Përshtypje për romanin “Pallati i ëndrrave” I shkrimtarit Ismail Kadare, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”. Me këtë përshtypje Sara Leka mori vendin e parë në konkursin “JAM LIBËR – Ismail Kadare”, organizuar nga Bukinist.al, Shtëpia Studio “Kadare” dhe “Onufri”, me rastin e 88-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar
Sara Leka*
Një mëngjes herët, kur natën e kishin palosur hijet e mjegullnajta, u zgjova nga një ëndërr. Duke lënë pas një shije të vagullt, u largua shpejt nga e pavetëdijshmja ime pothuaj ashtu siç hyri.
Nuk fjeta më: Refuzova t’i nënshtrohesha kontrollit të të panjëmendtës që më rrethoi shpirtin atë natë. E ashtu shtrirë, si e varrosur nën yje, nisa kuvendimin me veten: “Vallë, po Mark Alemi si do ta shpjegonte ëndrrën time?”
Dy minuta më vonë i thirra arsyes: “Ç’thua moj?! Po ti nuk e mban as mend, e jo më ta dërgosh me postë te Tabir Saraji.”
Kështu, pra! E mbajta të zënë veten për disa orë rresht duke rimishëruar në kokën time një ndërtesë gjigante, të mbyllur me kyç, rreth së cilës vetëm pak njerëz vërtiteshin me çelësin e duhur. Më pas, me hartën e mendjes u zhyta në një admirim entuziast mbi këtë kështjellë fantazmagorike kadareane. Sado rreptësisht e ndaluar do të ishte të lije gjurmë pa autorizim mbi dyshemenë e ftohtë të atij pallati, asnjë nëpunës a drejtor nuk do të kishte forcën të më ndalonte të drejtën e flatrave të imagjinatës. Kështu, fillova të hyja brenda mureve të sarajit, fillova t’i prekja e ndërkohë të dridhesha në shtrat; fillova …të ndjeja frikë.
Ç’është kështu? Asnjë përreth. Ku është Mark Alemi?
Në kërkim të një personazhi që me siguri po mbahej skllav i punës për këtë institucion, – si shumë të tjerë, – rendja pa udhërrëfyes në mes të errësirës, mike e ngushtë e së cilës qe bërë, së fundmi, heshtja. Çdo kthesë, çdo mesore e gjatë qe veshur nga hije; tani, më dukej sikur po afrohesha aq sa të dëgjoja tinguj tek bëheshin më të dëgjueshem. Ishte mistike!
Po, kjo është fjala e duhur! Një misticizëm alegorik, madje. Së fundja, nga kjo katedrale e pushtetit e nga ky tempull i nënvetëdijes së popullit, unë prisja një madhështi të ndritshme. Prisja një shkëndijë që të më fuste në botën e ëndrrave. Unë, në të vërtetë, ndihesha nën kurthin e një makthi fatal. Se ai pallat gotik nuk qe në të vërtetë asgjë tjetër veç një vrimë e zezë që gjithçkanë e thith drejt asgjësë.
Edhe Mark Alemi, jam e bindur, – sepse e kam lexuar librin, – të njëjtën gjë ka ndjerë. Nuk do mend që do t’ia besoja çdo fjalë nëse do të më tregonte për vendin e punës. Ai e ka shkelur atë humnerë kryelartë më herët se unë, falë Kadaresë. Çuditërisht, ky njeri nuk më ka dhënë asnjëherë përshtypjen e një ‘fisniku’ nga familja e lartë e Qyprillinjve. Më tepër, me plot respektin që zotëroj, e paralelizoja me një kandërr, si Gregor Zamsa, të shtypur nga sistemi i shoqërisë dhe shfrytëzimi në punë.
Në të vërtetë, tani që e sjell ndërmend, Marku kurrë nuk është pajtuar me asgjë. Ai qe thjeshtë një ndër gardianët e burgut të rezervave të ëndrrës, i punësuar me shpejtësinë e dritës e të hedhur si në një planet të çuditshëm ku i duhej të përshtatej edhe me mesjetaritetin e veshjeve, vendeve, sjelljeve.
Në mënyrë të vazhdueshme, Kadareja e vërtit këtë punëtor të thjeshtë nga një sektor i oazit të errësirës, drejt një tjetri, në të cilën dritaret lejohen të hapen pakëz. Qyprilliu ngrihet në detyre, nga njëra skutë e heshtjes së vdekjes (Seleksionimi) në tjetrën ku liria e imagjinatës së zbërthimit të ëndrrave, ndriçon lehtazi ngjyrat e shpirtit të përgjegjshëm (ndaj detyrës). E kur bëhet drejtor, Marku plaket brenda ditës, në të cilën ai ruan moshen njëzet e tetë vjeçare. Kjo, për mua është një padrejtësi, ndër shumë të tjera: Një padrejtësi e rëndë e indoktrinimit të përgjegjësisë te një rinosh, i cili mezi ka kohë të ngrejë sytë për të parë ardhjen e pranverës. Një drejtues, i cili rri zgjuar për të shqyrtuar gjumin e një populli të tërë. Kontrast i lezetshëm, apo jo?
I mbylla sytë më thellë e i ngjita shkallët e Tabir Sarajit me vështirësi derisa edhe mua, si atij, më doli përpara një trupshkurtër fytyrëvrenjtur. E pyeta se ku mund ta gjeja Mark Alemin. Me një shenjë pështirësie e padurimi, ai thjesht u largua tutje; ndoshta s’më kishte dëgjuar mirë. Gjithsesi, më kujtohej se një ditë Markut i qe dashur të kontrollonte disa dosje e për këtë kishte marrë disa kthesa labirinti të frikshme. Ndoqa të njëjtën rrugë për të vajtur te bërthama e këtij absurdi, te burimi i energjisë së pushtetit për drejtorë e nëpunës. Shkova te një bibliotekë e bunkerizuar, brenda një pasurie që ushtronte kontroll të plotë mbi ëndrrat e shqiptarëve. Shkela këmbë në ndërgjegjen e pavetëdijen e shumicës, mes së cilave një kryeëndërr do të viktimizonte një njeri, mishin e një njeriu.
Sa ironike, apo jo?! Një ferman kaq i rreptë për kryeëndërrparësin, për gjetjen e së cilit vihen në lëvizje zinxhirët e shtrëngimit të pushtetit e punës ?! Pra, të ngresh në piedestal një ëndërr, një shenjë, një dritë të një mendjeje të përgjumur dhe ndërkohë errësira e mjedisit, në të cilën ajo shqyrtohet, ta bëjë shkrumb e hi si një rrobë të vjetër. S’guxoj ta vendos në diskutim, veçse ta përmend me brohoritje kënaqësie, gjenialitetin e Ismail Kadaresë, i cili siç duket dëshiron të rikrijojë simbolikisht botën e zymtë të komunizmit, çdo mëngjes të lagësht të së cilës njerëzit rrëshqisnin rrugëve, viheshin nën kthetra të një despotizmi që shkaktonte elegji. Po, po. Elegji! Një këngë vaji, për të qeshur a për të qarë, e cila shndërrohet në një krijesë po aq monotone sa punëtori pranë Mark Alemit në seleksionim.
Me këtë mëshirë keqardhjeje, përballë rafteve të arkivit, ndër duar më kalojnë dosjet e zemrave të shumë viktimave të mundshme, të cilat unë i identifikoj me një zemër të vetme. Fundja, a nuk është ky kodi i mesazhit të fshehtë nga goja e vetë autorit të nderuar? Që, meqënëse një godinë e tërë gotike zhbiron e përfiton nga dobësitë e subkoshiencës së ëndrrave, atëhere kjo formë gjakpirëse për ruajtjen e pushtetit, është përdorur njësoj edhe në historinë reale komuniste të vendit tonë.
I hapa sytë me shpejtësi. M’u bë sikur thelbi i botës m’u qartësua. Hapa sytë para së vërtetës ashtu sikundër Kadareja përpiqet t’ia hapë edhe Mark Alemit.
E unë, e ndiej se një lidhje e fortë kimike është në qendër të marrëdhënieve Kadare – ëndërr, Kadare – Mark Alem, Kadare – Tabir Saraj…Kadare – unë. Në hallkën e fundit të këtij zinxhiri marrëdhënieformues, gjendem unë, lexuesi. Unë, që afrohem me autorin dhe kuptoj se ai qe bërë njësh me hijen e vdekjes në ato mure të akullta. Unë, që kuptova se zemra e tij e ndjeshme ka qarë nga dënimet absurde. Ka qarë kur ka privuar, me ndërhyrjen e xhandarëve, dëfrimin, nëpërmjet eposit, të familjes së Qyprillinjve. Apo kur ka urdhëruar personazhet e vetë të nxjerrin arkivolin e një kryeëndërrparësi, nën dëshmine e syve të Mark Alemit. Ka qarë bashkë me Markun, në mbyllje të romanit.
Edhe zemra ime po qan tani! E sytë po më djegin si paralajmërim për gjumë. Po unë e di se gjumi im i thellë nuk do të monitorohet nga kamera që rrinë zgjuar e prandaj zgjedh të përqafoj një ëndërr të re: Një ëndërr që më largon me kilometra nga Tabir Saraji drejt parajsës qiellore të besimit e shpresës. Sikur në vesh e kam porosinë e Kadaresë që nxjerr zë: “ Të ëndërrojë rinia pa frikë. Ëndrrat janë e vetmja flluskë e paprekshme e qenies njerëzore.”
Ky zë i qetë më vuri në gjumë. Tani jam në ëndërr, brenda një pallati ku jam e lirë të bëj zhurmë. Ku të gjithë ne shqiptarët mbivendosim fushat e gjumit të njëri-tjetrit dhe zhurmojmë pa frikën e pasojës së rëndë.
*Autorja është nxënëse në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë
Librin “Pallati i ëndrrave” e gjeni online tek Bukinist.al
Nëse këtë roman e doni me firmën e Kadaresë, e gjeni tek linku