Blogu Leximtari dhe platforma Bukinist.al përcjell një përzgjedhje të romaneve që kanë përshkuar në mënyrën më të thellë pasionet njerëzore. Secili prej tyre mund të ishte një dhuratë e jashtëzakonshme për ditën e Shën Valentinit
“Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,
por po të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi cimbali që tingëllon”.
(Strofë nga “Himni i dashurisë” i Shën Palit)
Ndonëse libri po përdoret gjithnjë e më rrallë si dhuratë mes të dashuruarve në ditët tona, padyshim që ai ka fuqinë më të madhe për të përcjellë mesazhe dhe për të kuptuar pasionet njerëzore.
Thuajse e gjithë letërsia e përbotshme i ka kushtuar një vend të jashtëzakonshëm dashurisë, por vetëm disa veta mbeten të gdhendura në mendjen e njeriut.
Blogu Leximtari ka marrë në analizë edhe këtë vit të gjithë romanet që janë shkruar për marrëdhëniet në çift dhe ka bërë një përzgjedhje bazuar mbi kërkesat që kanë qenë tek platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al, – padyshim edhe mbi të dhëna subjektive, – me një listë prej 10 veprash, të cilat i rekomandon për lexuesit në Ditën e Shën Valentinit. Janë 10 rekomandime që sjellin këndvështrime për pasionet njerëzore në grup-mosha dhe raporte të ndryshme, – sjellin rrugë-zgjidhje dhe sprova të mëdha që kalon njeriu në betejën e tij për ta jetuar dashurinë, për ta kuptuar dhe për ti dhënë vlerë në përditshmërinë e tij.
Ne jemi të bindur se ka shumë vepra të tjera që mund të listohen si rekomandime, por ne po ndajmë përzgjedhjet tona, të cilat i gjeni si më poshtë:
“Silvia” nga Gerard De Nerval (e rekomandojmë për fuqinë e pamatë të dashurisë për të nxitur fantazi dhe emocione njerëzore në rrëfim)
1. “Silvia” cilësohet si një himn për dashurinë e paarritshme dhe përshkruhet nga një stil i kthjellët dhe lirik. Ky roman është shkruajtur në periudhën e fundit të jetës së Gerard de Nerval, dhe ishte ndër librat e adhuruar nga autorë të shquar si Marsel Prousti apo Umberti Eco.
2. “Dashuria në kohërat e kolerës” nga Gabriel Garcia Marquez, (e rekomandojmë sepse në fund të leximit kupton se dashuria mbetet “shkopi” mbi të cilën mbahen gjallë jetët tona)
Dashuria është komplekse. Ky libër mëson shumë për këtë fakt. Dashuria ka shumë hije. Libri jep një mesazh shumë të fortë se është e mundur të dashurosh më shumë se një person. Ajo që e bën të vecantë këtë libër është portretizimi i dashurisë edhe në pleqëri e cila konsiderohet e pamundur. Libri gjithashtu tregon vështirësitë e të vejave dhe se si vdekja e burrave të tyre nuk është fundi i jetës së tyre. Dashuria e brendshme midis Fermina Daza dhe Juvenal Urbino është një kontrast i ashpër me kulminacionin e aferës në pleqëri midis Fermina Daza dhe Florentino Ariza. Karakteri i Florentino i kupton gratë si askush tjetër. Ai na mëson se dashuria mund të pushtojë gjithçka dhe ia vlen të presësh për dashurinë e vërtetë. Përgjatë librit, ka referenca për moshën, plakjen dhe kalbjen – jo vetëm në trup dhe mendje, por edhe në mjedisin fizik, ndërtesat, qytetin, bankën e të akuzuarve, varkën, etj.
Me kombinimin e marrëzisë, poshtërimit, dëshirës, dashurisë, epshit, paraqitjeve, pritjeve, motit, pafajësisë, naivitetit, kompromisit, shpresës, premtimit autori gërsheton një përrallë që mbahet së bashku me disa nga fjalitë më sublime dhe të gjalla të shkruara ndonjëherë.
3. “Dashnori” nga Marguerite Duras (për misterin e zbulimit të dashurisë në hapat e para të jetës tonë)
Rrëfim pasionant, me një intensitet të jashtëzakonshëm, fjalë të pakta por të forta, historia e zbulimit të dashurisë nga një vajzë, një histori e jetuar në një moshë të ëmbël, e zbulimit të seksit me dashnorin e saj kinez. Familja, veçanërisht e ëma, është gjithmonë e pranishme në mendimet dhe veprimet e saj, të mbyllura në një dëshpërim të heshtur. Dashnori është një udhëtim i shkrimtares, që rijeton fëmijërinë e saj indokineze, varfërinë, dashurinë për vëllanë e vogël, urrejtjen për vëllanë e madh, një kujtim i depërtueshëm i lidhjeve të ftohta dhe të këputura me të ëmën… por mbi të gjitha… historia e një dashurie absolute, që shkon përtej diferencës së moshës, racës dhe shtresës sociale, por që është e detyruar të marrë fund për shkak të këtyre pengesave të pakapërcyeshme.
4. “Zonja Bovari” nga Gustav Flober (e rekomandojmë për dashurinë që nuk mund të jetë në një çift)
Ema Bovari është një vajzë provinciale që lexon shume libra romantikë dhe ka marrë një formim konservator në manastir. Për shkak të letërsisë romantike që lexonte, Ema bën zgjedhjet e gabuara në jetë, humbet lidhjet me realitetin dhe shndërrohet në një viktimë të pasioneve të saj, të cilat e orientojnë drejt aventurave të pafundta. Ema dëshiron ndryshimin në jetën e saj, por problemi qëndron me faktin se ajo është heroinë pasive: nuk vepron vetë për të dalë nga monotonia, por varet prej personazheve të tjerë.
Teksa e lexon këtë roman të jashtëzakonshëm reflekton shumë për marrëdhëniet në çift, kupton atë që i jep vlerë një marrëdhënie dhe kur raportet nuk kanë më pasion. Në përfundim të leximit, secili në çift do të dojë të shtojë më shumë dashurinë dhe përkushtimin, – gjithmonë nëse ka një dashuri të vërtetë mes tyre.
5. “E bardha dhe e zeza” nga Malorie Blackman (e rekomandojmë për forcën e dashurisë për të asgjësuar kundërshitë në mjedisin tonë dhe për t’i bashkuar njerëzit)
Është nga ata libra që të mbush me optimizëm kur shikon se si dy të rinj nuk e njohin paragjykimin meqë nuk kanë të njëjtën ngjyrë lëkure, por thjeshtë dashurojnë me shpirt dhe mbi të gjitha luftojnë që ky fenomen të zhduket! Jemi mësuar të dëgjojmë e shohim që gjithmonë njerëzit me ngjyrë të jenë të diskriminuar, por këtu e veçanta është se të bardhët janë ata që janë të paragjykuar dhe akoma më e veçantë është se vetë autorja e librit është me ngjyrë. Autorja ka ditur që ta kthej nga ana tjetër historinë e persekutimit të një rrace tjetër, pra ndaj të bardhëve dhe shkruan aq bukur se si do ishte bota nëse do sundohej nga personat me ngjyrë. E sigurt që edhe nëse ndodh kështu, përsëri gjërat do të bëhen lëmsh se njerëzit mbeten njerëz dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet! Thuhet që do qeshim me këtë histori por shpejt harrojmë së qeshuri kur shohim luftën që bëjnë dy të rinj për të qenë afër njëri-tjetrit, që sa shumë vuan Kallulli dhe familja e tij nga gjithë ai racizëm i kot, se si një nënë humb gjithë familjen e saj që nga bashkëshorti, vajza që vret veten e der te dy djemtë e saj vetëm e vetëm se kishin ngjyrë tjetër, tragjike se si familja e Sefit bënë çmos që ajo ta abortoj fëmijën që rritet brenda saj sepse ai është i ngjizur nga një person me ngjyrë tjetër, shohim neveri kur dikush shkatërron një dashuri nga fuqia që ai ka në qeveri. Rracizmi, bullizimi është vrasës dhe këtu e shohim dhe e kuptojmë më së miri!
6. “Ora e ligë” nga Tom Kuka (Pseudonim i Enkel Demit) (e rekomandojmë për kapjen e dalldisë së dashurisë në kohën e pamoshë dhe për shkundullimën që sjell pas saj)
Sali Kamati, bir i një dere të madhe, i detyruar nga doket e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash sypatrembur, Sali Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. “Kënga thotë rërë”, rrëfen Sali Kamati, që kërkon t’i vihet burrëria në vend, por tashmë ajo ka marrë dhenë dhe ka shkuar gjer në oxhakun e tij, ku Dirja, e shoqja, e pret veshur në të zeza, sepse e di që radhën e ka i shoqi.
I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë punët dhe kamjen e vet që kur t’i vijë ora e vdekjes, t’i lërë të tërë të rregulluar. Fati ose ora e mbrothtë i ka caktuar tjetër rrjedhë jete, kur në shtëpinë e tij, vjen si mysafire Tusha, mbesa e së shoqes, që e mbush vatrën me frymë të re, gaz e hare. Ia çel zemrën dhe i jep jetë Sali Kamatit, por urrejtja, turpi dhe thashethemnaja që mbushin katundin do t’ia mpakin ngazëllimin, sa të mos dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një fshat i tërë që përgjon dalldinë e Sali Kamatit, mallkohet nga Ora e ligë, saqë të gjithëve u bie leskra.
Me një gjuhë kuteliane, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykimi dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit.
7. “Vanesa ime e errët” nga Kate Elisabetth Russell (e rekomandojmë për të kuptuar se Lolita ka në çdo kohë prandaj liria duhet mbrojtur përkundrejt zakonit)
Duke gjurmuar rrjedhën psikologjike të marrëdhënies midis një vajze adoleshente dhe mësuesit të saj manipulues, Russell si një shkrimtare e re, i ofron lexuesit një roman të shkëlqyer, gjithëpërfshirës, njëkohësisht shënon debutimin e saj shpërthyes letërsi. Një histori për Lolitën moderne që ka befasuar lexuesit e ditëve tona. Energjike, ambicioze dhe shumë e zjarrtë, pesëmbëdhjetë vjeçarja Vanesa Uait përfshihet në një lidhje dashurie me mësuesin e anglishtes Xhejkob Strejn, njëzeteshtatë vjet më i madh se ajo.
Shtatëmbëdhjetë vite më pas, Strejn akuzohet për abuzim seksual nga një ish-studente e tij. Vanesa gjendet përballë një zgjedhjeje të vështirë: të qëndrojë e heshtur, në besimin e verbër se si një adoleshente ishte përfshirë me dëshirë në këtë marrëdhënie dashurie, ose ta ripërkufi zojë veten dhe ngjarjet e së shkuarës së saj. Ky është një roman shumë ndikues, gati i pamundur për t’u kundërshtuar, është një portretizim mjeshtëror i një adoleshence të trazuar dhe pasojave të saj, që ngre pikëpyetje jetike mbi lirinë për të dashuruar, respektin dhe viktimizimin. Për gati dy vjet kryeson listat e romaneve më të shitura në të gjithë botën.
Është një roman mbi marrëdhëniet e kohës dhe që pasqyron në mënyrë të shkëlqyer rrjedhën e zakoneve kulturore që transformojnë marrëdhëniet tona dhe vetë shoqërinë.
8. Dashnori i zonjës Çetërli” nga D. H. Lawrence (rekomandohet jo për faktin se ka qenë libër i ndaluar, por për paralajmërimin e “industrializimit” të pasioneve njerëzore)
Ky roman është në këtë listë jo thjeshtë për faktin se ka qenë në listën e librave të ndaluar për shumë kohë, por për parashimin e saktë që i ka bërë evoluimit të pasioneve njerëzore në shoqërinë e konsumit. Njëherësh romani shërben edhe si një studim i shpërbërjes së aristokracisë britanike të pasluftës dhe një manifest për rimëkëmbjen e artit të humbur prej kohësh të thjesht. Romani ka të bëjë me atë se si seksi është shtrembëruar (pa qëllim) dhe falsifikuar (ende pa qëllim) nga dogma, dekori dhe, duke qenë ky një roman britanik i periudhës së fillimit të shekullit të 20-të, klasi, deri në pikën ku asnjë palë nuk përfiton asnjë kënaqësi: Burrat e shohin atë si një mjet për të arritur një qëllim, dhe nevojat seksuale të grave zënë një vend të dytë në detyrën më transhendente që kryen burri.
Në përgjithësi, është një roman psikologjik magjepsës. Lawrence nuk shkruan skena seksi vetëm për të provokuar; larg kësaj, portretizimet e tij të gjata të seksit janë kaq të sinqerta, saqë ai e çon lexuesin në një xhiro emocionesh, duke të bërë të ndihesh i eksituar, thellësisht i sikletshëm, pak i turpëruar dhe çmendurisht i dashuruar me jetën, gjatë gjithë kohës.
9. “Burri që këqyr” nga Alberto Moravia (rekomandohet për evoluimin e brezave në mënyrën sesi e shohin martesën dhe dashurinë)
Babë dhe bir kanë një raport tej mase kompleks me femrën dhe ndërtojnë dy perspektiva të ndryshme për martesën. Të dy janë pedagogë, intelektualë që e shohin krejt ndryshe raportin seksual. Babai është i dhënë më tepër nga instiktet ndërsa i biri ka një qasje më të përpunuar të pasionit njerëzor.
Personazhi qendror, duke vëzhguar me syrin e ftohtë të shkencëtarit jetën brenda në çift, në apartamentin në qendër të Romës dhe raportet e ftohta, sjell një roman të fuqishëm brenda botës psikologjike të njeriut. Protagonisti i romanit është vetëm vëzhgues jo vetëm në botën brenda tij, por edhe për të kuptuar se çfarë ndodh në shoqërinë përreth. Shqisat janë në vlim tek një burrë që është i edukuar në një mënyrë të tillë të rreptë dhe që ka një raport pasiv me botën. Ai ka një marrëdhënie të fortë me vetminë, me paaftësinë për të kuptuar tjetrin dhe me pafuqinë, qoftë edhe në aspektin seksual.
10. “Letra gruas teme të vdekun” nga G. Maranaj (Gjovalin Gjadri) (E rekomandojmë për mesazhin e fortë që përcjell se dashuria ka fuqi përbashkuese duke kapërcyer çdo dallim mes njerëzve, qoftë edhe në besime të ndryshme)
Ky libër i shkruar në formën e katër letrave nga inxhinier Gjovalin Gjadri, pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Zejnep Toptani, vajza e Abdi Toptanit – është kthyer në një nga romanet e zhanrit epistolar më të fuqishëm që është shkruar ndonjëherë. Ky libër sjell një raport të thellë njerëzor dhe pasional të një burri që e do pafund gruan e tij dhe të një gruaje që braktis këdo, përfshirë edhe familjen e saj, për t’u lidhur me njeriun që do. Katër letrat janë shkruar me ndjeshmëri të rrallë njerëzore, me mjeshtrinë e një shkrimtari të vërtetë dhe me guximin e një burri për të rrëfyer me sinqetitet ndjesitë njerëzore.
Të gjithë këto libra i gjeni online tek Bukinist.al bashkë me rekomandimet e përzgjedhura me rastin e Shën Valetinit