Shoket e veres – 9 libra qe rekomandojme per femijet

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari kanë përzgjedhur 9 “shokë” për lexuesit e vegjël gjatë pushimeve verore. Të gjitha rekomandimet vijnë nga letërsia shqipe për fëmijë. Shiko tek Shokët e verës

E ku ka shok më të mirë sesa një libër për vogëlushet gjatë pushimeve të verës. Kësaj radhe, platfoma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari kanë bërë një përzgjedhje mbi prurjet më të fundit, mes librave më të shitur dhe duke u bazuar edhe mbi kërkesat e lexueve deri më tani, kemi tashmë një listë rekomandimesh.

Lista e këtij viti është një përzgjedhje mes autorëve shqiptarë klasikë apo modernë, të ditëve tona. Padyshim kësaj liste nuk mund t’i mungojë Tasim Gjokutaj, Gaqo Bushaka, Petro Marko, Dionis Bubani apo Bedri Dedja, të cilët kanë ardhur me ribotime të librave të tyre. Veprat që kanë për lexuesit e vegjël i kanë qëndruar kohës dhe mbajnë të gjallë interesin e vogëlushëve. Mes autorëve të tjerë është edhe Virgjil Muçi, Viktor Canosinaj, Rudina Çupi, Anila Mullahi, e cila me veprën e saj “Një tokësor në luftën mes planeteve” është vlerësuar si botimi më i mirë i vitit 2023, në kategorinë letërsia për fëmijë tek Bukinist.al dhe tek Leximtari. Kjo përzgjedhje bëhet në mënyrë që fëmijët tanë ta kuptojnë më mirë realitetin tonë si dhe të mbështetin letërsinë shqipe për fëmijë.

Këto tituj dhe rreth 80 tituj të tjerë janë pjesë e ofertës së Bukinist.al për lexuesit e vegjël, të titulluar Shokët e verës”.

Thuajse çdo vit Bukinist.al rekomandon libra për lexuesit e vegjël gjatë pushimeve të verës.

Më poshtë gjeni listën e librave që rekomandojmë për verën e këtij viti:

Aventurat e Çapaçulit” nga Dionis Bubani

“Aventurat e Çapaçulit” ka fituar çmimin e Shoqatës Mbarëkombëtare të Letërsisë për Fëmijë, 2001.

“Kalamajtë e pallatit tim 1” nga Bedri Dedja

Këto janë rrëfime që shënjojnë jetën e lexuesve të vegjël, pasi jo vetëm rrjedhin natyrshëm, por të krijojnë përshtypjen sikur shkrimtari është edhe një shok e pjesëmarrës në lojërat, shqetësimet, gëzimet dhe brengat e tyre.

Një copëz letër, mbetur “e burgosur” në zarf, mban një sekret që shpaloset në faqet e fundit të këtij romani plot aventura, të cilat nisin në Tiranë e më pas zhvendosen në një fshat malor.

Xhamat e thyer në shtëpinë e banorit më të ri të pallatit, zbulojnë një nga një fqinjët e kateve të tjera, e ndjekin deri në oborr fëmijët e moshave të ndryshme që argëtohen në lojëra e vrapime, që dinë të krijojnë skuadrat e tyre apo të organizojnë kohën e lirë.

Ata janë fëmijë që ndonjëherë i derdhin të gjitha energjitë në fushat e lojës, por që, nga ana tjetër, bëjnë përpjekje të mëdha për të përballuar situatat e ndryshme, që u krijohen në shkollë e në jetën e përditshme.

“Pushimet e Çufos” nga Gaqo Bushaka

Leximi i “Çufoja dhe bubi Kaçurrel”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave”, “Filmi i gjeneral Çufos” dhe “Pushimet e Çufos” ka bërë që ky personazh të mbijetojë dhe të bëjë prapësira për afro tre dekada.

“Shpella e piratëve” nga Petro Marko

Shpella e piratëve është një nga romanet e mirënjohura të shkrimtarit tonë të dashur Petro Marko. Ky roman është dramatizuar dhe inskenuar në disa variante dhe ndonëse libri është botuar për herë të parë në 1964, te ish Shtëpia botuese “Naim Frasheri”, ne mundëm ta nxjerrim në faqen tonë vetëm në ribotimin e tij të dhjetë.

“Kush e hëngri akulloren” nga Tasim Gjokutaj

Tasim Gjokutaj është shkrimtari më i dashur i shumë brezave të fëmijëve, por që vargu i tij frymëzon edhe vogëlushët e ditëve tona. Tashmë, ai është një klasik që lexohet me ëndje edhe sot, prandaj Bukinist.al e ka në listën e rekomandimeve për vogëlushët gjatë pushimeve të verës.

Princeshëza e hënës nga Virgjil Muçi

Ëndrra është një udhëtim i paparacaktuar në kohë e në hapësirë. Ndryshe nga gjithçka tjetër në planetin tonë, ajo nuk i nënshtrohet asnjë ligji të njohur e të panjohur prej njerëzimit, ajo është e dashuruar me Fantazinë dhe tok me të udhëton në infinit. Ëndrra vjen nga bota e hijeve dhe i mbart personazhet e veta, realë ose të shpikur, në skenën e madhe të jetës, spektatorë të  privilegjuar të së cilës janë lexuesit.

Princeshëza e hënës është një ëndërr që flatron mbi krahët e imagjinatës dhe na shpie në planetin e argjendtë, atje ku dita e nata, realiteti e fantazia, jeta e vdekja ndërthuren dhe këmbejnë rolet me njëri-tjetrin. Një kozmonaut dhe një vajzë e mbiquajtur Princeshëzë – emrat e përveçëm, ashtu si shumëçka tjetër, nuk luajnë ndonjë rol në Hënë – takohen në peizazhin surreal hënor dhe lidhin një miqësi që asgjë s’mund ta zhbëjë, duke na bërë të kuptojmë se, në këtë e në atë jetë, asgjë nuk më e rëndësishme se marrëdhënia mes dy qenieve njerëzore.

“Ana nga Tirana” nga Rudina Çupi

Një rrëfim i koduar, i shkruar me rebuse, me fjalë të krijuara duke ndërthurur figura e shkronja. Ky libër ndërveprues, pjesë e serisë “Luaj e shkruaj” për lexuesin fillestar, nxit mendjemprehtësinë dhe logjikën, si dhe shprehjen e anës krijuese.

“Aventurat me ishullin lundrues” nga Viktor Canosinaj

Një roman i llojit të fantazisë për moshën 10-14 vjeç, i shkruar nga një prej autorëve më të spikatur të letërsisë për fëmijë

Vigi, një djalë 11-vjeçar, me anë të një filmi të realizuar në kompjuter nga një shoqja e tij e ngushtë, përjeton një sërë ngjarjesh fantastike, që vënë në provë karakterin e tij, duke e paraqitur ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Në fund, Vigi merr vesh se gjithçka është një mesazh i gjatë kompjuterik i dërguar nga shoqja e tij e ngushtë me rastin e ditëlindjes së tij.

“Nje tokesor ne luften mes planeteve” nga Anila Mullahi (Elezi)

Ne romanin “ Nje tokesor ne luften mes planeteve”, imagjinata do te na dergoje shume larg, ne nje galaksi tjeter. Nje tokesor gjendet papritmas ne mes te nje lufte planetesh. Luftra ka ne toke, por edhe ne galaktika te tjera, te largeta ku jashtokesoret luftojne per te pushtuar planete, per te rrembyer sa me shume burime energie.

Të gjithë librat e rekomanduar “Shokët e verës” për fëmijë të grupmoshës 5-15 vjeç, i gjeni në ofertë gjatë verës tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *