10 librat me te shitur te muajit shkurt 2023

Librat për dashurinë në prag të Shën Valentinit, librat e biznesit dhe botimet e reja tërhoqën vëmendjen e lexuesit. Edhe Fjodor Dostojveski mbetet klasik i përhershëm. Top 10 librat më të shitur tek Bukinist.al gjatë muajit shkurt 2023…

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka nxjerrë top-10 librat më të kërkuar të muajit shkurt. Festa e Shën Valentinit dhe lista e rekomandimeve “Librat e dashurisë” rikthyen vëmendjen tek librat për dhurata mes të dashuruave. Kësaj radhe nuk pati më shumë interes për romancat sesa për librat rreth dashurisë. “100 letra dashurie”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Pema dhe “Biseda rreth seksit” ishin dy prej titujve më të pëlqyer nga lexuesit, të cilët siç duket kanë shërbyer edhe si libra për dhuratë në çifte. Edhe romani më i ri në shqip i Colleen Hoover-it, “Kockat e zemrës” ishte mes më të shiturve të muajit që lamë pas.

Nga prurjet e reja tërhoqi vëmendjen romani i Milan Kunderës “Një takim”, përkthyer nga Mirela Kumbaro dhe Saverina Pasho, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria”.

Sigurisht, librat e biznesit dhe motivimit mbeten të pëlqyer prej vitesh nga lexuesi ynë dhe për muajin të lamë pas dy librat “Babai i pasur guidë për të investuar” nga Robert Kiyosaki dhe “Shprehi atomike” i James Clear janë ndër më të kërkuarit. Po ashtu, është rikthyer gjallërisht edhe libri i lidershipit i autores shqiptare, Iris Halili, “Lideri nuk lind, bëhet…”. Një doracak i vlefshëm për drejtimin nga autorja shqiptare që punon në SHBA në fushën e lidershipit, ka tërhequr vëmendjen e lexuesit të specializuar.  

Të njëjtën trajektore pati edhe “Propaganda” nga Edward Bernays, sjellë në shqip nga Brenton Kotorri, – një manual bazë për të kuptuar fuqinë e PR dhe mënyrat sesi manipulohen turmat nga institucionet, binzeset dhe organizatat.

Gjatë muajit shkurt Bukinist.al pati një fokus veprën e Fjodor Dostojevskit dhe duhet thënë se ky autor është klasiku i përhershëm. Mes interesit të madh për veprat e tij u dallua romani “Krim dhe ndëshkim”, përkthyer nga Jorgji Doksani dhe botuar nga Uegen, i cili ishte mes 10 titujve më të shitur të muajit shkurt. Së fundi, autorët klasikë shqiptarë mbeten të pëlqyer nga lexuesit, por Mitrush Kuteli me librin “Tregime të moçme shqiptare” shënoi nivele të larta kërkesash tek platforma online Bukinist.al.

Për më shumë, të gjithë librat më të kërkuar të muajit shkurt 2023 tek Bukinist.al i gjeni si më poshtë:

“Një takim” nga Milan Kundera

Me kalimin e viteve, Kundera na ka mësuar ta shikojmë romanin si një krijesë të brishtë dhe të çmuar, që jeton në një histori të vetme: por kurrë nuk na e kishte zbuluar në mënyrë kaq të qartë dhe magjepsëse fizionominë e romancierit dhe fiziologjinë e tij të dhimbshme, jetike, të fshehur.

Kur Paul Valéry u zgjodh të ulej, në vitin 1925, në mes të “të pavdekshmëve” të Akademisë Franceze, u detyrua – ai që nuk kishte ndonjë respekt të veçantë për artin e romanit – të shprehte, në fjalën që mbajti, lëvdatat për Anatol Francin, paraardhës i tij. Në një “panegjirik” që u bë legjendar, jo vetëm që ia doli të fliste për Francin pa ia përmendur kurrë emrin, por, me një pabesi të hollë, i krahasoi veprat e tij me ato të Tolstoit, Ibsenit, Zolasë, duke e akuzuar për lehtësinë e tyre.

“Babai i pasur, guidë për të investuar” nga Robert Kiyosaki

Në këtë libër Robert Kiyosaki sjell vëzhgime të mprehta sesi investojnë të pasurit dhe analizon dallimet me të varfërit dhe shtresat e mesme. Për herë të parë vjen në shqip ky libër që konsiderohet guida më e mirë për investimet, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Argeta LMG.

“Tregime të moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli

Një kryevepër e magjisë popullore shqiptare që vjen në filitrin rrëfimtar të Mitrush Kutelit: Një nga librat më të shitur të dy dekadave të fundit; një rekomandim i përhershëm për fëmijët dhe një zgjidhje briliante për të kuptuar ashtin e fantazisë shqiptare

“100 letra dashurie”

Të gjithë i njohim këta emra të rëndësishëm për gjurmët e pashlyeshme e veprat e lëna pas, por pak dimë për ndjenjat e tyre intime. Plot stil, sublime, të shprehura bukur dhe me një ndjeshmëri të madhe, jua sjellim të përmbledhura disa prej letrave më të famshme të tyre, drejtuar më të dashurve të jetës.

“Lideri nuk lind… bëhet” nga Iris Halili

Ky libër vjen në dorën e lexuesit si një përmbledhje esenciale studimesh disavjeçare të autores, të fokusuara veçanërisht në tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve.

Në botën e lidershipit, forca e ndjekëseve është e pamat, pasi janë ata që formësojnë, fuqizojnë apo shfuqizojnë liderët.

E gjithë kjo marrëdhënie lider-ndjekës bazohet në dy parime bazë të shkollës së lidershipit: “Nuk ka lider pa ndjekës” dhe “Nuk mund të ketë lider të mirë me ndjekës të këqij apo anasjelltas”.

Në këtë dinamikë mes palëve, një rol parësor luan kultura që ata përfaqësojnë. Ndonëse fusha e lidershipit është shumë herë e ndërlikuar dhe sfiduese, një përfun-dim mbetet qëndrestar:

Lideri i suksesshëm nuk lind, por behet, pasi ndershmëria, karakteri, dëshira për ndryshim apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe përcaktojnë fatin e vetë liderit apo të ndjekësve të tij. 

“Shprehi atomike” nga James Clear

Libri më i kërkuar i vitit nga fusha psikologjike, “Shprehi Atomike” me autor James Clear, erdhi në gjuhën shqipe. Ky libër do t’ju mësojë se si disa ndryshime të vogla, japin rezultate të jashtëzakonshme.

Njerëzit mendojnë se kur synon ta ndryshosh jetën tënde, duhet të mendosh në përmasa të mëdha. Por, eksperti me famë botërore i shprehive James Clear ka zbuluar një tjetër mënyrë.

Ai e di fort mirë se ndryshimet e mirëfillta vijnë nga efekti i përgjithshëm i qindra vendimeve të vogla – kur bëjmë dy pompa në ditë, kur zgjohemi pesë minuta më herët, ose kur thjesht lexojmë një faqe libri më shumë. Ai i quan këto shprehi atomike.

“Krim dhe ndëshkim” nga Fjodor M. Dostojevski

Krim e ndëshkim! Pa dyshim vepra më e fuqishme e F. M. Dostojevskit. Një libër që të përpin. Ndoshta nga të rrallët libra që mund të lexohen shumë herë. Magji e psikanalizës së vërtetë. Dhe një psikanalizë tjetër, më vete është edhe mënyra e jashtëzakonshme si e përshkruan Stefan Cvajgu Dostojevskin

“Propaganda” nga Edward Bernays

Ky libër nuk mëson vetëm si ta bësh për vete opinionin publik por edhe se si të mbrohemi nga propaganda manipuluese e njerëzve të pushtetit. Një nevojë reale për shqipërinë e sotme. Propaganda u shkrua në vitin 1928 nga Edward Bernays duke hedhur për herë të parë dritë mbi teknikat sistematike të komunikimit publik. Në fushën e Marrëdhënieve me Publikun, “Propaganda”, ka shërbyer në shkencën e komunikimit, si vepra themelore e kësaj disipline. Këtë manual e kanë mbajtur dhe mbajnë mbi tryezën e tyre politikanët dhe biznesmenët më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ky libër vjen i përkthyer në shqip nga Brenton Kotorri.

“Kockat e zemrës” nga Colleen Hoover

Godet sërish mendjen dhe zemrat e lexuesve Colleen Hoover me romanin e saj “Kockat e zemrës”: Beja, një vajzë e rritur në varfëri dhe fqinji i saj i pasur Samsoni kanë shumë gjëra ndryshe nga njëri – tjetri, por i bashkon pasioni për trishtimin. Për të mësuar mbi sakrificat e Bejës për të vënë në vijë jetën e saj dhe me këtë histori të pazakontë dashurie, ju ftojmë të lexoni edhe këtë roman të mbretëreshës së bestseller-it, Co – Ho-së.

“Biseda rreth seksit” nga Vanessa Marin dhe Xander Marin

Pse e kemi kaq të vështirë të flasim për seksin, madje edhe me njeriun tonë më intim? “Biseda rreth seksit” do ta ndryshojë tërësisht konceptin tuaj për marrëdhëniet intime. Terapistja e seksit Vanessa Marin dhe bashkëshorti i saj, Xander, do të na tregojnë se gjëja më e mirë që mund të bëjmë për jetën tonë seksuale nuk përfshin as heqjen e rrobave.

Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *