Nano: Nuk merrem me Islamin, por me fetë

mustafa-nano-aleikum-selam-baba

INTERVISTA – Nëse ka një vlerë të qytetërimit perëndimor që duhet marrë në mbrojtje, kjo vlerë është liria e shprehjes. Kjo vlerë është më e rëndësishme se të gjithë librat e shenjtë e se të gjithë profetët e feve monoteiste”- ky është boshti i mesazhit që do të përcjellë Mustafa Nano, në librin e tij më të ri, “Selam aleikum baba”. Siç mund të keqinterpretohet prej titullit, romani nuk fokusohet vetëm te Islami. Sigurisht, merret me të por më shumë merret me fetë në përgjithësi, të para nga realiteti shqiptar. “Jam përpjekur të përshkruaj një copëz Shqipërie në këtë roman. Tema pra është ky vendi i ynë”, tregon autori. Bashkë me sqarimet e tij të tjera rreth krijimit më të fundit, po ju sjellim edhe disa copëza nga libri;

Zoti Nano, “Selam aleikum baba” është një roman?

Po, një roman. Më në fund.

Po edhe “Hinterlandi i kuq” është një roman. Nuk mendoni kështu

Në fakt, edhe ai është një roman, por ka ca elemente autobiografike që nuk e lënë të shihet tamam si një roman. Sidoqoftë, “Selam aleikum baba” është ca më shumë një roman, është një roman në kuptimin e plotë të fjalës.

Romani sapo ka dalë, dhe ende nuk ka rënë në duart e lexuesit. Mund të na thoni ndonjë gjë? Të krijohet ideja se edhe këtu merreni me fenë islame.

Në një masë të madhe, po. Por, në një mënyrë tjetër, këtë herë me avantazhin që të krijon pozicioni i romancierit.

Pra, tema është Islami

Thënë kështu, mund të tingëllojë një roman i mërzitshëm. Prandaj, më duhet të them se nuk është tamam kështu. Shikoni, po bëj dy saktësime. Së pari, është e vërtetë që merrem me Islamin, por më shumë merrem me fetë. Dhe së dyti, nuk merrem vetëm me fetë. Nuk do më pëlqente që lexuesit të nisen nga titulli, e të krijojnë idenë se ky është një roman mbi fenë, apo mbi fetë.

Nuk do më pëlqente, sepse në fakt nuk është hiç kështu. Dua ta bëj këtë saktësim të dytë, pasi në të vërtetë romani ka në fokus një vend që quhet Shqipëri, me ca personazhe që janë shqiptarë e, që, përveçse kanë ca qëndrime ndaj botës, jetës, vendit të tyre, vendeve të tjera etj., kanë edhe ca qëndrime ndaj fesë së vet apo ndaj feve të të tjerëve. Jam përpjekur të përshkruaj një copëz Shqipërie në këtë roman. Tema pra është ky vendi i ynë.

Mund të na e thoni fabulën me dy fjalë?

Nuk më duket se ka një fabul. Ka thjesht një ngjarje, një vdekje. Është vdekja e një myslimani në një qytet të Shqipërisë së Mesme, që unë i kam vënë emrin Ch. Dhe vetë qyteti Ch është një qytet tipik shqiptar. Dy djemtë e myslimanit, njëri gjithashtu mysliman e tjetri ateist, e përjetojnë në mënyrën e tyre këtë vdekje.

E shohin si një rast për t’u kthyer momenteve të veçanta të jetës së tyre, marrëdhënies që ata kanë pasur me babanë, me njëri-tjetrin, me nënën e tyre, që është e krishterë ortodokse. Dhe kështu kemi edhe një familje tipike shqiptare, d.m.th. një familje multifetare.

Mund të ketë lexues që mund të lëndohen nga mesazhet që ju përcillni?

Në këtë pikë as që e kam idenë. Dhe as që më intereson shumë, të them të drejtën. Madje, një nga mesazhet e romanit është pikërisht ky: Ej njerëz, nëse ka një vlerë të qytetërimit perëndimor që duhet marrë në mbrojtje, kjo vlerë është liria e shprehjes. Kjo vlerë është më e rëndësishme se të gjithë librat e shenjtë e se të gjithë profetët e feve monoteiste.

Mund të thuhet se ju vazhdoni të provokoni

Shikoni, më lejoni të bëj të qartë një gjë. Ky është një roman i shkruar nga një njeri që për fetë nuk ka ndonjë respekt, e nga një njeri që fanatizmin fetar e konsideron si një nga gjërat më të rrezikshme për botën e sotme.

Por, nga ana tjetër, unë e di që feve nuk mund t’u fshihemi. Njerëzit fetarë i kemi mes nesh, në shkolla, në vendet e punës, deri edhe në familje. Në këto rrethana, i kam dhënë dum punës që të kem edhe unë një “fenë” time. Dhe kjo “feja” ime ka vetëm dy parime. Një: Lëri të tjerët të ndjekin fenë e tyre e të besojnë në Zotin e tyre. Dy: Mos i lejo ata të të imponohen ty, apo t’i imponohen gjithë botës.

Cili është mesazhi kryesor i romanit

Nuk di ç’të them; Ka disa mesazhe; Ndoshta mund të jetë mesazhi: Besoni, por lërini të tjerët të mos besojnë, apo të besojnë atje ku duan ata. Ose mesazhi tjetër: Besoni, nëse doni, në mbretërinë e qiellit, por nuk duket se ka kuptim t’i mbushni mendjen vetes se kjo mbretëri do të jetë e juaja veç nëse jetën në tokë e harxhoni duke urryer ata që nuk janë si ju. Ose mesazhi që del nga fraza, me të cilën mbyllet romani: Gjëja më e bukur që na ka qëlluar të kemi në të gjithë ekzistencën tonë, edhe të përjetshme në daçi, është kjo jeta në tokë, etj. (Panorama)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *