Albert Gjoka*
Ai që të merr kohën, duke i dhënë kuptim çdo copëze të saj, sigurisht që duhet respektuar dhe vlerësuar pamasë. Një gjë e tillë vlen akoma më shumë kur flitet për librat. Prandaj ata që rekomandojnë, kanë gjithë respektin apo mllefin tonë ndaj tyre për zgjidhjet që ofrojnë. Këtë sfidë të madhe e ndërmerr edhe Bukinist.al i cili nuk ka për mision thjeshtë të shesë, por të rekomandojë librat, të cilat shkojnë natyrshëm, në përshtatje dhe me përgjegjësi te çdo kategori lexuesish.
Këtë mision kishte dikur Jacob Mendel, dhe këtë qëllim i ka vendosur vetes edhe Bukinist, të cilin po e dëshmon që tani: Në lançimin e platformës online të librit shqip, ne kemi marrë në konsideratë kohën e verës dhe pushimet, dhe kemi targetuar dy kategori: fëmijët dhe të rriturit, duke i fokusuar tek shumëllojshmëria e lexuesit dhe larmishmëria e zhanreve.
Për secilën prej tyre vjen një pako e madhe librash, të ndarë sipas llojeve të lexuesit, por edhe sipas nevojës që ka bota e shpirtit dhe e mendjes për vlera të reja, të cilat janë të certifikuara si të tilla dhe japin efekte pozitive në agorën e mendimit dhe pasurinë shpirtërore në vend.
Një tjetër kriter është edhe koha e publikimit të librave; thuajse të gjitha rekomandimet janë botime që janë hedhur në treg gjatë dy viteve të fundit. Këto rekomandime janë thjeshtë zgjidhja e jonë dhe presim që ndokush të mos i pëlqejë, apo ti kritikojë, por ne kemi përdorur standardet dhe shijet tona derisa kemi arritur në këto lista për të cilat kanë kontribute edhe miqtë rishtarë të Bukinist.
Rekomandimet për fëmijë
Prandaj le të fillojmë…Në paketën e librave për fëmijë të titulluar “Mësuesit e verës”, të cilat i përkasin një grup-moshe nga 1-vjeç deri në 18 vjeç, janë rekomanduar libra që zhvillojnë në shumë plane inteligjencën, fantazinë, dhe botën njohëse të të vegjëlve; që nga lojërat zbavitëse, përrallat para gjumit, përrallat popullore shqiptare, por edhe tregimtarët e njohur shqiptar, si Gaqo Bushaka. Për herë të parë vjen në një proces të ri komunikimi për lexuesit e vegjël edhe “Beni ecën vetë”, i cili padyshim është surpriza e madhe e kësaj vere. Po ashtu, po aq befasuese janë seria e botimeve të “Orologjisë”, të përgatitura nga “Aeditions”, ku ne iu rekomandojmë miqve të rinj pjesë nga bota e mistereve të “Piratologjisë”, “Egjiptologjisë”, “Mitologjisë” dhe “Dragologjisë”.
Ne kemi menduar edhe për adoleshentët, për të cilët kemi rekomandime fantastike. Mes tyre janë “dy vëllimet e “Përralla shqiptare” të Virgjil Muçit dhe “Në mbretërinë e fantazisë” të Geronimo Stiltonit. Për më shumë, kaloni nga stendat tona virtuale.
Vapa dhe leximet për të rritur
Ndërsa për të rriturit, kemi qenë paksa të ekuilibruar, pasi, e kemi pjesë të filozofisë tonë që ti japim dorën edhe letërsisë shqipe. Në listën tonë, kemi futur Kadarenë të parin, por kemi përzgjedhur një vepër jo fort të njohur për lexuesin: Romanin “Kukulla”, i cili është një prej veprave të veçanta të tij, pasi mbetet një reflektim i ndjerë në një botë sekretesh dhe ndjesish të thella për nënën. Listës se autorëve shqiptar i kemi bashkëngjitur edhe Ridvan Dibrën, Mira Meksin “Pa zemër në kraharor”, i cili sapo është hedhur në qarkullim; dhe “Embriologji” i Shkëlqim Çelës, i cili është fituesi i “Çmimit Kadare” për vitin 2016, që jepet nga Fondacioni “Mapo”. Mes autorëve vendas është edhe Ridvan Dibra me “Gjumi mbi borë”.
Ndërsa te letërsia e huaj, përzgjedhja është paksa më e komplikuar ndonëse modelet dhe parametrat e vlerësimeve janë të paracaktuara. Ne i vlerësojmë edhe klasikët: Novela “Tehu i briskut” i W. Somerset Maugham dhe “Lord Xhim” i Joseph Conrad janë dy prej propozimeve të tjera që e ndjekin paketën e rekomandimeve tona.
Edhe mes prozatorëve bashkëkohorë, ne kemi përzgjedhur tituj të tillë si “Letra e harruar” e Nina George”, “Bota e Sofisë” së Jostein Gardner, “Shenja” e Raymond Khoury “Të luash me zjarrin”, “Perandoria e diellit” (dy bestseller-a ndërkombëtarë që vijnë në shqip nga Botimet IDK) dhe një botim të Uegen: “Një plus një” të Mojo-s.
Lista për të rritur është më e larmishme se aq. Ne e duam librin që sapo del nga dora e shkrimtarit dhe do të donim që të ishim lajmëtarët e parë. Prandaj e kemi referuar si të tillë që para hedhjes në qarkullim, botimin më të fundit eseistik “Aleikum Selam baba” të Mustafa Nanos, një botim provokativ, përsa i përket ideve që rrok dhe temave të nxehta që trajton.
Skënder Rusi është ndër emrat më të spikatur të poezisë bashkëkohore, prandaj ne e kemi përzgjedhur veprën e tij më të fundit “Me vete kam gjithnjë një Eve”. Në fushën e studimeve, ne iu rekomandojmë lexuesve tanë “Shqipëria dhe bota në veoprën e Kadaresë”, me autor Ndriçim Kullën, një botim special, i cili është jo thjeshtë një përqasje alterteksti mes tekstit kadarean, realitetit dhe fotografisë, por edhe për shkak se është një sprovë dygjuhëshe e cila ka ndikim direkt për të tërhequr turistin e huajnë trojet narrative të shkrimtarit tonë të madhe.
Oferta të tjera
Në fushën e edukimit, ne kemi përzgjedhur dy rekomandime: “Si të flasësh me adoleshentët për dashurinë dhe seksin”, një botim i vlerësuar ky është jep këshilla të vlefshëm për prindër të cilët ndodhen në dilema dhe vështirësi të mëdha dhe librin “Si të jesh pariziene kudo që jeton”, i përgatitur nga 4 autore-femra, të cilat duan të ndajnë me botën e të njëjtit seks modele për të qenë të suksesshëm në jetë.
Biografia nuk mund të harrohet prandaj kemi vendosur që të lëmë në fuqi “Enver Hoxha” e Blendi Fevziut, librin më të suksesshëm që është shkruar deri më tani për njeriun që mbajti nën diktat Shqipërinë për gjysmëshekulli. Këtë rekomandim e dikton suksesi i librit në treg prandaj ua ofrojmë lexuesve kudo që ndodhen. Një tjetër biografi e lexuar është edhe ajo e “Stive Jobs”, e shkruar nga Walter Isaacson.
Pjesë e listës tonë janë edhe disa botime të tjera të karakterit utilitar: “Gjuha shqipe për të huaj”, i cili është një libër që ua rekomandojmë të gjithë atyre që janë të interesuar që të mësojnë shqipen, por edhe bashkëtadhetarëve tanë që kanë humbur të gjitha kontaktet me gjuhën amtare. Uegen e ka sjellë këtë botim referuar praktikave më të mira të mësimnxënies dhe libri shoqërohet me tre CD që kanë leksionet në përshtatje për fillestarët dhe ata të nivelit të mesëm. Ditët e verës janë një shans më shumë që këtë botim ta sjellim aty ku jeni ju.
Duke qenë të bindur se familja është një gjë e shtrenjtë; në paketën e rekomandimeve “Jetë:” ne kemi listuar dy prej librave më të mirë në fushën e kujdesit ndaj fëmijës:“Libri i plotë i përkujdesit për nënën dhe fëmijën” (Elizabeth Fenëick) dhe “Si të kujdeseni për fëmijët tuaj” (Robert H. Pantell, James F. Fries, Donald M. Vickery). Gëzimin e çifteve e bëjmë më të sigurt dhe më jetëgjatë, duke ua sjellë këto dy manuale themelore, të vlerësuara në të gjithë botën.
Një “Visar” mes visareve tona është edhe kryevepra e letrave shqipe të shekullit të XX, “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, të cilin e kemi pjesë të pandarë të listës tonë deri në fund viti. Duke qenë viti i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe klerikëve të martirizuar, veprën e madhe të ndërgjegjes shqiptare do ta gjeni në të gjitha paketat e rekomandimeve tona gjatë vitit 2016.
U zgjatëm ca, por po e mbyllem me kaq këtë fillim të komunikimit me lexuesin shqiptar, sepse në shtator do të ketë shumë surpriza të reja për komunitetin e leximtarëve, duke besuar se do të vlerësojë nismën tonë dhe do të na fshikullojë atëherë kur gabojmë. Iu presim të gjithëve, prandaj le ta nisim këtë komunikim të ri mes librit dhe lexuesve, duke qenë të bindur se po bëjmë gjënë ne duhur për shoqërinë dhe Shqipërinë tonë të mirë. Sot, më shumëse dje, kemi nevojë për lexues të mirë.
Autori i shkrimit është menaxher projekti i Bukinist.al