Të dhënat për pjesëmarrjen në edicionin e tretë të konkursit me përshtypje #jamliber, organizuar me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Vlerësime për nxënësit dhe mësuesit që mbështetjen këtë projekt të madh leximi
Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) kanë përmbyllur për të tretin vit radhazi konkursin #Jamliber, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë. Projekti i organizuar në kuadrin e Ditës Botërore të Librit ka përfshirë në një garë të hapur 128 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private në të gjithë vendin.
Këtë vit konstatohet një rritje e konsiderueshme sasiore dhe cilësore e pjesëmarrjes në konkurim. Kjo tregon se ka një lexues cilësor në grup-moshat 12-18 vjeç në Shqipëri, falë edhe punës së mësueve për promovimin e librit dhe leximit si dhe besimit të dëshmuar për këtë konkurs.
Pjesa më e madhe e garuesve vijnë nga shkollat e kryeqytetit. Po ashtu, shkollat e qyteteve kanë patur një prani më të lartë sesa nga zonat rurale të vendit.
Veçohen shkolla si “Sami Frashëri” me pjesëmarrjen më të lartë, “Ahmet Gashi”, “Aleks Buda”, “Jeronim De Rada”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Hasan Vogli”, “7 Marsi”. Këtë vit ka rritje të pjesëmarrjes edhe nga shkolla jo-publike: si “Mareef”, “Derliu”, “Faik Konica”, “Protagonistët”.
Më pak se 20 konkurrentë janë djem dhe kjo është një shenjë aspak pozitive, teksa të dhënat tregojnë qartësisht se numrin më të lartë të lexuesve në Shqipëri e përbëjnë femrat.
Këtë vit veprat që janë marrë në objekt analize për përshtypje janë kryesisht letërsi klasike, dhe klasike moderne, por ka një rritje të leximit të librave edhe në gjuhë të huaj, sidomos në gjuhën angleze. Një fenomen pozitiv që shihet ka të bëjë me leximin e autorëve shqiptarë, jo vetëm të traditës, por edhe shkrimtarë bashkëkohorë.
Gjithësesi, pjesa më e madhe e përshtypjeve janë për letërsinë dhe shumë pak veprave të natyrës non-fiction janë marrë në objekt leximi.
Platforma Bukinist.al u është mirënjohës të gjithë pjesëmarrësve në konkurrim, duke theksuar faktin se ata që kanë humbur një garë, kanë fituar një përvojë të madhe lexuesimi përmes shkrimit të përshtypjeve.
Libri na ndryshon ne por edhe ne e ndryshojmë librin. Secili nxënës i ka dhënë krahë dhe mundësi librit për të fluturuar dhe për të gjetur sa më shumë lexues të tjerë.
Më 25 prill 2024 janë shpallur fituesit e konkursit #jamliber, organizuar nga platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al dhe Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) me shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë, me rastin e Ditës Botërore të Librit.
Fituesit janë si më poshtë:
Për shkollat 9-vjeçare:
1. Martin Pulaj nga shkolla “Jeronim De Rada” – Tiranë, i vlerësuar me çmimin e parë;
2. Jasmina Ahmetaj nga shkolla e Mesme e Bashkuar Krrabë, e vlerësuar me çmimin e dytë;
3. Dasara Rustemaj nga shkolla “7 Marsi” – Tiranë, e vlerësuar me çmimin e tretë.
Për shkollat e mesme:
1. Patris Lole nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” – Tiranë, e vlerësuar me çmimin e parë;
2. Amber Spahi nga gjimnazi “Qemal Stafa” – Tiranë, e vlerësuar me çmimin e dytë;
3. Aleksanda Pano nga gjimnazi “Sami Frashëri” – Tiranë, e vlerësuar me çmimin e tretë.
Për herë të parë janë vlerësuar me certifikatë mirënjohje edhe mësuesja Aida Nova dhe gjimnazit “Sami Frashëri” dhe shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” për punën e përkushtuar në promovimin e librit dhe leximit dhe mbështetjen e dhënë në organizimin e konkursit kombëtar #Jamliber.
Fituesit kanë përfituar gift cards (çeçe librash) dhe libra dhuratë nga Bukinist.al. Në këtë konkurs morën pjesë 128 nxënës të sistemit parauniversitar në Shqipëri. Sistemi i vlerësimit të përshtypjeve është bërë nga Dr. Albert Gjoka dhe ekspertët e librit pranë COD.
Të gjitha përshtypjet që janë vlerësuar me çmime do të publikohen në blogun Leximtari.al dhe tek platforma Bukinist.al.
Ekipi i Bukinist.al falënderon përzemërsisht të gjithë nxënësit që morën pjesë në garë, mësuesit e letërsisë nga shkollat pjesëmarrëse dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), me të cilën kemi krijuar një traditë 3-vjeçare në organizimin e konkursit #jamliber.
Foto nga momentet e shpalljes së fituesve në mjediset e COD, në Këshillin e Ministrave