Disa rekomandime per biblioteken e shkolles

Një këndvështrim ndryshe mbi listën paraprake të librave të rekomanduara nga Ministria e Arsimit për bibliotekat e shkollave

Dr. Albert GJOKA*

Prej disa ditësh Ministria e Arsimit ka bërë publike një listë rekomandimesh të librave për sistemin arsimor parauniversitar. Ashtu siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar të këtij institucioni, kësaj radhe është kërkuar që të përfshihen në procesin e konsultimit deri më datë 5 shtator edhe shumë aktorë të tjerë, si “botues, autorë, ekspertë, mësues, etj”.

Sigurisht, është për t’u përgëzuar fakti se po rishikohet lista ekzistuese dhe ka një proces hapje në procesin e konsultimit, përveç botuesve, të cilët në rastin konkret janë një grupim interesi i mirëfilltë, paçka se kanë meritën e madhe të pasurimit të botës shpirtërore dhe mendore të të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe të fëmijëve tanë.

Deri në vitin 2013 shkolla ishte më e hapur sesa duhet ndaj librit në përgjithësi, duke lënë vend për abuzime të dukshme në mënyrën sesi futej libri në biblioteka, si promovohej libri dhe leximi, si futeshin autorët nëpër klasa, etj. Pas vitit 2013, për shkak të fenomeneve negative që ishin konstatuar më herët, shkolla i mbylli “dyert dhe dritaret” për librin, teksa drejtuesit e Ministrisë së Arsimit thjeshtë arnuan një listë që ka qenë funksionale deri para pak vitesh.

Tashmë, ndodhemi përballë një nisme, e cila duhet marrë seriozisht, nëse duam të përmirësojmë sistemin e edukimit, sepse libri është ndër mjetet më të qenësishme për të ndryshuar jetët tona, – aq më tepër të fëmijëve tanë; është aleati më i çmuar i mësuesit në procesin e mësimnxënies, është miku më i mirë i nxënësit në rrugëtimin e tij drejt dijes dhe është njëherësh edhe armë e fortë për të përditësuar njohuritë në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Prujet e reja që sjellin çdo vit botuesit shqiptarë janë lavdëruese, duke marrë në konsideratë rriskun e lartë të këtij biznesi, tregun e vogël, rritjen e kostove pas pandemisë, sepse, falë sakrificës së tyre, është rritur portofoli i botimeve, llojshmëria e tyre dhe cilësia në përkthim, redaktim dhe shtypshkrim: Po ashtu, kemi prurje që vijnë në shqip thuajse në të njëjtën kohë me daljen e tyre në tregjet botërore. Pikërisht, edhe për këtë arsye, lista e rekomandimeve duhet ndryshuar më shpesh, edhe në funksion të ardhjes së librave të rinj nga entet tona botuese.

Përmes këtij shkrimi, autori i këtyre radhëve synon të ndajë disa ide në këtë proces, duke bërë të ditur se nuk ka asnjë konflikt interesi, por është i motivuar nga nevoja për të përmirësuar rrënjësisht të gjitha prurjet që vendosen në bibliotekën e shkollës, të mënyrës sesi menaxhohen ato, të mënyrës sesi promovohet libri dhe leximi në shkolla dhe të mundësisë që libri të ndikojë më shumë në formimin e fëmijëve tanë.

Paraprakisht, dua të bëj të ditur se studimet e mia universitare në degën e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, studimet doktorale në këtë fushë, përvoja shumëvjeçare si drejtues në menaxhimin e një prej librarive më të mëdha në Shqipëri, dhe këndvështrimi si prind, me fëmijët që ende vijojnë studimet në sistemin shkollor parauniversitar, më nxisin përgjegjësinë dhe qasjen konstruktive që të ndaj ekspertizën time, – edhe publikisht, për mënyrën sesi përmbushen nevojat mendore dhe shpirtërore të fëmijëve përmes librit në bibliotekat e shkollave tona. Mbi të gjitha, jetoj çdo ditë me librin, me prurjet e reja që vijnë në shqip dhe ndjek cilësinë e tyre edhe si lexues i specializuar.

Është fakt se bibliotekat nuk janë më vende ku fëmijët tanë harxhojnë shumë kohë me dëshirë, – edhe për shkak të menaxhimit të tyre, gjë që do një trajtesë më vete, – por nëse ne nuk tregohemi të përgjegjshëm për të përzgjedhur një listë të vlertë librash; nëse nuk kuptojmë nevojat, dëshirat dhe pasionet e fëmijëve që mund të përmbushen përmes librit; nëse nuk adresojmë sfidat e kohës për njohuri të reja që përcillen nga libri tek fëmijët, – do të humbasim betejen për një arsim më cilësor dhe që i përgjigjet standardeve.

Foto ilustruese

Qysh në krye të herës, do të ishte e udhës që për hir të transparencës dhe shmangies së konfliktit të interesit, emrat e ekspertëve apo bordit përzgjedhës të kësaj liste të bëheshin të ditur nga Ministria e Arsimit, pasi formimi i tyre, kontributet që kanë dhënë në fushat respektive do të ishin një hipotekë e mirë në fuqinë rekomanduese të librit tek nxënësit.

Lista e propozuar aktualisht përfaqëson pjesërisht prurjet më të mira të librit shqip, ku fatkeqësisht nuk janë përfshirë botime tashmë cilësore edhe të botuesve nga Kosova (fare mirë mund të ishin edhe botimet e Pema, Dukagjini, Konica, etj.); konstatohen mungesa kritike edhe nga portofoli i botuesve nga Shqipëria. Ashtu siç janë lërë thuajse fare jashtë liste botime të specializuara të institucioneve akademike, universitare dhe kërkimore, – këtu e kam fjalën për botime të llojit, fjalorë, metoda, apo botime që mund të vlenin edhe për mësuesit. Kjo listë dëshmon kryesisht presionin që vjen nga grupet e interesit, dhe nuk është ngritur mbi bazën e nevojave reale që kanë nxënësit apo formimin e tyre mbi bazën e kërkesave që shtron koha. Po ashtu, tek-tuk shihen edhe ndikime klienteliste për të futur tituj librash apo autorë, të cilët nuk do të pasuronin botën e fëmijëve tanë; përkundrazi, – që do ta humbisnin shijen për librin e mirë.

Duke qenë në kontakt të përditshëm me të gjithë titujt që qarkullojnë aktualisht në shqip, konstatoj se ka prurje me shumë vlerë për shkollën tonë: Kanë ardhur enciklopedi me njohuri të përditësuar, janë botuar libra për shkencën apo historinë; janë ripërkthyer kryevepra të letërsisë botërore, të cilat përmbushin më së miri nevojat e brezit të ri për një receptim më të mirë të këtyre teksteve; ka tekste të shkencës së divulgarizuar të autorëve si Stephen Hawking, Erwin Schrodinger, Neil De Grasse Tyson, Carlo Roveli; janë botuar biografi që frymëzojnë të rinjtë tanë; kanë ardhur botime nga fusha e psikologjisë, etj.

Sot tregu i librit non-fiction është pasuruar së tepërmi, edhe në gjuhën shqipe, dhe në këtë kontekst është koha që lista të hapet edhe ndaj librave që ofrojnë njohuri për rritjen dhe përmirësimin e “aftësive të buta” dhe përgatitjen e tyre për nesër në tregun e punës. Një pjesë e mirë e këtyre librave mund t’u vijnë në ndihmë edhe për stafin pedagogjik. Aktualisht, ka libra me vlerë për mendësinë, kreativitetin, fokusin, produktivitetin, burimet njerëzore, për zhvillimin personal, menaxhimin e kohës, botime për financat personale dhe investimin, – të cilat, fare mirë, do të duhet të jenë edhe në bibliotekat e shkollave tona, ashtu siç janë sot edhe në bibliotekat e shkollave kudo nëpër botë. 

Biblioteka është edhe mjet për formimin e mëtejshëm të arsimtarit; prandaj fondet e pasurimit duhet të adresohen edhe për ata. Ajo ofron po aq mirë sa edhe trajnimet, mundësinë e ngritjes së sistemit të edukimit në vazhdim për mësuesin në karrierë dhe të aftë për të kuptuar mendësinë e nxënësve. Lista e librave të natyrës didaktike dhe pedagogjike, jo vetëm nuk është në gjendje stoku, por lë shumë për të dëshiruar.

Nuk është e tepër të mendojmë se krahas politikave për “shkollën komunitare”, ne mund ta përmirësojmë qasjen që biblioteka të ofrohet edhe për prindërit e nxënësve apo banorët që jetojnë afër shkollës.

Nuk po flasim këtu për listën e librave për shkollat profesionale, për të cilat duhet të mendojmë të gjithë në mënyrë urgjente; më së pari, botuesit shqiptarë, dhe posaçërisht entet e specializuara në këtë fushë.

Më e vakët është situata me librin për sistemin parashkollor. Do të ishte e udhës që të futej libri që në çerdhe: Por, duke u ndaluar tek lista e rekomanduar e parashkollorit, një listë pa Dr. Seuss, librat e shkollës së Montesorit, Judith Kerr, Beatrix Potter, etj., do të ishte e mangët, kur fatmirësisht disa prej teksteve tashmë i kemi edhe në shqip.

Ne jetojmë në një botë që ndryshon me ritme marramendëse prandaj librat për inteligjencën artificiale, për shkencat kompjuterike, kodimin, biznesin, neuro-shkencën, etj., do të duhet të bëhen menjëherë pjesë të bibliotekave të shkollës. Ato pak tituj që janë në treg, nëse vlerësohen për njohuritë që përmbajnë,  duhet të përfshihen menjëherë në listë.

Sot rreth 1/5 e fëmijëve të grupmoshës 12 – 18 vjeç lexojnë në gjuhë të huaja, – edhe për faktin se përmes politikave arsimore janë nxitur shkollat private që japin mësim në gjuhë të huaj: Pra edhe për këtë arsye, është momenti që lista të jetë e hapur edhe ndaj literaturës në gjuhë të huaj, kryesisht në anglisht.

Lista e propozuar me mbi 500 tituj mendoj se do të duhet hapur më shumë, dhe në këtë proces të ketë vend që të merren edhe libra të shkuar nga bashkëmoshatarët e nxënësve, – gjithmonë duke përdorur filtrat profesionalë për vlerësimin e tyre, ku të merret në konsideratë edhe mendimi i nxënësve për tituj të caktuar. Në këtë mënyrë, fëmijët e njohin më mirë botën e njëri-tjetrit dhe nxitet dëshira për të shkruar.

Ky artikull nuk synon të ndalet në tituj konkretë, as tek botuesit konkret, por ky debat ngrihet pasi filtrohen mirë prurjet që janë në treg dhe lista e propozuar nga Ministria e Arsimit dëshmon më së miri se nuk ka njohje të thelluar për titujt që janë në qarkullim. Edhe disa nga titujt e listës së propozuar nuk janë prej shumë e shumë vitesh në qarkullim, gjë që sjell më pas kosto të tjera, si bllokimin e procesit të pasurimit të bibliotekave sepse dështojnë praktikat e blerjes nga institucionet. Mbi 85% e bashkive të Shqipërisë nuk i përdorin fondet e përcaktuara në buxhetin e shtetit për blerje librash për pasurimin e bibliotekave të qyteteve dhe shkollave që kanë nën përgjegjësi administrimi, duke i “djegur” kryesisht për drekat dhe darkat e fundvitit.

Aktualisht, bibliotekat e shkollave kanë libra, por në të shumtën e herës, ato mbeten vende pak të frekuentuara apo jo të mirëmenaxhuara. Ka shumë arsye përse ndodh një gjë e tillë, por kur në rafte ka libra që nuk frymëzojnë apo nuk transformojnë mendjen e të rinjve, – atëherë bibliotekat kthehen në magazina të blloqeve të pluhurosura.

Ne sot do të duhej të flisnim për bibliotekat digjitale në sistemin shkollor parauniversitar, për përfshirjen e nxënësve në menaxhimin e bibliotekave dhe librit në shkollë, për format e tjera të librit si audiobooks, apo format e shkurtuara, për pasurimin me librin në gjuhë të huaj; por këto gjëra nuk bëhen pa pasur vullnet, transparencë dhe përgjegjësinë e madhe sesi do t’i ushqejmë shpirtërisht dhe mendësisht fëmijët tanë me libra cilësorë.  

Kur merren vendime për të çuar libra cilësorë në bibliotekë, – është vetë libri që e ka fuqinë magjike për ta gjetur rrugën tek lexuesit e vegjël. Ne sot këtë gjë duhet t’ua garantojmë fëmijëve tanë: T’i mbushim raftet me libra që përndezin botën e brendshme. Pikërisht, për këtë arsye, duhet menduar dy herë; sepse biblioteka është vatra e madhe që nxeh imagjinatën e fëmijëve; që farkëton ëndrrat e tyre, dhe krijon kushtet për ndryshimin e mjedisit ku jetojmë.

Nëse do të rekomandojmë libra pa marrë në konsideratë fuqinë transformuese dhe ndikuese tek fëmijët, atëherë do të varfërojmë sistemin e edukimit, do të nxisim shoqërinë e padijes. Nëse do të çojmë librat që kanë vlerë, do të kemi më shumë lexues, dhe për pasojë e nesërmja e fëmijëve tanë, e secilit prej nesh dhe e Shqipërisë do të jetë më e mirë. 

Artikulli është botuar sot në gazetën e përditshme “Panorama”

Autori është menaxher i platformës Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *