Mbi novelën “Pa zemër në kraharor” të Mira Meksit
Shpëtim Doda
Me sa duket, Mira Meksi e ka ndarë mendjen. Ka vendosur që të mos ndalet së rrëfyeri fuqishëm, të mos reshtë së magjepsuri lexuesin. Tek novela e saj më e fundit, “Pa zemër në kraharor”, herë përmes fjalësh dhe emrash që shenjojnë dhe përcjellin kohë, e herë përmes fjalësh dhe emrash që shenjojnë dhe përcjellin vende, Mira Meksi e magjeps paq lexuesin dhe e shpie përmes rrëfimit magjik në një mori kohësh dhe vendesh të njohura dhe të panjohura, reale dhe irreale, në kohët historike dhe në viset gjeografike, sikundërse në kohët dhe viset arketipore të Kujtesës dhe të Psikës.
Mbasi përshkon morinë e dendur dhe të ndërlikuar të labirinteve dhe zigzagimeve të novelës, mbasi vozit në viset e nëntokës, tokës dhe qiellit, lexuesi kupton qartë se, njëlloj siç ndodh edhe tek një pjesë e mirë e krijimtarisë letrare të Mira Meksit, gjithçka që gatuhet me rrëfim dhe magji për ta rrëmbyer lexuesin, nuk është vepër e autorit, por e personazhit.
Tek “Pa zemër në kraharor”, është Erosi ai që ndërton magjinë e rrëfimit dhe e magjeps lexuesin; është ai që e shpie në viset, ditët, përvojat, bindjet, idetë dhe ndjesitë e piktores bukuroshe, që sapo është përballur me padashurinë; është ai që e hipën lexuesin në “varkëhirin prej letre”; është ai që e përzien me hirin e padashurisë; është ai që zbret në nëntokë dhe në kohën e vdekjes, dhe është po ai që e nxjerr sërish mbi tokë dhe në kohën e jetës, për ta hipur në të njëjtën “varkë-hirore”, një “varkë” që nuk lundron ujërat e tokës, por të qiellit – një varkë cila simbolizon jo vetëm natyrën prej sfinksi të vetë Erosit, porse dhe natyrën e “artit të fjalës”, e vetë artit të rrëfimtarisë si e këtillë, më së paku nga Homeri e këndejmi, i cili karakterizohet nga një mori ulje-ngjitjesh.
Dhe, së fundmi, është po ky Eros ai që, përmes hyrje-daljeve, sa në botën e dukshme, po aq edhe në të padukshmen; sa në kohën e vdekjes, po aq edhe në kohën e jetës; sa nëpër lëndinat e padukshme të dashurisë, po aq edhe nëpër shkretëtirat e dukshme të padashurisë, e cila në kohët tona qëndron e ulur këmbëkryq mbi frymën e asnjanësisë pornografike të kthyer jo thjesht në modë, por në një sistem i mirëfilltë vlerash etike dhe estetike që nuk mund të luftohet kurrsesi përmes puplave të moralizmit; sa në një jetë, në tjetrën; sa në një dashuri, në tjetrën, e rishton me durim në misteret e veta, duke i bashkëshkrirë në një lëndë të vetme të tëra shpërfaqjet e veçanta të asaj çfarë është universale tek njeriu: Psika, elementi që i bashkon njështazi qeniet reale dhe surreale të rrëfimit, por dhe qeniet reale dhe surreale që rrëfimi i përcjell lexuesit përmes marrjes dhe trajtimit të një tematike “klasike”, ku çdokujt i feks në mendje deri edhe “Gomari i artë” i Apuelios.
Tek e fundit, kjo është pamësia që përftojmë në fund të “Pa zemër në kraharor” – tablonë me penelata dhe ngjyra moderniste të një dasme misterike: të dasmës së Psikës njerëzore dhe Erosit hyjnor. Një “martesë” kjo, për të cilën kemi ndjeshmërisht nevojë në kohët e padashurisë shkretane dhe shkretanuese.