Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe blogu Leximtari rekomandojmë romane që do t’ua bëjnë të pazakontë kohën e pushimeve verore. Përzgjidhen thrillerat psikologjikë dhe kriminalë
Lexuesi shqiptar po bën gjithnjë e më shumë pjesë të leximeve të tij romanet mister dhe thriller. Kjo prirje vihet re sidomos gjatë pesë viteve të fundit gjë që i ka nxitur botuesit të sjellin në shqip prurjet më të mira të këtij zhanri botëror.
Padyshim, tradita e krijuar me autorë të tillë si Agatha Christie, Dean Coonz, Stieg Larsson, Dan Brown, Lucinda Riley, Stephen King, JP Delaney, është ndjekur edhe nga autorë të tillë si Gillian Flynn, Alex Michaelides, Paula Hawkins, por edhe tek emra të tjerë të rinj si Laura Dave, Karen M. McManus, A. J. Finn, Lucy Folley, Lucy Clarke, etj.
Brenda këtij zhanri ka lëvrim të thrillerit psikologji, thrillerit kriminal, – lloje të pëlqyera tashmë edhe nga lexuesit shqiptarë, por edhe thrilleri konspirativ dhe ai shkencor.
Në prag të sezonit të pushimeve, platforma Bukinist.al ka rekomanduar listën “Pusho dhe Lexo”, ku krahas zhanreve të tjera ka përfshirë edhe disa nga romanet thriller.
Për të gjithë ata që janë të fiksuar pas aksionit, situatave të ankthshme, kthesave të papritura, – pra për ato libra që ju ngulisin në karrige që nga momenti i hapjes së fletës së parë, ne kemi përzgjedhur shtatë romane. Ndryshe nga zhanret e tjera, thrillerat kanë aftësinë të të çojnë në udhëtime dhe kthesa të papritura, në komplote dhe maja që nuk i ke imangjinuar më parë.
Me kaq shumë libra të mahnitshëm për të lexuar në këtë zhanër, nuk do t’ju mbarojnë kurrë aventurat emocionuese për të pasur një verë të pazakontë. Prandaj, bëhuni gati! Mos kini frikë!
Më poshtë gjeni listën me shtatë romane që rekomandojmë për ju, të dashur lexues:
Pacientja e heshtur nga Alex Michaelides
“Pacientja e heshtur” është një thriller psikologjik tronditës që ka në qendër aktin e dhunës së një gruaje ndaj bashkëshortit të saj – dhe të terapistit të fiksuar pas zbulimit të motiveve të saj. Në dukje, jeta e Alisia Berensonit është e përsosur. Ajo është një piktore e famshme, e martuar me një fotograf të mirënjohur në fushën e modës, dhe jeton në një shtëpi madhështore me dritare të mëdha, në një nga zonat më të lakmuara të Londrës.
Një mbrëmje, bashkëshorti i saj, Gabrieli, kthehet vonë në shtëpi dhe Alisia e qëllon me armë pesë herë në fytyrë. Pas kësaj, ajo nuk nxjerr më asnjë fjalë nga goja. Refuzimi i Alisias për të folur ose për të dhënë ndonjë lloj shpjegimi, e kthen këtë tragjedi familjare në diçka shumë më të madhe, e kthen në një mister që tërheq imagjinatën e publikut dhe i jep Alisias famë të jashtëzakonshme. Çmimi i artit të saj kap majat, kurse ajo, pacientja e heshtur, u fshihet tabloideve dhe gjendet në Grove, një klinikë e sigurisë së lartë në Londrën Veriore.
Teo Faberi është një psikoterapist kriminalistik, i cili e ka pritur prej kohësh mundësinë për të punuar me Alisian. Vendosmëria e tij për ta bërë Alisian të flasë dhe për të zbuluar misterin se përse e qëlloi të shoqin, e çon të ndjekë një rrugë gjarpërushe drejt motivimeve të tij – një kërkim për të vërtetën, e cila kërcënon vetë atë….
“Gjëja e fundit që më tha ai” nga Laura Dave
Me ritmin marramendës, kthesat e papritura të ngjarjeve dhe dramën familjare që përmban, romani “Gjëja e fundit që më tha ai” është një mister që të mban mbërthyer dhe që të trondit me zgjidhjen me të cilën mbyllet.
Para se të zhduket pa gjurmë, Ouen Majkëlli i lë një pusullë gruas së tij të dashur me të cilën kishte një vit i martuar: Mbroje atë. Pavarësisht hutimit dhe frikës, Hana Holli e di me saktësi për cilën bën fjalë pusulla – për Bejlin, vajzën gjashtëmbëdhjetëvjeçare të Ouenit. Bejlin, e cila e ka humbur tragjikisht të ëmën kur ishte fëmijë. Bejlin, e cila nuk do të ketë absolutisht asnjë lidhje me njerkën e re. Kur Hana i telefonon gjithnjë e më e dëshpëruar Ouenit dhe nuk merr përgjigje, ndërsa FBI-ja arreston shefin e Ouenit, dhe një polic bashkë me agjentët federalë ia behin papritur në shtëpinë e saj në Sausalito, Hana kupton shumë shpejt se i shoqi nuk është ai që thoshte se ishte. Dhe se Bejli mund të jetë çelësi për të zbuluar identitetin e vërtetë të Ouenit – dhe arsyen e vërtetë të zhdukjes së tij. Hana dhe Bejli i futen zbulimit të së vërtetës. Por teksa fillojnë të lidhin pjesët e shkëputura të së shkuarës së Ouenit, kuptojnë që janë gjithashtu duke ndërtuar një të ardhme të re – një të ardhme që asnjëra prej tyre nuk do ta kishte parashikuar kurrë.
“Lista e të ftuarve” nga Lucy Folley
Më në fund vjen në shqip një nga bestseller-at e momentit në botë, shkruar mjeshtrisht nga Lucy Folley, vlerësuar si Agatha Christie e kohës tonë për stilin, tensionin dhe misterin.
Në një ishull të bregut të Irlandës janë mbledhur të ftuarit për të festuar lidhjen e jetëve të dy personave. Dhëndri: i hijshëm e tërheqës, yll televizioni në ngritje. Nusja: e zgjuar dhe ambicioze, botuese reviste.
Është dasmë e denjë për një revistë apo për njerëz të famshëm: fustan i mrekullueshëm, vend i largët, organizim i shkëlqyer luksi, uiski i shtrenjtë. Shërbimi i telefonisë celulare mund të mos jetë i pandërprerë dhe dallgët e detit mund të jenë të fuqishme, por festa është planifikuar deri në hollësitë më të vogla që do të zbatohen me profesionalizëm.
Por përsosmëria ekziston vetëm në planifikim, kurse njerëzit janë si gjithë të tjerët. Ndërsa kërcasin tapat e shampanjës dhe fillon festa, urimet dhe ca kujtime të largëta fillojnë të përzihen me fyerje e xhelozi të vockla.
Shoqëruesit e dhëndrit nisin lojën e pijes si në kohët e shkollës. Shoqëruesja e nuses gris jo aq rastësisht fustanin. Shoku më i vjetër i nuses ngre një dolli jo aq të pëlqyeshme që i vë dasmorët në siklet.
Pastaj, zbulohet se dikush ka vdekur. Kush është personi që dëshiron të prishë lumturinë e çiftit? Dhe çfarë ka më shumë rëndësi, për ç’arsye?
“Një kufomë në bibliotekë” nga Agatha Christie
Shën Mari Med, një mëngjes i zakonshëm. Të paktën derisa kolonel Bantri dhe gruaja e tij, Dolli, zgjohen me ngut nga një shërbëtore e tmerruar, e cila vjen për t’i njoftuar se në bibliotekën e shtëpisë është gjetur trupi i një gruaje të panjohur, veshur me fustan mbrëmjeje! Nuk është thjesht trupi, në fakt, është kufoma e saj!
Kush është kjo grua e re? Si arriti deri në bibliotekë? Kush e vrau?
Askush nga banorët e shtëpisë nuk e njeh viktimën, as e ka takuar ndonjëherë, po atëherë si shpjegohet vrasja dhe gjetja në atë vend?
Policia, e thirrur aty për aty, nis hetimin, por edhe kësaj here do të jetë zonjusha e këndshme Marpëll, shoqe e hershme e të zonjës së shtëpisë, që, me syrin e pagabueshëm dhe kthjelltësinë e saj, do të hedhë dritë në zonat më të thella e të fshehta të shpirtit njerëzor dhe do të zgjidhë çështjen.
Mes thashethemeve që përmbytin fshatin për “skandalin”, ajo ngre një kurth të zgjuar për të kapur një vrasës të pamëshirshëm.
“Njëri nga ne po gënjen” nga Karen M Mcmanus
Një i vdekur, katër të dyshuar dhe njëri prej tyre po gënjen
Një pasdite pesë nxënës të Gjimnazit Bejvju futen në klasën e ndëshkimit. Kur Simoni rrëzohet papritmas dhe vdes pak më vonë në spital, policia nis të hetojë rreth vdekjes. Simoni kishte planifikuar të postonte thashetheme pikante të nesërmen e asaj dite. Në qendër të vëmendjes vihen Bronuina, Adi, Nejti dhe Kupëri. Secili prej të rinjve ka diçka për të fshehur – dhe kësisoj një motiv…
Ky roman është i përshtatshëm më shumë për tu lexuar nga adoleneshtët ndonëse ka pasur lexues edhe të moshave të rritura.
“Njëra nga vajzat” nga Lucy Clarke
Ky triller psikologjik që të mban mbërthyer sinjalizon shpërthimin e një talenti. Libri “Njëra nga vajzat” trajton vështirësitë dhe gëzimet e miqësisë mes vajzave, por edhe pasojat e paimagjinueshme që ajo mund të ketë, kur diçka në këtë lidhje sa të bukur, aq edhe problematike, shkon keq. Shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Lucy Clarke është autore e tetë trillerëve, të cilët janë shitur në më shumë se një milion kopje vetëm në Britani dhe janë botuar në më shumë se 25 gjuhë.
Gjashtë vajza, aq të ndryshme nga njëra-tjetra, udhëtojnë në një ishull grek për festën e beqarisë së Leksit. Nga pamjet e lavdishme të oqeanit, tek tavernat tradicionale dhe rrugët plot drita, ajo fundjavë pushimesh duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Mirëpo secila prej vajzave fsheh një sekret.
Dikush është i vendosur që martesa e Leksit të mos ndodhë kurrë… dhe që një person të mos largohet gjallë nga ishulli.
“Vrasje në shtëpinë Flit” nga Lucinda Riley
Një shtëpi si ajo e familjes Flit mban sekretet më të mistershme që mund të kenë ndodhur ndonjëherë….
Vdekja e papritur e një nxënësi në Shtëpinë Flit të Shën Stivenit – një shkollë e vogël private me konvikt, në zemër të Norfolkut – është një ngjarje tronditëse, të cilën drejtori ngutet ta quajë aksident tragjik.
Por policia lokale nuk përjashton mundësinë e ndonjë loje të ndyrë, ndaj ky rast e detyron inspektoren Xhazminë Hantër të kthehet në detyrë. Xhazi, siç e thërrasin miqtë, ka hequr dorë nga karriera policore në Londër, për disa arsye, por pranon të përballet me hetimin për t’i bërë një nder ish-shefit të saj.
Së bashku me Majëllsin, rreshterin besnik, Xhazi hyn në botën e mbyllur të shkollës dhe fillon të hetojë rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të Çarli Kavendishit. Ndërkaq, ngjarjet marrin një tjetër kthesë shqetësuese.
Del se Çarli ka qenë një djalë arrogant dhe i vrazhdë me të tjerët, ndaj janë shumë ata që kanë pasur motivin dhe mundësinë për t’ia ndërruar ilaçet që ai merrte çdo ditë, për të mbajtur nën kontroll epilepsinë.
Ndërsa stafi i shkollës nuk është aspak bashkëpunues me policinë, zhdukja e një nxënësi në moshë më të re dhe vdekja e një profesori të moshuar të letërsisë klasike i japin Xhazit pista të rëndësishme, që e ndërlikojnë edhe më shumë hetimin: bora mbulon anekënd vendin, një tjetër i dyshuar zhduket, Xhazi duhet të përballet edhe me demonët e saj personalë…
Një zbulim veçanërisht i trishtuar në shkollë e bën këtë hetim për vrasje më sfiduesin në karrierën e saj. Sepse Shtëpia Flit fsheh sekrete më të errëta nga sa mund të kishte imagjinuar ndonjëherë edhe vetë Xhazi…
Të gjithë librat e zhanrit mister & thriller i gjeni tek Bukinist.al
Rekomandimet tona verore “Pusho dhe lexo” i gjeni në ofertë tek LINKU
Përgatiti: Albert Gjoka