




Biblioteka e Yuval Noah Hararit në shqip
Yuval Noah Harari
Botuesi: Botart
8500 LEKË 6800 LEKË (Në ofertë -20%)
Përshkrimi:
Ky set vjen për të gjithë ata që janë të dhënë pas narrativës së Yuval Noah Hararit, një nga mendimtarët dhe historianët më të njohur të kohës sonë. Libri i parë që i dha famën profesorit të njohur të Universitetit të Jeruzalemit ishte Sapiens, i cili trajton në mënyrë koncize historinë e Sapiens-it, sojit tonë, duke u ndalur në të gjitha fazat e zhvillimit të tij, të cilat autori i ndan në revolucione.
Pas suksesit të këtij libri, vjen Homo Deus, në të cilin autori ndërton një perspektivë sesi do të jetë e ardhmja e njerëzimit, ku teknologjia po formëson gjithçka. Këtu ndalet veçanërisht te fuqia e saj, jo thjesht për të ndihmuar qeniet njerëzore, por edhe për t’i manipuluar ato.
Në librin e tretë të tij, 21 Leksione për Shekullin e XXI, Harari ngre 21 çështjet më kritike të kohës sonë, si edukimi, mjedisi, ndryshimet klimatike, teknologjia, spiritualizmi, etj., për të cilat parashtron një agjendë diskutimi për secilin prej nesh, sidomos për ekspertët e fushave përkatëse dhe për politikëbërësit.
Në librin e katërt, Nexus, Harari rikthehet te mënyra sesi qenia njerëzore prodhon informacionin – i bën një analizë atij dhe raporteve që ka me të vërtetën, mbi mënyrën sesi ne informohemi dhe përpjekjet e pandalura të elitave për të kontrolluar cilësinë dhe shpërndarjen e informacionit. Më tej, autori bën një vështrim të detajuar mbi mjetet dhe rrjetet për shpërndarjen e informacionit, duke nisur me mjetet e hershme si papirusin, pergamenën, librin e shkruar me dorë, për të vijuar më tej me librin e shtypur, mediat e komunikimit masiv si gazetat, radion dhe televizionin, e deri te mediat sociale sot. Pika e fundit e këtij libri është Inteligjenca Artificiale, e cila, sipas autorit, sot përbën një nga rreziqet më serioze për asgjësimin e species sonë në një të ardhme jo të largët.
Ky set duhet të jetë në bibliotekën e secilit prej atyre që duan të kuptojnë historinë e shoqërisë njerëzore, të mësojnë mbi sfidat e të tashmes dhe mbi mënyrën sesi teknologjia po formëson të ardhmen tonë. Këto libra janë të domosdoshëm për çdo student apo historian, çdo gazetar apo sipërmarrës, çdo politikan apo filozof. Përmes tyre, secili prej nesh do ta ketë më të qartë se ku kemi qenë, ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të pasur një të ardhme më të mirë.
I konsideruar si mendimtar liberal, Harari mendon se sfida më e madhe sot është mbrojtja e demokracisë dhe ndërtimi i mekanizmave reflektues dhe redaktues në shoqërinë tonë, për të ruajtur trashëgiminë e çmuar të institucioneve që kemi ndërtuar ndër shekuj.
Bota do të jetë më e qartë dhe secili prej jush do të ndihet më i pasuruar mendërisht me informacionet dhe idetë e këtij mendimtari të shquar.
I gjithë seti i librave është sjellë në shqip nga shtëpia botuese Botart dhe kushton 8,500 lekë të reja, por për ata që e porosisin tek Leximtari, oferta është 6,800 lekë dhe pa kosto transporti.