjë e më e dëshpëruar Ouenit dhe nuk merr përgjigje, ndërsa FBI-ja arreston shefin e Ouenit, dhe një polic bashkë me agjentët federalë ia behin papritur në shtëpinë e saj në Sausalito, Hana kupton shumë shpejt se i shoqi nuk është ai që thoshte se ishte. Dhe se Bejli mund të jetë çelësi për të zbuluar identitetin e vërtetë të Ouenit – dhe arsyen e vërtetë të zhdukjes së tij. Hana dhe Bejli i futen zbulimit të së vërtetës. Por teksa fillojnë të lidhin pjesët e shkëputura të së shkuarës së Ouenit, kuptojnë që janë gjithashtu duke ndërtuar një të ardhme të re – një të ardhme që asnjëra prej tyre nuk do ta kishte parashikuar kurrë.

Foto ilustruese

Të gjithë librat më të shitur i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *