
Papirus
Irene Vallejo
Botuesi: Botart
2000 LEKË 1800 LEKË (Në ofertë -10%)
Përshkrimi:
Ky libër konsiderohet “libri i librave”, sepse është një rrëfim magjepsës për historinë e librit që nga zanafilla deri në ditët tona. Autorja Irena Vallejo barabitet për nga pasuria informative, por edhe imagjinata dhe përkushtimi me autorë të mëdhenj që e kanë trajtuar këtë fushë si Mortimer Adler, Alberto Manguel apo Aleksandër Stipçeviq.
Përmes të dhënave të detajuara, Vallejo shkon në Egjiptin e lashtë me projektin magjik të Aleksandrit të Madh për të realizuar bibliotekën që mban dijen e gjithë njerëzimit, - mishëruar nga Ptolemenjt, duke vijuar me fuqinë rrezatuese të librit në Romën e Lashtë.
Mjeti që ka përmbajtur dijen njerëzore për mijëra vite është transformuar në forma dhe materiale të ndryshme: që nga guri, pllaka e argjilës, papirusi, pergamena, letra dhe për të ardhur deri në ditët tona me revolucionet e mëdha që kanë bërë shtypshkronja e Gutenbergut në shekullin e XV deri tek revolucioni digjital. Të gjitha përpjekjet janë bërë që dija njerëzore të mbetet e përjetshme, paçka se kjo mbetet një sfidë e madhe edhe sot kur teknologjia ka arritur majat.
Përmes këtij libri ne nuk mësojmë thjeshtë historinë e librit, por edhe mënyrën sesi dija është përcjellë në mjete të ndryshme, mënyrat sesi janë kontrolluar apo mbështetur të gjitha nismat për të ndërtuar libraritë dhe bibliotekat, për ndikimin e librit në mendjen njerëzore.
Me të drejtë ky libër është vlerësuar nga shumë lexues të specializuar; prandaj ky tekst mund të ishte fare mirë në bibliotekën e çdo lexuesi; tek çdo nxënës apo student, tek botuesit dhe librarët, tek punonjësit e bibliotekave dhe mësuesit apo pedagogët, - sepse vetëm kështu kemi mundësinë që të kuptojmë evolucionin e madh dhe sakrificën e përhershme për të përcjellë brez pas brezi njohjen njerëzore.
Më tej po ndajmë disa përshtypje që janë dhënë për këtë libër:
VLERËSIME
“Ata libra që të zbusin, që të shtrojnë, që të imponojnë ritmin e leximit, që të ulin nervat, nuk gjenden lehtë, pavarësisht se janë aq të nevojshëm. Libri i fundit që kam zbuluar titullohet Pafundësia në fijet e xunkthit.”
Juan Jose Millas, El Pais
“Dashuria për librat dhe për leximin është atmosfera në të cilën kalojnë njëra pas tjetrës faqet e kësaj kryevepre. Jam absolutisht i sigurt se do të vazhdojë të lexohet edhe kur lexuesit e sotëm të jenë në botën tjetër.”
Mario Vargas Llosa
“Mund të jesh një profesor filolog dhe në të njëjtën kohë të shkruash si një engjëll.”
Luis Alberto De Cuenca, ABC
“Vallejo ka vendosur me mençuri të çlirohet nga stili akademik dhe ka zgjedhur zërin e rrëfimtares, historinë e konceptuar si fabul.”
Alberto Manguel, Babelia
“Një shtjellim serioz dhe i këndshëm që përshkohet nga kënaqësia e të rrëfyerit.”
Gonzalo Torne, El Cultural
“Irene Vallejo sapo nënshkroi një libër gjenial, universal, unik.”
Jordi Carrion, The New York Times