Parathënie e librit “Real Estate në Tiranë”, shkruar nga Lefter Sila
Prof. Dr. Arben Malaj
Pata fatin që në muajt e parë te vitit 1993, si Drejtor për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të Tiranës, Durrësit e Kavajës, projekt i Bashkimit Europian, të njihja disa nga biznesmenët e parë të vendit tonë, midis tyre dhe Z. Lefter Sila.
Edhe pas 30 vitesh, biznesmeni Sila, me agjencinë e tij “INF 93” Real Estate, mbetet një nga më të mirët, jo vetëm për sukseset e arritura, por sidomos për mirësinë dhe respektin që tregon përherë ndaj çdo klienti dhe çdo kolegu.
Krijimi i një agjencie të profilizuar thellësisht për të ndërmjetësuar për pasuritë e paluajtshme tregon një vizion afatgjatë. Fillimisht këtu kane një kontribut të veçantë partnerët e huaj të agjencisë, që kishin njohuri për ato që biznesmenëve shqiptare në këtë fushë u mungonin aq shumë, pasi, që në vitet 1944-1991, prona private dhe aktiviteti privat ishin të ndaluara në vendin tonë nga ish-Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Mund të ketë shumë tregues për të matur aktivitetin e agjencisë “INF 93”, ndoshta sipërfaqja totale që është ndërmjetësuar për bizneset, ndoshta numri i transaksioneve në shitjen e apartamenteve apo llojeve te tjera të pasurive të paluajtshme. Por treguesi më i qartë është se rritja e kësaj agjencie është bazuar në përkushtimin e madh e profesional ndaj klientëve dhe bashkëpunëtorëve të ndryshëm, duke u përkujdesur mjaft dhe në harmoninë e bashkëveprimin me stafin e saj. Me të drejtë, autori këta faktorë i konsideron tepër përcaktues në suksesin e agjencisë.
Ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse paraqet, me shifra e fakte të shumta, me të dhëna të sakta statistikore, dinamikën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme, duke ndërthurur bukur të shkuarën me të tashmen, dhe sidomos të dhënat e tregut të apartamenteve në qytetin e Tiranës për një periudhë 30-vjeçare. Ai gjithashtu paraqet dinamikën e agjencisë gjatë gjithë kësaj periudhe, ku në thelb të punës ka qenë rritja e cilësisë së shërbimeve dhe jo e numrit të saj, pa cilësinë e duhur.
Në këtë libër do të gjeni shkurtimisht historinë e suksesshme të disa prej zhvilluesve më të fuqishëm në vendin tonë, ku bashkëpunimi me agjencinë “INF 93”, ku më pak e ku më shumë, ua ka përshpejtuar arritjet e tyre.
Libri ka një vlerë të madhe për edukimin profesional të ndërmjetësve dhe vlerësuesve të pasurive të paluajtshme. Në fakt, jemi në një periudhë ku bazat e këtyre profesionistëve bazohen dhe në teste matematikore. Por sot, projeksionet matematikore mund të kryhen lehtësisht nga inteligjenca artificiale, ndërsa ndjenjat e respektit dhe të dashamirësisë njerëzore janë të vështira për t’u zëvendësuar nga kjo inteligjencë.
Vlerësoj se ky libër, ky kontribut, është një e mirë publike e një biznesmeni fisnik, që nuk mban të fshehur asnjë sekret të suksesit të tij. Ai përdor gjuhë dhe argumente të thjeshtë, të cilët e bëjnë librin të lexueshëm lirisht nga kushdo dhe me kënaqësi.
Urime Z. Sila në këtë mision fisnik të ndarjes së dijes me sa më shumë njerëz. Ky është procesi i demokratizimit të dijes. Kjo është një e mirë publike që vetëm njerëz fisnikë, si Z. Sila, mund ta shumëfishojnë dhe ta ndajnë me këdo.
Librin e gjeni online tek Bukinist.al