10 librat me te shitur gjate muajit gusht 2023

Librat “booktok”, romanet mister dhe thriller, klasikët por edhe librat e zhvillimit personal mbeten në krye të listës së titujve më të kërkuar. Ja 10 librat më të shitur tek platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al për muajin e kaluar

Fenomeni “booktok” po përhapet me shpejtësi edhe në Shqipëri. Një gjë të tillë e dëshmojnë shitjet e verës së këtij viti.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati Colleen Hoover me librat e saj edhe në tregun tonë, një tjetër autore është shfaqur befas me një rekord shitjesh: Ana Huang është një autore bestseller që po pëlqehet nga lexuesit edhe në vendin tonë, kryesisht nga të rinjtë. “Dashuri, – libri i parë i serisë Twisted”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dritan” ka qenë ndër më të kërkuarit për muajin që lamë pas.

Në muajin e fundit të verës ka pasur kërkesa të shumta edhe për librat e tjerë si “Shërbëtorja” i autores Frieda McFadden, hedhur në qarkullim nga “Bota Shqiptare”, – njëherësh një bestseller edhe në tregjet botërore.

Këto dy prurje të reja në fushën e botimeve kanë përmbysur tregun në një periudhë të shkurtër kohe, që kur kanë dalë në treg, tek lexuesit.

Libri më i mirë i Goodreads për vitin 2021, “Pacientja e heshtur”, i Alex Michaelides, botuar nga “Dudaj”, vazhdon të ketë rritje të interesit edhe në vendin tonë, ndonëse u bë një vit nga publikimi i tij.

Carlos Luis Zafon me “Hija e erës” dhe Jeffry Archer me sagën “Keini dhe Abeli” mbajnë ende të gjallë vëmendjen e lexuesit, sidomos gjatë pushimeve të verës.

Mes klasikëve, Franz Kafka me “Letër babait” ka lexues të përhershëm dhe si i tillë mbetet mes më të kërkuarve.

Autobiografia e Prince Harry, “Spare – në hije” ka rikthim të vëmendjes në muajin gusht nga lexuesit tanë, sidomos për ata që duan “sekrete mbretërore”.
Mes librave të zhvillimit personal, këtë kohë kryeson “48 ligjet e pushtetit” i Robert Greene, i konsideruar si Makiaveli i ditëve tona.

Gjyshja gango” e David Walliam, botuar nga Botart këtë radhë është përfshirë mes 10 librave më të shitur të muajit në platformën Bukinist.al.

Së fundi, autorja Eralda Baze, e cila me romanin “Dielli më perëndon në lindje” ka fituar çmimin si libri më i mirë i vitit 2021 tek Bukinist.al, – ka mbajtur të fortë vëmendjen e lexuesit edhe me romanin e saj të ri “Zambaku i kanionit”, i botuar ditët e fundit nga shtëpia botuese “Schnell”. Gjatë muajit gusht ky roman është përfshirë në top 10 librat më të kërkuar.

Pjesa më e madhe e këtyre librave kanë qenë pjesë e rekomandimeve “Pusho dhe Lexo” dhe “Shokët e verës”, duke u mbyllur kështu edhe një fushatë e suksesshme nga Bukinist.al në misionin e tij për të rekomanduar libra për personat që gjatë pushimeve të verës marrin edhe libra me vete për të kaluar momente magjike në vende të ndryshme turistike.

Foto: Dhurata Sheme Zdrava

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni listën me librat më të kërkuar të muajit të kaluar tek Bukinist.al:

“Dashuri – Libri i parë i serisë Twisted” nga Ana Huang

Vjen më në fund në shqip një nga librat më të shitur të momentit nga seria Twisted, shkruar nga Ann Huang, “Dashuri”, – një bestseller absolut në të gjithë botën.

ALEKS VOLKOVI është djalli i bekuar me fytyrën e një engjëlli dhe i mallkuar me një të shkuar, prej së cilës nuk mund të arratiset.

Nën shtysën e tragjedisë që e ka përndjekur për pjesën më të madhe të jetës, bëmat e tij të pamëshirshme për sukses dhe hakmarrje lënë shumë pak vend për çështjet e zemrës.  Po kur ai detyrohet të kujdeset për motrën e shokut të ngushtë, fillon të ndiejë diçka në kraharor:

Një krisje. Një shkrirje. Një zjarr që mund t’ia kthejë në hi botën e vet.   

AVA ÇENI është një shpirt i lirë në grackën e maktheve të një fëmijërie që nuk arrin ta sjellë ndër mend.  Po pavarësisht fillit të këputur të së shkuarës, ajo nuk ka reshtur kurrë së pari anën e bukur të botës… përfshirë edhe zemrën brenda guaskës së akullt të një mashkulli, të cilin nuk duhej ta dëshironte.  Shokut të ngushtë të të vëllait. Fqinjit të saj. Shpëtimtarit dhe rrënimit të saj. 

Dashuria mes tyre nuk duhej të kishte ngjarë kurrë… po kur ajo lind, nxjerr në dritë sekrete që mund t’i shkatërrojnë të dy… dhe gjithçka që kanë të shtrenjtë.

“Shërbëtorja” nga Frieda McFadden

Bestseller i New York Times, USA Today dhe Wall Street Journal si edhe fitues i çmimit ITW 2023. Kjo histori me kthesa të pabesueshme do t’ju mbajë të mbërthyer pas librit deri natën vonë.

“48 ligjet e pushtetit” nga Robert Greene

Ky libër vjen për të gjithë ata që e duan PUSHTETIN, duan ta kuptojnë PUSHTETIN dhe duan të mbrohen nga PUSHTETI.

48 ligjet e pushtetit” është studimi më i mirë i pushtetit dhe udhëzues i domosdoshëm i artit bashkëkohor të përfitimit dhe të përdorimit të tij.

Ligjet e pushtetit paraqiten dhe analizohen me thjeshtësi dhe qartësi, kryesisht, nëpërmjet zbatimit të metodave ushtarake, të fitoreve dhe humbjeve; nga historianë të njohur që prej atyre të Aleksandrit të Madh, të mbretëreshës Elisabet të Anglisë, të Napoleonit, të Bismarkut, të Rotshildit, të Kisingerit, të Makiavelit, të Klausevitzit, të Sun Tzusë por dhe të Nikola Teslës, të Galileut, të Mikelanxhelos, të Don Zhuanit dhe të Kazanovës.

“Pacientja e heshtur” nga Alex Michaelides

Pacientja e heshtur është një thriller psikologjik tronditës, që ka në qendër aktin e dhunës së një gruaje ndaj bashkëshortit të saj – dhe të terapistit të fiksuar pas zbulimit të motiveve të saj.

Në dukje, jeta e Alisia Berensonit është e përsosur. Ajo është një piktore e famshme, e martuar me një fotograf të mirënjohur në fushën e modës, dhe jeton në një shtëpi madhështore me dritare të mëdha, në një nga zonat më të lakmuara të Londrës. Një mbrëmje, bashkëshorti i saj, Gabrieli, kthehet vonë në shtëpi dhe Alisia e qëllon me armë pesë herë në fytyrë. Pas kësaj, ajo nuk nxjerr më asnjë fjalë nga goja.

Refuzimi i Alisias për të folur ose për të dhënë ndonjë lloj shpjegimi, e kthen këtë tragjedi familjare në diçka shumë më të madhe, e kthen në një mister që tërheq imagjinatën e publikut dhe i jep Alisias famë të jashtëzakonshme. Çmimi i artit të saj kap majat, kurse ajo, pacientja e heshtur, u fshihet tabloideve dhe gjendet në Grove, një klinikë e sigurisë së lartë në Londrën Veriore.

Teo Faberi është një psikoterapist kriminalistik, i cili e ka pritur prej kohësh mundësinë për të punuar me Alisian. Vendosmëria e tij për ta bërë Alisian të flasë dhe për të zbuluar misterin se përse e qëlloi të shoqin, e çon të ndjekë një rrugë gjarpërushe drejt motivimeve të tij – një kërkim për të vërtetën, e cila kërcënon vetë atë….

“Keini dhe Abeli” nga Jeffrey Archer

Duke huazuar titullin e këtij romani nga Bibla, nga historia e vëllezërve Kain dhe Abel (Cain and Abel), britaniku Jeffrey Archer na risjell nëpërmjet një drame njerëzore, historinë e dy djemve që lindin në dy anë të ndryshme të botës.

Historia zë fill më 15 prill 1906, kur ata erdhën në jetë, njëri nga një familje që jetonte në luks dhe tjetri nga bota e skamjes. Është historia e bankierit Uilliam Lovëll Kein nga Bostoni dhe e emigrantit polak Abel Rosnovski.

Edhe pse njëri është rritur mes librave e pasurisë, ndërsa tjetri mes luftës për ekzistencë, kanë të njëjtën ëndërr, të sundojnë me çdo kusht botën e parasë. Janë ambiciozë, të fuqishëm, të pamëshirshëm, të yshtur nga urrejtja e pashterur e të pajtuar nga fati për të shpëtuar dhe përfundimisht për të shkatërruar njëri-tjetrin.

Ky libër është historia tronditëse e dy burrave, e djalit të një emigranti polak varfanjak, dhe tjetri djali i një pasaniku të privilegjuar nga një familje bankierësh të pasur nga Bostoni. Abel Rosnovski, i regjur me varfërinë u mbijeton vështirësive, është këmbëngulës, emigron në Shtetet e Bashkuara dhe ngre një rrjet hotelesh me emër të rëndësishëm.

“Hija e erës” nga Carlos Ruiz Zafón

Në Barcelonën e pasluftës, Daniel Sempere, ende fëmijë, mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme dhe fate të humbura.

“Gjyshja Gango” nga David Walliams

Një tjetër roman bestseller i David Walliams, – i konsideruar si Roald Dahli i diëve tona, që të bën për të qeshur, sidomos për lexuesit e vegjël. Një histori për të vegjël rreth paragjykimeve dhe pranimit, gjërave qesharake dhe fjalëve të buta që vijnë nga gjyshja që dikur kishte vjedhur gjëra të çmuara dhe sot ka nevojë për ndihmën e nipit të saj, Benit, i cili është tejet i mërzitur se e kanë lënë të qëndrojë në shtëpinë e saj.

“Letër babait” nga Franz Kafka

Kjo vepër është ndërtuar mbi një letër reale që Franz Kafka ia nisi të atit, por që nuk e lexoi kurrë dhe falë Maks Brodit, lexuesi ka edhe në ditët tona një histori të rrallë të marrëdhënies mes babait dhe djalit, e cila shkon deri në detajet më të thella të këtij raporti.

“Spare – Në hije” nga Prince Harry

Menjëherë pasi është botuar në anglisht, vetëm pak javë më pas, shtëpia botuese “Uegen” sjell në shqip autobiografinë që është kthyer në bestseller-i i momentit në të gjithë botën. Për herë të parë, Princ Herri tregon historinë e tij, duke përshkruar udhëtimin me ndershmëri të vërtetë, të patundur. Një botim historik, plot dije, zbulesë, vetë-ekzaminim dhe mençuri të fituar me vështirësi, lidhur ngushtë me fuqinë e përjetshme të dashurisë mbi pikëllimin.

“Zambaku i kanionit” nga Eralda Baze

Pas suksesit që pati me romanin “Dielli me perëndon në Lindje”, Eralda Baze vjen me një roman tjetër para lexuesve shqiptarë: “Zambaku i kanionit”. Edhe këtë radhë vë në pah problemet më therëse të tranzicionit shqiptar, të cilat trajtohen estetikisht përmes mjeshtrisë si rrëfimtare nga kjo autore.

Prof. As. Dr. ARBEN PRENDI shprehet: Romani “Zambaku i kanionit” i autores Eralda Baze, është një rrëfim tronditës mbi problematikat aktuale të shoqërisë shqiptare të tranzicionit dhe na ripohon nevojën që këto problematika të vijojnë të trajtohen estetikisht në letërsinë tonë.

Duke perifrazuar Gëten, mund të themi se ky roman do t’i kënaqë tri kategoritë e lexuesve: lexuesin që kënaqet pa gjykuar, lexuesin që gjykon pa u kënaqur, lexuesin që gjykon duke u kënaqur dhe kënaqet duke gjykuar. Ky i fundit e krijon rishtas veprën e artit”.

Foto: Valentina Çela

Të gjithë librat më të shitur i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *