10 librat me te shitur te vitit 2023

Plaforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka listuar top-10 librat më të kërkuar gjatë vitit: Librat e zhvillimit personal, stoikët, romanet e zhanrit mister & thriller dhe librat e booktok-ut kryesojnë listat. Kadare dhe Blushi ndër autorët shqiptarë më të pëlqyer

Tashmë librat e zhvillimit personal, librat e biznesit, fenomeni i book-tokut janë mëse të pranishëm në tregun e librit, duke shfaqur të njëjtat prirje dhe sjellje si edhe në tregjet globale.

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka përzgjedhur 10 titujt më të kërkuar nga lexuesit gjatë vitit 2023. Duke parë listën e më të shiturve, konstaton se librat e motivimit, financave personale dhe vetë-zhvillimit kryesojnë, duke lënë pas zhanret tradicionale si romancat, sagat, biogafitë apo edhe letërsinë klasike.

Prej disa kohësh në tregun tonë libri i Robert Kiyosakit “Babai i pasur, babai i varfër” mbetet në krye të listës, duke dëshmuar qartësisht nevojën e lexuesit dhe të shoqërisë tonë për tu edukuar në fushën e financave personale dhe investimit.

Fenomeni “Co-Ho” vazhdon të mbizotërojë edhe në tregun tonë. Romanet e Colleen Hoover kanë pasur sukses kudo në botë, si edhe në Shqipëri, ndonëse gjatë vitit 2023 ka pasur një rënie të lehtë, sepse janë shfaqur edhe autorë të tjerë që kanë pasur sukses tek lexuesit, sidomos ata që kanë përdorur me efikasitet marketingun e librit në rrjete sociale si Instagram, Tik Tok, Youtube, etj.

Frieda McFadden me romanin “Shërbëtorja”, ardhur në shqip nga Bota Shqiptare ka qenë ylli në ngjitje i vitit, duke u kthyer në një nga librat dhe thrillerat më të kërkuar të momentit nga lexuesit. Edhe librat e tjerë të serisë kanë shënuar suksese në tregjet botërore.

“Alkimisti” i Paulo Coelho-s është kthyer në një klasik modern vazhdimisht të kërkuar në vendin tonë.  

Mes klasikëve të motivimit që kërkohet nga lexuesit shqiptarë është edhe libri “Mendo dhe bëhu i pasur” i Napoleon Hill.

Robert Greene ka qenë një autor fenomenal gjatë viteve të fundit; Pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati me librin “48 ligjet e pushtetit”, të njëjtin pëlqim ka pasur edhe me libra të tjerë si “Ligjet e natyrës njerëzore” apo “33 strategjitë e luftës”, duke i ardhur në ndihmë lexuesve për të kuptuar botën që na shfaqet, me kundërshtitë, konfliktet dhe dinamikat e pazakonta.

E gjithë bota po kalon momente të vështira. Pandemia, luftërat e shumta na kanë nxitur që të reflektojmë për konfliktet e së kaluarës dhe për mënyrën sesi i adreson sfidat qënia njerëzore. Filozofia stoike mbetet ndër ngushëlluesit më të mirë në ditët tona dhe libri “Meditime” i Marcus Aurelit pëlqehet edhe sot sepse rrit kuptueshmërinë për sfidat që ka kaluar në çdo kohë shoqëria njerëzore.

Saga e shumëpëlqyer “7 motrat” e Lucinda Riley shoi kureshtjen e shumë lexuesve me librin e fundit “Atlasi, historia e Pa Saltit” duke u listuar mes 10 titujve më të kërkuar të vitit.

Letërsia shqipe vazhdon të jetë ende brishtë përballë prurjeve të mëdha dhe suksesit të librit në gjuhë të huaj. Ndonëse mund të flasim për autorët e booktok-ut edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe, ende jemi larg mundësisë për të prodhuar bestseller-at shqiptarë. Gjendja e tregut, pafuqia e botuesve dhe librarëve për të përdorur marketingun në mënyrë efektive që të promovojnë autorët apo veprat në gjuhën shqipe, komunitetet e brishta të lexuesve kanë ndikuar që të mos kemi bestseller-a në shqip edhe këtë kohë.  

Por, vitin 2023 e kanë mbajtur emrat si Ismail Kadare dhe Ben Blushi, të cilët janë listuar si ndër autorët më të kërkuar. Romani “Pallati i ëndrrave” mbetet i kërkuar jo thjeshtë nga fakti se është pjesë e leximeve në sistemin shkollor dhe universitar, por kjo vepër tashmë ka një përmasë të fortë oruelliane në qartësimin e raporteve të individit me autoritetin.

Edhe romani i Ben Blushit “Komploti” ka shënuar rekorde në shitje. Ndonëse është hedhur në qarkullim në fillim të nëntorit, dhe është botuar njëherësh në Shqipëri dhe Kosovë, ky libër mbetet ndër 10 më të kërkuarit e vitit 2023.

Menaxheri i Bukinist.al, Dr. Albert Gjoka me 10 librat me te shitur te vitit 2023

Më poshtë po ndajmë për ju 10 librat më të kërkuar nga lexuesit në platformën më të madhe online të librit shqip në vendin tonë, Bukinist.al:  

Babai i pasur, babai i varfër 1” nga Robert Kiyosaki, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Argeta LMG”

Libri më i mirë për financat personale për më shumë se dy dekada e gjysëm, i cili ka formuar dhe ndihmuar me miliona njerëz që të çlirohen nga prangat e mungesës së parasë në aspektimin e edukimit. Shtëpia botuese “Argeta LMG” ka sjellë botimin e ri ku janë përfshirë 9 kapituj sesionesh studimi që ju udhëzojnë gjatë kohës që lexoni, ri-lexoni, diskutoni dhe studioni këtë libër me miqtë dhe familjen tuaj.

Fillon me ne” nga Colleen Hoover, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Living”

Para “Mbaron me ne”, filloi me Atlas. Colleen Hoover u tregon fansave anën e pelqyer te historisë së Atlasit dhe ndan me ne atë që vjen më pas në këtë vazhdim të shumëpritur të bestsellerit #1 të Nju York Times “It Ends ëith Us”, I konsideruar nga USA Today si “i lavdishëm dhe prekës”.

Lily dhe ish-bashkëshorti i saj, Ryle, sapo janë vendosur në një ritëm normal të bashkëprindërimit kur ajo papritmas përplaset përsëri me dashurinë e saj të parë, Atlasin. Pas gati dy vitesh të ndarë, ajo gëzohet që për një herë, koha është në anën e tyre dhe menjëherë thotë Po kur Atlasi e kërkoi për një takim.

Por pasioni i saj pengohet shpejt nga fakti se, megjithëse ata nuk janë më të martuar, Ryle është ende pjesë e jetës së saj – dhe Atlas Corrigan është i vetmi burrë që ai do ta urrejë që të jetë në jetën e ish-bashkëshortes dhe vajzës së tij.

48 ligjet e pushtetit” nga Robert Greene, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pema”

Ky libër i adresohet të gjithë atyre që e duan PUSHTETIN, duan ta kuptojnë PUSHTETIN dhe duan të mbrohen nga PUSHTETI. I vlerësuar si Makiaveli i ditëve tona, Robert Greene ka fuqinë dhe aftësinë për të sjellë mënyrën sesi qenia njerëzore ka ndërtuar mekanizmat e drejtimit, krijimit të autoritetit dhe mbajtjen nën kontroll të masave.

Ligjet e pushtetit paraqiten dhe analizohen me thjeshtësi dhe qartësi, kryesisht, nëpërmjet zbatimit të metodave ushtarake, të fitoreve dhe humbjeve; nga historianë të njohur që prej atyre të Aleksandrit të Madh, të mbretëreshës Elisabet të Anglisë, të Napoleonit, të Bismarkut, të Rotshildit, të Kisingerit, të Makiavelit, të Klausevitzit, të Sun Tzusë por dhe të Nikola Teslës, të Galileut, të Mikelanxhelos, të Don Zhuanit dhe të Kazanovës.

Në punë dhe në dashuri, në universitet dhe në “rrugë”, në politikë, në marrëdhëniet njerëzore, në lajmet e orës 7:30 dhe në ekonomi: 48 Ligjet e Pushtetit përdoren gjithkund. Njohja e tyre është shumë e sigurt, çfarëdo që të jetë synimi juaj: vetëmbrojtja ose thjesht informimi.

Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”

Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e quante të shteruar: me njëmbëdhjetë romane, – titujt kryesorë të të cilëve po përkthehen herë pas here, vepra e tij vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë së Shqipërisë. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë.

Alkimisti” nga Paulo Coelho, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”

Ky është një nga romanet më të suksesshme të Paolo Coelhos dhe një prej librave më të shitur në botë përgjatë këtij shekulli, dhe si i tillë mbetet ndër bestseller-at absolut edhe në tregun e librit në Shqipëri. Ndonëse ka dy dekada në qarkullim në vendin tonë, mbetet ende mes librave më të kërkuar. Briliant në rrëfim, magjik dhe i thjeshtë në mënyrën sesi komunikon me lexuesin. Është një gjetje fantastike për dhurata për të dashurit apo miqt tuaj. Alkimisti nuk duhet humbur kurrësesi

Mendo dhe bëhu i pasur” nga Napoleon Hill, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “OMSCA-1”

“Mendo dhe bëhu i pasur” i autorit shumë të njohur amerikan Napoleon Hill, është libri që ka ndihmuar shumë njerëz të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre.

Autori shpjegon se filozofia që mësohet në libër mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit që të kenë sukses në të gjitha fushat dhe të bëjnë ose të arrijnë të jenë pothuajse çdo gjë që duan. Hilli studioi karakteristikat e këtyre njerëzve të suksesshëm dhe zbuloi 16 “ligjet” që duhen zbatuar nga njerëzit për të arritur suksesin në jetë. “Mendo dhe bëhu i pasur” i ka përmbledhur këto ligje në 13 parime, në formën e një filozofie personale.

Shërbëtorja” nga Frieda McFadden, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”

Bestseller i Neë York Times, USA Today dhe Ëall Street Journal si edhe fitues i çmimit ITË 2023.Kjo histori me kthesa të pabesueshme do t’ju mbajë të mbërthyer pas librit deri natën vonë.

Komploti” nga Ben Blushi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi”

Ben Blushi vjen para lexuesit me nje tjeter roman futurist distopik: Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Europës.

Një plan që shqiptarëve çuditërisht nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore.

Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur që, për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën.  Tre hebrenjtë do të luajnë deri në fund gjithë fijet e një konspiracioni, fundi i të cilit do të jetë befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.

Meditime” nga Marcus Aurelius, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Minerva”

“Meditimet” e Marcus Aurelius ofrojnë një seri të jashtëzakonshme reflektimesh dhe ushtrimesh shpirtërore sfiduese të zhvilluara ndërsa perandori përpiqej të kuptonte veten dhe mjedisin rreth tij. Teksa Meditimet u krijuan për të ofruar ngushëllim dhe inkurajim personal, Marcus Aurelius krijoi gjithashtu një nga veprat më të mëdha të filozofisë: një koleksion të përjetshëm që është konsultuar dhe admiruar nga shtetarët, mendimtarët dhe lexuesit përgjatë shumë shekujve

Atlasi, historia e Pa Saltit” nga Lucinda Riley, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dituria”

Pas një jete të tërë me dashuri e humbje, duke kapërcyer pareshtur kufij dhe oqeane, libri Atlasi. Historia e Pa Saltit, me bashkautor Harry Whittakerin, shënon fundin mahnitës dhe të paharrueshëm të serisë Shtatë motrat të Lucinda Rileyt. Në këtë përfundim epik të serisë Shtatë motrat, gjithçka do të zbulohet.

Pamje nga promovimi i librit të Edi Gogut në mjediset e Toptani Center, gjatë zhvillimit të panairit Ditët e Librit

Listën me rreth 100 librat më të shitur të vitit i gjeni online tek Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *